02/12/2024

Pjetër Gjeloshaj, një fëmijë ”i djallëzuar” dhe një sportist i dalluar

0
Pjeter-Gjeloshaj

Një shembull suksesi

Nga Gjekë Gjonaj

Gjatë përvojës sime  të   mësimdhënies në vendlindje  kam pasur  nxënës me karaktere të ndryshme. Secili  në mënyrën e vet ishte i veçantë.  Njëri ndër ata ishte edhe  Pjetër Gjeloshaj  nga fshati Nikmarash  të Trieshit.  Personazhi i këtij shkrimi  përveçse  ka qenë nxënësi im  jemi edhe të një fshati  (mëhalle). E njoh që në fëmijëri. E mbaj mend si një fëmijë temperament, duke kërcyer, duke bërtitur, duke rrotulluar,  duke luajtur , duke  shfaqur shpirtin e tij të shqetësuar,  të pabindur, luftarak, por gjithmonë  brenda kufijve të pranueshëm.  Të gjitha këto janë karakteristika të fëmijëve me të cilët prindërit  dhe mësimdhënësit kanë shumë më tepër për të bërë dhe për t’u shqetësuar se sa fëmijët ( nxënësit) që janë të qetë, që u pëlqen të luajnë vetëm dhe që ndonjëherë praktikisht nuk dëgjohen. .

Para së gjithash, ky fëmijë   me  temperament  shumë të fortë , “ rebel”  dhe  tepër  i gjallë ( aktiv) , por  korrekt,  ishte   një sfidë e madhe për prindërit, por edhe për mësimdhënësit e Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, ku ai përfundoi shkollimin fillor. Kam përshtypjen se truri i tij funksionon më shpejt, imagjinata e tij është  më  e gjerë dhe sjellja e tij  pasqyron atë të një fëmije  me qëndrim. Ishte një fëmijë e më vonë edhe djalosh  që do të provojë gjithçka vetë, veprim  ky që  shpesh nervozonte edhe prindërit edhe mësimdhënësit. Ai nuk kënaqej kurrë  me një ndalim që i vendosnim, nëse nuk ia kemi  shpjeguar më parë në atë mënyrë që ai më parë ta kuptojë  se i kemi dhënë një argument  se pse  një ndalim i tillë duhet të  pranohet.

Këtij fëmije “ të shtirë“  ,  sypatrembur  , por të shkathët,  nuk ia  pengoja synimin e tij për të mësuar , për të  bërë atë që synon të bëjë, për të  vepruar vetë në mënyrën e tij, mbase isha i bindur   se fëmijët e tillë  si  ai me karakter të fortë  e jetojnë jetën në maksimum dhe shprehin dëshirat, synimet dhe emocionet e tyre shumë fuqishëm.

U bëra mbështetja e tij në mënyrë që ai të ketë gjithmonë besim tek unë,  se do të jemi pranë tij sa herë që ai të ketë nevojë për mua në  edukimin dhe ngritjen e jetës së tij.  Sidomos kam mbështetur e pikat e   forta të tij, në mënyrë që ai të shprehë potencialin gjatë aktivitetit fizik.  Dhe nuk më zhgënjeu. Përkundrazi më befasoi  për të mirë.

Pjetër Gjeloshaj u bë  një njeri i mirë, i ndershëm, i suksesshëm dhe një sportist jashtëzakonisht  i dalluar në  Kaliforni, ku ka emigruar para më shumë se tri dekadash.  Shpirtin e tij luftarak  dhe talentin e tij e dëshmoi  në sportin shumë të fortë,  të tmerrshëm,  guximtar,  burrëror dhe shumë të rrezikshëm Jiu – Jutsu”, e lindur dhe e zhvilluar në Brazil më 1920, nga Helio Gracie, babai i kampionit Royce Gracie, i cili më vonë hapi një akademi sportive me degë në shtete të ndryshme të botës. Gjeloshaj, përdor edhe teknikën “Tae Kwon Do”,  të cilën e  ushtroi për pesë vite   bashkë me kampionin e botës, Royce Gracie në   Los Angeles.

Ky lloj sporti  nuk ka rregulla, as mjete mbrojtëse. Godit ku të mundesh, me duar e me këmbë, në kokë, në bark, në shpinë e kudo tjetër për të arritur fitoren. Rregulli i vetëm zbatohet kur kundërshtarit i zihet fryma dhe ai jep shenjë duke i rënë podiumit tri herë me dorë. Atëherë gjyqtari i ndeshjes shpall fundin e lojës dhe shpall fituesin.

Pjetër Gjeloshaj në paraqitjet e deritashme në gara të ndryshme  në  Kaliforni ka demonstruar shpirt luftarak, profesionalizëm dhe këmbëngulje.  Ky sportist i suksesshëm  me fitoret e tij  është  frymëzim për të gjitha gjeneratat e reja. Për sukseset  e tij kanë  shkruar  gazeta të ndryshme  prestigjioze amerikane   të sportit, duke i prezantuar ato  në faqet e tyre të para.

Dëshmi të sukseseve  të tij janë afro   30 medalje të fituara në gara të ndryshme, prej të cilave më e vlefshme është ajo që fitoi në Florida  në vitin1998, në një garë ku morën pjesë 115 sportistë nga shtete të ndryshme të Amerikës, të ndarë në katër grupe. Ai  zuri vendin e parë në grupin e vet. Është bartës  i katër brezave  të zinj në “Tae Kwon Do” dhe   jep edhe mësime për studentët që duan të ushtrojnë këtë lloj sporti.

“ Si fëmijë nuk kam qenë i qetë. Dëshira ime ishte të rrihesha me shokët. Isha shumë i guximshëm dhe askush nuk mund të dilte fitues kundër meje.  Për këtë arsye  e zgjodha këtë   sport” , thotë Gjeloshaj. Shton se nuk ka frikë  para se të futet në betejë.  “Për mua është sikur nisem për dasmë. Kur e bën një gjë me dëshirë, të duket normale. Ky sport të imponon disiplinë, mësohesh dhe nuk ndjen më lodhje, madje ai të ndihmon për t’u përqendruar edhe më mirë në punë. Për të fituar një ndeshje sportive, nuk duhet të jesh nervoz, por të kesh durim, guxim dhe, natyrisht të dish të përdorësh teknikën më të  përshtatshme për të gjunjëzuar kundërshtarin (rivalin).”,  thekson Gjeloshaj.

-A është talenti/motivimi parakushti i parë për sukses? Një talent pa të cilin nuk mund të jetosh?

– Nëse jeni të gatshëm të punoni shumë, mund t’i arrini qëllimet tuaja në çdo sport. Motivimi dhe talenti përbëjnë 20% në përllogaritjen përfundimtare të një sportisti të suksesshëm.  Fati është gjithashtu një faktor integral në krijimin e imazhit të një sportisti të suksesshëm gjatë karrierës së tij.  Njeriu mëson sa është gjallë, ndaj edhe një sportist i suksesshëm duhet të punojë gjithmonë me veten dhe të ndryshojë në përputhje me tendencat që sjell sporti. Pra, mësimi ( stërvitja )  i përditshëm dhe puna me veten është një rrugë e sigurt drejt suksesit. Nëse dëshironi të keni sukses në ndonjë sport, mësoni nga më të mirët. Ndiqni sportistët  tuaj të preferuar dhe shikoni ata të përformojnë. Zotëroni aftësitë e tyre, merrni disiplinën dhe motivimin e tyre dhe zbatoni ato në trajnimin tuaj-  shpjegon Gjeloshaj

Shembulli i Pjetër Gjeloshajt tregon se  një fëmijë i cili   në një periudhë të caktuar ( të hershme )  zhvillimi  bën  veprime  të padëmshme dhe të pamenduara, brenda kufijve të asaj që është e pranueshme dhe e justifikuar,  gjë që është normale,  sigurisht nëse është brenda kufijve të asaj që është e pranueshme  dhe e justifikuar , me punë e  me sjellje  çon në një ditë të bëhet një burrë i suksesshëm dhe sportist i spikatur dhe i vlerësuar.

Nxënësit i mësojmë dhe i edukojmë  që një ditë të bëhen njerëz të ditur dhe të mirë.   Çfarë të presim dhe të dëshirojmë më shumë se sa   të ketë sukses nxënësi  ynë ?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok