06/11/2024

-Impresion nga vëllimi poetik “Dita e gjashtë” i Rexhep Shahut-

NGA VAID HYZOTI

Në etazherin modest të bibliotekës time të krijuar këtu e me shumë se dy dekada në mërgim, botimet e Rexhep Shahut zënë një vend qendror. Kjo për faktin e thjeshtë se e kam përzgjedhur e votuar vetë si një ndër anëtarët më me peshë të “birosë” letrare në këto vite.

Sa herë dua të ushqej veten me trishtim i shfletoj dhe çuditërisht ndihem mirë, si njeriu pas një gllënjke pijesh të forta. Më sjell në vete, më përmallon e më çmall me vendin tim, që nuk e kam shkelur prej 22 vitesh.

Këto ditë kam lexuar e nënvizuar nga vëllimi i fundit “Dita e gjashtë”. Është një libër i rëndë, jo vetem nga numri i krijimeve por nga pesha e meditimeve, barra e trishtimit dhe e përvuajtjes së autorit nga dashuria. Se përvuajtja nga dashuria është emëruesi i librit. Nga dashuria për vendin, nga dhimbja për gjithçka ndodh, përjetimi jo vulgar apo gazetaresk, por përjetimi shpirtëror. Madje dhe për vajzën “e zemrës” fjala e tij letrare është kryesisht me “përvuajtje”, duke u ndjerë inferior dhe  adhurues njëkohesisht.

“…sa herë fryn mall

më therin dhimbjet”

Një mëkatar i papërsosur, sepse “të përsosurit nuk i pranon vdekja”, shkruan diku tjetër në poezi Rexhepi. Është në natyrën e tij krijuese t’ia bëjë anatominë si expert i rrallë të trishtës në emër të dashurisë. Ndaj në krijimet e shumta gjen vend “vdekja”, deri në  “adhurim” (duke përdorur, si shpesh herë inversin), kur shprehet se të vdekurit jetojnë më mirë se të gjallët, janë më të pranueshëm për majat drejtuese, që bëjnë një lëshim të madh për popullin duke ua dhënë lejën me pash të vdesin. Se të ikurit në botën tjetër nuk bëjnë greva, nuk hanë, nuk pinë, s’duan ujë dhe drita, s’duan rrugë, s’bëjnë demostrata… Por vjen një kohë ku dhe të vdekurit çohen se po levizin dhe varret. Dhe këtë kohë jep poeti në shumë e shumë poezi. Duke thirrur të vdekurit të ndihin të gjallët…

Për shumë e shumë krijime as që duhet bërë asnjë koment, asnjë analizë. Sepse në lakonizmin e tyre, në shfrim mërzie, në një dufme të thellë i mbartin të gjitha ndjesitë e dhimbjes, protestës dhe ideja artistike vjen krejt rrezëllitëse. Po veçoj një prej të shumtave:

“Viktimat shpallën amnisti për xhelatët,

për krimet e përdhunimet,

që xhelatët të jenë të virgjër,

kur të rinisin përdhunimet.

 

Viktimat shpallën amnisti për xhelatët.

Që xhelatët e rinj të rriten pa stres

në mitrat e viktimave”.

Libri “Dita e gjashtë” është një atdhe letrar për mua. Ai nuk përfshin vetem Shqipërinë zyrtare me vlimin e problemeve, por Shqipërinë e vertetë dhe në trojet e mohuara, sidomos me Kosovën. Të gjitha në përvuajtje dhe zë të shqetësuar se dhimbja e malli, dashuria vijnë të shkrira në vargje krejt natyrshëm…

Është një pyetje që të gjithë e shprehim në të përditshmen shqiptare: “Ku po shkojmë? Çfarë po bëjmë? Çfarë trashëgimie po lëmë pas…”.

Për këtë Rexhep Shahu jep një përgjigje poetike krejt të pikur, si “plak adeti”:

“Për ditë mbjellim fara dyshimi

Dhe korrim rrena të verteta”.

Vëllimi “Dita e gjashtë” do një kohë dhe vemendje të kritikës dhe studiuesve të letërsisë për një zbërthim më të plotë. Pasuria e tropeve, e tematikës së ditës, lirizmi në poezitë e shumta të dashurisë e “të përvuajturit” Shahu, që kudo ka miq e shokë që e lëvdojnë, por “përtojnë” të japin një vlerësim të vërtetë për krijimtarinë e tij. Se për çmime…oh, Rexhepi nuk futet në lista!

Ndalohet nominimi për ëndërrimtarët e vërtetë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok