21/02/2025

PERVJETORI I KALIMIT NE AMSHIM TE NJE DISHEPULLI

0
At-Anton-Harapi1

Nga Albert Vataj

Asht 20 shkurt 1946… kur Atë Anton Harapin po e çonin drejt pushkatimit. Nuk binte asnjë kambanë e Kishave ku ai kishte kremtuan Meshën e Shenjtë e predikuar Fjalën jetëdhënëse të Zotit.

Ndërsa shkonte udhës, të cilën ai po e bënte për të fundit herë, kujdesej që zhguni rregulltar e meshtarak që bante, të mos i bëhej me baltë, në shenjë të qëndresës së tij besnike, në mbrojtje të idealit për Fe e Atdhè, deri në fund.

– Po ti baltë do të bëhesh, – i tha oficeri komunist, që e shoqëronte drejt vendit të pushkatimit.

– Por të shkoj te Zoti, te vdekja ime, sa më i pastër, sikur isha gjatë jetës, – u përgjigj Frati i Shenjtë.

Njerëzit e mëdhenj mbeten gjithmonë “dritë” që “ndriçojnë” mendjen e shpirtin tonë.

Atë Anton Harapi, frati françeskan dhe një nga figurat më të ndritura të kulturës dhe fesë shqiptare, u pushkatua nga regjimi komunist më 20 shkurt 1946, pas një gjyqi farsë që e damkosi si “armik të popullit”. Ai nuk ishte thjesht një klerik, por një intelektual i shquar, pedagog, publicist dhe patriot i palëkundur, i cili e pa kombin dhe fenë si të pandashme.

Ai kishte një vizion të qartë për Shqipërinë, një vend ku feja, kultura dhe atdhedashuria duhej të ishin themelet e një shoqërie të shëndoshë. Ishte ndër figurat që kërkuan të shmangin përçarjet dhe të vendosin ura bashkimi midis shqiptarëve. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u përfshi në Këshillin e Lartë të Regjencës, një post që e pranoi jo për ambicie personale, por për të mbrojtur popullin shqiptar nga shkatërrimi. Megjithatë, komunistët e dënuan si kolaboracionist, pa marrë parasysh motivet e tij fisnike.

Në momentet e fundit të jetës, qëndroi i qetë dhe i palëkundur në besimin e tij, duke e pritur vdekjen si një shenjtor. Refuzoi të kërkonte falje apo të lëshonte deklarata të diktuara nga pushteti i ri. Përballë armëve të egërsisë, ai zgjodhi të jetë simbol i forcës shpirtërore dhe i pastërtisë morale.

Sot, figura e Atë Anton Harapit vazhdon të jetë një frymëzim për të gjithë ata që e çmojnë lirinë, dinjitetin dhe besimin. Ai nuk ishte një martir vetëm për Kishën, por për të gjithë ata që besojnë te e vërteta dhe drejtësia. Fjala e tij mbetet një udhërrëfyes, një dritë që ndriçon edhe në kohërat më të errëta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok