22/12/2024

Parashqevi Simaku, këngëtarja që u shfaq si një shkëndi që na ndezi në ëndje

0
Parashqevi-Simaku

Nga Albert Vataj

Ishte koha kur s’kishim shumë mundësi të mbështesnim shpirtin në një një prehje më të magjishme se kënga. Ishte kohë privimesh e lirish krahëkëputura. Ngado ndihej ftohti i hekurave, kudërbonte myk, jetonim me frikën dhe frika kish frikë nga ne. Por diku atje në një skutë ku hynte pak diell, fare pak, aq sa për të vënë flakën shpirtrave krijuese, bëhej art. Poezive u blatohej vetë hyjnia e muzikës dhe kënga lindte në shpirtje të mbushur përplot pasion dhe ëndrra. Pak gjë guxonte të ndihej gjallë si kënga asokohe. Jetuam me këngën si me një vullnet qiellor, që na lejohej të përjetonim dritshëm në errësirën që zvargej në agoni.

Dilemë e kryqtarëve inkuizitorë ziente! Kishte lindur art tjetër përpara muzikës, apo shpirti ynë kërkonte vetëm aty, dehje dhe prehje?!

Ishte koha kur begatimi i shpirti nën zgjedhë, krijimin kish besim dhe atij i blatonte zemrën e tharë në etje, epjen që u shpërblue me shërim. Kjo ishte koha kur lindi humori, arti skenik, filmi, piktura, poezia, kur pasioni po zgjonte shpirti, koha kur s’mund të guxojë për bukë e miradina, por s’të bënte syri tërt të luftoje për të bukurën. Ishte koha kur kishte lindur ëndrra nën rrënoja, vinte në skenën e “gozhduar” nga sy qielli e shpirtje drite, kënga, me gjithë lartësinë e atij kontaktie etern, vinin dhjetra zëra magjik, u shfaq edhe ajo, Parashqevi Simaku.

Parashqevi Simaku ishte jo vetëm e bukur, dhe e donim kaq shumë të bukurën e natyrshme, por edhe e suksesshme. Ishte jo vetëm rrezatuese në skenë, por edhe shprehëse në krijimin e magjisë së komunikimit artistik dhe emocioneve. Gjithçka e saja në skenë ishte si një shpërthim drite, por as ajo dhe askush nuk mund të shihte kaq thellë dhe të përjetonte kaq fuqishëm.

Ajo i përkiste atij brezi këngëtarësh, të cilët erdhën për të mbetur shembulli më domethënës i sfidës dhe suksesit, për të treguar se atë që bën talenti dhe pasioni nuk mund ta ndalojë çdo diktat e nënshtrim. Ndoshta Zoti ishte më bujar se sa mundësia dhe fati ishte më dorëlëshuar se talenti, ajo ishte e bukur dhe gjithçka tjetër prej saj ishte magjepsëse.

Parashqevi Simaku ka qënë padyshim një nga ikonat e muzikës së lehtë, por edhe asaj popullore shqiptare. Ajo ishte një nga më të preferuarat e skenës së këngës në kohën e diktaturës, por edhe më pas. E bukur, sharmante dhe me një zë melodioz, ajo fitoi shumë shpejt zemrat e artdashësve për të mbetur në panteonin e këtij adhurimi atëditë e sot. Kishim shpirt të fuqishëm të ndjenim, më shumë se sa ambicie të egos për të gjykatuar. Por ajo ishte ajo, Parashqevi Simaku, unike!

Edhe unë i përkisja atyre admiruesve që pëlqyen zërin, performancën, bukurinë dhe sensualitetin e Parashqevi Simakut, asaj që mbeti në kujtesë një vezullim i traditës sonë të muzikës së lehtë.

Parashqevi Simaku ka lindur në shtatorin e 1966 dhe ka dalë për herë të parë në skenën e Festivalit të Këngës në vitin 1983, kur ishte 17 vjeçe. Vinte nga Kavaja, nga një familje e thjeshtë, për të fituar besimin dhe admirimin e publikut që në daljet e para.

Këndoi në shumë festivale edhe Koncerte të Pranverës. Më 1985 (Festivali i 24-të i Këngës në RTSH) zuri vendin e parë me këngën “Në moshën e rinisë”, gjithashtu më 1988 fiton çmimin e parë të Festivali i 27-të i Këngës në RTSH me këngën “E duam lumturinë”, kompozuar nga Pirro Çako. Repertori i saj përfshin një numër të madh interpretimesh. Pas vitit 1991 ajo largohet edhe jeton në SHBA, duke u marrë edhe atje me muzikën, dhe duke nxjerrë një album të ri. Hera e fundit që u shfaq në Shqipëri ka qenë viti 1996 në Festivali i 35-të i Këngës në RTSH si e ftuar.

Jo për shkak të emigrimit të saj në SHBA, por për shkak të një sëmundje, ajo nuk është më e pranishme në performimet e kujtesës dhe kremtimet festive, ku nuk mungojnë këngëtarë që bënë emër në muzikën shqiptare të erës së diktaturës, pjesë e rëndësishme e së cilës ishte edhe ajo. Gjithsesi ajo është memuar i skenës së këngës shqiptare dhe emocioneve që ndezën sallat e koncerteve dhe festivaleve.

Edhe pse kanë kaluar kaq vite që Parashqevi Simaku nuk është më në skenë, në dalje in memoriam apo në grishje kujtimesh dhe nostalgjie, ne që përjetuam fuqishëm artin dhe virtuozitetin e saj, ne s’mund ta lëmë ta marrë harrimi. Sepse ne nuk e shesim shpirtin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok