23/12/2024

Penat e thara pas gjahut të dështuar!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Sa neveritëse, po aq e pasinqertë është deklarata e një të ricikluari nga njëra parti në tjetrën, kur e thotë për partinë e “re”, “ajo është alternativa e ndryshimit politik për vendin”, duke harruar se e njëjta parti është thyersja më e madhe e shpresave të qytetarëve për jetë në vendin tonë!

Besuan verbërisht në arritjen e ambicieve personale

Karrieristët dhe yryshnikët e pushtetit, pa marrë parasysh bindjet ideologjike, vrapuan dhe anuan andej ku e shihnin mundësinë më të madhe për realizimin e aspiratave personale dhe familjare.

Kështu kishte ndodhur para zgjedhjeve të fundit nacionale, kur të ricikluarit politik, në mesin e tyre veprimtarë dhe intelektualë të mërgatës tonë, analist dhe gazetarë të cilët ju bashkangjiten dhe e mbështetën koalicionin e “shpresës” për kënaqjen e egos së tyre për pushtet, duke ëndërruar për t’u bërë ministra apo ambasador, zv.ministra apo konsuj në përfaqësitë tona diplomatike, këshilltarë apo vozitës të pushtetarëve të rinjë, emrat e të cilëve ishin lakuar një kohë të gjatë në mediat elektronike!

Përpos dështimit të gjahut, të njëjtit janë harruar nga pushtetarët e rinjë të katapultuar në majat e pushtetit, me të cilët i kanë ndërprerë të gjitha komunikimet në baza ditore dhe lidhjet “miqësore” të deridjeshme!

Po ndodhë pikërisht kështu, për faktin se pushtetarët e rinj nuk po kanë kohë për mbajtjen e lidhjeve shkaku i mosmbajtjes së premtimeve duke u arsyetuar me angazhime të shumta në “shërbim” të shtetit dhe qytetarëve!

Çfarë po ndodhë pas dështimit të gjahut?!

Kalemgjinjëve të deridjeshëm pas dështimit të gjahut u është “tharë” pena, nuk po shkruajnë më si më parë për ndryshimin apo “qeverinë e shpresës”, pasi tashmë e kanë kuptuar se në vend të ndryshimit ndodhi mashtrimi më i madh dhe epokal. Nga turpi i dështimit të ambicieve të tyre personale për t’u “kapur” diku, disa kalemgjinjëve u mbeti “rrënja n’dorë” siq e thotë populli, për shkak se vendet e premtuara të tyre i zunë injorantët dhe anonimët politikë, praktikantët dhe të panjohurit, të cilët deri dje nuk i kishte njohur fshati dhe as mëhalla e tyre!

Mbase anonimëve do t’iu kalojë mandati politik pa i mësuar emrat e tyre opinioni publik, e të mos flasim për diplomacinë perëndimore e cila as që i merrë në konsideratë anonimusët e një shteti të vogël në formim e sipër!

Arsyeja e ardhjes në shprehje të anonimëve politik është produkt i kësaj klase injorantësh politikë, të cilët nuk mund të pajtohen që të shohin njerëz më të ngritur sesa vetën e tyre në institucionet e shtetit.

Njerëzit e vet i mbajnë si këshilltarë vetëm në aspektin figurativ sa për ta krijuar opinionin se janë duke bërë punë të mira për vendin, ndërsa në realitet, ata nuk janë këshilltarë por vetëm numra në rritje e sipër që paguhen me paratë e taksapaguesve të varfër kosovarë, pasi pushtetarët e rinjë janë të pakëshillueshëm dhe të papërmirësueshëm në gafet e tyre politike, për shkak se nuk e ka askush guximin t’i këshillojë, e aq më pak të t’i çortojë për gabimet e përditshme në fushën e diplomacisë dhe politikbërjes e cila në të shumtën e rasteve është duke bërë hapa prapa në politikën e jashtme!

Sikur ne shqiptarët të kishim prirje për të bërë punë të mira në vend të ndërskamcave dhe prapaskenave që i bëjm njëri-tjetrit, me siguri nuk do të kishim mbetur në këtë nivel kaq të ulët zhvillimor dhe emancipues, ku gjithnjë njerëzit e mençur dhe intelektualët e vërtetë anatemohen dhe largohen nga injoranca e pseudointelektualeve dhe marrëzia e pseudopatriotëve!

Penat e thara të analistëve dhe gazetarëve të mashtruar u ngjajnë pushkëve pas dështimit të gjahut, të cilat për një kohë të gjatë mbesin të varura në murë, pa e pasur kurajon kalemgjinjët që t’i marrin përseri në dorë penat e tyre të “arta”, siq vlerësoheshin nga pushtetarët!

Meqë shkrimin e fillova me të ricikluarit politikë, ashtu edhe po e përfundoj. Një veprimtar i ricikluar nga mërgata e jonë, pasi kalërojë nëpër katër parti politike, përkatësisht katër pushtete, për të pestën herë i zgjodhi pushtetarët e rinjë, por edhe nga këta doli i djegur dhe i përvëlluar. Nuk e di, se a do ta ta ketë kurajon ta provojë të gjashtën!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok