13/04/2026

Pension familjes së Bajram Currit

0
Bajram_Curri

Nga Kastriot Dervishi

Më 30 tetor 1926, mbledhje e Dhomës së Deputetëve.  Bisedim mbi projektligjën mbi lidhjen e nji pensioni të përmuejshëm familjeve të Bajram e Hysni Currit (në parim).Këndohet projektligja si pason:

I-Tue marrë parasysh gradat ushtarake si kolonel e major qi kanë pas të ndyerit Bajram e Hysni Curri, me qëllim që të lehtësohet gjendja e vështirë financiare, në të cilën gjendet familja e tyne, u nepet pension i përmueshëm prej 250 franga ari familjes së Bajram Currit dhe 150 franga ari familjes së Hysni Currit.

II-Kjo ligjë hyn në fuqi qysh prej ditës së shpalljes.

III-Ministria e Financave ngarkohet me zbatimin kësaj ligje”.

Mihal Kaso: “Nuk kam asnji kundërshtim për lidhjen e kësaj familje nji pension, por dy pika më bajnë të them se ky projekt duhet t’i kthehet prap qeverisë. E para asht se simas art.39 të statutit si çdo projekt-ligjë qi sjell me vete barrë financiare duhet të ketë dhe burim se nga vijnë këto të ardhura qi t’i bahet ballë kësaj pagese.

Zana: Asht fondi i pensionit ushtarak.

Mihal Kaso: Pra masi nuk ka me se do t’i bahet ballë kësaj pagese, duhet që t’i kthehet qeverisë për të na tregue se me çdo t’i bajë ballë. Pika e dytë asht se jemi tue bisedue ligjin e pensionit. Pra, pa patur ligjë pensioni, nuk mund të themi dhe të lidhim pensione.

Kolë Mjeda: Z.Kryetar! Qeveria që ka bërë këtë proponim dhe kërkon qi t’i lidhet nji pension familjes së të ndjerit Bajram Curri, meriton falenderime nga ana e Dhomës së Deputetëve se ka bërë një detyrë të shenjtë. Nuk do të hyj ma thellë, por si thashë këtu, qeveria ka bërë nji detyrë patriotike dhe unë e falenderoj. Na që jena në Shkodër e dijmë mirë se familja e të ndjerit Bajram Curri ka mbetun shumë ngushtë dhe duhej t’i lidhje nji pension.

Milto Tutulani: Unë do të them dy fjalë edhe sa  për të rrëzuar argumentet qi tregon z.Mihal Kaso mbi mospranimin e këtij projekti. Arsyet qi tregon z.Mihal Kaso, mundet të jenë të drejta kur kërkohesh nga ana e qeverisë nji shtim kredie në fondin e personave.

Por këtu na vjen nji projektligjë për të krijuar nji pansion tue e paguar qeveria prej fondit të pensioneve që ka. Prandaj asht nevoja të na tregojë se me ç’fond do t’i bajë ballë kësaj pagese, kurse fondi për këtë qëllim ekziston.

Kryetari Kostaq Kotta: Po e vë në votë. Kush asht antar të pranohet, në parim të ngrerë dorën.

Pranohet në parim dhe i referohet komisionit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok