PËR MUSINE KOKALARIN
Nga Rudolf Marku
Nashi Brook dhe Jonathan Brook janë një çift nga Brighton i Anglisë, miq të mi. Jonathan është një intelektual i klasit të parë dhe po ashtu është zonja Brook. Të dy të obsesionuar nga figura e Musine Kokalarit, aq sa mund të thuash se të dy ia kanë kushtuar jetën e tyre asaj. Jonathan është i familjarizuar me krimet e komunizmint rus kundër shkrimtarëve dhe intelektualëve, ndërsa Nash e ka më të lehtë t’I kuptojë këto krime,ngase i ka provuar në lëkurën e vet.
Në saj të përkushtimit të tyre, BBC ka shfaqur dokumentarin e përgaditur për Musinen, dhe vetë Nash dhe Jonathan kanë ngritur në Angli rrethin e zgjeruar ‘ Miq të Musine Kokalarit’ , me intelektualë anglezë që mblidhen herë pas here për të përkujtuar figuren e Musines.
Më telefonuan në Tiranë, dhe më thanë se do jenë në një aktivitet që do zhvillohej në Hotel Tirana (15-katëshi). Më thanë të mos mungoja ( e kishin marrë vesh se kisha ardhur dhe unë në Tiranë).. Ditën dhe orën që do zhvillohej aktiviteti, isha i pranishëm. Një grumbjull njerëzish shumica e të cilëve janë të përjetshmit e pranishëm në çdo mbledhje të kësaj natyre. M’u duk se ishin po ata njerëz që do të kishin qënë dhe para 30 a 35 viteve më parë. Koha është e ngrirë në Tiranë, aq sa të duket ndonjëherë se as minutat dhe as sekondat nuk levizin. Më drejtuan të ulem në rrejshtin e dytë.Më kot kërkoja të shihnja miqt e mi të Anglisë. Një punonjës i Hotelit më tha se çifti nga Anglia ishte larguar që dje. Me siguri të pushtuar nga po kjo ndjesi që më pushtoi dhe mua që në minutat e parë të pranisë time këtu. I ulur, instiktivisht kisha nxjerr një bllok të vogël dhe kisha filluar të shkruaja poezinë që po e postoj më poshtë. E di se nuk është poezi me kërkesa estetike, thjesht është një përjetim i asaj që ndjeva në ato çaste kur dhe folësi i parë nisi ligjërimin e vet. Me siguri është i njejti përjetim që e kish bërë çiftin anglez të ikte nga Shqipëria para kohe. Ndjenja e neverisë ndaj kotësisë dhe shtirjes. Ndoshta poezia e më poshtme do ta sqarojë më mirë atë që dua të them.
NË NJË CEREMOMI PËRKUJTIMORE TË MUSINE KOKALARIT
Në rrethin e parë u ulën vrasësit e saj,
Me gratë dhe fëmijët të veshur, pa asnjë njollë
Dhe një ish i burgosur që zgjatet për ta kapur kamera,
I sigurt që do flas në tribunë me sintaksin më paqësor,
Dhe në rrathet më larg, ata që bërtisnin për një dënim më të rreptë,
Dhe një historian që ndryshon datat e ngjarjeve çdo vit
Një ish President me profesionin veteriner, i cili ende s’e kupton
Përse evolucioini u ndal pikërisht atë ditë kur ai u lind
Dhe në rrethet e sigurisë turma e politikanëve, diplomatëve.
Që duartrokasin kur folësi fjalën Prix e lexon Prick,
Mediokriteti dhe shtirja vret po aq sa gjygjet e dikurshëm,
Në sallat luksoze mbushur me njerëz hipokritë,
Ndërsa vetë Ajo, që nga Kashta e Kumtrit,
Me një fshesë të gjatë shqope dhe kashte në dorën e saj,
Më kot përpiqet të fshijë pluhurin dhe baltën në sallën vanitoze
Ku farisejt vazhdojnë të shtiren sikur pa ndërprerje vazhdojnë të qajnë…
30 Tetor, Hotel Tirana
