05/02/2025

Peter Sorensen, emisari i BE-së, duhet të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi

0
Peter SORENSEN

Nga Refik Hasani

Me rastin e emërimit nga BE-ja të diplomatit danez Peter Sorensen si emisar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme që ai të adresojë edhe çështjen e diskriminimit të krahinës shqiptare në Serbi.

Peter Sorensen vjen pas një mandati gati pesëvjeçar të Mirosllav Lajçak dhe ka një përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së, duke shërbyer më parë si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën, si dhe shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Ai gjithashtu ka mbajtur pozicionin e shefit të delegacionit të BE-së në Shkup.

Emisari i BE-së duhet të vizitojë krahinën shqiptare që përfshin Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin për të trajtuar situatën e rëndë të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët atje. Ish-emisari Mirosllav Lajçak, gjatë mandatit të tij, nuk ka ushtruar presion mbi Serbinë për zbatimin e Marrëveshjes së Konçulit dhe për respektimin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, duke mos mbrojtur vullnetin plebishitar të kësaj krahine. Po ashtu, ai nuk ka kërkuar kthimin e Lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë, një çështje e ndjeshme për shqiptarët e atjeshëm.

Shqiptarët e mbetur padrejtësisht nën administrimin e Republikës së Serbisë përballen me diskriminim të vazhdueshëm, përfshirë pasivizimin e adresave, që përbën një formë të pastrimit etnik dhe dëbimit të heshtur. Mungesa e një universiteti në gjuhën shqipe, kufizimi i përdorimit të simbolit kombëtar shqiptar dhe mungesa e përfaqësimit proporcional në nivelet lokale dhe qendrore janë disa nga problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët e kësaj krahine.

BE-ja insiston për krijimin e Këshillit Nacional të pakicës serbe në Kosovë, por ka neglizhuar tërësisht luftën e UÇPMB-së, Marrëveshjen e Konçulit dhe Referendumin e vitit 1992. Kjo situatë tregon qartë përdorimin e standardeve të dyfishta: ajo që kërkohet për pakicën serbe në Kosovë u mohohet shqiptarëve në Serbi.

Peter Sorensen duhet të sigurojë që në përfundim të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës të mos mbetet e pazgjidhur çështja e krahinës shqiptare në Serbi. BE-ja, që promovon vullnetin e shumicës, nuk duhet të mbështesë me dy standarde vetëm pakicën serbe në Kosovë, duke injoruar shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, të cilët organizuan Referendumin e vitit 1992.

Shpresojmë që njohuritë dhe përvoja e Peter Sorensen si këshilltar në misionin e UNMIK-ut në Kosovë, si përfaqësues i posaçëm i BE-së në Serbi dhe si pjesë e OSBE-së në Kroaci do ta ndihmojnë atë të trajtojë me seriozitet çështjen e shqiptarëve në Serbi. Krahina shqiptare në Serbi është rajoni më i pazhvilluar në gjithë Evropën, dhe shqiptarëve nuk mund t’u mohohen të drejtat që gëzon pakica serbe në Kosovë, përfshirë edhe të drejtën për vende të rezervuara në Parlamentin e Serbisë.

Peter Sorensen duhet të trajtojë diskriminimin e krahinës shqiptare në Serbi dhe të mos përsërisë gabimet e paraardhësve të tij duke zbatuar dy standarde për dy pakica.

Refik Hasani

1 shkurt 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok