14/10/2024

Nga Timo Mërkuri

I- Poezia e Sabit Rrustemit “Aty ku mbin liria” (Një baladë e vonë për Mulla Idrizin Gjilanin , në 70 vjetorin e martirizimit të Tij) është një poezi që të fton të njihesh së pari me kontekstin historik të saj për ta shijuar jo vetëm estetikisht krijimin, por  njohja me veprimtarinë dhe figurën e Mulla Idriz Gjilanit i kapërceu caqet e kureshtjes sime, jo aq për faktin se ai ishte një klerik që rrëmbeu armët  në luftën për liri, madje dhe udhëhoqi forca kryengritëse, sepse dihet historikisht që elita[1] patriote e klerikëve shqiptarë ka qënë sa “barinj”shpirtërorë të popullit, aq dhe prijësa popullorë në luftërat për liri. Nuk u befasova pse  forcat popullore nën drejtimin e tij aritën suksese mahnitëse, por rashë në mendime pse është i vetmi rast në histori që një prijës popullor çmohet, vlerësohet e lartësohet[2] më tepër pas një disfate dhe masakre hakmarrëse mbi popullatën civile të kundërshtarit se sa pas një fitoreje.

E themi këtë se populli i mbështet prijësat popullorë në luftën për liri, por gjithmonë ka kërkuar që veprimet e tyre të mos i sjellin dëm të shtuar popullatës civile dhe të mos lihet ajo e pambrojtur nga hakmarrja e armikut, pasi historia ka raste ku dëmi nga hakmarrja e armikut ka qenë shumë më i madh[3] se suksesi i goditjes së tij. Në këto raste populli e ka lënë në harresë emrin e sulmuesit e “suksesin” e tij  minimal dhe është mbledhur kruspuill  mbi dhimbjen e tij.

Në rastin e Mulla Idrizit, pas “plojës” së Gjilanit  të 23 dhjetorit

1944 ku serbët vranë e masakruan mbi 8 mijë civilë, emri dhe lavdia e

tij çuditërisht erdhi duke u lartësuar. Le të sjellim në kujtesë historinë:

II- Mulla Idriz Hajjrullahu, ka qenë pjesmarrës në kryesinë e punës së Lidhjes së Dytë të Prizrenit[4], prej nga ju ngarkua  detyra që të organizojë mbrojtjen e kufijve etnikë përgjatë gjithë kufirit të Kosovës Lindore nga Maja e Kikës në Gollak e deri te Guri i Zi mbi Shkup. Me cilësinë e komandantit të Vullnetarëve të Zonës IV të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës ai organizoi dhe drejtoi Luftën e Velegllavës  e datës 28 qershor 1944 , Luftën e Kikës më 26 dhe 27 korrik 1944, Lufta e  Preshevën më 11 dhe 12 shtator 1944, Luftën e Bajramit  për Bujanocit, më 18 dhe 19 shtator 1944 si dhe luftën e dytë të Bujanocit në 29 tetor 1944, të gjitha beteja të suksesëshme pse siç thotë poeti:

në kambë mbesin deri në sosje

veç dal’Zotësit e k’tij Dheu

Kishte nisur udhë legjenda  se : “ku printe Mulla Idrizi, ishte e sigurtë fitorja” ndaj emrit të tij ju shtua cilësori “Gjilani” në formën e një titulli fisnikërie:”Mulla Idrizi i Gjilanit”. Dhe legjenda të kërkon gjithmon në këmbë, në daç si luftëtar e në daç si profet.

Meqenëse më 16 nëntor 1944  në Gjilan kishin hyrë forcat serbe, luftëtarët shqiptarë në valën e entusiazmit të këtyre fitoreve vendosën të sulmojnë dhe çlirojnë Gjilanin. Mulla Idrizi duke njohur situatën dhe raportin e forcave u shpreh kundër këtij sulmi[5], madje deklaroi se “Gjilanin mund ta marrim por nuk do ta mbajmë dot”. Vërtet, Gjilani u muar por nuk mund të mbahej  përballë forcave serbe. Pas rimarrjes së qytetit të Gjilanit, forcat serbe ( partizano – çetnike ) kryen atë që quhet “ploja e Gjilanit”, vrasja dhe masakrimi i mbi 8 mijë banorëve, identifikimi i të cilëve nuk është bërë as sot e kësaj dite.

Mulla Idrizi ishte në listën e të kërkuarve kështu që u hodh në ilegalitet duke u fshehur fillimisht në fshatin Tugjec e më pas në shtëpinë e familjes Sadiku (Salih Sadikut) në fshatin Gjyrishec për katër vjet. Vetë moskapja e Mulla Idriz Gjilanit për katër vjet ishte një sfidë më vete ndaj forcave serbe, sifidë  që e riti legjendën e tij në popull sepse emri i tij mbante shpresën gjallë si prushi në votër mban zjarrin brenda tij. Si gjithmon, legjendat që ngrihen për të gjallët, zbresin trishtueshëm në tokë, si kjo legjendë e Mulla Idrizit që pati fundin real, zbulimin dhe kapjen e tij  të gjallë[6] më 26 nëntor 1949.

Ndërsa serbët po festonin nëpër rrugët e qytetit të Gjilanit “fitoren e tyre” të arrestimit të Mulla Idrizit, në “Kausha” – ish burgu famëkeq i Gjilanit filloi torturimi i tij. U provuan të gjitha llojet e torturave fizike  por asnjera nuk ishte e aftë ta mposhtte , prandaj në pamundësi për ta thyer, por edhe për të fshehur masakrimin e tij në tortura, pas mesnatës  të datës 26 nëntor 1949 e nxjerrin nga burgu dhe e dërgojnë në periferi të Gjilanit, në vendin e quajtur ”Gllamë”, ku  në agun e asaj dite të shtunë e lyejnë me benzinë dhe e djegin ndërsa ishte ende i gjallë.

III-Aty, nisi udhë legjenda e Mulla Idriz Gjilanit, me flakën e trupit të tij që:

“Në atë të shtune të vonë nëntori

f’tyrën e tij thonë e kanë pa n’flakë

tuj u përbirue pej Kaushe

e tuj u ngjitë qiellit përpjetë

 

Bajke dritë si n’jaj diell

e shndëriste si sot mbi këtë vend

Ishte kjo flakë që ndërsa shkrumbëzonte trupin e Mulla Idrizit dritësoi Gjilanin në atë terr informative të terorrit serb. Qysh në momentin që u dogj, Mulla Idriz Gjilani, nga një prijës popullor “Ky Pri(s-j)am i kohëve të vona” u shndërrua në një shënjtor në sytë, mendjen e zemrën e popullit, thua se ajo flakë ishte shugurimi i shënjtërimit të tij. Nga ai moment nisën të këndohen këngë lavdërimi si psalme hyjnizimi, nisën të shkruhen vargje poezie, nëpër piktura nisi të shfaqet mbi kalin e tij të luftës duke rendur nga fronti në front me thirrje kushtrimi. Legjendat tregojnë se ai:

“Dushmanëve të njerzimit ua la n’grusht

vetëm peshën e mbetun të trupit t’vet”

Atë e shenjtëroi ai zjarr ndaj dhe njerzit flisnin për të si për një shënjtor:

“Gjinja zunë të rr’fehen për emnin e Tij

sa herë përdridhej mbi male bora

a n’pikë t’verës i gjunte reja”.

Njerëzit flisnin për Mulla Idriz Gjilanin që herë si shenjt e herë si hero legjendash:

“Sa dukej mbi Kikë,

përdirdhej e dilte n’Grykë t’Konçulit

tuj u sjell dej mbi Shkup te ai Gur i Zi

se k’nej ish e mbet Shipni”

IV-Në këtë kuadër,  Sabit Rrustemi krijoi poezinë e tij “Aty ku mbin liria”, të cilën e ka rishkruar në tre katër variante duke i latuar fjalët pas çdo varianti si skulptorët mermerin. Është e natyrshme që Sabit Rrustemi të shkruante një poezi për Mulla Idriz Gjilanin pasi zemra e poetit që mbështjell gjithë globin si atmosfera nëpër të cilën filtrohet e kalon drita, mban ajrin që jep oksigjenin, shiun për jetën, por dhe goditjet e rrufesë dhe gjëmimin e bubullimave nuk mund të mos afrohej te ky emër, si pranë një zjarri; “acarit qi e djeg deri në asht”, por ajo që të bën përshtypje është fakti se vargjet e saj të duken si flakët e një zjarri, jo aq nga ngjyrimi se sa nga ngrohtësia dhe dritësimi që shpërndajnë. Gjatë leximit dhe rileximit ndjeva dhe kuptova se poeti qysh në vargun e parë e ka “skicuar” aktin e heroit si një flakë që i duhej popullit dhe vendit të tij për të ngrohur shpresën për liri, për të dritësuar rrugën për te liria. Ai ishte zjarri që Prometeu (Kosova) u mori perëndive për popullin e vetë, për t’u dhënë dritën, ngrohtësinë, shpresën. Populli e mori këtë “zjarr”, e fshehu, e shpërndau në çdo zemër e shtëpi dhe “perënditë” nuk mund t’i bënin gjë për t’ja rimarrë.

Ky ishte misioni i Mulla Idrizit të Gjilanit, të digjej vetë që bashkëatdhetarët e tij të  dritësoheshin me zjarrin e trupit të tij dhe të festonin ringjalljen e lirisë:

“Aty ku mbin liria

nëpër djepa

shlirë përkunet fëmija

e shtohet gjallnia”

Nuk di pse më duket si në Pashkët tona ku drita e shenjtë del nga varri i Krishtit me një qiri dhe duke marrë dritë prej tij qirinjtë e tjerë, çojmë në shtëpitë tona dritën e shenjtë. Dritë e shenjtë e kombit shqiptar është drita e zjarrit që lëshonte në djegie trupi i Mulla Idriz Gjilanit.

Ndërsa Kosova, ky Promethe i lidhur, mbi gjoksin e së cilës një sorrë-shkinë  i çukiste mëlçinë e i vriste rininë përditë, me këtë flakë të shenjtë i dogji litarët që e mbanin lidhur në robëri dhe tash i “falet” heroit shënjtor të saj, që dhe i djegur e çliroi nga robëria.

V-  Kështu e lexova unë poezinë e Sabit Rrustemit “Aty ku mbin liria”, shkruar me një stil, varg dhe fjalë që janë të “njëjtat” në krijimtarinë poetike të Sabit Rrustemit për të cilat kemi folur shpesh, por këtu vlen të vëmë në dukje se këtë poezi fine të gdhendur me   “gurë”  ( fjalë) të zakonshëm dhe jo me ” mermer” të zgjedhur në vend apo të importuar, autori j aka dalur të ngrejë një monument poetik që ska nevojë të ndriçohet me prozhektorë sepse ai (monumenti poetik) dritëson vendin dhe shpirtërat e njerëzve përreth.

Sarandë, më shkurt-3 mars 2023

[1]  Mullà Idriz Gjilani (Velekincë, 4 qershor 1901 – Gjilan 25 ose 26 nëntor 1949)  Cilësohet një ndër tre shqiptarët në mesin e 100 personaliteteve botërore muslimane në enciklopedinë “100 great Muslim leaders of 20 century” përgatitur nga 40 akademikë muslimanë dhe botuar në Nju Delhi më 2005.

[2] Më 11 qershor 2012, me rastin e Ditës së Çirimit, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dekoroi pas vdekjes Mulla Idriz Gjilanin me dekoratën “Urdhri i Lirisë”, ndërsa më 20 janar 2015 u nderua  me dekoratën “Nderi  Kombit” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani me rastin e 70 vjetorit të Masakrës së Gjilanit.

[3] Në 6 korrik 1943 pas një goditjeje sporadike nga partizanët në Barmash, gjermanët kryejnë masakrën e Borovës ku vriten 107 të pafajshëm, në 23 qershor 1944 pas vrasjes së rastësishme nga teritorrialët të një kapiteni gjerman kryhet nga nazistët masakra e Hondrovunit ku maskarohen mbi 100 civilë dhe internohen në Gjermani mbi 200 persona, gjithmon veç dëmeve materiale.

[4] Lidhja e dyte e Prizerenit quhet mbledhja që zhvilloi punimet në 16-20 shtator 1943 në Prizeren, me praninë e 42 delegatëve. Kryetar u zgjodh Rexhep Mitrovica, ndërsa në Kuvendin e Dytë, më 17-21 janar 1944, meqenëse Rexhep Mitrovica u emërua Kryeministër në Tiranë, Kryetar i Lidhjes u zgjodh Bedri Pejani. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një organizim i krerëve nacionalistë kosovarë, që ndryshe nga Lëvizja Nacional Çlirimtare hezitonte të angazhohej në një luftë kundër forcave gjermane se mendonin që një luftë e udhëhequr nga komunistët do të përfundonte me vendosjen e pushtetit serb në Kosovë. Ata i konsideronin pushtuesin Italian, dhe atë gjerman si të keqen më të vogën në krahasim me sundimin serb, që pritej të vendosej pas tyre. Jemi mjaftuar me kontributin e tij luftarak në periudhën e luftës së dytë botërore, pa përmendur këtu atë të periudhës para kësaj lufte dhe as kontributin qytetar të tij si në fushën e arsimit etj.

[5] Muhamet Pirraku: “Mulla Idris Gjilani  Shenjti i kombit” 26.11.2009: “Në Kuvendin Themelues të “Shtabit Suprem të Kosovës” në  Tërpezë të Moravës së Epërme, më 1 dhjetor 1944, mori pjesë edhe Mulla Idriz Gjilani, por nuk e aprovoi platformën luftarake për sulme në qytetete. Ai tha se “Nuk është mençuri as strategji luftarake as politike të lëshohemi në luftë frontale me ushtrinë partizane, qoftë jugosllave ose shqiptare, sepse nuk kemi forca të mjaftueshme për t’i mbajtur në duart tona qytetet e çliruara dhe tani për hakmarrje pushtuesi ka për të vrarë mbarë, gra e fëmijë…”!”

[6]Dorzimi i tij i gjallë u bë me qëllim që të mos ndëshkohej familja që e strehoi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok