22/12/2024

PERSONALITETI I IDRIZ SEFERIT NË SHKRIMET E SADULLA BRESTOVCIT

0
u1_Idriz-Seferi

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha

Para disa viteve, kur Instituti i Historisë së Kosovës kishte organizua simpoziumin për jetën dhe veprën e Idriz Seferit, unë, me atë rast përgatita dhe paraqita temën “Veprimtaria atdhetare e familjes Seferi”[1]. E punova gjatë dhe, me një përkushtim shkencor, por nga ajo që mëtoja, më dolën dhe u hapën shumë vështirësi e dilema. Në shkrime të ndryshme, por kuptohet dhe në kohë të ndryshme, heroit dhe atdhetarit të madh kombëtar Idriz Seferit i qaseshin dhe e trajtonin në mënyra të ndryshme, ose, kishte periudha kohore-historike kur mungonin krejtësisht apo shumë të pakta ishin shkrimet për të. Të tëra këto oscilime që i hetova në shkrime, më imponuan që mos të jem indiferente ndaj një të kaluare të lavdishme dhe ndaj vlerave të mirëfillta atdhetare të historisë sonë. Këto vlera,  për një moment, tek unë ngjallën një krenari të ligjshme që me çdo kusht ti rrekem me një përkushtim dhe angazhim që vlerat e mirëfillta atdhetare të dalin në dritë. Mu duk si sfidë që, më këtë rast të trajtojë personalitetin e Idriz Seferit në shkrimet e Mr. Sadullah Brestovcit.

Mendojë se, shkrimi i parë biografik, por edhe që përfshinte në mënyrë më të detajuar, aktivitetin luftarak të Idriz Seferit, e që tërhoqi vëmendjen e komunitetit të historianëve në veçanti, e studiuesve shkencor në përgjithësi, pa dyshim se është hulumtuesi e shkencëtari i palodhur i Anamoravës, Mr. Sadulla Brestovci.

Duhet theksuar se Mr. Sadulla Brestovci, ishte i lindur më 13 tetor 1933[2], në Gjilan (përndryshe anas i Heroit I.Seferit), dhe, jeta e tij e bujshme përfundoi më 1979. Jetoi shkurt, por për 46 vjet të jetës së tij punoi intensivisht dhe pas vetes la shkrimet të shumta shkencore të bazuara e, të mbështetura në hulumtime e dokumente arkivore. Shkencëtari Mr. Sadullah Brestovci, ishte njëri ndër historianet e parë të Anamoravës i cili me një përkushtim të madh iu rrek punës së hulumtimeve shkencore-arkivore vetëm e vetëm për të ardhur deri tek e vërteta për jetën dhe veprimtarin e heroit tonë kombëtar, Idriz Seferit. Se, shkencëtari Sadulla Brestovci shpesh thoshte: ngjarjet dhe të kaluarën duhet studiuar me guxim dhe kredo shkencore.

Gjatë tërë kohës sa u mor me studimin e jetës së Idriz Seferit, ai ishte i vetëdijshëm se problemet në shkencën e historisë ekzistojnë dhe ato duhet tejkaluar vetëm me  njohuri të thella e të gjithanshme, me fakte e argumente, me dëshirë e vullnet, me gatishmëri e energji, me rezistencë të vazhdueshme, me punë të pandërprerë shkencore, me synime e qëllime të qarta[3]. Ai, me punë të palodhur hulumtoi kohën dhe jetën e patriotit dhe me argumente bindëse ndriçoi shumë çështje të panjohura të LKSH dhe të vetë atdhetarit. Mr. Sadulla Brestovci, jetoi relativisht shkurt, por punoi pa ndërprerë, duke mos kursyer as shëndetin dhe as ditët e fundit të jetës së tij.

Ndërsa, kur jemi te hulumtimet dhe shkrimet shkencore, duhet cekur se personaliteti i Idriz Seferit u vlerësua lartë në çdo kohë dhe në çdo periudhë, me oscilime të herë-hershme në shkrimet e ndryshme të kohës, si dhe nga shumë autor të huaj[4] që janë marrë me personalitetin e tij.

“Në rrugën e gjatë të lëvizjeve për çlirim, bashkim dhe përparim të kombit, para dhe pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një vend meritor e zë figura atdhetare e Idriz Seferi, i cili ishte pjesëmarrës i dalluar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”[5] theksonte me plot krenari Mr. Sadullah Brestovci.

Duhet theksuar se studiuesi Brestovci, ishte njëri ndër njohësit më të mirë të arkivave jugosllave, si ato të Beogradit, të Cetinës, të Sarajevës e të Zagrebit. Nga këto arkiva ai voli materiale të shumta dhe të rëndësishme për ngjarjet e shekullit XIX e XX[6]. Andaj edhe botimi i shumë shkrimeve shkencore ishte rezultat i punës e hulumtimit të tij në arkiva të ndryshme të ish-Jugosllavisë.

Më 1970 dhe më 1971 ai në gazetën “Rilindja” botoi dy fejtone që i prezantohen publikut të gjerë nëpër mes të gazetës së përditshme shqiptare “Rilindja”. Fejtoni i parë i titulluar “Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut”[7], (në 20 vazhdime), 11-31 janar 1970 dhe fejtoni i dytë, po ashtu i botuar në gazetën “Rilindja”, me titull “Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kazan e Gilanit”[8], (në 35 vazhdime), 28 maj- 5 gusht 1971. Varganit të shkrimeve iu shtua më vonë edhe vepra e të njëjtit autor: “Marrëdhëniet shqiptare-serbo-malazeze 1839-1878”[9] që e botoi Instituti Albanologjik më 1983, e që ka 290 faqe, përgatitur nga redaksia e ngritur nga institucioni ku kishte punua më parë që po ashtu bëhet fjalë për luftën e Idriz Seferit.

Magjistër Sadulla Brestovci, edhe për shkrimin e këtyre dy fejtoneve, po ashtu edhe të veprës, ishte mbështetur kryesisht në burime historike, në kujtime popullore e arkiva, duke sjellë të dhëna të bollshme për LKSH dhe për vetë jetën e veprimtarin luftarake të Heroit tonë kombëtar –Idriz Seferit. Me këto shkrime që i analizojmë sot, ai kishte bërë një punë të mrekullueshme dhe në mënyrë analitike ka bërë ndriçimin e shumë çështjeve të panjohura dhe të pastudiuara deri më atëherë. Dhe për herë të parë në historiografinë shqiptare solli argumente të bindshme të ngjarjeve historike të LKSH dhe të vet Idriz Seferit.

Po ashtu, duke u mbështetur  në këto studime, na ofrohen të dhënat më të kompletuara që më vonë shumë hartues të monografive e shkrimeve për LKSH dhe Idriz Seferin i përdorin si të dhëna relevante për shkrimet e tyre. Sadulla Brestovci, në shkrimet e tija, jo, që na la trashëgim një korpus të çmuar shkencore, por edhe me një guxim të pakrahasueshëm iu qas dhe iu rrekë hulumtimeve për figurën emblematike të kombit shqiptar- Idriz Seferit duke sjellë të dhëna të padiskutueshme. Ai, pa u lodhur asnjëherë, hulumtoi në Arkivin shtetëror të Serbisë me muaj të tërë, vetëm e vetëm që të zbardhë dhe të dëshmoi se kreshniku i Karadakut (siç e quante ai), ishte një atdhetar i padiskutueshëm, që ndikoi shumë në rrjedhat e historisë.

Duke lexuar bibliografin e shkrimeve që janë shkruar për Idriz Seferin, gjerë më tani nuk kam hasur se është shkruar më me përkushtim dhe më me argumente për një figurë aq të çmueshme të kombit shqiptar se sa në shkrimet e Mr. Sadulla Brestovcit. Vepra e tij është e bazuar kryesisht në dokumente arkivore, në literaturë relevante (po them kushtimisht megjithëse nuk ka pasur  një të tillë), dhe nuk ka lënë anash deklaratat e ndryshme nga bashkëvendësit e heroit. Dhe, mund të konkludojmë se vepra e Sadulla Brestovcit është një bazë e mirë për hulumtuesit dhe shkencëtarët që donë të merren me këtë figurë të ndritshme të historiografisë shqiptare.

Në bazë të të dhënave që na i ofron autori Sadulla Brestovci dhe të tjerët, vijmë në përfundim se Idriz Seferi:

  1. Përbënë figurën më emblematike dhe veprën më supreme me përkushtimin e tij ndaj çështjes mbarëkombëtare. Momenti më kulmor i veprës së tij është angazhimi dhe vet sakrifica e tij e vetëdijshme për çështje të mëdha të atdheut.
  2. Idriz Seferi në bazë të të dhënave që na i ofrojnë autorët, na del se me përkushtimin e vet ngjitet në majat e atdhetarisë dhe qëndron në lartësitë mbarëkombëtare e mbarëpopullore mbi interesat e ngushta lokale, kanunore,materiale e fetare.
  3. Në emër të atdheut, të popullit dhe të kombit ngrihet fuqishëm mbi natyrën dhe formën e regjimeve e të qeverisjeve kolonizuese.
  4. Pa i marrë parasysh ofiqet e benificionet që i ofrohen nga ana e okupuesve, atdhetari i shquar Idriz Seferi sakrifikonte jetën vetëm e vetëm për ta bërë kombin e vet të pavdekshëm dhe vendit të tij ti sigurojë një shtet të pavarur në suazat e tij të plotnueme.

Dhe nën 5. Duke e lexuar dhe studiuar në shkrime të ndryshme, veprën e Idriz Seferit detyrohemi ta respektojmë e nderojmë edhe më tepër figurën madhore të vet Idriz Seferit, se me një atdhetar të këtij kalibri lartësohet, fuqizohet, trimërohet, kulturohet dhe krenohet i tërë kombi para historisë dhe para së ardhmes.

Pas fejtoneve të botuara të Sadulla Brestovcit që cekëm më lart, kemi tek-tuk autor të ndryshëm që tentojnë dhe ia arrijnë që të plotësojnë deri diku vakuumin e ngelur në shkrimet për të. Më vonë botohen edhe monografi të tjera, siç janë: Vepra e autorit Shaban Braha, “Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”[10], botuar në Tiranë, më 1982. Por, thënë më ndryshe, kësaj monografie i mungojnë pjesërisht të dhënat arkivore, që deri diku lënë vend për tu dëshirua edhe më tepër për të plotësuar figurën poliedrike të Idriz Seferit.

Duhet thënë, se për jetën e veprën e Idriz Seferit u shkrua shumë, sidomos me rastin e përvjetorëve të lindjes e të vdekjes së heroit, në shtypin e përditshëm duke e përkujtuar me pietet të thellë. Në bazë të shkrimeve të Mr. Sadulla Brestovcit, vijmë në përfundim se jeta atdhetare e Idriz Seferit është e lidhur ngushtë me jetën e një luftëtari për liri, pavarësi e përparim kombëtar. Ai gjatë tërë jetës ishte pjesëmarrës aktiv në vlimet politike që ndodhën gjatë asaj periudhe. Idriz Seferi ishte një personalitet i rrallë i ngjarjeve historike, një figurë e shquar e luftërave për liri që, duhet trajtua në mesin e figurave më të rëndësishme të lëvizjes sonë kombëtare dhe të zërë vendin e merituar në historiografinë tonë.

Për të vazhduar se “Një luftëtar i tillë i lirisë është dhe mbetet i pavdekshëm ndër mote. Vërtetë luftëtarët e tillë, të një periudhe shumë të koklavitur e tejet të ndërlikuar janë shumë të rralla. Idrizi që edhe mbetet shembull prej trimi dhe luftëtari që e gjakoi lirinë e kombit dhe i mësoi të tjerët ta bënin këtë, duke ditur të çmoj e të respektoj edhe lirinë e kombeve e kombësive të tjera”[11], i këtillë pra ishte Idriz Seferi sipas Mr. Sadulla Brestovcit.

Dhe krejt në fund, duhet shtuar se hulumtimi e studimi i jetës dhe veprës së Idriz Seferit nga ana e studiuesit  Mr. Sadullah Brestovcit, është i lidhur ngushtë me ndriçimin e historisë së Lëvizjes Kombëtare Shqiptare si në Kosovë po ashtu edhe në Shqipëri, për të cilin, ka për çka të shkruhet dhe çka të thuhet, se me këto shkrime që u përmenden më lartë mendojë se megjithatë, ende nuk kanë shteruar të dhënat për jetën dhe veprën e atdhetarit tonë të madh-Idriz Seferit.

[1] Sabile Keçmezi-Basha, Veprimtaria atdhetare e familjes Seferi, (Përmbledhje punimesh nga konferenca shkencore…

[2] Skender Rizaj, In memoriam (Gjurmime albanologjike- seria e shkencave historike IX-IX-1979, Prishtinë 1980, f. 7-10

[3] Sadulla Brestovci, Lëvizja Kombëtare në Kazan e Gjilanit, Islam Pira 1866-1931, Prishtinë, 2008,247

[4] Sabile Keçmezi-Basha, Trajtimi i figurës së Idriz Seferit në historiografinë shqiptare,….

[5] Sadulla Brestovci, Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut, (fejton), Rilindja, 15 janar 1970

[6] Sadulla Brestovci, Lëvizja Kombëtare në Kazanë e Gjilanit, Islam Pira 1866-1931, Prishtinë 2008,255

[7] Mr. Sadullah Brestovci, Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut, gazeta “Rilindja”, 11.I. 1970- 30.I.1970. Prishtinë

[8] Mr. Sadullah Brestovci, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në Kazan e Gilanit, gazeta “Rilindja”, 29.V.1971- 5.VII.1971, Prishtinë

[9] Sadulla Brestovci, Marrëdhëniet shqiptare-serbo-malazeze 1839-1878, Instituti Albanologjik, Prishtinë 1983.

[10] Shaban Braha, Idriz Seferi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, Tiranë 1982

[11] Sadulla Brestovci, Idriz Seferi-Kreshniku i Karadakut, (fejton), gazeta “Rilindja”, 30 janar 1970

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok