PËR VENDLINDJEN TIME

Nga Neshat Sh. Mehmedi
Dashuria, mallëngjimi, ëndrrat për vendlindjen gjithmonë na e prishin rahatinë kudo që të ndodhemi në mërgim, punë, gjumë,… na trazojnë ndjenjat e pa përshkruara aq mbresëlënëse e të bukura për të afërmit, fqinjët, farefisin, bashkëkatundarët, shokët e fëmijërisë, lojërat, punët e ndryshme dhe ndihma zinxhirore për njëri tjetrin, shpeshherë ndodh që të përlotemi nga përmallimi. Çfarë ndryshime të mëdha kanë ndodhur dhe ndodhin është e pabesueshme, por është shumë e vërtet. Shtëpitë e mbuluara me rasa janë shumë të rralla, mullarët nëpër lëmë mungojnë tërësisht, mashnat me gardh e të mbuluara me kashtë, pojatat, puset, i kanë kaluar historisë. Krojet e mëhallëve kanë humbur plotësisht edhe gjurmët më s’ju dihen me fajin tim e me fajin tënd; kroit të Memishit, Salihit, Mehazit, Alis, Xhamisë, dikur ishin burim freskie dhe jete, e sot ju ka humbur nami e nishani, kohë o kohë sa e pamëshirshme që je!
As sokakët, ai i Feratit dhe i Dakes, se kanë atë kënaqësinë, e as at gjallërinë e dikurshme, nuk dëgjon të qeshurat, as të qarat e as të sharat e fëmijëve, as nuk sheh më fëmijë “cullë” me bukë në dorë e lëngun e specit duke i rrjedhur mjekrës teposhtë.
As kodra e Hallës Xhane si grumbullon të rinjtë si dikur, nuk këndohen më këngët e dashurisë e këngët patriotike, as nëpër çardakë të shtëpive nuk sheh më vajza “cauca” e as s’këndohen më këngët e beqarisë, të kurbetit, ushtrisë e fejesave e martesave.
Kodrës së Madhe i mungojnë vajzat “cucat” fodulle e të pashme si selvi, me strukat e bardha e dimi të kaltra. I mungojnë beqarët, ato djem të pashëm, trima e sypatrembur si luanët : me kësula në kokë përreth ballit, me tirq e xhamadan me shtatë gajtan, brezin shtatë kutë belit shtrënguar, me opinga të lëkurta, ndortat “nortat” me tufa rreth e rrotull rrogzinave në këmbë i shtrëngonin.
Arat dikur gjallëronin nga këngët e vajzave bashkë me këngët e grave, pas çdo pushimi, britmat e bujqve, korrjet dhe shirja e elbit, tërshërës nëpër lamat e shumta në natyrë, … dhe britmat e njerëzve ; punë e mbarë, a gjëfteve, tungjatjeta,…
Sheremeticës, Gjurit të Kuç, Skakallës, Gjurit Lodrës, … ju mungojnë stanet, blegërima e dhëne, e qengjave, kambanat e dhëne e të lehurat e qenve të Sharrit, pëllitja e lope e buluriteja e mëzetërve, e kodrinave e bjeshkëve ju mungon fyelli dhe fishkëllima e çobanit,…Në vatrën e stanit s’dëgjohet më melodia e tundjes së qumështit në dybekë as kënga e nënave që e këndonin ftajnin – dybekun; “Taunu ftoj ore shoç, rrajte kokën sa nij kollomoç!” Sa keq, as egërsirave të malit s’ju prish kush më qetësinë, sepse vetë vendi ka mbetur bosh, i zbrazët nga jeta.
As shtëpitë e katundit më se kanë atë gjallëri të dikurshme, janë të heshtura e ta djegën zemrën, as të qeshurat e të qarat e fëmijëve më s’dëgjohen si dikur, as këngët e ninullave loket si këndojnë më, as lojërat e fëmijëve nuk luhen më; “kalaja jeme”, “Çuke me brez”, “Çelik”, “Mçefas”, “Vorba” loja “Teze”, … Të gjitha këto ninulla, këto lojëra ishin frymëzim, ishin kalitje për tu përballë me kohën dhe stuhitë!
Dikur çdo shtëpi numëronte më pak 10 -13 fëmijë, varësisht nga numri i burrave që kishte shtëpia. E sot sheh dyert e mbyllura me dry, në pullazet e shtëpive ka mbirë bari, lamat e shtëpive janë mbushur me hithra, rrugët e katundit të boshatisura, as festat e motmotit s’festohen më, e as luhen më lojërat e vajzave nëpër udhët e mëhallës; “Shale male”, “or kala për kala”. As petat e djemve më 6 janar, flijat e lamve më 06 shkurt, vendosjen e penjve në duar e qafë më 7 mars dhe shkuarjen për dash e dele për Ditë Vere më 14 mars, Ditën e luleve më 5 maj dhe Ditën e Sshnxhexhit më 6 maj. Për këtë katandisje të dhembshme që pasojat i shohim sot, është bërë një propagandë dhe luftë e egër ndër vite e ndër dekada për shpërlarje të trurit!
Kemi harruar për fejesa e martesa,… Kemi harruar edhe zakonet e vjetra të derdhjes (ndarjes) së kokrrave të kollomoçit – misrit dhe sheqernave për lindjen e djalit apo vajzës për daljen e dhëmbëve.
Koha është e pamëshirshme, por më të pamëshirshëm jemi ne që e kemi harruar atë që na dha jetë, që na rriti e na ushqeu me kujtime të bukura. E kur malli më rëndon, e kuptoj se vendlindja ime nuk është thjesht një vend, por një ndjenjë, një rrënjë e thellë në shpirtin tim e zemrën time, që kurrë nuk do të shkulet, një ëndërr që do të jetojë përgjithmonë brenda meje.