21/12/2024
Faton-Aliu-Ekspozite

Profesori dhe artisti nga Podujeva, Faton Aliu, ka hapur ekspozitën e tij të premten me 32 piktura në qytetin e Heiligenhaus në Gjermani

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

Njeriu është i lidhur me natyrën e portretizon atë në mënyrë madhështore mbas udhëzimeve të ndjenjave dhe mendjes. Shpirti influencohet nga qielli, fryma e lehtë që shkund gjethet nga pemët, malet që ngritën dhe valëviten pafund në kaltërsi duke e grisur atë, pra piktura e Faton Aliut është euridute e thellë, drita është transparente kontrast me hijen një vallëzim ngjyror, pra e verdha, e kuqja, portokallia, dalin nga instikti i tij shprehin një impresion dhe jo rastësisht veprat titullohen “Peizazhet impresive”.

Gjatë soditjes së kompozicioneve impresive e herë abstrakte dalngadalë vërejmë ajrin, lëvizjen herë të shpejtë e herë të ngadaltë, në qeill krijohet rrëmujë nga rrymat e ajrit derisa pemët lëvizin nën ritmin e tij. Gjithçka bëhet ngjyrë, ndjesi, arrin te infiniti, tejaklon të rëndomtën, shkon përjtej konkretës, arrinë në një gjithësi poetike ngjyrore sikur vargjet te Bodlerit.

Vërejë një peizazh impresiv me qiell të kuqërremtë të ngopur me ajër dhe lëvizje, duket si situatë mistike, që krijon ca relive të mugëta ndjenjash, sikur ngjyrat po kacafyten njëra me tjetrën (portokalli, e kuqe, e verdhë), të shpie në abstraksion formash nëse e ndajmë tokën me qiellin, të dyja në këtë kompozicion janë të bashkuara, toka me ngjyrat (kafe, e kuqe-kontrast, e bardh) krejt kjo nga teknika “akril në pëlhurë”. Gjithçka duket melodi e përfytyruar na trajtë hapësirash gjithmonë duke e ruajtur lirizmin, ëmbëlsinë dhe butësinë.

Loja e qiellit me tokën përmes koloritit bëhet mbret i imazhit pra ngjyrat në mënyrë të furishme të hedhura në telajo përmes kontrastit shpërfaqin forma që në dukje të parë vërehen si të ndryshme dhe vet mund t’i ëmërtosh. Në këtë duo piktori e mpleks shpirtin dhe botën e tij artistike në frymën moderne e abstrakte. Vërehet koloriti dikund edhe figuracioni, të dyja, te figuracioni gjejmë detaje të krijuara me imtësi, pedantëri, logjikë dhe estetikë. Drita është e fortë sikur te arti barok, një dramë, shqisë dhe parandjenjë.

Teksa përhumbëm në një kompozicion të kuq, në mes një dritë e bardh që t’i picërron sytë, vërejë shumë forma, lëvizje ajri, rretë si shqiponja duken grabitqare, të mprehta, si copëza akulli që shkrihen me shpejtësi dhe godasin pamëshirshëm tokën. Ndërsa, toka si një oqean i çmendur nga dallgët e mëdha përpin çdo materie që i kundërvihet. Spikatet një gamë e mbylltë e refleksioneve shpirtërore nën pasqyrimin e penelit me disa akcentime me çrast struktura koloristike formëson vet përmbajtjen e këtij kompozcioni dinamik, plot shpirt dhe jetë. Nën frymën e introduktit ekspresiv i evokon ngjarjet nga këto ambiente me një kolorit intensiv dhe me raporte kontrastive ku drita i potencon format kompozicionale të cilat reflektojnë ngjarjet natyrore. Në këtë kompozcion syri kuadron njolla të bardha në qiell, të shtrira në pafundësi drejt tejakalimit të vijës së horizontit, të përziera pak me gri, vjollcë në mes të qiellit si njolla, kënaqesh me ngjyrë e dritë. Këtë mision e ka piktura. Qielli dominon hapësirat e vispamjeve të maleve, i rrafshon duke krijuar relieve nga një perspektivë qiellore. Në këtë dikitomi implementohet edhe elementi i dritës difuze që deri në një masë shkrihet në vetë strukturën koloristike dhe bëhet pjesë përbërse e kompozimit.

Ja tek sodis edhe një peizazh tjetër i mbushur me ajër dhe frymë që lëkund e shkund gjithçka, vet qielli i veshur me  re duket si rrënojë, me ngjyrë argjendi në shpirt pozicionohet si një medaljon i vlefshëm. Duket si fortunë ngjyrash, hijesh dhe në sfond një e bardh plot dritë thyen atë rrëmujën e të verdhës, jeshiles, portokallisë.

Në të gjitha punimet e Aliut vërehet elementi i ngjyrës, struktura koloristike të cilën shihet se autori ka vite e vite që e kultivon dhe padyshim ai ka arritur të lartësojë e të shprehë simbolikat gjithnjë nën gamën e impresionizmit, abstraktes dhe ekspresionizmit. Gjithnjë duke e zbatuar në këtë gamë koloristike edhe elementin e dritës, e cila buron nga shpirti i ekzaltuar i krijuesit dhe harmonizohet me elemente të tjera të kompozicioneve. Toka, qielli, degët, bimësia janë një kozmos ngjyrash në pikturat e Aliut.   “Edhe në ëndrrat më të bukura, njeriu nuk mund t’ia kalojë natyrës.” , shkruan Johann Wolfgang Von Goethe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok