22/12/2024

Pesë a gjashtë njollat e zeza të BE-së dhe një problem yni për Kosovën!

0
Enver-Bytyci1

Nga Enver Bytyçi

Spanja, Qipro, Sllovakia, Rumania dhe Greqia, të pesë këto vende të Bashkimit Europian, prej më shumë se 15 vitesh refuzojnë ta njohin shtetin e Kosovës. Edhe duan stabilitet në Ballkanin Perendimor, edhe i kontribuojnë konfliktit! Edhe thonë pse morën pjesë në sulmet e NATO-s për çlirimin e Kosovës, sërishmi thonë se “Kosova është pjesë e Serbisë”! Edhe e dinë që 95 përqind e popullsisë së Kosovës kurrë nuk do të pranonte t’i kthehej Serbisë prapë se prapë prej 15 vitesh këto vende refuzojnë ta njohin vullnetin e banorëve të këtij vendi! Ndërkohë që thonë se respektojnë demokracinë, lirinë e të drejtën, pikërisht këto attribute të demokracisë ia mojonë një populli prej rreth dy million banorëve.

Sllovakia dhe Rumania ndjehen të kërcënuar nga agresioni rus në Ukrainë. Por ngurrojnë që ta shohin si masë mbrojtëse të territorit të tyre njohjen e shtetësisë së Kosovës! Greqia prej gati dy vitesh një dorë e mban në revani e tjetrën në bakllava. Pra është mirë edhe me Kosovën, edhe me Serbinë! Dhe duket se dëshiron që të dyja duart t’i mbajë në të dy tepsitë e ëmbëlsirave të preferuara të saj. Ndaj nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës. Qipro dhe Spanja janë akoma më larg se tri vendet e tjera në angazhimin e tyre të njohjes.

Spanja ka privilegjin që të ketë të vetin të ngarkuarin për Punë të Jashtme dhe Siguri në Europë, zotin Borrell. Por nuk ia jep privilegjin tjetër që të punojë me drejtësi për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. I ka kërkuar ish-shefit të saj të diplomacisë që të përkrahë Serbinë, në vend që të përkrahë njohjen e shtetësisë së Kosovës. Po ashtu Sllovakia vepron me emisarin europian, Miroslav Lajçak. Edhe ky ishte dikur shef i diplomacisë sllovake.Të dy këto vende jo vetëm nuk e njohin Kosovën, por ndikojnë dhe kërkojnë nga përfaqësuesit e tyre në BE ta sabotojnë këtë pavarësi.

Të pesë vendet që përmendëm më sipër janë pesë problemet e Bashkimit Europian, por që cënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perendimor. Pesë shtete, pesë pengesa, pesë mendje, pesë pishmanllëqe, pesë kontribute në interes të armiqve të Europës dhe të Kosovës, sidomos të Rusisë. Pse? Thonë na krijohet precedenti! Përralla! Nuk ka precedent në një demokraci. Demokracitë funksionale dhe liberale nuk ndikohen nga liria dhe pavarësia e Kosovës, përkundrazi përfitojnë prej saj. Demokracitë funksionojnë si një organizëm i gjallë e në harmoni. Autokracitë janë ato që krijojnë problem. Ishte dhuna, terrori, genocidi serb i Milosheviçit në Kosovë arsyeja e ndërhyrjes së NATO-s dhe e çlirimit të Kosovës nga makineria ushtarake e policore e Serbisë. Po ashtu edhe arsyeja e shtetësisë dhe pavarësisë së saj, sepse nuk ka liri pa shtetësi e pavarësi.

Kjo arsye u mungon të pesë shteteve, Greqisë, Spanjës, Sllovakisë, Rumanisë dhe Qipros, nëse ato e konsiderojnë veten demokraci dhe vende të lira! Qipro thotë se po krijoka precedentin e ndarjes së Qipros së Veriut?! Hahahaha! Po ishin qipriotët grekë të jugut ata që votuan kundër bashkimit në referendumin e para 18 viteve, organizuar nga OKB! Nuk ishin qipriotët turq! Megjithatë BE e favorizoi Qipron, duke e pranuar në union!

Tashmë kur kanë kaluar 15 vite do të duhej implementuar pavarësia, liria, shtetësia e Kosovës. Por është mos-njohja e këtyre pesë shteteve që e ka sjell situatën deri në këtë pikë, sa Europa vetë të përjetojë vazhdimisht ankthin e shpërthimit të një konflikti të ri në rajon. Problemi i gjashtë për mua janë disa vende europiane që e kanë njohur shtetësinë e pavarësinë e Kosovës dhe nga ana tjetër e pengojnë atë në rrugën e integrimeve. Edhe këto vende i kontribuojnë destabilitetit ballkanik e europian. Më së shumti Franca dhe Hungaria. Kjo e fundit ishte vëzhguese e iniciatvës serbe të Open Balkan. Ky problem është po aq serioz dhe i rrezikshëm sa edhe mos-njohja e pesë vendeve. Madje moralisht më keq se kaq. I dënueshëm, sepse njohja rezulton si hipokrizi, si përpjekje për mashtrim. Çfarë efekti do të kishte një njohje e shtetit të Kosovës e ndërkohë shteti njohës të votonte vite me radhë kundër liberalizimit të vizave ose kundër nënshkrimit të MSA?!

Dhe së fundmi, ne shqiptarët kemi një problem tonin. Fatkeqësisht, për herë të parë problemi ynë është kryeministri i Shqipërisë dhe mbështetësit e tij për rrënimin e lirisë, pavarësisë, integritetit territorial, institucioneve dhe sovranitetit të Kosovës. Gjithnjë në marrëveshje dhe në bashkëpunim me Serbinë. Madje akoma më ngushtësisht se dy të dërguarit e dy vendeve mos-njohëse, zotërinjve Borrell e Lajçak.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok