17/11/2024

PO MBYLLET 100-VJETORI I MARRËDHËNIEVE SHQIPTARO-AMERIKANE PËR FAQE TË ZEZË

0

Nga Frank Shkreli

Ka disa vite që paralajmëroj për rrezikun që i kanosej marrëdhënieve amerikano-shqiptare për arsye të asaj që unë e kam konsideruar si sjellje jo normale dhe aspak diplomatike – midis Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, regjimit të tij autoritar e të korruptuar dhe ambasadorëve të vendeve perendimore, përfshir Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara, Zonjën Juri Kim dhe përfaqsuesve të enteve të tjera ndërkombëtare në Tiranë.  Dukej sikur të gjithëve u ishte mbushur mendja se po përfaqësonin vendet e tyre në shtetin më të lirë e më demokratik në rajon, në Evropë e ndoshta edhe në botë. Ambasadorët e vendeve perëndimore në Tiranë dukeshin si të hipnotizuar nga Edi Rama dhe regjimi i tij.  Vazhdimisht është folur për ato që diplomatët perëndimorë, e sidomos Juri Kim, kanë theksuar, “vlerat e përbashkëta” me regjimin e Tiranës. Betohej për punën e bërë “krah për krah”, me një regjim autoritar të korruptuar që kontrollon të gjitha institucionet qeveritare dhe shtetërore, parlamentin, mediat kryesore dhe gjykatat, pa marrë parasysh se ç’po ndodhte në shoqërinë shqiptare, ndërkohë që përball këtyre krizave, vendi po zbrazet nga rinia dhe nga elita e Kombit.  Fatbardhësisht, ndonëse shumë vonë, diplomatët perëndimorë kanë filluar të dalin nga kllapia e kësaj sëmundjeje, por është tepër vonë.

Si është e mundur që dipomatët perëndimorë – përfaqsues të vlerave perëndimore të lirisë e demokracisë — nuk shikonin korrupsionin, drogën dhe keq-qeverisjen, shkatërrimin e opozitës, vjedhjen e votave, e tjera. Si është e mundur dhe normale që diplomatët e vlerave të demokracive perëndimore, të përfliten në Tiranë nga media dhe të tjerë, si palë me qeverinë dhe përçarës të opozitës edhe ashtu e ndarë dhe e shkatërruar në vetvete. Pa pluralizëm politik nuk ka demokraci!  More, nuk i shihni kolonat e shqiptarëve duke u larguar nga Atdheu i tyre, të zhgënjyer me “demokracinë” shqiptare, me korrupcionin, me shkeljet e lirisë së fjalës dhe të normave demokratike, në përgjithsi, me mungesën e drejtësisë e tjera e të tjera.  E ju të gjithë, perëndimorët pa dallim aty në Tiranë — keni hesht, për vite, përball këtyre dukurive.  Është tepër vonë tani, reagimi i juaj. Tani, po të flisni, MEPJ u jep ju urdhër të largoheni, të merrni valixhet dhe ikni, duke koritur ju personalisht, të nderuar diplomatë perëndimorë – po për më tepër duke poshtëruar vendet tuaja që ju përfaqësoni në Republikën e Shqipërisë.  A mund të më thotë dikush se bazuar në cilat norma dhe cilat parime, vlerat dhe rregullat diplomatike ndërkombëtare, Shqipëria mund të japë një njoftim të tillë për diplomaten më të lartë amerikane në Tiranë? Dikush duhet të japë një shpjegim për këtë njoftim ofendues ndaj Amerikës, qoftë Ambasada Amerikane në Tiranë ose Departmenti Amerikan i Shtetit në Washington. E turpëshme!

Unë e kam thenë vazhdimisht se marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk janë ashtu siç pretendohet se janë dhe aspak ashtu siç do të dëshironim të ishin, në këtë 100-vjetor të themelimit të tyre. Shyqyr që ky përvjetor po merr fund se na kanë lodhur me gnjeshtra të zhvillimit të këtyre marrëdhënieve, “krah për krah” dhe gjoja të bazuara në “vlera të përbashkëta”, me udhëheqsin e tyre të preferuar në krye të qeverisë shqiptare.  Jam munduar gjatë viteve që këto marrëdhënie ti paraqes si lidhje midis dy popujve tanë dhe jo me regjime ose individë autoritarë që s’kanë asgjë të përbashkët me Amerikën as me vlerat perëndimore. Për fat të keq, atmosfera në marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më e keqe se sot – në përmbylljen e 100-vjetorit të vendosjes së këtyre marrëdhënieve.  Dua që këto marrëdhënie të jenë gjithmonë popull me popull dhe të mos varen nga individë të papërgjegjëshëm, nga cila do palë qoftë, që i përdorin ato për qëllime që nuk janë në favor të lidhjeve, historikisht, miqësore e të ngushta midis dy popujve tanë miq.

Uroj që këta njerëz, të cilëve u kishim besuar zhvillimin normal dhe diplomatik të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, të mos u kenë shkaktuar lidhjeve, historikisht, miqësore midis dy kombeve tona – dëme të pa-riparueshme afatgjata. Disa analistë e komentues shqiptarë u shprehën, pas njoftimit të MEPJ të Shqipërisë se Edi Rama po e hedh Juri Kim, si një “lemon të shtrydhur”, por unë besoj se në përmbyllje të 100-vjetorit të marrëdhënive dy-palëshe, Edi Rama po i tregon gishtin edhe Shteteve të Bashkuara, në shenjë mos-aprovimi për gjëra që ne ndoshta nuk i shohim në marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Kur shikoj pas zhvillimet e disa viteve të fundit në marrëdhëniet midis Ambasadores amerikane Juri Kim në Tiranë por edhe të përfaqsuesve të tjerë perëndimorë në Shqipëri, si për shembëll trajtimit dhe përpjekjeve të tyre për ta paraqitur Ramën dhe regjimin e tij si pro-perëndimor, e madje edhe si pro-amerikan, me të cilin Shtetet e Bashkuara, sipas tyre, ndajnë “vlera të përbashkëta – është e pamundur të mos bej pyetjen më normale që mund të jetë — drejtuar diplomatëve perendimorë në Tiranë: More a ka mbetur gjë më nga integriteti diplomatik në këtë botë!?  Z. Rama është tallur në të kaluarën me Bashkimin  Evropian, me Shtetet e Bashkuara dhe me Zonjën Kim, personalisht, duke iu referuar asaj, pak a shumë, si “sekretare e Partisë së Punës(Komuniste) Frank Shkreli: Kryeministri Rama tallet me Amerikën prani Yuri Kim | Gazeta Telegraf , ndërkohë që dihet se flamuri i Shteteve të Bashkuara, nuk është një prej flamurve botëror i preferuar nga Edi Rama.

Por ishte njoftimi i fundit që erdhi si rrufe nga një qiell i kaltër, nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë – në ditët e fundit të 100-vjetorit të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.  Ishte si një kapak për të mbyllur këtë farsë mashtruese nga ana e Tiranës zyrtare që po përfundon me shpalljen e përfaqsueses amerikane në Tiranë, pothuaj si “non-grata”, ndoshta jo me këto fjalë, por është një dëbim i njëanshëm nga regjimi Rama, ndryshe kjo nuk mund të shpjegohet.

Deri në këtë moment, nuk kam parë ndonjë njoftim nga Departmenti Amerikan i Shtetit sa i përket njoftimit të njëanshëm për “zevendësimin e Ambasadores Kim”, si përfaqsuese e Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Ky njoftim nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme e Shqipërisë është krejtësisht jashtë normave diplomatike.  Ja lexojeni njoftimin e njëanshëm të Tiranës zyrtare ku një regjim autoritar siç është ai i Tiranës, njofton largimin/dëbimin e një ambasadori të huaj – dhe jo vetëm do si do ambasadori – por përfaqsueses së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, fuqisë politike, ekonomike dhe ushtrake më të madhe botërore – me të cilën deri më sot me fjalë boshe pretendonte se ishte aleatja kryesore strategjike e Shqipërisë. Çfarë hipokrizie!?

Cilat do që të kenë qenë marrëdhëniet midis ambasadores amerikane në Tiranë, Juri Kim dhe regjimit të Kryeministrit Rama, gjatë tre viteve të kaluara, njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e jashtme e Shqipërisë është ofenduese për Zonjen Kim të cilës në realitet, Tirana zyrtare i thotë, merr valixhet dhe ik! Por është një ofendim i rëndë karshi Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një njoftim jashtë normave normale diplomatike në marrëdhëniet midis shteteve dhe dikush duhet të japë shpjegim se pse ndodhi dhe çfarë do të thotë, pasi është një dukuri e paparë më parë, në analet diplomatike.

Çfarë sinjali është ky njoftim për vet Zonjën Kim dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane? Duke e shikuar prej së largu, më duket se njoftimi i MEPJ nuk ka të bejë fare me Zonjën Kim por me pakënaqësinë e qeverisë Rama me Shtetet e Bashkuara – si një shenjë protestues nga Tirana se qeveria shqiptare aktuale është e pakënaqur me politikat e vendit që përfaqëson Zonja Kim. Por mund të jetë edhe njëfarë bullizmi, një kërcnim se nëqoftse shtohet presioni ndaj regjimit të tij, mund të ketë masa të tjera edhe më dramatike për marrëdhëniet dy palëshe, për ndryshe kjo nuk mund të kuptohet nga njerëz normal.

Për diplomatët amerikanë dhe perëndimorë në Tiranë, që përfaqësoni Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian – për hir të atij populli të vuajtur pro-perëndimor në Shqipërinë tonë të dashur — ka ardhur koha që të hiqni maskën e hipokrizisë dhe të flisni haptas për realitetin tragjik të politikës shqiptare dhe të gjëndjes në përgjithësi në atë, përfshir dështimin e demokracisë së vërtetë në Shqipëri – një politike të dështuar, që tani, fatkeqsisht, mund të prekë negativisht edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Perëndimin. Megjithkëtë, unë jam optimist se marrëdhëniet miqësore shqiptaro-amerikane midis dy kombeve tona, të cilat i kanë mbijetuar, për pothuaj një gjysëm shekulli, njërit prej regjimeve më të egra e barbare në botë — diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, do të vazhdojnë të zhvillohen në të mirë të dy popujve tanë dhe të paqës në Ballkan dhe në botë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok