PERËNDESHA E MBROJTJES…

Nga Visar Zhiti
Kështu kam një varg për nënën, që këngëtarit dhe bashkëvuajtësit tim, Sherif Merdani, i pëlqeu aq shumë dhe e futi në një këngë të tijën. “Perëndesha e mbrojtjes” – shpërthente dhimbja e tij në këngë.
Bashkëvuajtësi tjetër, artisti Maks Velo, donte t’i bënte një portret nënës time, kështu thoshte, kur na vinte për vizitë në shtëpi…
Dhe e bëri mjeshtërisht piktori, që nuk e pa ndonjëherë, që jeton në Itali, Maestro Guljelm Veneranda Mosi.
Më mrekulloi dhurata e tij, ka realizëm, pikëllim nëne dhe durim deri në shenjtëri me një sfond si qiellor. Kurora e flokëve si e saj dhe dora drithëruese në faqe.
Dhe unë nëpërmend kur qendiste me atë dorë si me rrezet e diellit, shkruajta dhe një poezi, kur isha student, por arrita ta botoj shume më vonë, të ripunuar e futa në librin tim “Thesaret e frikës” dhe po e sjell sot të shoqëroj vepren e piktorit Guljelm Veneranda Mosi, që për mua ajo vetë ka dhe poezi, edhe muzikë të heshtur, dritë dhe trishtim të bukur nëne. Mirënjohës!
Visar Zhiti
QËNDISMAT E JETËS
– penjët e një lirike të hershme –
Kur vetëm jam në natën time
dhe dot s’lexoj, se është vonë,
koka e dimërt befas më bie
në jastëkët e qëndisur
nga nëna jonë.
Në ëndërr më çmpleksen
lloj-lloj qëndismash,
mulinetë e peizazheve.
Një gjilpërë e hollë ndrit mes gishtash
dhe mbaron zemrën e një vashe.
Ja dhe kali i haresë së dasmave,
si t’ish në oborr, ra mbi qilim.
Jelet u shndërruan në xhufka të arta
në palat e perdeve, në amë…shim.
Ç’lumturi e madhe qëndisi diellin
dhe veten që lante buzë një lumi?
Oh, si lëkundej ashtu djepi,
me kuverta ninullash
plot lule gjumi!
E imja vërtet është kjo bluzë
kaq e bukur, me shkronjat e emrit,
po kush më qepi mua në buzë
përkëdhelashin gaz të ketrit?
Mollë te ëmbla të mikpritjeve,
mbulesë tryeze me ibrikë hënash.
Të engjëlltat fytyra të fëmijëve
më hyjnoret janë
krijimtari nënash.
Dhe iknim, të rritur me largësitë.
…ra biza nga dora… gjergjefin
ç’e theu?
Lëmshe dhëmbjesh, farfuritë,
në prehër mban mëmëdheu.
Ëndrra çahet. Ah, çfarë drite
bie mbi jastëkët e mi të hershëm!
…………….…………………………………….
Dhe Luvri pa qëndisma të nënës sime,
do më zhgënjente. Luvri i përjetshëm.