30/12/2024

PARAMËTHI – PRIZREN (Kosovë – Çamëri) – 23 SHKURT VITI 1913

0
u6_Fahri-Dahri

Nga Fahri Dahri

Paramëthi – Prizren, 109 Vite më parë. Vite që mbushën shekullin. Ishte 23 Shkurt i vitit 1913, kur “shteti dhe kisha ortodokse greke shqyen nofullat, nxorrën dhëmbët e hekurta; u zvarritën  nëpër krahinën e Çamërisë dhe nisën mashtrimet në  qytetet e fshatra e saj,  për të kryer misionin vrasës, duke përdorur në befasi pushkët, kondakët e pushkëve, sopatat, kosoret etj. ndaj parisë së 13 katundeve të Thesprotisë. Po, kjo është e vërtetë!.

Sipas dëshmive të mbrritura gojë më gojë dhe dosjes Nr. 23, dok.17, nr.61, Janinë 11.8.1913, të A.V. të Vjenës (Austri)) për Shqipërinë, në fillim të vitit 1913, nisi të vihej në fuqi një plan djallëzor i forcave shoviniste greke (kisho-shtet) për shfarosjen e popullsisë etnike shqiptare të besimit mysliman të rajonit të Çamërisë. Faktorë kryesorë dhe të paramenduar për të ndihmuan në ndërrimin demografik, ishin prurjet e popullsive të etnive jo shqiptare në rajonin e Çamërisë, ku ndodhën masakrat dhe gjenocidi ortodoks grek, e dobësuan elitën myslimane dhe çuan në helenizimin gradual të qyteteve me shumicë shqiptare në zonë. Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike (1912-1913), si gjithë rajoni i Çamërisë edhe qyteti i Paramëthisë u bë pjesë e shtetit grek. Në atë situatë gjeo-politike shteti grek filloi zbatimin e strategjitsë famëkeqe të “Megalloidesë”. Sikundër edhe Serbia vuri në jetë strategjinë  “Naçertania”, kundër shqiptarëve në Kosovë.

Më 23 shkurt 1913 banda e kretase e Deli Janaqit e përbërë prej 200 andartëve, të ndihmuar edhe nga autoritetet lokale që ishin të kombësisë greke, u shpërndanë në 13 katunde dhe filluan të grumbullojnë një nga një të gjithë personat që i kishin të shënuar në listat paraprake. Ata shkonin derë më derë, merrnin personin që kishte emrin në listë duke i porositur “të visheshin bukur se i kërkonte qeveria për ti caktuar “muhtarë (kryepleq) të katundeve e qyteteve të Çamërisë”.

Aksioni ishte një mashtrim. 72 burrat çamë u dërguan në ngushticën e një përroi, nga ku nuk  dëgjoheshin krismat e dyfeqeve, të thirurat që dilnin nga dhimbjet e goditjeve me hanxharë, sopata dhe mjete te tjera goditëse.Tek Përroi i Selanit, në afërsi të qytetit të Paramëthisë, u vranë 72 burra çamë. Masakra e Selanit paralajmëronte gjenocidin në vazhdim.

Egërsia, mjetet që u përdorën kundër asaj parësie, të copëtuarit me thika, sopata e hanxharë, lënia pa i varrosur me ditë të tëra, synonte të trembte dhe të ngjallte panik në popullsinë çame të besimit mysliman, për të braktisur gjithçka dhe të merrte rrugën e mërgimit. Veprime këto që nuk rreshtën nga ajo datë e deri në 5 mars të vitit 1945.

Në strategjinë greke të helenizimit të Epirit, ishte parashikuar fillimisht shfarosja e krerëve më të shquar (notevole) të katundeve të krahinës etnike shqiptare të Çamërisë. Në grupin e parë të grumbullimit ishin burrat e katundeve Nihor, Skupicë, Rrëzanj, Bedelen dhe Dramës. Mbas këtyre, vazhdoi grumbullimi i burrave të 8 katundeve të tjera të nahisë së Paramëthisë.

Katundet dhe numuri i parisë së përzgjedhur për tu vrarë, therur dhe coptuar ishin: Në qytetin e Paramëthisë 5 veta; në katundet: Petrovicë 1; Vrisi 4; Nikolicë 9 veta; Nikohor 20 veta; Mininë (Neraida) 29 veta; në Shën Mëriz 4; në Rrëzanj (Risian) 14 veta; në Bedelen 7; në Skupicë 10 veta; në Vratilë 4; në katundin Grikë 3 veta dhe në katundin Dramës 16 veta. Gjithësej ishin thirur dhe grumbulluar 126 burra nga Nahija e Paramëthisë. Nga 126 burrat, 72 u vranë me batare pushkësh, mbas bataresë u përdorën thikat dhe coptimet me hanxharë e sopata, të tjerët arritën të shpëtonin.

Mbasi i vranë dhe i coptuar edhe pse disa trupa nuk kishin vdekur, “trimat” e Deli Janaqit i rropën duke xhvatur gjithçka që kishin marrë me vehte, para, sende me vlerë, stoli dhe veshje të shtrenjta, si të përzgjedhur që ishin. Pabesia dhe mashtrimi grek, nuk u arrit të pikasej, ata nuk e menduan se ishin para kurtheve vrasëse të shtetit ortodoks grek, që i kishte përzgjedhur për tu ekzekutuar pa vendim gjyqi, pa asnjë faji, por për faktin se ishin pari e fshatrave të tyre, të pasur dhe me etni shqiptare.

Vrasja ishte vendim qeveritar mbasi vërtetohet edhe nga raport i bërë për atë tragjedi prej Konsullit Austro- Hungarez në Janinë, i cili i shkruante MPJ të Vjenës: “Një oficer që u dërgua nga gjykata ushtarake e Janinës për hetime rreth këtij krimi të shëmtuar, konstatoi faktin e kryer sipas thënies së dëshmitarëve, por refuzoi të shkonte në vendin e ngjarjes, edhe pse bejlerët e vrarë qëndronin akoma të pavarrosur. Ai u kthye pa kryer asnjë arrestim, aq më pak dënimin e fajtorëve”.

Tragjedia e 72 petritave thesprotë, ishte sinjal ndjellkeqës për një të ardhme të pamundur të banorëve të fisit çam të etnisë shqiptare në vendin e tyre dhe një shfaqje e sjelljes greke si “shpërblim” të vendimeve famëkeqe që po përgaditeshin në tavolinat e Fuqive të Mëdha, siç kanë deklaruar dhe vetë, do të dëmtonin popujt edhe për 100 vjet.

Gjëma e atyre “firmave” ranë mbi popujt, dëmtuan rëndë interesat e kombin shqiptar, por favorizuar shtetet që edhe sot me foma të ndryshme, të kamufluara vringëllojnë çdo lloj armësh për vrasjen e fëmijëve, femrave, të sëmurëve dhe pleqëve.

Ky shkrim i dedikohet 72 burrave çamë që u vranë dhe u coptuan nga dora gjakatare ortodokse greke 109 vite më parë. Ata burra ranë për të mos u harruar kurrë, mbasi flijimi i jetës së tyre mbetet në memorjen e shoqërisë për të treguar egërsinë çnjerëzore të shtetit dhe institucioneve fetare greke dhe pasojat e rënda që sjellin mos mbajtja e drejtë e ekuilibrave në trajtimin e interesave të popujve nga Fuqitë e Mëdha..

Një lapidar duhet ngritur për 72 burra fisnikë, të drejtë dhe të pafajshëm, veç ruajtjes së memories, rrit vlerat shtetërore dhe mban lart ndërgjegjen kombëtare. Ata u vranë dhe u torturuan për të qenë gjithmonë pranë nesh, duke na rritur në vazhdimësi “Vigjilencën” dhe “Unitetin” mes nesh, pa harruar fytyrat e vërteta të shteteve fqinjë, të cilët si egërsirat presin errësirat gjeo-politike për të kapërcyer gjerdhet.

Sot, në “Fjala e Lirë” u njoha me nismën e “Shoqatës së Trojeve Arbërore”, e cila nesër, datë 23 shkurt 2022, do të kryhet inaugurimi i Memorialit, pas plot 109 vitesh në  Grazhdanik të  Prizrenit, për 19 shqiptarë të Kosovës të vrarë nga forcat serbe në 23 shkurt të vitit 1913.

Nuk është koinçidencë kjo datë; por thirrje për mbarë kombasin tanë për të rritur vigjilencën, urtësinë, respektin dhe unitetin mes nesh.

Nga veriu në jug të trojeve iliro-epirote, veprimet e armiqëve tanë janë të njëllojshme. Historia na tregon se po me 23 shkurt të vitit 1913, ashtu si serbi vrau 109 shqiptarë të Kosovës edhe greku vrau 72 shqiptarë të Çamërisë. Pse? Sepse ishin më me emër në rajon, mbronin interesat e vendit dhe ato kombëtare.

Memoriali që do lindi nesër në Prizren, nderimet dhe respektet e mia më të sinqerta, shpresoj dhe në plotësimin e amanetit të të parëve tanë, të lutemi që ky gjest patriotik të ndodh sa më shpejt edhe në fshatin Selan të Paramëthisë me ngritjen e një “memoriali” për 72 martirët çamë; krahas gjallimit në shekuj, është një thirrje fuqishme efhe për unitet kombëtar. Thirrje-amanet i të parëve që ti lëmë “kacafytjet” gjoja partiake,që po vrasin padyshim vendin dhe kombin tonë. Asnjë mëdyshje nuk kanë sjelljet plot kundërshti mes nesh, ato, e sigurtë janë në dëmin tonë dhe në favor të synimeve mbi dy shekullore të armiqve të vërtetuar të popullit shqiptar.

Urime nismëtarëve të “Memorialit” në Prizren. Thirrje liderve të dy shteteve tona të mos harrojnë historinë; të vet deklarohen për ndryshim qendrimesh ndaj Atdheut të kombit shqiptar.

Studiues Fahri Dahri. 22/02/2022.-

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok