17/11/2024

PËRSHTYPJET E MIJA SI DEPUTETE NË KONGRESIN AMERIKAN- SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS (SHBA), VEND I SHPRESËS DHE I PËRKRAHJES

0

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, më dukej se vitet kalonin me një ritëm të shpejtë, sikur koha të kishte marrë hovin e saj dhe çdo veprim që ndërmerrnim e bënim me një entuziazëm të pashoq. Çdo ditë e re ishte një dhuratë që e pritnim me zemër të hapur dhe me një dëshirë të pangopur për të jetuar plotësisht. Ishim të përfshirë në një zjarr të brendshëm, të etur për të kompensuar çdo gjë që na kishte munguar, për të rindërtuar jetën tonë nga e para, mbi themelet e reja të lirisë dhe shpresës.

Tani, çdo gjë na dukej më e çmuar, më e bukur, më e shtrenjtë. Jeta filloi të rrjedhë natyrshëm, ndërsa vendi, me një shpejtësi marramendëse, po rindërtohej, duke u bërë çdo ditë e më shumë i gjallë dhe i gjallëruar. Kosova, e pastruar nga pluhuri i së shkuarës, po lulëzonte, duke u bërë më e bukur se kurrë më parë. Frika dhe urrejtja mbetën pas nesh, si një hije që shuhej në dritën e bashkëpunimit dhe solidaritetit. Të gjithë ishim të angazhuar për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të ngritur një shoqëri të re, të mbështetur në dashuri dhe mirëkuptim.

Parlamenti i Kosovës filloi të marrë formë dhe disa ligje tashmë kishin kaluar nëpër duart tona, duke u bërë gurë themeli për një shtet të ri dhe të drejtë. Me ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, vizitat dhe bashkëpunimet u shtuan, ndërsa bota e jashtme erdhi për të na mbështetur në këtë rrugëtim të ri. Shteti ynë i ri po merrte formë, dhe me të, edhe ëndrrat tona për një Kosovë të lirë, të drejtë, dhe të ndritur.

Një ditë në parlament, erdhi një lajm që do të ngjallte ndjenja të përziera emocionesh dhe sfidë: një grup prej 30 deputetëve duhej të udhëtonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe në mesin e tyre, isha edhe unë. Përgatitjet zgjatën, dhe çdo detaj ishte i menduar me kujdes, dhe më në fund, dita e shumëpritur erdhi. Për mua, vetë ideja e shkuarjes në Amerikë ishte një ëndërr e bërë realitet, por të shkoja atje në rolin e një deputeteje, kjo ishte diçka që as në mendimet më të guximshme nuk e kisha imagjinuar. Vendi i ëndrrave na priste, ku do të qëndronim për dy javë të gjata.

Koha për të qëndruar larg familjes më ngjallte ndjenja të përziera. Fëmijët ishin rritur dhe Tefiku- bashkëshorti im, gjithsesi, do t’ia dilte me ta, por për mua, kjo distancë dukej e pafund dhe dy javët dukej se do të zgjasnin një përjetësi. Largësia, në këtë periudhë të pasluftës, kishte një peshë të veçantë dhe çdo ndarje nga njëri-tjetri për ne ishte një plagë që ende nuk ishte shëruar plotësisht. Kujtimet e luftës ishin ende të freskëta dhe largësia nga të dashurit të krijonte një boshllëk që të sillte mbrapa në ato ditë të vështira. Por, përkundër kësaj, zemra më rrihte me emocionin e një udhëtimi që prekte ëndrrat e fëmijërisë dhe sfidat e jetës së re, duke mbajtur lart flamurin e Kosovës në tokën e lirisë dhe mundësive.

Pikëtakimi ynë ishte në aeroport, aty ku valixhet e ngarkuara me emocionet e një udhëtimi të papritur ishin gati për të nisur një rrugëtim që do të mbante në vete peshën e historisë së re të Kosovës. Arritëm në kohën e caktuar, të përgatitur nga udhëzimet e dhëna prej përfaqësueses së ambasadës së SHBA-ve, të cilat na kishin ndihmuar të kuptonim rrugën dhe takimet që na prisnin. Megjithatë, një ndjenjë droje dhe ngurrimi përshkonte zemrat tona – si do të udhëtonim, si do të gjendeshim në këtë udhëtim aq zyrtar, çfarë do të diskutonim, a do të ishim në nivelin e detyrës që na ishte besuar?

Në punën e parlamentit dhe në rolin tonë si përfaqësues të popullit, çdo gjë ishte e re dhe e paprekur më parë. E vërteta është se Kosova kishte pasur parlament edhe më parë, kishte pasur përfaqësuesit e saj dhe ligjet e saj, por të gjitha këto ishin nën hijen e vartësisë nga Beogradi. Tani, ne ishim ata që do të trasoshim rrugën e një Kosove të lirë dhe demokratike. Çdo hap që hidheshim ishte i kujdesshëm, i menduar thellë dhe peshonte rëndë, sepse çdo vendim që merrnim kishte rëndësinë e së ardhmes.

Më kujtohet se si orë të tëra i përkushtohesha studimit të projektligjeve, duke e zhbiruar çdo fjalë, çdo fjali, me një përkushtim që dilte nga thellësia e zemrës. Ishim aktivë dhe me një përkushtim të madh, hartonim dhe dërgonim amendamentet tona në komisionet përkatëse, duke shpresuar që zëri ynë të dëgjohej dhe të kishte peshë në vendimet e mëdha. Në seancat e gjata të parlamentit, diskutonim e debatonim, duke sqaruar çdo çështje dhe duke vendosur se çfarë duhej të miratohej, për të siguruar se çdo ligj dhe çdo vendim do të ishte në të mirë të Kosovës dhe të popullit të saj.

Në atë aeroport, valixhet tona ishin të mbushura me më shumë se vetëm rroba dhe dokumente – ato mbanin në vete shpresat, aspiratat, dhe përgjegjësitë e një kombi që kishte kaluar nëpër flakët e luftës dhe tani kërkonte të ndërtonte një të ardhme të re, një të ardhme të lirë dhe të drejtë për të gjithë.

Në parlament ishte formuar një koalicion i përgjithshëm, i cili shihej si një domosdoshmëri dhe një forcë e madhe për të ardhmen e Kosovës. Ky bashkim mendimesh dhe përpjekjesh u përjetua dhe u forcua më shumë gjatë udhëtimit tonë në Amerikë, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova ishte e bashkuar dhe e palëkundur në rrugën që kishte nisur, një rrugë që duhej çuar deri në fund. Delegacioni ynë përfshinte anëtarë nga të gjitha partitë dhe komunitetet, duke pasqyruar mozaikun e pasur të shoqërisë sonë. Që nga momenti kur u futëm në aeroplan e deri në vendosjen në hotel, çdo gjë ishte planifikuar me përpikëri, duke na bërë të ndiheshim të mirëpritur dhe të përkujdesur në çdo hap.

Nikoqirët tanë, me një zemërgjerësi të jashtëzakonshme, bënë të pamundurën që të na krijonin kushte maksimale për punë dhe rehatinë e të qenit si në shtëpinë tonë. Për mua, kjo ishte hera e parë që shkelja në tokën amerikane, dhe përjetova nga larg atë që shumëkush e quan “ëndrrën amerikane.” Kur bëra hapin e parë në këtë tokë të largët, një ngrohtësi e lehtë më preku fytyrën, një ndjesi e re, e papërshkruar, më përfshiu.

Shumica prej nesh ishin për herë të parë në këtë vend, dhe të zbritur nga aeroplani, kur hymë në sallat e aeroportit, një heshtje e thellë u krijua mes nesh. Ishim të mrekulluar, të hutuar, sikur çdo fjalë ishte e tepërt në atë çast. Ne shikonim njëri-tjetrin, duke ndarë këtë moment të veçantë pa nevojë për fjalë. Vetëm pasi morëm valixhet dhe u nisëm për në pushimoren që quhej Erli Haus, filluam të rilindim në bisedat tona, si të zgjuar nga një ëndërr e heshtur.

Në ulëset e autobusit, zërat tanë u bënë më të qartë, bisedonim me zë të ulët, sikur të mos donim të zgjonim atë heshtje të magjishme që na kishte shoqëruar deri aty. Secili prej nesh bënte komentet e veta për udhëtimin që kishim kaluar dhe për atë që na priste në ditët në vijim. Kjo ishte fillimi i një përvoje të re, një udhëtim që do të lë shenjë në zemrat tona, ashtu si rrugëtimi ynë për ndërtimin e Kosovës së lirë.

Na ishte dhënë një itinerar i përpiktë, ku çdo takim, çdo hap i udhëtimit, dhe çdo vendvendosje në ditët në vijim ishin përcaktuar me kujdes. Ndërsa rrugëtimi filloi, ishim të mrekulluar nga rrugët e gjera që na udhëhiqnin përmes urave të shumta, një pasqyrë e parë e Amerikës që mbushte zemrat tona me një ndjesi pozitive. Çdo kthesë e rrugës na zbulonte peizazhe të reja, male të dendur që na shoqëronin në të dy anët, dhe një pastërti e përkryer që reflektohej në çdo kënd.

Autobusi ynë, duke ndjekur një ritëm të qetë dhe të sigurt, më në fund mori një lakim në anën e djathtë, duke na drejtuar drejt një pylli të dendur që na përfshiu si një pelerinë e gjelbër. Teksa përshkonim këtë pyll të thellë, një heshtje e ëmbël u përhap mes nesh, një heshtje që shprehte habinë dhe magjepsjen tonë ndaj natyrës që na rrethonte. Gjithçka dukej si një skenë nga një përrallë e largët, dhe shtëpitë që u shfaqën papritur në zemër të pyllit na lanë të mahnitur.

Ne u afruam ngadalë drejt atyre shtëpive që ngjanin sikur ishin nxjerrë nga ndonjë tregim magjik, duke pyetur njëri-tjetrin me sy, por pa fjalë, se ku ndodheshim. Takimi i parë me natyrën dhe kompleksin e ndërtesave përreth na la pa fjalë, duke na zhytur në një qetësi të thellë që fshinte çdo mendim tjetër. Vendi ishte i mrekullueshëm, një oazë qetësie dhe bukurie, i përshtatshëm për punë dhe këshillime të rëndësishme, ku çdo mendim mund të rridhte lirshëm dhe çdo fjalë të kishte peshën e duhur.

Në atë çast, harruam çdo shqetësim, çdo lodhje të udhëtimit, dhe u zhytëm në këtë paqe të paprekur, duke ndjerë se ishim pikërisht aty ku duhej të ishim, në zemër të natyrës dhe larg çdo shqetësimi të përditshmërisë.

Pasi u vendosëm në dhomat e mëdha dhe të rehatshme, një ndjenjë pushimi na pushtoi të gjithëve. Megjithatë, për disa prej nesh, qetësia u shoqërua me një shqetësim të vogël – valixhet tona ishin zhdukur diku nëpër aeroportet e udhëtimit tonë të gjatë. Unë dhe dy deputetë të tjerë e gjetëm veten të detyruar të menaxhonim me ato pak rroba që kishim marrë në qeskat e dorës. Por, e vërteta është se që në fillim, na ishte këshilluar të merrnim me vete nga një palë rroba më zyrtare për takime të papritura, dhe ashtu vepruam. Pavarësisht kësaj, mungesa e valixheve ndjehej si një mungesë e madhe, duke na kufizuar në disa gjëra elementare që tani na dukeshin të domosdoshme, sidomos ndërsa mbrëmja po afrohej dhe takimet zyrtare po fillonin.

Mbërritëm në Erli Haus në një pasdite të ngrohtë, ku na njoftuan se do të kishim një takim mirëseardhjeje me nikoqirët tanë. Takimi filloi me një dolli tradicionale, ku gotat u ngritën në shenjë respekti dhe urimi për atë që na priste në ditët e ardhshme. Atmosfera ishte e ngrohtë dhe bisedat rridhnin lirshëm, duke na përgatitur për ngjarjet dhe sfidat që do të na prisnin. Në këtë mbrëmje të parë, ndonëse të lodhur dhe me disa gjëra të pamungueshme, ndjemë se ishim pjesë e diçkaje të madhe, një udhëtim që do të na lidhte edhe më shumë me njëri-tjetrin dhe me vendin e ëndrrave ku ndodheshim.

Të nesërmen, me të aguar dita, u mblodhëm në sallën e freskët të pushimores, ku ligjëratat nisën me një ritëm të heshtur, por të mbushur me një pritje të madhe. Të gjithë ishim të përqendruar, me një etje të pashoq për dijen që po na priste. Diskutimet ishin të thella dhe të mbushura me përmbajtje, por ligjërata e Zbigniew Kazimierz Brzeziński, i njohur si Zbig, na la një gjurmë të veçantë në zemrat tona.

Brzeziński, polaku që kishte shërbyer si këshilltar për Lyndon B. Johnson nga viti 1966 deri në 1968 dhe si këshilltar për sigurinë kombëtare i Jimmy Carter nga 1977 deri në 1981, na ofroi një perspektivë të thellë mbi demokracinë. Ai fliste me pasion për udhëtimin e saj të vështirë dhe për rreziqet që mund ta kërcënojnë në çdo hap, duke na lënë me mendime të thella dhe ndjesi të forta.

Ai na ftoi të reflektonim mbi tolerancën, bashkëjetesën dhe ballafaqimin me të kaluarën tonë, duke na kujtuar se falja është një virtyt i lartë, por mos-harresa është po aq e rëndësishme për të ecur përpara. Çdo ditë, ndërsa ligjëronim dhe debatonim, shpesh ktheheshim pas në kujtimet e dhembshme të së kaluarës, që ende vlonin si një plagë e hapur. Bisedat ishin të trishtueshme, të ngarkuara me emocione, por folësit tanë na kuptonin plotësisht dhe na përkrahnin me gjithë zemër, duke na premtuar se nuk jemi vetëm në këtë rrugëtim. Kemi mbështetjen e tyre, deri në fund.

Dy ditë më vonë na kujtuan se një udhëtim në Washington na priste, për të takuar kongresmenët amerikanë. Por ende, valixhet tona të humbura nuk kishin mbërritur, dhe ne tre deputetët ndiheshim të pambrojtur pa rrobat e duhura për këto takime të rëndësishme. Stafi ynë ishte në dijeni të kësaj mungese dhe një ditë para nisjes për në Kongres, na dërguan me makinë në një dyqan të afërt, të furnizuar me gjithçka që na duhej. Ata na siguruan që blerjet do të kompenzoheshin nga kompania me të cilën kishim udhëtuar.

Megjithatë, ne u treguam të matur në zgjedhjet tona, duke marrë vetëm ato që ishin thelbësore për një takim zyrtar. Por, fati ishte në anën tonë. Vonë natën, dëgjova një zhurmë të lehtë në derën time, një tingull që përplasej në korridor. Në mëngjes herët, u zgjova dhe hapa derën. Atje qëndronte valixhja ime, si një mik që më kishte munguar prej kohësh, duke më pritur me një farë ndrojtjeje për t’i hapur derën.

Me një shpejtësi të papritur, futa brenda dhe nxora rrobat më të nevojshme, duke i hekurosur në një kohë të shpejtë për të qenë gati për takim. Atë ditë, ne tre deputetët që kishim humbur valixhet, dallonim nga të tjerët jo vetëm për shkak të veshjeve tona të reja, por edhe për shprehjet e lehtësimit dhe kënaqësisë që ndienim më në fund. Veshja jonë e re shkaktoi një valë kurioziteti dhe shaka mes të pranishmëve, duke sjellë një atmosferë të këndshme dhe një gallatë të padëmshme, ndërsa të gjithë e shijonin momentin e papritur.

Në udhëtimin drejt ndërtesës së Kongresit të Amerikës, mbetëm të shtangur. Isha përpjekur shpesh që të imagjinoja si do të dukej kongresi, por ato vizione ishin vetëm në fantazinë time, ndërsa realiteti ishte krejt ndryshe. Kapitolli—shtëpia e legjislaturës së SHBA-së—ishte një monument madhështor, ku shkallët e shumta dhe hyrja e jashtëzakonshme i jepnin një bukuri të veçantë. Ndërtesa e Kapitollit ishte e mbushur me ligjvënës dhe politikanë, ata që ndihmonin në formimin e asaj që ndodhte në vend dhe në botë, duke krijuar një ndjesi të thellë respekti dhe admirim.

Takimet nisën me një harmoni të qetë, sikur çdo gjë të ishte planifikuar me përpikëri. Në hyrje na pritën dy përfaqësues nga ambasada amerikane në Prishtinë, dhe pa humbur kohë, na shoqëruan drejt një salle madhështore të Kongresit. Teksa u ulëm në ulëset komode, salla filloi të mbushej me një gumëzhitje të lehtë; njerëzit flisnin me zë të ulët, duke shkëmbyer mendime dhe përvoja mes tyre. Në atë takim, vetëm dy diskutime ishin parashikuar nga ana e deputetëve të Kosovës. U zgjodh që të flisnin Alush Gashi dhe Rada Trajkoviqi. Salla ishte e mbushur me kongresmenë nga Kongresi Amerikan, të cilët me ardhjen e tyre sollën një heshtje solemne.

Pasi disa fjalë hyrëse u dhanë nga pala amerikane, erdhi momenti për diskutimet tona. Alush Gashi u ngrit dhe iu drejtua foltores me një qëndrim të palëkundur, plot elegancë dhe një përgatitje të pashembullt. Fjalët e tij ishin si një udhërrëfyes nëpër kohë, duke përshkruar me qartësi dhe thellësi situatën politike të Kosovës në të kaluarën, në të tashmen dhe duke hedhur një vështrim të kthjellët drejt së ardhmes. Ai foli me një seriozitet që reflektonte peshën e përgjegjësisë që mbante mbi supe, duke lënë një përshtypje të jashtëzakonshme te të gjithë të pranishmit. Kur përfundoi, një valë duartrokitjesh theu heshtjen që kishte mbizotëruar, duke dëshmuar ndikimin e fjalës së tij.

Në momentin kur Rada Trajkoviqi doli në foltore, fjalët e saj ishin të mbushura me helm e vrer. Ajo përmendi gjithçka, përveç tmerreve që kishte kaluar Kosova. Viktimat e pafajshme, shkatërrimet dhe dhunimet që kishin tronditur vendin tonë, nuk u përmendën asnjëherë. Përkundrazi, ajo vajtoi për vështirësitë që sipas saj serbët përjetonin në Kosovë, duke pretenduar se ishin të shtypur dhe se po shpërnguleshin masivisht.

Në këtë moment, kongresmeni Eliot Engel reagoi me ashpërsi, duke theksuar se në vendet e lira, njerëzit lëvizin të lirë dhe kanë të drejtën të qëndrojnë ose të shkojnë ku dëshirojnë. Ai e shpjegoi se edhe nëse dikush dëshiron të jetojë në Afrikë, kjo është e drejta e tij për të zgjedhur për jetën e vet. Pas këtij reagimi të fuqishëm, Rada heshti dhe nuk foli më.

Pas këtij takimi, më pas u zhvilluan edhe shumë të tjera me përfaqësues të ndryshëm të jetës politike amerikane. Në një prej këtyre takimeve, diskutimi emocionues i Nekibe Kelmendit la të pranishmit pa fjalë. Rada Trajkoviqi dhe kolegët e saj serbë përpiqeshin të fshihnin njohuritë e tyre të gjuhës shqipe, duke luajtur rolin e të pafajshmëve, ndërkohë që e vërteta ishte ndryshe.

Pas drekës, patëm nderin të vizitonim Bibliotekën e Kongresit, një thesar kulturor dhe një monument madhështor i dijes që ngrihet në zemrën e Uashingtonit. Atje, mes rafteve të pafundme dhe heshtjes që përshkon çdo qoshe, u përballëm me një mungesë të theksuar të literaturës mbi historinë e Kosovës. E mrekulluar nga përmasa dhe pasuria e saj, e cila është e njohur si biblioteka më e madhe në botë dhe institucioni kulturor më i vjetër në të gjithë Amerikën, ndjeva një përzierje emocionesh – krenari dhe përgjegjësi.

Në një bisedë të ngrohtë me drejtuesen e bibliotekës, ajo na kërkoi që të përkthenim librat e autorëve shqiptarë dhe të sillnim ato që ishin të argumentuara shkencërisht, për të mbushur boshllëkun që ndiente kjo bibliotekë e madhe për historinë dhe kulturën tonë. E informuar gjerësisht për botimet në Kosovë, ajo kërkoi që t’i flisja për profesionin tim si historiane dhe politikologe. Fjalët e mia ranë në vesh të ndjeshëm, dhe në ndarje, ajo më kërkoi që ta përcillja me përkushtim kërkesën e saj në Kosovë. Me zemër të plotë i premtova se do të përpiqesha ta përmbushja këtë detyrë, për të sjellë zërat e historisë sonë në këtë tempull të diturisë.

Pas kthimit në Prishtinë, zëri im u bë jehonë në shumë tubime dhe në sallat e Ministrisë së Arsimit dhe të Institutit të Historisë, duke kërkuar përkthimin dhe dërgimin e librave tanë në bibliotekat e botës. Kërkesa ime ishte e zellshme, por përpjekjet tona për të përkthyer u përplasën me pengesat e mungesës së mjeteve dhe mbështetjes institucionale. Megjithatë, disa libra arritën të kalojnë kufijtë dhe të dërgohen në duart e lexuesve të huaj, falë përkushtimit të vetë autorëve, të cilët më shumë përmes përpjekjeve personale se sa përmes mbështetjes zyrtare, e bënë të mundur këtë mision të rëndësishëm.

Pas një dite të gjatë dhe të ngarkuar, u kthyem në Erli Haus, ku kaluam natën e fundit në atë vend të këndshëm, që mbante një paqe të veçantë. Çdo mëngjes, nga dritarja ime, shihja drenushat që kullosnin butësisht barin, si një simfoni e qetësisë në një botë plot me zhurmë.

Vashingtoni ishte më shumë se një qytet; ishte një përvojë unike, një mikrokozmos që përfaqësonte Amerikën me të gjitha shkëlqimet dhe mangësitë e saj. Një qytet ku çdo cep i rrugës rrëfente një histori, dhe çdo ndërtesë mbante peshën e një kombi të madh.

Para se të nisesha për këtë udhëtim, kisha lexuar shumë për Amerikën, dhe nga të gjitha ato dije, disa fakte më ishin ngulitur në mendje. Shtetet e Bashkuara, kjo republikë federale kushtetuese, përbëhet nga 50 shtete dhe një qark federal, shtrirë kryesisht në Amerikën e Veriut. Aty, që të gjitha qëndrojnë të bashkuara dhe Washington, D.C., ky kryeqytet dinamik, shtrihet mes oqeaneve Atlantik dhe Paqësor, duke ndarë kufijtë e tij me Kanadanë në veri dhe Meksikën në jug. Alaska, e larguar nga pjesa tjetër, shtrihet në veriperëndim të kontinentit, duke u ndarë nga Kanadaja dhe duke i bërë përballë Rusisë përmes Ngushticës së Beringut. Hawaii, një arkipelag i rrethuar nga qetësia e Oqeanit Paqësor, është një tjetër perlë në kurorën e këtij kombi të madh.

Shtetet e Bashkuara nuk kufizohen vetëm në tokën e tyre të gjerë dhe të larmishme; ato shtrihen përtej kufijve, duke zotëruar territore të shpërndara si perla në det, që rrinë në Karaibe dhe Oqeanin Paqësor. Me një hapësirë të pafund prej 9.83 milion km² dhe një popullsi që arrin rreth 306 milionë, ky vend gjigant përfaqëson një nga kombet më të mëdha dhe më të populluara në botë, një vend ku bashkohen kulturat dhe etnitë nga çdo cep i globit. Amerika, kjo tokë e premtuar, është një kaleidoskop i njerëzve dhe historive, të cilat kanë formuar një komb me një ekonomi që ndriçon botën, duke prodhuar një prodhim të brendshëm bruto prej 14.3 trilion dollarësh në vitin 2008. Kjo pasuri përfaqëson rreth 23% të ekonomisë globale, një pjesë të madhe të pasurisë së botës që pulson në zemrën e këtij vendi.

Pas disa ditësh të kaluara në Washington, ku çdo cep kishte një histori për të treguar dhe çdo rrugë mbante një hije të historisë, vizituam Shtëpinë e Bardhë, qendra e pushtetit dhe një simbol i shpresës dhe drejtimit për shumë popuj. Kjo vizitë na la pa fjalë, duke na dhënë ndjesinë se udhëtimi ynë do të kishte mbetur i paplotë pa këtë përvojë. Shtëpia e Bardhë, një ndërtesë që strehon jo vetëm Presidentin e Shteteve të Bashkuara, por edhe aspiratat e një kombi të tërë, qëndronte e bukur dhe e pakapshme para syve tanë. Nuk arritëm të hymë brenda saj, por pamja e saj nga larg na dha të kuptonim se pse ky vend është kaq i veçantë. Hyrja brenda mureve të saj ishte e ndërlikuar, një gjë e kuptueshme për një simbol të tillë të fuqisë. Ne kishim shansin të futeshim, por vonesa në aplikim na la me pamjen e saj nga jashtë, duke mos pasur kohë të mjaftueshme, pasi ditën e nesërme do të niseshim për Prishtinë, duke mbartur me vete kujtimet e një vizite të paharrueshme.

Më vonë, ndërsa ecëm nëpër hapësirën e madhe të National Mall, ku monumentet qëndronin si roje të heshtura të historisë, u ndalëm në një vend që ngjante me një fushë të pafund panairi, ku e kaluara dhe e tashmja përplaseshin në një harmoni të mrekullueshme. Në këtë vend, u ndodhëm përballë Memorialit të Linkolnit, një mrekulli arkitektonike që na befasoi këndshëm me madhështinë dhe simbolikën e saj. Ky monument ikonik, i vendosur në skajin perëndimor të National Mall, qëndronte në qetësi pranë lumit Potomac, si një kujtesë e gjallë e një lideri që formësoi fatin e një kombi.

Pastaj, duke ndjekur rrugën e historisë, vizituam Monumentin e Uashingtonit, një obelisk i lartë që shtrihej krenar drejt qiellit, si një përkujtim për George Washington, presidentin e parë dhe themeluesin e Shteteve të Bashkuara. Ky monument, i pozicionuar pak më në lindje të Pishinës Reflektuese dhe të Memorialit Lincoln, është një nga pikat më të spikatura dhe më mbresëlënëse të qytetit, që të lë pa frymë me lartësinë e tij prej mbi 169 metrash. Pamjet nga ky vend i lartë duket sikur të tërheqin drejt qiellit, duke të kujtuar madhështinë e historisë që qëndron pas tij.

Washingtoni ofronte një mori monumentesh kulturore që i dhanë frymë vizitës sonë. Memoriali i Lincoln, Memoriali i Jefferson, Memoriali Martin Luther King, Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, dhe Pishina Reflektuese e Kapitolit të SHBA ishin vetëm disa nga thesaret e këtij qyteti, ku çdo gur dhe çdo cep fliste për sakrificat dhe triumfet e një kombi.

Të nesërmen, më 21 qershor të vitit 2002, u nisëm për në Kosovë, të përmalluar për tokën tonë dhe për familjet që na prisnin. Në zemrat tona, bartnim kujtimet e këtij udhëtimi, të lidhura fort me një ndjenjë të thellë nostalgjie dhe krenarie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok