PASHKU – SHKRIMTAR I RIPAGËZIMIT TË LETËRSISË SHQIPE
Në 81-vjetorin e lindjes së Anton Pashkut (8 janar 1937-31 tetor 1995)
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet letërsia bashkëkohore shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së ardhmes. Ai na vjen si Modeli pashkian, që paraqet si vetëdije e pastër letrare, si vizion i rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.
Shkruan: Frrok KRISTAJ
Në një pranverë shumë të hershme të moshës sime të re e kisha njohur Anton Pashkun, por jo me emrin Anton, po me emrin Nue. Isha fëmijë kur nëpërmjet bashkëshortes së kushëririt tim, që ishte motra e Anton Pashkut, e kisha takuar Antonin e me të cilin më vonë edhe jam shoqëruar.
Meqenëse vinin nga i njëjti vend (Zymi i Hasit) sa herë takoheshim përherë bisedonim për Hasin, për visin prej nga e ka prejardhjen i madhi Gjergj Kastrioti, pastaj Pal Hasi, familja Bogdani (Ndre, Pjetër, Gjon e Lukë Bogdani), bisedonim për viset ku punoi Gjon Nikollë Kazazi, Pjetër Karragiqi, Mihill Suma, Lazër Lumezi, Ndue Bytyçi, visin ku u varros Atë Luigj Palaj, ku jetoi dhe u vra Shtjefën Gjeçovi, ku u lind dhe u varros Katarina Josipi… Pra, Anton Pashku vinte nga gjiri i kulturës dhe trashëgimisë së lashtë shqiptare.
Atëbotë me Antonin na lidhte shumëçka, kurse tash na lidhin kujtimet e ëmbla për të dhe për veprat e tij të mëdha, që ia fali kulturës shqiptare.
Anton Pashku u lind në Grazhdanik, afër Prizrenit, më 1 janar 1937. U pagëzua në Konkatedralën e Zojës Ndihmëtare në Prizren, më 8 janar 1937, datë kjo që zyrtarisht edhe i mbeti si datë e lindjes. Nënën, Getë Nikë Kërhanaj (mbiemri i vajzërisë), e kishte nga Zymi, kurse babën, Tonin, nga Karashëngjergji afër Zymit.
I ati i Antonit punonte bukëpjekës. Kishte punuar në Gjakovë, Prizren, Fushë-Kosovë, Prishtinë e gjetkë, andaj edhe kishte pak kohë t’i përkushtohej fëmijëve të vet – Nues (Antonit) e Verës. Kjo kishte ndikuar që edhe Nue (Antoni) përherë të ishte i tërhequr, i vetmuar. Ai e kishte zgjedhur vetminë si në familje e po ashtu edhe në shoqëri. Vetëm gjatë pushimeve dimërore apo atyre verore Antoni shkonte në Zym te dajat e vet – Nikë Dodë Kërhanaj.
Me mbiemrin Pashku e pagëzoi gjyshi i tij, pasi vetë e kishte mbajtur në pagëzim. Pra, gjyshi – Pashku, emrin e vet ia dha për mbiemër nipit, të cilin gjatë e kishte pritur familja të vinte në jetë. Familja e Anton Pashkut kishte zbritur në Prizren nga fshati Karashëngjergj, që në një mënyrë ishte si lagje e Zymit të Hasit. Sot më të afërmit e tij në lagjën Dodaj të Karashëngjergjit e mbajnë mbiemrin Kolëndrekaj, kurse pothuajse të gjithë kushërinjtë e tij, që janë shpërngulur nga katundi i përmendur e mbajnë mbiemrin Bytyçi, si dhe një pjesë e tyre e mbajnë mbiemrin Gjoni.
Antoni ishte brezi i 12 i Bytyçasëve që kishin ardhur nga krahina e Bëtyçit dhe që ishin vendosur në vendbanimin që dikur njihej si Shgjeq, pastaj Bëtyç e më vonë Karashëngjergj (nga tetori i vitit 1996 njihet si Shëngjergj), që është afër Zymit të Hasit, komuna e Prizrenit.
Në kohën e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene familja e Antonit e mbante mbiemrin Gjoni, mirëpo administrata e pushtuesit sllav ia kishte ndërruar në Gjonoviq. Megjithatë, me ndërrimin e pushtuesve, në vitin 1947, kur kërkohej riemërimi i familjeve, kjo familje e ktheu mbiemrin e të parëve – Kolëndrekaj (Kolë Ndreka). Këtë e bëri vetëm e vetëm për t’i ikur mbiemrit që ia kishin sllavizuar në Gjonoviq.
Gjyshi i Nue (Anton Pashkut) Pashku, me familjen e vet kishte bërë shumë lëvizje për kushte jetësore. Ai me familje ishte shpërngulur nga Karashëngjergji dhe ishte vendosur në Gjakovë, pastaj në katundin Kushavec, afër Gjakovës, më vonë në Prizren e nga aty në fshatin Grazhdanik (ku u lind Nue Pashku alias Anton Pashku) dhe përsëri në Prizren. Me kalimin e familjes nga vendi në vend ata edhe e kishin ndërruar mbiemrin në Bytyçi. Nga Grazhdaniku familja e madhe Kolëndrekaj ishte ndarë. Gjysma e tyre ishte vendosur në Prizren, kurse pjesa më e madhe ishte kthyer në Karashëngjergj, ku edhe tash gjenden. Ndërkaq, babai i Anton Pashkut – Toni nga Prizreni ishte vendosur në Fushë-Kosovë, ku për mbiemër e kishte marrë emrin e stërgjyshit – Pashku, andaj edhe Antoni u quajt Pashku, sipas mbiemrit që e kishte pagëzuar gjyshi.
Anton Pashku së bashku me motrën e vet Verën kryesisht u rritën pa nënë. Nëna u kishte vdekur kur Antoni i kishte shtatë vjet. I ati – Toni ishte martuar tri herë. Bashkëshortja e parë i vdiq pak muaj pasi kishte lindur një vajzë. Më pastaj Toni u martua me Getë Nikë Kërhanajn (1913-1944). Me te pati katër fëmijë – dy i vdiqën, kurse dy të tjerë (Nue alias Anton Pashku dhe Vera) u rritën. Më vonë Tonit i vdiq edhe gruaja e dytë (nëna e Anton e Vera Pashkut) e më pas Toni (i ati i Anton Pashkut) u martua për të tretën herë. Kësaj radhe me Lubicën nga Janjeva, me të cilën ka pasur pesë fëmijë.
Nue (Anton Pashku) shkollimin fillor e filloi në shkollën fillore “Bajram Curri” në Prizren, ku mësues e kishte Pal Lumezin (i njohur edhe si Pal Shkollari), që ishte me prejardhje nga Zymi e njëherësh në Prizren e kishte edhe fqinjë të parë. Po ashtu, në shtëpinë e Antonit në Prizren banonte edhe Frrok Nikë Hilë Pecolli, nga Zymi, i cili ishte mësues në fshatrat e Suharekës, që edhe i ndihmonte Antonit të nxënte sa më shumë njohuri të reja. Pas shkollës fillore Anton Pashku e kishte filluar gjimnazin në Prizren, të cilin më vonë e vazhdoi dhe e kreu në Prishtinë.
Gjithë kohën punoi në “Rilindje”, njëherë gazetar, mandej redaktor i Rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Redakësinë e botimeve “Rilindja”. Shkrimet e para letrare filloi t’i botojë në revistën “Jeta e re” në vitin 1955. Me krijimtari letrare është marrë plotë 40 vjet (1955-1995).
Ka botuar edhe në revistat shkencore e letrare, si me “Jeta e re”, “Zani i rinisë”, “Dituria”, “Thema”, “Flaka e vllaznimt”, “Bota e re” e në “Fjala”. Ka qenë edhe redaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe revistës “Fjala”. Kryesisht ka shkruar me iniciale e më së shumti shkrimet gazetareske i ka nënshkruar me shkronjën a të vogël në kllapa – (a).
Ishte anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe nga viti 1993 ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Antoni ishte martuar me Paulina Miten, nga Prizreni, që jetonte në Prishtinë. Fëmiu i parë që u kishte ardhur në jetë kishte qenë Gjoni, i cili u kishte vdekur, kurse ky çiftë bashkëshortor ka lënë në jetë dy fëmijë: Paulinin dhe Lulen, që jetojnë në Prishtinë.
Antoni shpirtërisht ishte i lidhur ngushtë me Karashëngjergjin, me Zymin, me Hasin e Thatë… Për këtë edhe fëmijët përherë i kishte mësuar të krenohen se janë zymjanë, se janë hasjanë, se rrjedhin nga ato vise shkëmbore, që e mbajnë ngjyrën e hirit, ngjyrën e gurit, ngjyrën e thatësisë…
Anton Pashku vdiq në Prishtinë, më 31 tetor 1995 dhe u varros (më 1 nëntor 1995) afër babait të vet, Tonit, në varrezat e Kishës së Shën Prenës në katundin Karashëngjergj (Shëngjergj i sotmë).
Veprat (12 sosh) e Anton Pashkut:
TREGIME, “Jeta e re”, Prishtinë, 1961
NJI PJESË E LINDJES, “Rilindja”, Prishtinë, 1965
KULLA, “Rilindja”, Prishtinë, 1968
SINKOPA, “Rilindja”, Prishtinë, 1969
OH, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, 1979, 1986, 1990, “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2003, “Berati”, Prizren, 2012
MBI KOMUNIKIMIN POETIK, “Dituria”, Prishtinë, 1972
KJASINA, “Rilindja”, Prishtinë, 1973
GOF, “Rilindja”, Prishtinë, 1976
LUTJET E MBRËMJES, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, “Berati”, Prizren, 2011, “Piramida”, Prishtinë, 2015
TRAGJEDI FANTASTIKE, “Rilindja”, Prishtinë, 1986, 1989
TRAGJEDI MODERNE, “Rilindja”, Prishtinë, 1986
GALTINA (e përgatiti Shaip Beqiri), “Faik Konica”, Prishtinë, 2005
Shtëpia Botuese “Rilindja” në vitin 1986 i botoi veprat e zgjedhura të Anton Pashkut në tri vëllime: TREGIME FANTASTIKE, OH dhe TRAGJEDI MODERNE.
Veprat e Pashkut të përkthyera (10 sosh) në gjuhë të huaja:
PRIPOVETKE, përktheu në gjuhën serbe Vehap Shita, “Nolit”, Beograd, 1967
KJASINA, përktheu në gjuhën maqedone Luan Starova, “Misla”, Shkup, 1975
OH, përktheu në serbisht Ismet Memiç, “Prosveta”, Beograd, 1983, “Jedinstvo”, Prishtinë, 1983
KULLA / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
THE LASSLAY UNDER THE TURKEY-OAK / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
FLOÇKA / Anton Pashku. Në: The angry cloud, An anthology of Albanian stories from Yugoslavia. Prishtinë, Kosova Association of Literary Translators, 1991
GLÖD (Gof), përktheu në gjuhën suedeze Ullmar Qvick, Studiekamraten, Tollarp (Suedi), 1996
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën frenge Eqrem Basha e Christiane Montecot, Petite Véhicule, Paris, 2000
FIÈVRE (Gof), përkthyen në gjuhën frenge Eqrem Basha e Christiane Montecot, L’espace d’un instant, Paris, 2003
APARAT PROFESORA KOSA, e përgatiti për shtyp Voja Cariç, e përktheu në gjuhën serbe Halil Jupa e A. Pashku, “Rilindja”, Prishtinë, 1961.
Veprat (19 sosh) e të tjerëve për Anton Pashkun:
Rexhep Qosja: SHKRIMTARË DHE PERIUDHA, “Instituti Albanologjik”, Prishtinë, 1975
Rexhep Murtez Shala: CD LIBRIS – antidrama e autorit, “Papyrus”, Prishtinë, 2001
Alfred Uçi: ESTETIKA E GROTESKUT: grotesku në letërsinë shqipe, “Akademia e Shkencave të Shqipërisë”, Tiranë, 2001
Sabri Hamiti: LETËRSIA BASHKËKOHORE (vepra letrare 10), Libri për Antonin, “Faik Konica”, Prishtinë, 2002
NË MBRETËRINË POETIKE, zgjodhi dhe përgatiti për shtyp Anton N. Berisha, “Kuvendi Salezian”, Prishtinë, 2002
Kujtim Rrahmani: INTERTEKSTUALITETI DHE ORALITETI: E. Koliqi, M. Kuteli, A. Pashku, “AIKD”, Prishtinë, 2002
Kujtim M. Shala: VOX-i I ANTON PASHKUT, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2002
Nysret Krasniqi: LIBRI I PASHKUT, (romani Oh – interpretim letrar), “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2005
ANTON PASHKU – GJENIU I MODERNES, (kujtime, poezi, vlerësime, krijimtari figurative në 10-vjetorin e vdekjes), përgatiti Frrok Kristaj, Sh.B. “A. Pashku” Prishtinë e K.L. “A. Pashku” Kukës, 2005
Kujtim M. Shala: SHEKULLI I LETËRSISË SHQIPE, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2006
Mehmet Kraja: E SHTUNA IME, publicistikë, Shpërpjestimet Pashku, “PEN Qendra e Kosovës”, Prishtinë, 2009
Vjollca Dibra: MOZAIKU I JETËS MODEL I ARTIT. Poetike e tregimeve të A. Pashkut – studime, Sh.K.K. “A. Pashku”, Prishtinë, 2009
Abedin Koiçiçi: FORMIMI I FJALËVE DHE VLERAT E TIJ NË PROZËN E SOTME SHQIPE NË KOSOVË, (mbështetur në veprat e autorëve A. Pashku e R. Qosja), “Geer”, Tiranë, 2011
Anton N. Berisha: VETËDËSHMI TË ISMAIL KADARESË PËR LETËRSINË, “Gjon Buzuku”, Prishtinë, 2013
Zana Memedi: GJUHA DHE STILI NË PROZËN E ANTON PASHKUT, “Logos-A”, Shkup, 2015
ANTON PASHKU – STILIST I LIGJËRIMIT, zgjodhi dhe përgatiti Frrok Kristaj, K.L. “Shtjefën Gjeçovi”, Zym-Has, 2016
Rexhep Murtez Shala: ANTIDRAMA, intervistë e improvizuar me Pashkun, “Neokultura”, Prishtinë, 2016
Nysret Krasniqi: LETËRSIA E KOSOVËS 1953-2000, Autorët e letërsisë së refuzimit, “AIKD”, Prishtinë, 2016
Sabri Hamiti “ANTON PASHKU” (studim), “Albas”, Prishtinë, 2017
Modeli pashkian
Anton Pashku ishte dhe mbeti shkrimtari shqiptar më i dallueshëm i këtij shekulli. Ai ishte shkrimtar i formatit të papërsëritshëm. Ishte pra një lloj fenomeni letrar. Vepra e tij përmban shumësinë e mendimit, shumësinë figurative të fjalës dhe njëkohësisht vetëdijen e lartë estetike të ngritur deri në model. Shenjat e gjuhës së tij janë të gjuhës poetike, që e bëjnë të cilësohet dhe të mbetet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.
Anton Pashku për nga mënyra e krijimit ishte shumë i veçantë, sidomos për nga kodi letrar. Ishte i veçantë edhe për veprën e tij të madhe të letërsisë moderne, që mbetet model në letërsinë shqiptare – MODELI PASHKIAN. Proza (tregime, novela e roman) dhe drama e tij poetologjike mbetet e papërsëritshme dhe me vlerë gjithëkohore.
Në fakt, Pashku e solli frymën e modernes në traditën e prozës shqiptare. Ishte gjeniu i prozës moderne dhe simbol i shkrimit bashkëkohor. Veprat e tij janë të ndërtuara nëpërmjet ligjëratës – sintaksës poetike. Prandaj, edhe është shkrimtari më i realizuar artistikisht. Renditet si stilisti më i mirë në letërsinë shqiptare. Anton Pashku, ky kolos i artit letrar, në fakt, është Xhojsi, Prusti, Sartri, Orveli apo Kafka i letërsisë shqiptare (kështu e cilësonte dr. Ibrahim Rugova, por edhe shumë kritikë të tjerë).
Në tregimet e Anton Pashkut dallohen tri qarqe themelore tematike letrare; Qarku tematik i dashurisë, qarku tematik i vetmisë, dhe qarku tematik i dhunës mbi individin.
Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare. Anton Pashku është shkrimtar i ripagëzimit të letërsisë shqiptare të ardhmërisë, si do ta vlerësonte Sabri Hamiti.
Vlen ta përmendim faktin se aty kah vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar, së bashku me një grup krijuesish të tjerë shkruan një “pamflet” “VOX CLAMANTIS IN DESERTO” (Mensur Raifin, Gani Bobin, Ali Podrimjen e Rexhep Ismailin), nëpërmjet të cilit u ngriten fuqimisht kundër ideologjizimit të artit, që shkaktoi trandje në krejt mjediset letrare.
Anton Pashku i ringjallur
Menjëherë pas kalimit në amshim të Anton Pashkut, kërkova nga shumë njohës të tij të më jepnin me shkrim kujtime për të. Një pjesë e njohësve të tij, përkatësisht 21 veta m’i dhanë 31 kujtime. Në anën tjetër, shtrirja e tij (Anton Pashkut) në arte (poezi, krijimtari figurative e vlerësime kritike) më shtyri që me kujdes t’i mbledhi të gjitha krijimet (e kohës) poetike të poetëve tanë (28 poetë kanë shkruar 35 poezi), që ia kishin kushtuar A. Pashkut nga një apo dy poezi. Mblodha edhe krijimet figurative (10 artistë figurativ kanë punuar afro 20 portrete), ku artistët figurativ në mënyrën e vet e kishin shprehur kujtimin për Antonin me ngjyra apo grafit, përkatësisht vlerësimet letrare (të mbledhura nga 59 kritikë), e të cilat, për shkaqe objektive, i kam paraqitur me nga një vlerësim të shkurtër duke i shkëputur nga vlerësimet më të gjata, të cilat i kam rënditur sipas alfabetit.
Bile, që nga dita kur Anton Pashku u nda fizikisht nga ne, për veprën e këtij shkrimtari janë shkruar 19 vepra, që lexohen me ëndje sikurse edhe vetë veprat e Pashkut. M’u për këtë Anton Pashku mbetet krijues i papërsëritshëm i letërsisë sonë kombëtare, që rileximi i veprës së tij sjell gjithmonë një zbulim të ri. Kjo edhe e bënë që Anton Pashku të cilësohet dhe të mbetet shkrimtari më i veçantë i letërsisë shqiptare.
Njëkohësisht, pas kalimit në amshim të Antonit, ndodhi edhe ringjallja e tij nëpërmjet pagëzimit me emrin e tij të: “Ora e Anton Pashkut”, që mbahet tash e 22 vjet në kuadër të manifestimit “Takimet e Gjeçovit” (manifestim ky që në vitin që shkoi (2018) u mbajt për të 47-tën here me radhë) në Zym të Hasit; Klubi letrar “Anton Pashku” në Kukës; një rrugë në Prishtinë me emrin e Pashkut, e kështu me radhë.
Me emrin dhe veprën e Anton Pashkut lidhet zhvillimi ynë në rrugën e sigurt të letërsisë moderne shqiptare. Vepra e tij e ka madhështinë e shkrimtarit të së ardhmes. Ai paraqet një vetëdije të pastër letrare, një vizion të rrallë në historinë e kulturës dhe të letërsisë shqiptare.