25/05/2024

Perëndim apo…?!

0

Vilhelme Vrana Haxhiraj

Novelë

V–   Veçse e vërteta e hidhur duhet thënë, sepse ne pa njohur për sa ka ndodhur, e mirë apo e keqe qoftë, kurrë nuk kemi për të mësuar nga gabimet e ‘më të madhit të shtëpisë’, në gjurmët e të cilit ecin edhe trashëgimtarët. Ndaj nëse mbahet e fshehtë, mohohet apo nuk i jepet rëndësia e duhur dhe e vërteta nuk thuhet, kjo nuk i falet askujt. Të ndjekësh gabimet e brezave të shkuar apo të atij me të cilin ke bashkëjetuar, është e pafalshme. Gabon një herë apo dy herë, por të tretën herë askush nuk të beson. Nëse shikon dhe bindesh se ai është i verbër apo i lëbyrtë dhe pa mend në kokë për të parë realitetin, mos e beso më. Mos shko më pas tij, edhe pse është ‘kryetar i familjes, i një familjeje të madhe’, një familje me doke dhe zakone që nga të parët pellazgë. Por kur i madhi që drejton shtëpinë i ka lënë në harresë të qëllimshme gjithë traditat dhe të drejtat legjitime të familjes, çfarë të mire mund të shpresojmë tek ai?! Kur ti je zhgënjyer një herë, nuk mund të veprosh verbërisht dhe të ndjekësh rrugën e tij, e cila të çonë në humnerë. Je i ri, kërko një rrugë të re që mbron identitetin tënd dhe atë kombëtar gjë që të siguron begatinë shpirtërore, e cila nuk zëvendësohet me asnjë thesar monetar.

– Është e vërtetë, e dashur. Kur sheh, se te kryetari i familjes, mbizotëron smira, mllefi, urrejtja, armiqësia,  hakmarrja, hipokrizia dhe gënjeshtra, vërteton se je i tradhtuar si individ dhe si familje e madhe. Sipas meje së pari duhet t’i thërasim mendjes dhe të pastrojmë dhe të pasurojmë ndërgjegjen tonë. Pastaj me ide të reja në përshtatje të zhvillimeve pozitive kohore, me doemos duhet të forcojmë ndërgjegjen apo identitetin kombëtar të tjetërsuar.

-A ka më të rëndë se të jesh i zhgënjyer dhe i tradhtuar?

-Timi i dashur, jo vetëm individi, por ne jemi një komb i tradhtuar nga të mëdhenjtë e politikës evropiane, rajonale dhe ndërkontinentale. Ne jemi të shitur nga politika megallomane e vendit tonë që nuk sheh më tej xhepit dhe hundës së vetë. Jemi të zhgënjyer nga një politikë e njëanshme që e shpërfill shumicën, duke e lënë pa punë, me një nivel social-ekonomik dhe kulturor të ulët që detyron shpopullimin e vendit. Flitet me superlativa për kujdesin ndaj fëmijëve dhe moshave të treta. Njerëzit e kësaj moshe kanë punuar 40 vjet, ndoshta edhe më shumë, por janë segmenti më i varfër dhe i padëshiruar i politikës. Të gjorët pleq e plaka, i ngrehin edhe nga shtrati i vdekjes, vetëm për t’u marrë votën. Numrin e tyre e duan dhe kanë nevojë për të, madje edhe kur janë me një këmbë në “varr”, i duan te kutia e votimit.  Por realisht si e po e trajtojnë këtë shtresë të vobektë?

– Nuk ka mëkat më të madh me mënyrën se si trajtohet mosha e tretë. E kanë lënë në mëshirën e fatit, shtresën më të pambrojtur, pensionistët, të cilët me pensionet tallëse dhe qesharake që marrin, nuk janë në gjendje të shlyejnë financiarisht mjekimet.

-Epo “ I Madhi i Familjes”përmes medias gjithë ditën e ditës trumbeton, se mjekësia është falas. Ama këto janë vetëm fjalë, të cilat i merr era. “Është falas shërbimi mjekësor, veçanërisht për të sëmurët me diagnoza të rënda kronike.” Kjo është gënjeshtra më e madhe, madje është një gënjeshtër me bisht, gjasma do të thotë se është afatgjate dhe e sigurt…Kjo vlen për t’na hedhur hi syve dhe të shohim me shikim një mjegullnajë të lëbyrtë. Këtë e tregon më së miri fakti që kësaj kategorie njerëzish nuk u jepet as e drejta për t’u paraqitur në Komisionin shëndetësor të Tiranës që të marrë mjekimet e duhura. Ky veprim i shtynë të sëmurët me Insufiçencë renale (azotemi dhe creatininë të lartë) që të shkojnë drejt dializës ose e lajmërojnë pacientin se e pret njëvdekje e paralajmëruar. Ose e njëjta gjë ndodh edhe me të diganostukuarit me insufiçencë kardiake apo mëlçi të zmadhuar dhe kronike. Në të gjitha rastet “mjeksia jonë falas” këta njerëz po i çon drejt vdekjes. Mos vallë kjo është receta mjekësore më efiçente e pseudodemokracisë?! Po kur një i sëmurë i ka të trija këto nivele të rënda kronike, si zemrën, veshkat edhe mëlçinë apo diabetin, cili duhet të jetë shërbimi i shtetit, meqënëse  nga “I Madhi i Famijljes” deklaron me të madhe, se jeta e njeriut qenka shumë e çmuar?!

-Mjerë ne e mjerë kush jeton gjatë që të shohë, të dëgjojë, të jetojë dhe të provojë shijen e hidhur të paradokseve monstruoze të këtij trualli që quhet ‘vendlindje’. Një njeri jetëgjatë është i detyruar të dëgjojë zhargonin e ndyrë të përdorur në rrugët e errëta dhe të përbaltura të varfërisë dhe zhgënjimit ku është zhytur. Ky fjalor vulgar që na turpëron si vend me kanune zakonore të lashta, flitet lirshëm nga ligjvënësit apo administrata e lartë, e mesme dhe ultë shtetërore.

-Pikërisht aty sheh lakuriqësinë që shndrit ekranet e televizionit me falsitetin e jetës ‘moderne’. Ndesh njerëz të pasur prej krimit, trafiqeve të ligjshme dhe të paligjshme që bëjnë tregti me puthadorët, dembelët, hajnët  e servilët, të cilëve u besojnë duke i veshur me manton e pushtetit. Këta njerëz të diplomuar që kanë kaluar me katapultë nga klasa e katërt e ciklit të ulët shkollor ,në foltoren e parlamentit, përdorin me krenari  fjalorin e rrugës dhe të kanaleve të ujërave të zeza, sepse prej andej e kanë origjinën. Ndaj ai fjalor i ndotur u ka hije. Kjo është verbëri me dashje që çon në shkatërrimin e traditës, kulturës, ekonomisë dhe integrimit që zbeh apo humbet shpresën për ndërtimin e shtetit të së drejtës ligjore.

-Këto skena për atë që kanë pak mend dhe dinjitet, e fusin në mendime dhe analiza të thella. I mençuri, me zemërgjerësinë dhe dijet e tij, mëshiron dhe i dhimbset mjerani që për mungesë truri, ka shpërdorur dhe ka shitur dinjitetin. I padituri bëhet servil me një përunjësi të turpshme, vetëm se duhet të mbijetojë dhe të mbajë familjen gjallë.

-Veçse ka edhe nga ata që e bëjnë me dashje trafikun  e mishit të bardhë, këtë profesion të paligjshënm e fitimprurës që nuk ka nevojë as për industri, për taksa  dhe as për fuqi punëtore. Vallë kujt nuk i dhemb për femrat apo fëmijët e trafikuar që blihen e shiten si mall tregu nga mafiozët dhe trafikantët që për turp mbushin tregjet e botës? Femra të dhunuara fizikisht dhe moralisht përfundojnë në klubet e natës për të joshur “aristokratët e rinj” epshorë të sëmurë të kohës që nuk njohin as norma dhe as zakone. Vajzat ende të parritura rrëmbehen, dhunohen pastaj shiten në tregun e zi, duke u shndërruar në burim parash për të pasuruar tutorët që s’janë gjë, veçse pjellë e së keqes dhe imoralitetit.

Fëmijët që rrëmbehen ose pëfundojnë për transplant organesh ose i peshkojnë për trafikantë droge dhe armësh, apo shfrytëzohen moralisht nga pedofilët. Pedofilia, ky ves kriminal kërkon ndëshkim kapital. Aprovimi i martesave mes të së njëjtës gjini, është antinjerëzore, antinatyrale, antikushtetuese dhe kundër familjes tradicionale. Në botë këto fenomene që mbolli fara e keqe e dhunës së çdo lloj diktature dhe pasuesit e saj, janë shndërruar në modernizëm që po pranohet edhe nga parlamentet gjasma të “botës së qytetëruar”.

Ndërsa bisedonim për varfërinë dhe mjerimin e njerëzve që nuk e përballojnë dot jetën me të ardhurat e pakta që përfundojnë në llagëmet e ndotuar “të botës së kulturuar” përballë të cilëve qëndron pakica e majmur,  më erdhi ndërmend romani “Të Mjerët”  i Viktor Hygojit*. Në këtë roman Hygoji duke treguar historinë franceze të shek. XIX, vë në dukje, madje këlthet, kur vendos përballë njëra- tjetrës dy klasat shoqërore që sintetizojnë të keqen ndaj së mirës. Në faqet e këtij romani vështrojmë me dhembje, se përballë jetës luksoze qëndron dhuna, burgosjet, varfëria dhe sëmundja vdekjeprurëse e Tuberkulozit që ka mbuluar Francën dhe gjithë Evropën plakë.

Eh, deti është i kripur kudo. Këto probleme kaq të mprehta, i gjen në të gjithë globin. Po nuk duhet harruar se të tjerët, megjithë problemet sociale, kanë ndërtuar shtete. Kurse tek ne, nuk u gjend një burrë, një shqiptar i vërtetë që t’i vinte fre gojës, egoizmit, cinizmit, etjes për pasuri dhe pushtet që me ndershmëri dhe përkushtim, të ndërtonte shtetin ligjor të së drejtës.

………………

* “Të Mjerët” (frengjisht: Les Misérables /le mizerablë/) është një nga romanet më të shquara të shkrimtarit francez,(Victor Hugo|Viktor Hygo).

 

Atë mbrëmje pasi darkuam, isha ulur përballë ekranit dhe ndiqja përfundimin e zgjedhjeve . Me mbylljen e qendrave të votimit,  mendja më shkoi te meditimi im për “Familjen  e Madhe”, për të cilën dikur krenoheshim. Kjo sepse dikur ruhej integriteti tokësor e detar dhe zakonet e të parëve që, fatkeqësisht gjithçka e tillë, është kthyer përmbys. Humbja e virtyteve të dikurshme i mundon ata shqiptarë që ende e ruajnë trashëgiminë e zakoneve dhe ecin në gjurmët e të të parëve. Diçka tejet e vyer që mungon, është mohuar apo e kanë harruar aksidentalisht , pse jo edhe me qëllim të caktuar. Kjo harresë ka plagosur njerëzit me logjikë dhe me sedër. Shpirtvrarë dhe zemërcopëtuar secilit që i dhemb për humbjen e identitetit kombëtar, shkombëtarizimin e trojeve etnike dhe autoktone shqiptare, nënzërit i vrarë mendërisht e moralëisht: “Krenaria e thyer është plagë e hapur në trupat dhe mendjet e lënduara. Çfarëdo që t’i bësh, ajo prapë dhemb dhe lëndon shpirtin, sa herë që e kujton”.

Me këto mendime mbyllet në vetevete njeriu i gjorë, pasi nuk ka kujt t’i qahet apo t’i kërkojë ndihmë. Kjo dukuri shkatërrimi të gjithanshëm që po shndërrohet në fenomen tjetërsues, po merr përmasa gjithpërfshirëse. Mjerë kush do t’i përjetojë…!

***

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok