21/11/2024

POETI I VARUR NË NJË YLL, KTHIMI ME FYTYRË TË BRONZTË DHE FJALËT E GRUAS…

0

Nga Visar Zhiti

Eshtë ajo, e rënda, dita e varjes, në 10 gusht ndodhi, viti 1988, kur po binte perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipërinë tonë të rraskapitur…

Ajo ditë lëkundet tronditëse në kujtesën gjenerale.

Kur varin një njeri, i merret fryma një populli të gjithë.

Por ato lëkundje sollën dhe erën, tufanin e zemërimit të madh…

*   *   *

Poeti martir, Havzi Nelaj, u kthye nga vdekja në qytetin e lindjes me fytyrë të bronztë, besnik i vetes dhe i të gjithëve ne. Me një rrezëllim të mynxyrshëm si të fitimtarëve moralë, që kanë lënë gjithçka, edhe jetën. Bustin e tij e realizoi skulptori Hilmi Hoxha, mik imi. Shoh gishtat e tij të gjatë që modelonin baltën, në baltë minierash të burgut kishte punuar Havziu i mirë. U bë balli, qëndresa ideale, buzët që mërmërisnin vargje, sytë, vështrimi në të nesërmen që erdhi.

Piedestali priste atje ku ndodhi varja. Edhe mua aty pranë më kishin arrestuar, më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia. Dhe do ta njihja Havziun në burgun e Spaçit, teksa shtynim vagona në ferr. Më nëpërmendet heshtja e tij e mënçur dhe ajo pak buzëqeshje, që kishte një si dritë të përtejme në terret e nëndheshme.

Si një peng malli po sjell një pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë” dhe fjalët e gruas së tij si një porosi e rrallë shpirti.

VARJA E FUNDIT

– Kam lajm nga Havzi Nelaj.

– Ashtu, si është? Ka shkruar më poezi atje në Kukës(burg)? – Pasi u lirua nga burgu e çuan në internim, në Arrën.

Ç’emër, si arnat, si leckat e shpirtit.

Ç’vështrim që kishe, të gjerë dhe ëndërrues. Heshtje. S’kisha ndeshur heshtje më rroposëse se tënden. Flisje pak. Pse kemi folur aq pak? Sa keq më vjen tani! Dhe në trup ishe i paktë, me kokën të anuar në njërin sup. Ah, si të varurit! Fytyrë e butë, me një ëmbëlsi trishtane.

Ike pa leje nga internimi… Po ti ishe arratisur një herë, kishin frikë prej teje. Kishe dhe një revole, s’dihej ku e gjete, që, në rast rrethimi, të vrisje veten… Dhe ashtu ndodhi, të rrethuan në shtëpinë e dajës, herët në mëngjes. Po flije, kur të zgjuan. Pe policët… Qëllove me revole për të vrarë veten. Ta kapën dorën dhe plagose njërin nga rrethuesit në gojë. Arma ngeci. Vjetërane. T’u hodhën përsipër. Dhe të çuan në gjyq për të të dënuar për herë të katërt, po në atë ngrehinë ku isha dënuar edhe unë, i njëjti prokuror egërshan dhe i kafshët.

Për herë të parë ishe dënuar poshtë, në Kukësin e vjetër, të mbytur tashmë nga ujërat e Drinit, në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës. Dramë e vërtetë. Ti, mësuesi i urtë, sapo kishe mbaruar universitetin me mundime dhe guxove e dole kundër prishjeve të tempujve të fesë, ishe për veshjet e bukura popullore, nuk duhen hequr me zor, ç’janë këto kooperativa, the, nuk kolektivizohen shpirtrat. Populli është i sëmurë, shtove. Dhe po të ndiqnin si kundërshtar.

Bashkë më tët shoqe u arratisët. Në piramidën e kufirit le një letër “Lamtumirë, Atdhe i dashtun…” Në Prizren të mbyllën në një hotel. Do të na shërbesh ne, të thanë, bëhu polic. Jam mësues, u the, dhe poet, e kam parim të jetës. Por bëhesh dhe i vdekjes, të thanë. Dhe ju kthyen. Dhe ju dënuan. Ty 15 vjet burg, tët shoqe 10. Të dy 25 vjet. Dhe të ridënuan edhe me 8 vjet të tjerë, prapë si kundërshtar politik. I besoj Zotit, i the hetuesit, liri ka në Perëndim, i the prapë, në Amerikë, Francë, Suedi, Gjermani…

Ku u njohëm ne, miku im, që avitesh midis qiellit dhe tokës, i ëndërrt, në Spaç apo në Qafë-Bar? Në errësirë, nën dhé. Shtynim vagonë si skllevër. Seç më the për poezinë. Me kryet mënjanë, dhembshurisht si të varurit. Dhe unë të thashë se ç’është një që ka mbiemrin tënd, ai e pati librin tim dhe… nga i njëjti fshat jemi, fis… S’e dija që ti kishe shkruar poezi për të drejtat e njeriut, për Helsinkin, ishe i pari që e përmendje, kur nuk lejohej, në të gjithë poezinë shqipe.

Fryma e Helsinkit

u derdh porsi era,

na përkëdheli zemrat,

çeli si pranvera…

Kishe shkruar dhe në burgun e Burrelit, madje një roman “Bota e bardhë”, po ku është, s’gjendet? Në birucat e Rrëshenit ke bërë poezi me mend, po edhe unë. Dhe për Kanunin se ç’thamë një ditë, se mos ishte ditë, makth, tmerr, të dhashë një libër, më duket. Ja që edhe prilli thyhet, buzëqeshe hidhur. Po pse kemi folur aq pak bashkë? Pse?

Dhe u liruam në të njëjtin dimër, ti në dhjetor, unë mbas pak, në janar. Po ajo borë e ftohtë, po ajo diktaturë. Ti u ktheve në Kukësin tënd, nise të ndërtoje një shtëpi, por të internuan, të çuan andej ku nuk duhej të rrije as me bishat, kështu the, kurse unë shkova prapë në Lushnjë, mbartja tulla si i dënuar, pa asnjë të drejtë tjetër.

Dhe të çuan në bankën e të akuzuarve për herë të katërt e të fundit. Ku ishte jot shoqe? Të erdhi nga pas kudo. Të ulën atje ku kam qenë ulur dhe unë. E pe Kukësin e Ri? A ishte shpirti i qytetit apo qe mbytur me të vjetrin? Ndoshta po ato pranga kam pasur edhe unë ndër duar, se si shtrëngohen, ka një vidhë të trashë, i vënë dhe një dryn të madh si dyerve të birucave. Në cilën ishe ti, në birucat andej, te 9-a isha unë në fillim. Dhe të dënuan shpejt e shpejt. Me vdekje. Me varje.

Te agjencia e autobusëve ngritën trekëmbëshin, gati afër qendrës së qytetit, ku isha arrestuar edhe unë. Sa herë kisha pritur aty për të ikur larg, në fshatin ku më kishin caktuar mësues. Ja dhe fusha me drurë molle anash dhe më tej mali me emrin Pikëllimë. Mjegull si andej. Fantazma ime avitet që të shikojë. Fantazma jote… zhduket.

Gjithçka u krye natën. Pas mesnate. Gusht, zagushi mbytëse. Ca yj të mëdhenj binin mbi qytet si kokrra misri, dora e Zotit i hidhte mbi rrugët dhe tarracat.

Të sollën te vendi, heshturazi. Si hajdutë. Ah, sa i varfër ishe, me rroba të vjetra. Si të hipën në trekëmbësh? Kush ta vuri litarin në fyt? Çfarë the? Asnjë dëshmi.

Një lëkundje e fortë lart-poshtë. Terratisje. Ra mali mbi agjencinë e autobusëve, i theu drurët e mollëve anash, dritaret, u shtrembëruan, gulçe, qyteti përpëlitej në litarin e varur në qiell, u këput qielli, njëra këpucë preku gjykatën dhe tjetra komitetin e partisë, po lëkundej nata, i mbylli sytë përgjithmonë, kokëmënjanë, ashtu si ti, po shuhej…

Zbardhi fytyra e të varurit në të gjitha rrugët. Dhe u thirrën njerëzit për ta parë. Ishin shpërndarë ftesa. O Zot! Si në gjyqin tim.

Midis tokës dhe qiellit ai, i varuri. Lëkundej lehtë, pikëllueshëm. Me kokën mënjanë. Symbyllur. Me qerpikët e zinj si zi e përjetshme. Herë shkonte paksa në të ardhmen, pastaj në të shkuarën, shpatë e drejtë e ngulur tej e tej mbi këdo, nga kryet te këmbët, e pamundur ta shoh, hiqeni.

Ora 11 e paradites digjte si pishtar. Një thikë e ashpër preu litarin. Trupi i Havzi Nelës ra përtokë në fund të trekëmbëshit. Pak fare trup i kishte mbetur, ndërsa shpirti i kishte ikur lart. Me përbuzje të shenjtë.

Kufomën e çuan te lavazhet e policisë. E flakën në një qoshe. Afër mesnatës e ngritën si një deng. Në një gropë çfarëdo e mbuluan me dhé, gati si më këmbë, ashtu si në varje. Qafa ishte rrjepur. Përsipër hodhën ca shkurre, që të mos kuptohej asgjë. S’duhet të ishte më as i vdekur.

Një vit më vonë do të binte Muri i Berlinit.

FORCA E BUZËQESHJES

Po buzëqeshja jote e hidhur ku kishte mbetur? E gjeta, ishte te jot shoqe. Ajo buzëqeshte si ti, për ty prapë. Kaq shumë njëlloj, mallëngjyeshëm, si drita e syve.

– Do të desha të tregoja si u dashuruam, më tha ajo.

– Ashtu? Jo për vuajtjet dhe dënimet? Se të gjithë ne flasim si na burgosën, si na vranë, si na hodhën dhé përsipër, si endemi si fantazma, kurse ajo, grua e heshtur, e bukur ende, me hiret e moshës së vonë, dinjitoze, ka vendosur të tregojë se si u dashuruan. Atje në Veri, maleve. E pabesueshme. Vetëm kjo ka rëndësi, më shumë se sa burgjet dhe vdekja.

Kur të fillojmë të flasim

për dashurinë, atëherë kemi fituar.

Dhe poeti është varur në një yll!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok