10/11/2024

PËRSIATJE PËR VETMINË OSE NGROHTËSIA QË TË KRIJON NË SHPIRT GJUHA POETIKE

0

Mbi librin me sonete “Hire të vetmisë. Përsiatje poetike” të Anton Nikë Berishës. Botoi Argeta LMG, Tiranë 2022

Nga Timo Mërkuri

I- Në letërsinë shqipe “soneti” (tingëllima) është shfaqur në periudhën e Rilindjes, si ndikim kryesisht i letërsisë italiane me krijimet e Pjetër Zarishtit, Nue Bytyçit, Leonard De Martino, Filip Shiroka, Zef Serembe, Gjergj Fishta, Llazër Shantoja, Ernest Koliqi etj. duke marrë një përmasë të lartësuar me Ndre Mjedën në tre poemat e tij sonetike (tingëllimat) “Lissus”, “Scodra” dhe “Liria”. Madje Ndre Mjeda ka përdorur vargun njëmbëdhjetë rrokësh, varg i quajtur tipik italian, por që dalë prej penës së tij ka një elegancë dhe tingëllimë të pashoqe shqiptare.

Të shkruarit “sonete” “kërkon një përvojë poetike të një niveli të arrirë artistik për të kapërcyer vështirësitë e shumta si në teknikën e krijimit ashtu dhe në artin e të shprehurit poetik”, por veç vështirësive të krijimit, “sonetet” kërkojnë edhe një lexues të kualifikuar, lexues që nuk mjaftohet vetëm me leximin e vargjeve, por synon përjetimin e tyre. Ndoshta pikërisht kjo vështirësi e dyfishtë ka sjellë edhe mungesën e dukshme të lëvrimit të soneteve në poezinë bashkëkohore.

II- Pikërisht në këtë kohë mungese, kur gati po harrohet shija e lartë artistike e “soneteve” krijuesi i shumanshëm Anton Nikë Berisha befason duke botuar te Shtëpia Botuese “Argeta LMG” (Tiranë 2022) veprën me sonete “Hire të vetmisë – Përsiatje poetike”.

Pas vëllimit “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” autori ka dëshiruar të shprehet poetikisht, si gjithmonë me një stil të veçantë poetik në një nivel të lartë artistik, por pa iu larguar vetvetes. “[..] Është një lloj vazhdimi, një lloj ballafaqimi me veten e me të tjerët, do shprehej Martin Camaj” … më thotë autori në një bashkëbisedim telefonik. Niveli i tij krijues, i dëshmuar në një sërë veprash letrare e studimore, arti poetik me të cilin ka krijuar librat “Prushi i bukurisë” dhe “Sytë e heshtjes” kanë dëshmuar për talentin e tij poetik dhe frymëzimin thellësor, i cili edhe këtë herë i ka përballuar denjësisht vështirësinë e krijimit të “soneteve”, duke na dhënë 35 krijime me vlerë që hapin një faqe të re dhe tepër interesante në letërsinë shqipe. Me këtë vepër mbushet njëkohësisht dhe një boshësi në letërsinë tonë bashkëkohore.

Do të thosha se ky vëllim poetik i ri i Anton Nikë Berishës nuk është një “trëndafil në gotë” që zbukuron studion e autorit, por është një trëndafilishte e vogël, ku porsa kanë çelur 35 trëndafila të rinj në “lulishten e poezisë shqiptare” që përhapin aromën e rinisë së tyre.

III- Ka edhe një anë tjetër interesante ky libër: ndërsa Petrarka i shkroi “sonetet” me adresim dashurie, Shekspiri ia adresoi si këshilla një djali të ri, Rilindësit tanë ia kushtuan atdhedashurisë dhe lirisë, Anton Nikë Berisha këto 35 sonete ia adreson filozofikisht ndjenjës (Hireve) të …”Vetmisë”.

Vetmia mund të jetë një dënim i tmerrshëm ose një shpëtim i mrekullueshëm”[..] citon autori Bernardo Bertoluçi-n dhe Fabricio Karamanjan (Fabrizio Caramagna) kur shprehet metaforikisht: “[..] vetmia është një det që asnjëherë nuk mbërrin në asnjërin breg, një urë që s’del në asnjë rrugë dhe një ngjyrë që nuk e mbërrin asnjë dritë”[..].

“Me pak fjalë – thotë Berisha në parathënie – vetmia ngërthen cilësi e kuptime të shumta: është ndjenjësim, gjendje e veçantë shpirtërore e mendore… Shprehet kryesisht në dy rrafshe kryesore: kur jemi vetëm e kur jemi të vetmuar.

Vetmia është vuajtje shpirtërore, dhembje; është brengë e pashuar, po dhe shpëtim, prehje e pazëvendësueshme.”(f. 6).

E parë në këtë aspekt “vetmia” mund të quhet me të drejtë si një “vetmi” krijuese, e nevojshme dhe e domosdoshme për njeriun (krijuesin) që të qartësojë idetë dhe mendimet e tij, të hulumtojë brenda tyre për të gjetur më të “bukurën”, më të “përsosurën”, për të admiruar dhe përjetësuar “hiret” e tyre.

E bukura është një bashkim (unitet) dhe harmonizim “hiresh” për shikimin dhe ndijimin e njeriut. Te një lule p.sh. ne admirojmë hiret e formës sw petaleve, ngjyrës dhe aromës sw saj, tw raportit me pistilin, ngjyrën, freskinë e petaleve,gjetheve, kërcellit etj. Që t’i përjetojmë këto “hire” na duhet që të jemi në një gjendje “vetmie”, larg zhurmave e shqetësimeve të tjera me qëllim që mendja jonë të përqendrohet tek ato, raporti i tyre mes veti dhe njësimi i së tërës, pastaj ne t’i meditojmë dhe t’i admirojmë ato.

Ndërkohë kemi edhe vetminë “gri”, vetminë e krijuar si pasojë e braktisjes, e varfërisë, pafuqisë, sëmundjeve, moshës etj., vetmi që kullon dhimbje e mjerim. Ka një varg te tingëllima e pestë që nis me fjalën: “Shtjellë” (f. 21) ku mes tronditjes kujtojmë se shtjellat janë vorbulla uji (gjeratore) ose vorbulla ajri (tornado), të cilat, thithin njeriun brenda tyre (si vetë mjerimi) prej nga  del në sipërfaqe nga uji ose zbret në tokë nga tornado pa jetë, por edhe i shpërfytyruar.

Megjithatë edhe në këtë rast, ngjyrën “gri” të kësaj vetmie poeti e përshkon me ngjyrën e bardhë të shpresës: “Shtjellë …/ lëvron si heje akulli të mprehtë/e nuk kursen ta akullsosh palcën/ .. /Plagë stinësh që s’di të përmbyllet/po asnjëherë nuk e puth fundin”(f.. 21).

“Shtjella” janë dhe mendimet e ndjenjat e njeriut në vetmi apo të vetmuar që, megjithatë krijojnë tek ai imazhe shprese plot hire për një të ardhmen pse “asnjëherë nuk e puth fundin”.

IV- Vetmia nuk është një yll me dy kënde. Vetëm apo të “vetmuar” janë dhe yjet, por drita e tyre del si shigjeta nga harku në formë rezesh nga gjitha drejtimet dhe vjen drejt nesh me të gjithë skeptrin dritësor të tyre edhe shumë vite pasi ata janë shuar.

E tillë është edhe poezia, drita e një ylli që udhëton tej jetës së poetit në formë vargjesh, ku forca që kushtëzon kohëjetën e saj është forca e talentit të tij, sepse poeti u jep dritë dhe brezave pasardhës.

Libri “Hiret e vetmisë” i Anton Nikë Berishës është një vëllim poetik që kërkon vëmendje “vetmie” në lexim, kërkon meditim mbi secilin varg për të kuptuar strukturën e mendimit të formatuar në strofa katër dhe tre vargje.

Sonetet e Anton Nikë Berishës janë të një shtrati filozofik kur lexon vargje të tilla: “Yllësi e zhytur në vorbullën e kureshtjes / si të veprohet më lehtë, sa më mirë, / me ngrohtësinë e vajzës dehur nga epshi / kur e ndien të dashurin apo e ëndërron” (f. 33), “Ti e ndez etjen për shtegtime të reja /edhe nëpër rrugët që shkojnë e nuk kthejnë” (f. 32), “me mendim i prek retë që stuhia i përkund” (f. 18), “Tis brengash gërryese të vëna në lëvizje/si kallinj guri të pjekur ndër ara/kur i shtyn era e përqafojnë njëri – tjetrin” (f. 21), “lule në brymë ku ëndërrohet ngrohtësia/e rrezeve të diellit – ledhatim petalesh” (f. 21), “Zonjë e fisme që jeton përherë nga /joshja dhe kërkimi i pafundësisë” (f. 42), “gjelbërim pranveror kur e pushton pyllin/e kur këngë e zogjve derdhet hirplote” (f. 44), “zhytje në lumin Lete dhe pastrim/i ndërgjegjes ose zhbërje e harresës”(f. 46) etj. dhe ky fakt përbën të veçantën e krijimtarisë poetike të tij, që kërkon një përqendrim të madh në lexim dhe kulturë leximi e mendimi, por ndërkohë ëmbëlsia e shprehjes së tyre, ngrohtësia që të krijojnë në shpirt, gjuha poetike e vargjeve, rima dhe ritmi i soneteve ta bëjnë të dukshme qenien e poezisë, siç dallohen në ujin e lumit malor copat e floririt natyror që rrjedha i sjell me vete.

Thashë që vargjet janë në një shtrat filozofik, por njëherit fjalët janë tepër të kuptueshme dhe ritmi i tyre nëpër vargje këndon si “gjashtë bilbila”, duke u dhënë soneteve një muzikalitet tipik që është e dallueshme te poezia e Anton Nikë Berishës. Figurat artistike në sonete nuk janë “vazo” lulesh të vendosura në parvazin e fjalëve, por ashtu si harqet e urave, që më shumë se stilizim estetik janë “struktura” që mbajnë në këmbë urën ( sonetin), duke e paraqitur të bukur ndërsa është e fortë.

V- Anton Nikë Berisha ka botuar vetëm katër vepra me poezi, libra poetikë, por ai ka ndjerë dhe përjetuar shumë poezi. Mjafton të lexosh parathëniet dhe shkrimet e tij për librat poetikë dhe krijimtarinë e poetëve të ndryshëm, të shohësh nivelin e tyre për t’u bindur për dijen dhe për botën e pasur poetike të veprave të tij.

Në veprat e tij në prozë, herë – herë dhe në ata studimorë ka shumë poezi (veças romani “Gjin Bardhela i Arbëresh” që është një simfoni poetike), ndërkohë që në poezinë e tij nuk gjen fare vargje prozaike. Kjo do të thotë se, para së gjithash, Anton Nikë Berisha është poet kur shkruan vepra letrare dhe elegancën e artit poetik, muzikalitetin dhe figuracionin e tij e përdor suksesshëm dhe në prozë. Prandaj ka kaq shumë poezi në prozën e tij letrare. Njëkohësisht ai është edhe një njohës i mirëfilltë i gjuhës shqipe dhe fjalët që ai shtjellon në tekste, kanë ngjyrë, aromë dhe muzikalitet të mëvetësishme.

VI- Leximi i këtyre 35 soneteve të Anton Nikë Berishës dhe përjetimi i tyre do t’i japë hapësirë më të madhe mendimit, një thellësi të re gjykimit dhe një largësi e dritësi shumë-ngjyrëshe vështrimit tonë poetik.

Sarandë, më Prill 2020-Gusht 2022

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok