PËRSE SERBIA I SHUMFISHON SHIFRAT E VIKTIMAVE TË VETA?
![Faksimili i komunikates gjermane](https://merbraha.com/wp-content/uploads/2025/02/Faksimili-i-komunikates-gjermane.jpg)
Nga Adil FETAHU
Në historiografinë, në librat shkollore, në publicistikën dhe në opinionin e Serbisë, çdo studjues i vëmendshëm dhe objektiv mund të vërejë kontraverza e manipulime me faktet dhe shifrat e fryra për ngjarjet e caktuara. Një formë e manipulimit është rritja e shumëfishtë e shifrave të viktimave serbe nga një luftë apo nga një ngjarje e caktuar.
Shkas për të argumentuar gënjeshtrat serbe në rritjen e shifrave, më dha një dokument i Komandës vendore të ushtrisë gjermane për viktimat serbe në masakrën e Kragujevcit (tetor 1941).
Njerëzit e brezit tim e mbajnë mend se në librat shkollore, në historiografinë, në publicistikën dhe në opinionin serb dhe tërë Jugosllvinë ka qenë e përhapur, në mënyrë të pakontestueshme e dhëna se në Kragujevc ushtria gjermane ka vrarë 7000 nxënës e profesorë, si hakmarrje për vrasjen ose plagosjen e disa ushtarëve gjermanë. Pothuajse të gjithë nxënësit e shkollave nga mbarë Jugosllavia në ekskurzionet e tyre në Serbi e kishin të pamundur ta shmangnin vizitën Përmendores së Shumaricës në Kragujevc dhe dëgjimin e ligjëratës (gënjeshtrës) për vrasjen e 7000 nxënësve me profesorët e tyre. Po cila është e vërteta për atë ngjarje?
Gjat lëvizjeve të kolonës së ushtrisë gjermane në relacionin Kragujevc -Gornji Milanovac, më 14, 15 e 16 shtator 1941, partizanët kishin vrarë 10 dhe plagosur 26 ushtarë gjermanë.
Për t’u hakmarrë për ushtarët e vrarë, komandanti i Shtatbit të Përgjithshëm gjerman, feldmareshali Wilhelm Kajtel, kishte dhënë e publikuar Urdhëresën (nr.888, dt.16 shtator 1941), sipas së cilës do të zbatohej parimi: 100 të pushkatuar për 1 ushtar të vrarë të Verhmahtit, ndërsa 50 të pushkatuar për 1 ushtar gjerman të plagosur. Dhe ushtria gjermane menjëherë kishte filluar zbatimin e atij parimi nacist, duke mbledhur qytetarë të Kragujevcit e rrethinës, të cilët i kishte ekzekutuar më 21 tetor.
Askush nuk mund ta mohojë se në mesin e të ekzekutuarëve ka pasur edhe nxënës e profesorë, por është gënjeshtër e kulluar se me atë rast ishin pushkatuar 7000 nxënës, me profesorët e tyre. Propaganda serbe kurrë nuk e ka dhënë numrin e saktë të ushtarëve gjermanë të vrarë e të plagosur, sepse sipas parimit: 1 : 100, respektivisht 1 : 50, do të dihej numri i të pushkatuarve, veçse gjithmonë e ka trumbetuar numrin e 7000 nxënësve të pushkatuar.
Por, nga dokumenti i Komandaturës vendore të ushtrisë gjermane (‘’Bekantmachung’’/Obznana; shq. komunikatë), të publikuar ditën pas pushkatimit të qytetarëve serbë, shihet qartë se me atë rast janë pushkatuar 2300 veta, e jo 7000 nxënës!
Edhe vetëm një njeri i pafajshëm të pushkatohej, është e dhembshme e për keqardhje i kujtdo dhe kudo qoftë, por ç’dobi ka nga gënjeshtra e trefishimit të shifrës, përveçse tregon se Serbia e ka gënjeshtrën specialitet dhe atribut nacional e shtetëror, siç e pranon dhe e karakterizon Qosiqi.
Gënjeshtra serbe, për ta paraqitur popullin serb si viktimë e popujve fqinje dhe e konspiracionit botëror është e vjetër sa vet ai popull, sa kisha dhe shteti i tyre. Kështu i kanë paraqitur gjithnjë, duke shumëfishuar viktimat ose ekzoduset e tyre. Dhe shpeshherë gënjeshtra është në kundërthënie me lavdërimin e tyre për trimërinë dhe heroizmin e popullit serb, sikurse është gënjeshtra origjinale e Qosiqit, se populli serb gjithnjë ‘’atë që ka fituar në luftë, e ka humbur në paqe’’, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse është e kundërta: Serbia në dy shekujt e fundit i ka humbur 14 luftëra, ndërsa në paqe ka fituar territore. Poashtu, është gënjeshtër konradiktore e ish-kryetarit të Serbisë, Nikoliqit, kur thoshte në një manifestim për Ditën e Ushtrisë së Serbisë (prill,2014): ‘’Serbia kurrë nuk ka bërë luftë pushtuese’’, ndërkaq pas dy-tri fjalive, lavdërohej se ‘Me luftërat që ka zhvilluar, Serbia gjithnjë e ka zgjeruar territorin e shtetit’’!
Për ta ilustruar ‘’trimërinë dhe heroizmin’’ e ushtrisë serbe në luftërat që ka zhvilluar, mjafton të përmendim rastin e luftës me ushtrinë turke në Gjunis (afër Aleksincit), në tetor 1876. Ushtrinë e përbashkët serbe dhe ruse në atë luftë kundër ushtrisë turke e kishte komanduar gjenerali rus Mihal Çarnajev, me ç’rast ushtria sllave pësoi debakël. Me atë rast, gjenerali rus i kishte dërguar telegram carit (perandorit të Rusisë), me këtë përmbajtje: ‘’Të gjithë rusët u vranë, të gjithë serbët – ikën’’, dhe kishte kërkuar nga cari rus të kërkonte armëpushim, sepse ishte rrezik që ushtria turke ta pushtonte tërë Pashallukun e Beogradit e ta shkatërronte ushtrinë serbe. Telegram me të njëjtën përmbajtje gjenerali rus i kishte dërguar edhe knjazit të Serbisë. Dhe cari rus i kishte bërë ultimatum Perandorisë turke të pranonte armëpushimin, gjë që edhe kishte ndodhur.
Se çfarë ‘’trimërie dhe heroizmi’’ ka treguar ushtria serbe në luftë, më së miri mund të ilustrohet me faktin e ikjes së tërë ushtrisë serbe, në krye me Shtabin e Përgjithshëm, për në Korfuz, në vitin 1915, gjë që nuk ka ndodhur askund në botë që e tërë ushtria e një shteti të ikë nga vendi i vet! Kjo ka ndodhur me ushtrinë serbe në Luftën e Parë Botërore, e cila duke ikur nëpër Shqipëri ka bërë masakra e shkatërrime mbi popullsinë civile shqiptare, për të cilat kanë dokumentuar Dimitrije Tucoviqi, Dushan Popoviqi, Leo Freundlich, etj.
Edhe për atë ikje, janë fryrë shifrat e viktimave serbe, kinse viktima të luftës, duke përmendur shifrën prej 240.000 të vdekur ‘’nga lufta me shqiptarët, nga të ftohtit, nga uria, nga sëmundjet’’ (‘’Albanska golgota’’). Në një vend tjetër përmendet shifra prej 72000 vetë të humbur gjatë tërheqjes nëpër Shqipëri dhe se në bregdetin shqiptar kanë arritë 150.000 ushtarë dhe 2350 oficerë. Në komunikatën e Komandës supreme gjermane të datës 29.XI.1915, thuhej: ‘’Pasi që ushtria serbe nuk ekziston më, përveç do mbeturinave të mjera, të cilët kanë ikur nëpër malet e egra të Shqipërisë e të Malit të Zi, ku do të vdesin pa ushqime,- për këtë shkak i kemi ndërprerë operacionet e mëtejshme dhe nuk do të dërgojmë më raporte nga lufta në Ballkan’’.
Ushtrinë serbe të ikur nga vendi, e shpëtuan ushtria franceze dhe angleze, duke i transportuar me anije nga bregdeti shqiptar deri në Korfuz (prill 1915), e pas një kohe pushimi aty, i kishin transportuar e vendosur në Selanik, prej nga, pas tri vjetëve, pas thyerjes së frontit të ushtrisë austrohungareze, u kthyen në vendlindje, dhe u trajtuan si aleatë të fituesve të Luftës së Parë Botërore, pa dhënë kurrfarë kontributi në luftë! Megjithatë, gënjeshtrat për viktimat e luftës nuk kanë pushuar. Në raportin e ministrit të ushtrisë serbe, gjenerali Bozhidar Terziq, që ia kishte dërguar kryetarit të Qeverisë, Nikolla Pashiqit, thuhej se ‘’Gjatë tërheqjes, kanë vdekur, janë vrarë ose janë zënë rob 243.887 vetë’’, shifër kjo që s’ka të bëjë asgjë me të vërteten. Aq më keq, në gënjeshtrat e përhapura serbe, është folur e shkruar se në Luftën e Parë Botërore Serbia ka pësuar 1.100.000 deri në 1.300.000 viktima, që paraqet 60% të popullsisë mashkullore, apo 1/4 e popullsisl së gjithmbarshme të Serbisë së asaj kohe! Gënjeshtër astronomike!
Këtë praktikë të gënjeshtrës dhe shumëfishimit të numrit të viktimave serbe e kanë vazhduar edhe për viktimat e Luftës së Dytë Botërore, duke e ngritur numrin e viktimave nga 1.700.000 deri 2.200.000!
Në një studim për viktimat e Luftës së Dytë Botërore (1941-1945) të Jugosllavisë së parë, të përgatitur enkas për Konferencën e Parisit për Reparacionet, delegacioni i Jugosllavisë kishte kërkuar reparacione lufte për 1.700.000 viktima të luftës. Po në atë Konferencë, të gjitha 18 shtetet aleate fituese të luftës, kishin paraqitur kërkesë për reparacione gjithsejt për 5 milionë viktima, ndërsa vetëm Jugosllavia kishte paraqitur 1.700.000, gjë në shifra relative rezultonte se vetëm viktimat e Jugosllavisë kapin shifrën 34% të të gjitha viktimave të 18 shteteve aleate. Kërkesa nuk u pranua, sepse shihej qartë se është shifër joreale. Tek më vonë, në vitet e 70-ta, Tito ishte marrë vesh me kancelarin gjerman Vili Brant, që Gjermania t’ia paguajë Jugosllavisë 1 miliard dollarë reparacione. Shumica e atyre mjeteve ishin shpenzuar për ndërtimin e eletranës nukleare Kërshko, në Slloveni.
Propaganda serbe edhe sot e kësaj dite gënjen e trumbeton për 700.000 serbë gjoja viktima në kampet e Jasenovcit e Nova Gradishkës. Bile diku e ngritin atë shifër deri në 1 milion (Bullatoviq,1980), për të rënë në 83.000 (Bogolub Koçeviq, ‘Svjetlost’, Sarajevë, 1990), kurse Miletiq me listë të emrave të viktimave arrinë deri te numri 30.000 (‘Narodna knjiga, ’Bgd.1987).
Dhe gënjeshtra e propagandës serbe, për qëllime politike, vazhdon edhe për viktimat gjatë luftërave të fundit në ish-Jugosllavi dhe për vuajtjet dhe shpërnguljet e serbëve nga Kosova e Kroacia, gjoja për shkak të presionit të pushtetit të këtyre shteteve kundër popullit të pambrojtur serb!
Kështu, gënjeshtra serbe ka krijuar mitin e viktimës së popullit serb, qoftë prej popujve më të vegjël përreth, qoftë nga konspiracioni i shteteve perëndimore!
Gënjeshtra është në interesin e shtetit serb, ka pohuar vet akademiku e shkrimtari Dobrica Qosiq. Po, a është vërtetë ashtu dhe deri kur!?