27/04/2024

Përpara… Drejt ferrit!

0

NGA ENVER BYTYÇI

Slogani i Rilindjes në zgjedhjet e 14 majit për bashkitë është fiksuar tashmë. “Jo prapa – përpara” – është ky slogan, me të cilin Rama & Veliaj duan t’i japin frymë votës për kandidatët rilindës. Po çfarë e motivon këtë slogan! Çfarë e bën atë stumulues dhe frymëzues për zgjedhjet dhe për të votuar kandidatët socialistë të bashkive? Duket qartë se triku drejtohet kundër Sali Berishës dhe Ilir Metës. Sipas autorëve të këtij slogani, këta të dy “janë e shkuara”, ndërsa Rama & Veliaj janë e ardhmja! Ndërkaq në çdo vend të botës dikush që dhjetë vite ka bërë opozitë nuk quhet kurrë e shkuara! Opozita është shkollë e reflektimit për të ndërtuar të ardhmen!

Megjithëse dhjetë vite në pushtet dhe akoma duan ta shesin veten si “e ardhmja” e Shqipërisë. Dhjetë vite ferri për shqiptarët, edhe pse Shqipëria është një parajsë dhe sërishmi mendojnë se shqiptarët “shkojnë përpara duke votuar Rilindjen”! Një dekadë në pushtet në kurrizin e shqiptarëve dhe prapë se prapë “besojnë” se shqiptarët nuk do ta bëjnë ndryshimin?! Çfarë nuk i punuan këtij vendi e këtij populli dhe akoma mendojnë se ata duhet të besojnë “në parajsën” e Rilindjes.

Fillimisht (2014) e burgosën dhe e vranë këtë popull me pretekstin se “nuk paguajnë energji elektrike”! Ishte një propagandë, me të cilën donin të bindnin injorancën se “Këta bëjnë shtet”! Ndërsa sot, pas 9 vitesh, numri i atyre që nuk paguan energjinë elektrike është po aq sa në vitin 2014. Përdorën burgun për një vepër civile! Kjo ishte shprehja më e dukshme e diktaturës. Ishte ferri i vërtetë për rreth 30 mijë shqiptarë. Nuk kishte burgosur Serbia në Kosovë kaq shumë shqiptarë në një vit! Tani na thonë se “shkojmë përpara” e bëjnë thirrje për ta votuar diktaturën!

closevolume_off

Në vitin 2015 Rilindja “nisi” luftën kundër kanabisit në Lazarat! Një vit më vonë kanabisi u bë kultura kryesorë e kultivuar në bujqësinë shqiptare në të gjithë territorin e Shqipërisë! Lazarati shërbeu thjesht si mashtrim i radhës se “këta shkojnë përpara duke bërë shtet”! Në fakt shkuan mbrapa, në kohët e primitive. Trafiku i drogës arriti rekordet e veta. Madje u vunë në dispozicion anije dhe avionë. U shuan radarët me urdhër nga shteti dhe vetë ministri i Brendshëm ua huazoi trafikantëve makinën e tij për transportin e drogës! Kësisoj shkoi përpara kanabizimi i vendit si kurrë më parë në histori dhe me paratë e drogës u blenë disa palë zgjedhje në Shqipëri. Kombinacioni drogë-para-manipulim zgjedhjesh funksionoi si kombinacion i përparimit kriminal nga fitorja në fitore për rilindësit!

Prej vitit 2013 e deri më sot nuk janë ndalur, duke ecur përpara lidhjet e ngushta të kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin e Serbisë, Vuçiç. Marrëdhëniet vëllazërore midis Shqipërisë dhe Serbisë u ripërtërinë në modelin 1944-1948, edhe pse Serbia vazhdon sot e kësaj dite të jetë armiqësore me Kosovën! Avancimi i politikave pro-serbe në Tiranë është prioritet dhe përparësia kryesore në politikën e jashtme. Dhe në këtë kuptim, edhe në të ardhmen pritet që këto marrëdhënie të zhvillohen, sipas sloganit të zgjedhjeve, pra të shkojnë përpara! Përpara do të shkojë edhe politika e vasalizimit të vendit tonë ndaj një armiku shekullor, si Serbia!

Po ashtu përpara do të eci numri i shqiptarëve që ikin prej vendit. Ata nuk do ta kthejnë kokën pas për të parë vendin e tyre sa kohë këtë vend e qeveris Rilindja, shkaktarja kryesore e braktisjes! Në këtë kuptim do të rritet numri i atyre shqiptarëve që largohen pa kthim nga Shqipëria! Dhe kjo quhet ecje përpara nga Rilindja! Nga shpopullimi do të shtohen pensionistët në shtëpitë e tyre! Pra, nuk do të ndalet hemorragjia jonë kombëtare, qenia njerëzore që përbën atë që quhet garancia e ekzistencës së një kombi! Edhe në këtë aspekt ne do të kemi ditë të këqija për Shqipërinë e ditë të mira për Rilindjen. Sepse sa më shumë shqiptarë ikin prej këtij vendi, aq më pak votues për opozitën e aq më pak reagim për mafio-qeverisjen e Rilindjes! Rilindjes në simbiozë me mafien dhe krimin I shtohet jeta në pushtet!

Dhe së fundi, me sloganin “Vetëm përpara” fitojnë e përfitojnë ata që kanë aq shumë para, sa të blejnë 28 ose 128 banesa në Tiranë e në qytete të tjera. Përfitojnë ata që ndërtojnë shumëkatëshet në Tiranë! Pra përfiton mafia e drogës, përfiton krimi i organizuar, i cili pastron paratë e tij nën kujdesin e Rilindjes dhe kreut të saj, Edi Ramës! Në këtë kuptim slogani “Vetëm përpara”, është mesazh për mafien, krimin e organizuar, mafien e oligarkisë dhe të kleprokracisë në pushtet! Mesazh që ata të vazhdojnë veprimtarinë kriminale pa u shqetësuar! Kësisoj, de facto ky slogan nuk drejtohet kundër dyshes Berisha-Meta, por adreson përfitimet që do të ketë Rilindja, si një organizatë kriminale e strukturuar në një dekadë të plotë!

Kjo do të thotë se slogani “Përpara” është joshje e shqiptarëve për në ferr dhe garanci për mafien kriminale për parajsën mbitokësore! Rilindja me këtë slogan u garanton shqiptarëve ferrin, ndërsa oligarkëve, mafiozëve dhe kriminelëve parajsën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok