21/12/2024

PËRMASAT TRONDITËSE TË KRIMEVE SERBE

0
Xhelal-Zejneli

Nga Xhelal Zejneli

Gjatë luftës në Kosovë të vitit 1999 Serbia bëri krime. Ndonëse që atëherë kanë kaluar 22 vjet, shumë pyetje kanë sot e kësaj dite kanë mbetur pa përgjigje.

Ushtria, policia, njësitë paramilitare apo falangat serbe:

– kanë kryer vrasje;

– kanë vrarë civilë;

– kanë vrarë fëmijë;

– kanë vrarë njerëz të pafuqishëm;

– kanë ekzekutuar civilë;

– kanë kryer përdhunime;

– kanë dëbuar popullsinë civile nga shtëpitë e veta;

– kanë krijuar varreza masive;

– kanë djegur kufoma;

– kanë hedhur kufoma në lumë;

– i kanë humbur gjurmët e viktimave;

– kanë djegur shtëpi;

– i kanë shkatërruar pronat e popullsisë civile;

– kanë shkatërruar pasuri të tjera të Kosovës.

Sipas të drejtës ndërkombëtare, vrasjet e sipërthëna konsiderohen dhe përkufizohen si krime lufte, apo si krime kundër njerëzimit.

Sipas organizatës Fondi për të drejtën humanitare, të prezantuara në “Librin e kujtimit të Kosovës” (LKK), gjatë luftës së vitit 1999 janë vrarë ose janë zhdukur 10.812 shqiptarë. Shifra e sipërthënë është nxjerrë nga analiza e 31.600 dokumenteve burimesh të ndryshme. Të dhënat burojnë edhe nga deklaratat e viktimave dhe të dëshmitarëve të krimeve të luftës.

Gjatë luftës së Kosovës, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë kanë vrarë 1133 fëmijë shqiptarë.

Numri i civilëve shqiptarë të vrarë nga ushtria, nga policia dhe nga njësitë paramilitare serbe sipas komunave: në Gjakovë – 1.022 vetë; në Skenderaj – 984 vetë; në Gllogoc – 804 vetë; në Rahovec – 724 vetë; në Pejë – 561 vetë; në Prishtinë – 466 vetë; në Prizren – 464 vetë; në Vushtrria – 451 vetë; në Suharekë434 vetë; në Mitrovicë 417 vetë.

Me gjithë këtë numër të evidentuar të personave të vrarë nga forcat serbe të sigurisë, edhe 21 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, 1227 civilë shqiptarë konsiderohen të pagjetur dhe për ta ende nuk dihet gjë.

*   *   *

Në një raport të organizatës së OKB-së për refugjatët (UNHCR) thuhet se në periudhën prej 23 marsit deri më 9 qershor të vitit 1999 nga Kosova u larguan 862.979 refugjatë. Në një raport të OSBE-së thuhet se ndërmjet marsit dhe qershorit të vitit 1999     u dëbuan nga Kosova 863.000 civilë. Amnesty International thekson se deri në fund të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri dhe Maqedoni.

*   *   *

Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe në Komisionin për persona të zhdukur – të qeverisë së Kosovës, në bazë të kërkesave të familjarëve, janë evidentuar 6.057 raste personash të zhdukur. Këta persona evidencohen si të pagjetur. Tragjedia e shumicës prej tyre është zbardhur, por për 1.647 persona, sot e kësaj dite nuk dihet asgjë.

Autoritetet e Kosovës, si dhe organizatat joqeveritare ndërkombëtare bëjnë të ditur se rreth 80% e personave të zhdukur gjatë luftës kanë qenë meshkuj të moshës prej 18 deri në 40 vjeç. Pjesa tjetër janë të moshës 41 deri në 60 vjeç. Duhet shtuar se ka pasur edhe raste  rrëmbimesh dhe zhdukjesh të personave të moshës mbi 60 vjeç.

*   *   *

Pas përfundimit të luftës, në Kosovë dhe në Serbi u zbuluan një numër i madh varrezash masive. Në dokumentet e Tribunalit të Hagës shihet se në aktakuzat ndaj të akuzuarve për krime lufte të kryera nga pala serbe, prej marsit të vitit 2000 janë identifikuar 529 varreza masive. Pjesa më e madhe e tyre janë në Kosovë. Në këto varreza janë gjetur trupat e pajetë të 4.300 personave të vrarë.

*   *   *

Pas luftës së Kosovës, në Serbi u zbuluan disa varreza masive. Sipas burimeve të Beogradit, në Serbi ka shtatë varreza masive. Në to janë gjetur trupat e shqiptarëve që ishin vrarë në Kosovë. Varreza më e madhe masive u zbulua në Batajnicë afër Beogradit. Në këtë poligon të njësive speciale të Serbisë u zbuluan mbetjet mortore të rreth 930 shqiptarëve. Sipas të dhënave të UNIMK-ut të vitit 2001, në varrezën masive të Batajnicës janë zbuluar 744 mbetje mortore shqiptarësh të vrarë. Po atë vit, në varrezën masive në Petrovo Selo të Serbisë lindore u gjetën 61 mbetje mortore shqiptarësh. Në vitin 2001, në liqenin Peruçac u zbulua një varrezë masive me 84 trupa. Në vitin 2013, në Rudnicë që ndodhet në afërsi të vendkalimit kufitar të Kosovës dhe Serbisë – në Jarinë, u gjetën mbetjet mortore të 52 personave. Në vitin 2020 një varrezë masive u zbulua në Kizhevak afër Rashkës me mbetjet mortore të 17 personave që besohet se janë shqiptarë të Kosovës. Siç shihet, varreza masive e Kizhevakut zbulohet 21 vjet pas përfundimit të luftës.

S’ka dyshim se për lokacionet e varrezave masive autoritetet serbe kanë pasur informacione, por për to kanë heshtur qëllimisht. Për publikimin e varrezave masive ka munguar vullneti politik. Çdo agresor gjatë historisë i ka fshehur krimet e kryera ndaj popullsisë civile të vendit të sulmuar dhe të pushtuar.

Për vrasjet, për rrëmbimet dhe për zhdukjet e civilëve në Kosovë, të periudhës prej 15 qershorit të vitit 1999 deri në fund të dhjetorit të vitit 2000 flet edhe drejtorja e FDHNatasha Kandiq.

*   *   *

Gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë, llogaritet se ka pasur rreth 20.000 viktima të dhunës seksuale të kryera nga ushtria, nga policia dhe nga falangat serbe ndaj femrave shqiptare. Për këtë ka folur para Kongresit amerikan edhe ish-kryetarja e Kosovës Atifete Jahjaga. Për përdhunimet e kryera në Kosovë nga pushtuesit serbë, sot e kësaj dite nuk është  përgjigjur askush. Deri në vitin 2018, për verifikimin e statusit të personit të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë, kanë parashtruar kërkesë 1050 femra. Këtu janë përfshirë abuzimet apo dhuna seksuale të kryera brenda periudhës prej 27.02.1998 deri më 20.06.1999.

Të dhëna për dhunën seksuale në Kosovë të kryer në periudhën e lartpërmendur jep Komisioni për njohjen dhe për verifikimin e statusit të personave të dhunuar, i themeluar pranë qeverisë dhe që zyrtarisht e ka filluar punën në shkurt të vitit 2018. Po kështu, vepron edhe Qendra për rehabilitimin e viktimave të torturës. Shumë raste të dhunës seksuale janë trajtuar më herët edhe nga organizatat joqeveritare.

*   *   *

Shkatërrimi i pronave civile nga forcat jugosllave, përkatësisht serbe në 1999 konstatohet edhe në një raport të Human Rights Watch të pasluftës. Duke cituar një sondazh të UNHCR-së të nëntorit të vitit 1999, kjo organizatë raporton se rreth 40 % e  shtëpive të banimit në Kosovë janë dëmtuar rëndë ose janë shkatërruar plotësisht.

Nga gjithsej 237.842 shtëpi, 45.768 sosh u dëmtuan rëndë, ndërsa 46.414 u shkatërruan. Serbët dëmtuan edhe shkolla dhe objekte fetare. Sipas vlerësimit të dëmeve të kryer nga Kombet e Bashkuara, nga 649 shkolla në Kosovë, më shumë se një e pesta e tyre ishin dëmtuar rëndë dhe më shumë se 60 për qind ishin shkatërruar plotësisht.

*   *   *

Përgjegjës për shtyllën IV që kishte të bënte me rindërtimin dhe me zhvillimin ekonomik, ishte Bashkimi Evropian. Pas luftës, në kuadër të misionit të UNMIK-ut, për një periudhë prej tre vjetësh, për të rindërtuar Kosovën e shkatërruar nga lufta, kishte vlerësuar një kosto prej të paktën 4 miliardë dollarë. Çështja e kompensimit të dëmeve të luftës duhet të jetë pjesë e rëndësishme e dialogut që rifilloi në vitin 2020. Në këtë dialog duhet biseduar me ngulm edhe për personat e pagjetur.

*   *   *

Sipas studimeve të ekspertëve ekonomikë të Kosovës, gjatë luftës Serbia i ka shkaktuar Kosovës dëme në një shumë prej rreth 22 miliardë eurosh. Këtu janë përfshirë dëmet e shkaktuara në sektorin publik, në atë privat, në fondin e pensioneve. Janë përfshirë edhe depozitat e qytetarëve etj.

Gjatë luftës, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në sektorin privat. Beogradi dhe Uashingtoni e Berlini duhet t a dinë se prona private është e paprekshme dhe e mbrojtur edhe me Konventën për të drejtat dhe liritë e njeriut. Me sa më sipër duhet të njihen edhe Uashingtoni, Berlini dhe Londra.

S’ka normalizim marrëdhëniesh me Serbinë, s’ka fqinjësi të mirë me të, derisa Beogradi të mos e zbardhë çështjen e të pagjeturve, të mos kërkojë falje për vrasjet dhe ekzekutimet, të mos pendohet dhe të mos kërkojë falje për fëmijët e vrarë dhe të ekzekutuar, të mos i paguajë dëmet e luftës apo reparacionin e luftës. S’ka normalizim marrëdhëniesh, as Ballkan të hapur derisa Serbia të mos e njohë sovranitetin e Kosovës, tërësinë tokësore dhe pavarësinë e saj. S’ka fqinjësi të mirë me Serbinë, derisa Beogradi të mos i japë fund politikës klerofashiste të saj.

*   *   *

Historia e lavdishme e Kosovës, qëndresa heroike e saj gjatë tërë shekullit XX përballë pushtuesve dhe kolonialistëve serbë, lufta për jetë a vdekje e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, heroike, epike dhe legjendare duhet të mësohen dhe të studiohen – vite me radhë – nëpër të gjitha shkollat dhe universitetet e kombit shqiptar në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok