Pëllumb Gorica: Një mjellmë në Korab
NJË MJELLMË NË KORAB
NGA PËLLUMB GORICA
Udhëtimet në lartësi janë sfida të guximshme. Sa herë ngjitesh aq më shumë të shtohet dëshira, të fluturosh me krahët e kënaqësisë. Kur kjo dëshirë të ngacmon bukurisht, mezi e pret udhëtimin, sidomos kur e panjohura të bën mik shpirtëror duke i shfletuar. Që herët kam pasur dëshirën të ngjitem në malin e Korabit, të kësaj parajse shqiptare, që ngrihet madhështor drejt qiellit, si një nga ato befasitë e këndshme.
Ditën e tretë të këtij janari e “zgjuam” në prehër të malit Korab, në lartësinë e kapërximit të 1500 m mbi nivelin e detit. Panoramat zëvendësonin njëra – tjetrën, ndërsa makina jonë mori drejtimin e një rruge të përbaltur, që në çdo metër e troshiste atë. Kalojmë pranë Radomirës, të shtrirë dhe të shpërndarë këmbëve të malit që të shfaqet magjepsëse. Aty egërsia e natyrës ndërthuret me ajrin e pastër, ujërat e kristalta, kullotat, bagëtitë, gurë e drurë që të krijojnë në shpirt emocione. Kjo, e rrokshmja e terrenit të ashpër të Radomirës, ndërthuret me përzemërsinë e banorëve të saj krenarë, të përcjellë aq bukur edhe në këngën perlë “Cuca e Radomorës”. Ndoshta pak e skajshme Radomira, por pa i shpërfillur vlerat historike, të zemërgjersisë së traditës dhe odës dibrane, që është e famshme për bisedat e saj, me këndvështrime realiste, mbi të gjitha për mundësitë që të afron jeta këtu, këtu ka shumë problematika të mbijetesës së zakonshme shqiptare. Së pari, që të lulëzojë turizmi kërkohet më shumë vëmendje dhe investime nga shteti. Kryesorja rruga e Radomirës le për të dëshiruar. Dhe që për ironi nuk është më shumë se 5 km e duhet rregulluar ajo, që kësisoj të tërheqë sa më shumë vizitorë.
Sapo mbërritëm ne, Haxhi Hima, me dashamirësinë e mirësjelljes na fton në bujtinën e tij, me përkujdesjen për të pushuar nga lodhja e rrugës së gjatë. Aty, zjarri i një sobe që përshkëndriste, të jepte ngrohtësinë e duhur. Por më çlodhëse janë bisedat e çiltra, (si të njiheshim prej kohësh), për malin, ngjitjet, alpinistët…
– Nuk e kanë të gjithë privilegjin – thotë Haxhiu -, neve që banojmë në Radomirë, në këtë bukuri, të cilin na e ka falë natyra na bën të jemi krenarë. Mali është i ashpër dhe ka shumë huqe, sepse ashtu siç ka bukurinë e tij ka shkaktuar edhe shumë fatkeqësi.
Fjalët e tij të shtien në mendime të thella, sepse jo rrallë për fatkeqësitë e ndodhura kanë ardhur nga mungesa e kujdesit të shtetit.
Por, pas gjithë këtyre mendimeve që na goditën në kokë si çekan, e nesërmja na priste në rrugëtimin tonë drejt majës së Korabit e cila përbën arsyen e ardhjes këtu.
Bashkëudhëtar me Fation Plakun!
Nuk janë pak që u ngjiten lartësive të Korabit, ashtu siç mund të pohosh se nuk janë shumë: jo vetëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, por edhe nga Polonia, Gjermania, Italia, Spanja, Franca, Amerika, etj..
– Ajo që të pëlqen,- të thotë Lavdie Sulo, një alpiniste të cilën e njoha këtu – kthehet në pasion, mjafton të kesh dëshirë të zjarrtë. Prej vitesh e kam pasion të rrugëtoj edhe nëpër male të ushtroj Alpinizmin.
E pata fatin e mirë që bashkë me grupin e alpinistëve të ngjitem edhe unë. Shkak u bë ftesa e mikut tim Fation Plaku, një ndër alpinistët më të njohur shqiptarë të cilës unë ju përgjigja me kënaqësi.
– Mirë! Bukur!… Më pëlqen dhe mezi pres të shkojmë atje, thashë unë.
Fationi është i lidhur ngushtë sa me malet, aq edhe me detin, liqenet, shpellat, ujëvarat e gjithçka tjetër të natyrës sonë. Ai është edhe përjetues i një mozaiku interesant nëpër vende të ndryshme të botës. Ato janë me rëndësi në jetën e tij, si dëshirë e një vullneti këmbëngulës për të arritur atë që e ka passion, duke i sjellë mundësinë së njohjes së sa e sa viseve e gjithmonë mbetet i joshur pas tyre. I prirur e më tepër se çdo gjë tjetër ai vazhdon të mbush jetën e vet me të njënjtën mënyrë si puna krijuese e një artisti, gjë që ka ekzistuar që në krye të herës, e cila ka gjithçka; ka një kuptim, sepse ai gjen veten në qetësi e paqe, por që i ngjan fluturimit të fluturës së natës kur i qepet dritës së llampës. Kur ecën përmes udhëtimeve, në ngjitjet e tij marramendëse drejt majave, shpesh me foto dhe vidio, tregon bukuritë e rralla natyrore.
Si një protagonist i alpinizmit shqiptar, për të nuk ekziston asgjë e pamundur. Ai i njeh malet, i njeh aq mirë dhe majat e tyre, bukuritë, por edhe vështirësitë. Kështu ato kanë formësuar në shpirt një oaz kënaqësie, që i kanë dhënë më shumë kuptim jetës së tij. Të tregon për endjet andej e këndej Shqipërisë e jo vetëm, që shpesh janë edhe misterioze.
-Alpinizmi jo vetëm i bën mirë shëndetit- thotë ai, – por edhe të largon nga monotonia e ditëve dhe veseve që na rrethojnë që, për fatin e keq, e kanë prekur shoqërinë tonë, veçanërisht rininë.
Në majën e Korabit
U nisëm për të eksploruar shpalosjen e panoramave të malit Korab, të përshëndetur nga era tinzare, me ndjesinë drithëruese të të ftohtit të tij. Jemi të përgatitur dhe të përqëndruar, jo vetëm shpirtërisht, për të shijuar atë maksimalisht, por edhe fizikisht për të përballuar vështirësitë, që ndeshen. Kur je edhe në shoqërinë e njerëzve të duhur, ke shumë arsye për ta ndjerë veten më mirë. E shoqëron ngjitjen një mugëtirëe qiellit të errësuar nga kope resh të hirta, si një hartë që i kacafyten atij, të cilat sikur e kanë banesën e tyre këtu, duke dhënë sinjale se diku do të zbrazen. Diku më tutje, ca ndriçime skajore, tregonin se dielli, nëpërmjet morisë së shprishur të reve lëshonte rrezet e veta.
Aty, ku fillon të lartësohet mali, do të ndjekim një rrugëkalim gjarpërues dhe këtë e tregon një tabelë orientuese. Më tej, gurët kilometrikë të shenjuar, para disa vitesh nga alpinistët polakë, eleminojnë vështirësitë nga mosnjohja e terrenit. Ecim pranë copëzave të arave rrethuar me gurë, pranë staneve të Radomirës e përmes një pylli të harlisur pishash Arrnoj, siç i thonë vendasit, ku era që frynte me ngulm e përzier me kundërmimin e aromës së tyre, duke i lëkundur dhe shkundur borën e rëndë nga degët. Ato, me gjelbërimin e thellë, kombinuar me bardhësinë e borës, krijonin një tablo mahnitëse dhe i bënin karshillëk në çdo çast shpateve shkëmbore të thikta e të grinjta të Kapistogjit dhe Luftanjit, me forma të çuditshme të krijuara nga kataklizmat e hershme tektonike. Bora gjithandej malit ishte shtresuar në tokë e cila në disa vende shkonte deri në gju.Veçse bukuria e kristaltë e saj vetvetiu të emocionon. Filloi të binte borë e butë, me flokëza, si flutura lozonjare që flatronin mbi supet tanë dhe miellëzonin më shumë. Pa ia ndarë sytë rënies së flokëve të dëborës, ne vazhdojmë të ecim nëpër një terren të shkatërruar nga gërryerjet.
Qëllimi është ngjitja në majën më të lartë të malit Korab, aty ku pranë tij ndodhet edhe kufiri shtetror me Maqedoninë. Shpesh një perde e padukshme mjegulle e bënte të vështirë ecjen e nuk linte të shihje më tej, por i shquajmë në largësi konturet e majave të borëzuara, që ngrihen të larta me shpalosjen e tyre dhe të pushtojnë aty për aty shpirtin për të frymëzuar deri në thellësi të tij, gjë që është e pamundur ta përshkuash me fjalë. Në një ngjitje prej 5 orësh, edhe mes një çasti pushimi, që janë një nga ato ndijimet e ëmbëla të çlodhjes bëhemi soditës të natyrës, për më tepër që edhe dëbora e cila reshti së rëni, na lejon të pushojmëdhe të shtojnë kënaqësinë në shpirt.
Syri i një mjellme
I hapim udhë vështrimit dhe s’mund të jemi indiferent në natyrën magjepsëse, duke zbuluar oaze të saj që të mbeten të pashlyera në mëndje. Dekori hijerëndë i malit Korab, me larmi panoramash; me re, herë të serta e herë të bardha, të cilat diku bëhen tufë e mes lojës së tyre dhe nën sytë e gjelbërimit të përhershëm të pishave qindravjeçare, ku patjetër ke se ç’të qëmtosh Në të qëndisurën e hireve të kësaj natyre alpine. Një udhë e ngushtë këmbësore dhe gjithë gjarpërime që ngjitej siç thotë ajo fjala e urtë “shtegu i rrahur të çon diku”, të bënte të mos ndaloje për asnjë çast, ndonëse duke dihatur, sepse edhe ajri i pastër të nxiste vetvetiu ecjen. Dëgjohet frymëmarrja e shpeshtuar, kërcitja e këpucëve, e shkopinjëve dhe era e ftohtë, që të thante fytyrën. Përtej lodhjes, duke u rrekur mes vështirësisë të saj, ku diku vraga e rrugës të humbet pllaskave gjurëmbardhë, porse shpina e një kafshe laramane, herë pas here i lejon vetes ndalesa mes drurëve të dendur të pishave që, përveç bukurisë mahnitëse e mbushin shpirtin me aromën dehëse të malit. Vende – vende ca gjurmë kafshësh të egra tregonin se këtu kishin kaluar pak para nesh.Me vete bluajmë mendime pa i shqitur sytë pamjeve të patjetërsueshme. Emocionohemi aq shumë sa rraskapitja e ngjitjes zbehet e nderur nga një frushullimë e lehtë e pishave që pëshpërijnë me murmurimë freskie, që janë më shumë se poezi. Fëshfëritja e krahëve të një turme trumcakësh endur ngeshëm tutje, të cilat me gjasje i ngacmon kërcitja e hapave; më të rrallë ndonjë këngëzim i tyre nga larg. Këto çaste, që nuk i përjeton përditë, të bëjnë t’i thuash vetes: Sa mirë bëra që erdha këtu, larg zhurmave e telasheve, larg barbarisë që po i bëjnë natyrës njerëz të papërgjegjshëm. Të shpëton edhe ndonjë psherëtimë, sepse ndodh që përherë natyra e çiltërson shpirtin edhe në kulmin e rrëmujave politike e ngjarjeve të rënda.
Pas një ore udhëtim, një liqen i vogël 0.8 ha që ndriste me bardhësinë e akullt, si një një bukuri e parrëfyer na pushtoi atë çast me emocione. Ecnim lehtë- lehtë, të mos zgjonim bukurinë e mjellmët të këtij syri magjik, që natyra e ka krijuar në lartësinë e formacioneve përrallor të Radomirës. Cipa e ujit të liqenit kishte ngrirë dhe si pasqyrë e madhe reflektonte rrezet e diellit. Duke mos e prishur atë ndjenjë të këndshme solemniteti, që kishte pushtuar atë u ulëm në breg, ku ai shtrihej si në pëllëmb të dorës, i rrethuar nga pisha të larta, që i jepnin peisazhit një bukuri të rrallë. Ne po vështronim e na dukej sikur ishim në një botë të paparë. Rreth tij vërtiteshin ca zogj ndërsa provonin të thyenin akullin me sqep. Pastaj fluturuan sikur t’i trembte ardhja jonë.
Zbresim nga lartësitë e borëzuara të Korabit, me një paralele zymtësie prej reve të përhimta sa ditën e bënë muzg. Rrjedha e një përroi, me burime e rrëkeza të akullta, që zhurmonte e shkumbëzonte me rrapëllimë, si jehona e një simfonie nëpër gurë e guralecë të murrmë, na shoqëroi një copë udhë dhe bëri më epike pamjen.
Ne u larguam si krushqit që kanë marrë nusen me mbresat më të bukura, të lodhur, por me kënaqësinë e të këndshmes në malin më shtatlartë të Shqipërisë.