22/12/2024

PËRTEJ RRUGËS SË KOMBIT, ASGJË E RE…

0
Ndue-Dedaj

– Kur mund të ishte “zonë e lirë” ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës –

NGA NDUE DEDAJ

Njerëzit e paktë të maleve, edhe ato të qyteteve ndër male, presin me zemër të ngrirë, a do të ketë fund ikja? Braktisja? Turravrapi drejt gjithkundit, por jo kthimi drejt maleve? Thënë ndryshe, a do të ketë fund, fundi? Malet nuk i begenisin më as vetë malësorët, le pastaj investitorët, përfshi dhe ata strategjikë. Kurse qeveritarët gjenden aty ku janë “përqendruar” votat, jo te pjesa tjetër e Shqipërisë, ajo pa vota. Lë t’i ketë ajo “tjetra” pasuritë natyrore, mirëpo ajo nuk ka vota!? As në zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk do të ndodhë ndryshe. Në pushtet vihet me vota e rrihet me vota, e ato janë dhe larg vendit, në Milano, Londër, Selanik, Shtutgard, Nju Jork, por jo më në malet tona. Kaq e thjeshtë është “historia” e tranzicionit shqiptar, malet i ka zënë shterpësia e votës dhe kësisoj ato nuk mund të (ri)lindin.

Doemos, jo të gjithë e kanë lëshuar vendin e tyre, janë një dorë njerëzish idealistë, vullnetmirë, por nuk mjaftojnë. Atyre sikur po iu rrëshqet “dheu” nën këmbë përditë e më shumë. Njerëzit e votuar të pushtetit vendor, kur janë të qeverisë e çojnë rrugën në Dukagjin dhe mirë bëjnë, ndërsa kur nuk janë të sajit (mazhorancës), nuk e çojnë dot as deri në Orosh, 10 kilometra matanë Rrugës së Kombit!? Janë, po ashtu, përherë aty misionarët e fesë, si pararendësit që shkruan “Formulën e Pagëzimit”, por që malet nuk i pagëzuan dot me frymën e tyre të pashembullt iluminuese. Janë disa bij të vendit që pasi punuan disa vite në emigracion dhe mësuan kulturën e punës e të biznesit, u kthyen në vendin e lindjes për të bërë agroturizmin e suksesshëm. Janë dhe disa të rrallë donatorë të huaj, që ende besojnë në të ardhmen e maleve shqiptare, qofshin këto dhe Tranga në lartësi e Kanioni i Urakës në thellësi. Janë folkloristët që i këndojnë dheut të tyre me pasion, ani se shpesh duke e glorifikuar katundin e kullën, fisin e bajrakun. Por nuk janë të rinjtë më atje, edhe pse e kanë dashurinë për malet e të parëve të tyre, ata sapo hedhin shtat “fluturojnë” jashtë, mbaruar e pa mbaruar shkollën e mesme.

Përtej këtyre, të tjerët që ngjitën në male janë “gjuetarët” e thesareve të natyrës, faunës, florës, pyjeve, ujërave, mineraleve etj. Ekzotika në vetvete nuk vlen, por ende nuk është krijuar besimi se investimet mbi këto pasuri sjellin mirëqenie për banorët, përpos për investitorët e tyre. Dhe besimi nuk krijohet me premtime, por më vepra të dukshme në dobi të komunitetit. Teksa udhëton nëpër Mat me makinë, ndërrohesh me vargun e trajlave të ngarkuar me krom, që vijnë nga Bulqiza e shkojnë në portin e Durrësit. Njëri nga vendasit u shpreh se me kaq shumë krom që kalon këtu thuajse çdo ditë, prej më shumë se dhjetë vjetësh, kjo rrugë duhej të ishte shtruar me flori e jo të jetë e pakalueshme në aksin Burrel – Rrëshen.

Edhe ku rrugët janë të rëndësishme e në zë, asgjë e re përtej tyre. Prej 15 vitesh, zor se mund të kishte një zonë agro – industriale më të përshtatshme se ajo në të dy anët e Rrugës së Kombit. Por nuk është parë si e tillë. Nga Miloti deri në Kukës, rreth 100 km, nuk ka resorte e bujtina turistike, vende për të bërë ski, rezervate kafshësh të egra etj., edhe pse bjeshkët e Oroshit dhe të Fanit janë të pazakonta për nga larmia e relievit, pasuria natyrore e bukuria, por dhe me ndonjë xhevahir të rrallë arkeologjik e monumental si Gurra e Domgjonit e Guri i Xhuxhës. Duke mos pasur se ku të venë – në Nënshejt, Xhuxhë, Lajë e Kaçinarit, Munellë a Kunorë – ka familje mirditase që këtë fundviti do ta kërkojnë borën në Kolashin të Malit të Zi, pasi shumë nga bjeshkët tona me bujtina, përfshi dhe ato të Kosovës, i kanë frekuentuar më parë. Pa kurrëfarë idealizimi, lugina e Fanit në Mirditë mund të ishte dhe duhet të jetë më e begata në Shqipëri, krahas asaj të Vjosës. Po përfundon një qendër agro-përpunimi në Rubik, ndërkohë që mund të kishte disa të tilla. E jo vetëm lugina e Fanit, por dhe bjeshkët e Lumës e Hasit. Nikolin Jaka, presidenti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë thotë se korridori i Rrugës së Kombit duhet të shndërrohet në një “kantier” i agroturizmit për punësimin e njerëzve në hotelëri, restorante, prodhimin bujqësor, mbarështimin e blegtorisë etj.

Njerëzit presin që të jetë shteti nxitësi, mbështetësi dhe promovuesi i progresit rural. Por nuk dimë sa zyrtarët e nëpunësit e ministrisë së Bujqësisë ngjitën në bjeshkët e Pashtrikut për t’u “takuar” me dhinë e famshme të Hasit, që na e solli aq mirë përmes emisionit të saj “Bagëti e Bujqësi” gazetarja e pasionuar Rudina Muça. Bariu i njërës nga tufat kishte qenë dy vjet emigrant në Greqi e dy në Gjermani dhe në fund kishte zgjedhur bjeshkën e tij për të punuar, që mbase s’mund ta bëjë shumë të pasur, por do ta pasurojë shpirtërisht. Nga fermerët e atjeshëm mbarështoheshin dhe lopët, pulat etj. Njëri nga banorët, që ka ngritur buzë liqenit një fermë blegtorale, synon që të ndërtojë një agroturizëm dhe të sjellë dy djemtë e tij nga Anglia që të punojnë në vendlindje. Ky është sa amneti i të parëve, aq dhe thirrja bashkëkohore naimjane e vendlindjes. Fat që kemi kamera televizive që shohin shumë më larg se kryeqyteti, i mbytur në rutinën e kronikës së zezë mediatike e politike. Lajmet e Tiranës hapën e mbyllen, kush hyri sot e nesër në SPAK, si doli ekspertiza e armës së ftohtë me të cilën u krye iks krim, hollësira që i nevojiten hetimit e gjyqit, po kurrë publikut, të cilin, përkundrazi, lajme të tilla me thika, bomba, tritol, kallash e shokojnë!? Ashtu si seancat e përditshme me fyerje e gjer përplasje fizike deputetësh në Kuvend.

Në malet tona i has të dy anët e medaljes, edhe njerëz që punojnë duke parë nga e nesërmja, edhe nga ata që ende nuk kanë vendosur të rrinë, edhe pse nuk shohin ndonjë mundësi atje ku duan të venë. Nikolla nga Shëngjergji ka guxuar si rrallëkush të ngre një fermë lopësh në lartësi të bjeshkës, 50 km larg nga qyteti, me mbi dyqind krerë të mëdha e të vogla, rreth 50 krerë derra, 70 koshere bletësh, ndërkohë që në vërri ka 13 dylim vreshtë me rrush “Kallmet” i bardhë. Ai me mjetet e tij kujdeset dhe mirëmban rreth 15 km rrugë malore, çka duhet ta bëjë shteti, teksa ky i fundit nuk i afron asgjë 62-vjeçarit për zgjërimin e biznesit të tij familjar, që punëson disa veta. Ermali në Perlat merret me mbledhjen dhe gatimin e kërpurdhave bio në resortin e tij agroturistik, duke vlerësuar çdo bimë apo pasuri tjetër që ka zona. Kujtimi po aty kujdeset për bletët e tij që të prodhojnë mjaltë pa “hile”. Albani në Bruç kultivon troftën me ujin e Shutrrisë, ku ka krijuar dhe një resort familjar mikpritës. Por ata e të tjerë e ngrysin ditën me “mallkimin” e rrugës, që bizneset e tyre i le jashtë mundësive për t’u frekuentuar, edhe pse njerëzit marrin rrugën që nga Tirana. Teksa pinim një kafe te bar “Tarzani” në Burrel me miq matjanë, shprehëm kënaqësinë që do të nisë asfaltimi i rrugës për në Macukull, fshatin e kullave rrëzë Dejës, që më 1992 kishte 610 nxënës në arsimin 9-vjeçar e të mesëm, por dikush prej tyre ishte skeptik, duke dyshuar se mos bëhej fjalë për “asfalt elektoral”, përderisa rruga për në Urakë, vetëm pak kilometra matanë qytetit, është gjithë gropa (!) Njëri nga bashkëbiseduesit “rrëmbehet” dhe ngre zërin sikur ka përballë të zotët e punës, që nuk bëjnë punë të “vogla”: “O qeveritarë, mbushni ore gropat e rrugëve, nga Jugu në Veri, dhe mos prisni të bëhen të pakalueshme, që pastaj t’i tenderoni me tendere të majmë!?” I bashkohemi dhe ne zërit qytetar për rrugët, që disa janë të nënës e disa të njerkës, përkatësisht qeverisë dhe bashkisë. Kjo ka bërë që “topi” i fajit të hidhet këndej e andej. Burokracia e rrugëve është e pashembullt, me shkresa e kundërshkresa mes institucioneve qendrore e vendore, se kush duhet të mirëmbajë këto apo ato rrugë, të klasifikuara si nacionale apo rurale etj. Banorët nuk duan të dinë për këso ndarjesh, ata po nuk ua bëre rrugën ikin. Qeveria ka shpallur vitin 2030 për hyrjen e Shqipërisë në BE, por me këtë gjendje të infrastrukturës në zonat malore, zor se Europa do të mbyllë njërin sy!?…

Kur flasim për rrugët, e para është kryerruga, ajo e Kombit, me të cilën ndërlidhën të tjerat. A mund të jetë ajo një si “zonë e lirë” ekonomike mes Shqipërisë dhe Kosovës? Nëse po, atëherë, pas ca vitesh, do të kishin kuptim ato krahasimet e bjeshkëve të Mirditës, Kukësit e Pukës me Zvicrën, Austrinë etj. (E nuk është vetëm agroturizmi, por dhe bazaltet e Rubikut, bakri i Spaçit, kromi i Kalimashit etj.) Por dini ndonjë zonë të lira ekonomike, që të mund të shpresohet për këtë? Qe përfolur para pesë vitesh një e tillë në Kashar, të cilën e pati deklaruar vetë kryetari i bashkisë së Tiranës, në një sipërfaqe rreth 50 ha. Por asgjë e re, asnjë gjurmë e ndonjë sipërmarrjeje të tillë. Është vetëm “zona e lirë” e pallateve të pafundme, që po zgjatën drejt Vorës. Asnjë park i gjelbër për njëqind mijë banorët e Astirit e më gjërë. Asnjë shkollë, kopësht, çerdhe, qendër sociale, bibliotekë, librari etj. Rroftë zona e lirë e babëzisë së ndërtimeve në kryeqytet, a thua se Tirana do të jetë streha e Ballkanit!?

Kur mendon se Rruga e Kombit nis nga Tirana e Durrësi, për të mbërritur në Prishtinë, atëherë thua se dy qeveritë mund të kishin një projekt të përbashkët për investime strategjike në mbarë këtë hapësirë strategjike kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok