Paralele të frikshme
– Persiatje mendimesh rreth tranzicionit dramatik shqiptarë –
Nga Llesh NDOJ
Gjithë periudhën kohore të cilën rëndom e quajmë tranzicion edhe pse po i afrohet në kohëzgjatje periudhës komuniste, duke mbërritur aktualisht në më shumë se 2 / 3 e saj, më qëlloi t’a jetoja në moshën më të mirë, e cila edhe duhet të ishte më produktivja, mes 30 dhe 65 vjetëve të jetës sime. Pavarësiht se kam qenë pjesmarrës e përjetues aktiv i të gjithë kësaj kohe, vetëm për shkak të moshës e duke i lënë jashtë vëmendjes të tjerat, që mund të merren si mburrje apo interesa vetjake, mundem t’ja lejoj vetes ndonjë gjykim rreth saj, ashtu si edhe të bëj ndonjë paralele krahasimi, aq sa mundem e i gjykoj të vlerta ato. Ky tranzicion ende i pa mbyllur edhe pasi kaluan plot 36 vite, parë nga këndi i 35 viteve të mija, vite që duhet të ishin periudha ku produkti intelektual e shoqëror të ishte maksimal, i konsideroj kohë e humbur në spiralet e ulje – ngritjeve, ndërtim – shkatërrimit e të bërit një hap përpara, dy hapa mbrapa, tipare që i kanë karakterizuar ato, krahas diferencimit të thellë ekonomik e shoqërorë.
Në vetvete kjo kohë, e parë nga stadi i ngjarjeve të sotme, na ofron edhe disa paralele vërtetë të frikshme. Le të ndalem kalimthi mbi to, natyrisht pa e vënë shenjën e barazisë, thjesht për faktin se koha ecën, gjërat ndryshojnë e përsëritja është spirale ngjitëse, jo një rreth i shtrirë në një plan. Është spirale ngjitëse, por hapi apo distanca mes rrathëve të hapur të saj, apo stadeve që përfaqësojnë, është krejtësisht e papërfillshme.
Kur filluan të fryjnë erërat e para të ndryshimit në vitet 1989 – 1990, Partia e Punës në pushtet fillimisht i tregoi me gisht mbartësit e ideve të reja si armiq të popullit e të socializmit, dhe i udhëzoi të vetet, të punonin me njerëzit që ata të mos i ndiqnin pas. Por ç’ndodhi? Të frymëzuarit e të armatosurit me mësimet e partisë mbeteshin pa fjalë përballë halleve të njerëzve, i shmangeshin ballafaqimeve, vetëmashtroheshin duke takuar njëri – tjetrin ose fshiheshin nga marrja që ende si kishte përmbytur krejt. Kur marrja plasi sheshit dhe elementët “kundra” u grupuan, duke u shndërruar nga ide e individ bartës, në lëvizje e parti politike, me orientimin ramizist u synua pjesëmarrja në to e “futja e ujit nga brenda”, duke qenë pjesë e tyre. E gjendur në këtë pikë që rrezikonte zgjatjen e jetës së komunizmit, lëvizja “kundra” shtoi reagimin, shtoi zjarrin, u shfaq dhuna ndaj pronës kolektive e zjarri që “i mbuloi e barazoi” gjurmët e hajnave të ri me ata të vjetër, dhe polli prej saj një pushtet absolut të ndryshëm e njëkohësisht të njëjtë me atë komunist. Ky pushtet, i dehur nga masiviteti i mbështetjes, u rrit nga mendja më shumë se nga arritjet reale e të favorshme për popullin, dhe filloi të flasë me veten, duke e quajtur këtë demokraci… Asnjë respekt reciprok, asnjë dialog e marrëveshje me pakicën e majtë nuk u synua, bile kush i mendonte këto si të nevojshme e si pjekuri demokratike shpallej po aq armik sa komunistët, luftë të fshehtë dhe e hapur iu shpallë çdo oponence e opozite, tallja, diskreminimi, etiketimi e përqeshja e tyre u ngritën në modë, ndalime e burgime pa fund morën jetë nga të konsideruarit e vetes triumfatorë ndaj atyre që mendonin ndryshe të cilët i etiketonin armiq, njëjtë si në 45 vitet e socializmit. Lindi kështu natyrshëm nga hiri i saj kundërshtimi majtist që u mendua si i mundur e i tejkaluar përfundimisht. Prap asnjë dialog.
Zjarri dhe arma morën fjalën, në vend të marrëveshjes për hatër e për hir të zhvillimit. Në një terren të djegur, ku asnjë gjurmë nuk shërbente për analizë të asaj çfarë kishte ndodhur e për përgjegjësinë e atyre që e kishin lejuar, apo shkaktuar atë gjendje, e majtja u rikthye në pushtet. Nano dhe ata që e mbështetën, ndonëse bënë kujdes të nxirrnin mësime nga e shkuara, përsëri e quajtën pushtetin e tyre dhuratë që u përkiste vetëm atyre. Korrupsioni mori dhenë, e shkëputja nga realiteti e pakicës qeveritare, riktheu Berishën në pushtet në vitin 2005. Nano, i vetmi politikan properëndimorë deri më sot, e kuptoi gabimin dhe bashkë me të edhe pamundësinë për t’a riparuar atë nga brenda, dhe përgatiti dorëzimin paqësor të pushtetit, duke marr përsipër të gjitha pergjegjësitë dhe u largua. Tri dallime janë meritë e Nanos: Nuk e konsideroi triumf pushtetin, por stoli që i përkiste, nuk synoi të lërë pas tokën e djegur, por vodhi me mend e fshehu gjurmët, me aq sa mundi, dhe u largua duke knaqur shijet e veta, për të mos u kthyer më kurrë.
Ai u largua përfundimisht e Saliu u rikthye për të përsëritur gabimet e qeverisjes së parë të tij, shtuar edhe korruptimin e qeverisjes së Nanos, ndoshta i rifreskuar nga ideja e pushtetit të përjetshëm. Kur ai e mendoi se ishte në kulmin e pushtetit, mbolli pakënaqësi të mëdha e iku me votë, si Nano, por ndryshe nga ai la pas një parti të lodhur të cilën synoi t’a trashëgonte në duar të sigurta dhe nga brenda vetes, për t’a patur atë si “varkë shpëtimi” për veten e familjen në çdo situatë, siç edhe u vërtetua me ngjarjet e 5 – 6 viteve të fundit, ndryshe nga socialistët që u rrëmbyen në vitin 2005 nga një njeri që vetëm i majtë nuk ishte e nuk është dhe që më shumë ngjante e ngjan me një naziskin të maskuar me kartat e artistit se me gjithçka tjetër. Për 8 vite rresht, ai e zhbëri Partinë Socialiste dhe ndërtoi partinë e tij, Rilindjen, të cilën për nevoja elektorale e mbajti nën lëkurën socialiste.
Në pushtet, pas 2013-ës, partinë e tij e fuqizoi me para, me elemente kriminale, gjithnjë të veshur me maska të një artisti ngjyrash e një kllouni estrade, duke ndërtuar një shtet refraktarë, autoritar, të korruptuar e kriminal të pa shoq. Kur iu duk se majat i përkisnin vetëm atij, kur s’la njeri, nga të vetët apo kundërshtarët, pa u tallur me të, kur e identifikoi veten me Zeusin, si të vetmin njeri që mund t’i besohej Shqipëria Evropiane, ja ku jemi: Edhe njëherë, për të tretën apo të katërtën në radhë, flakët e zjarrit kanë përfshirë Shqipërinë.
Vendi digjet, qeveria krihet, ndërsa opozita fshihet!
Dëmet janë të pa llogaritshme, psikologjike më shumë se sa ekonomike, ndërsa Rama u thotë të vetëve shkoni e sqaroni popullin, se këta që protestojnë s’janë popull, se vetëm ne mund t’a bëjmë Shqipërinë, a thua tani po kërkojnë të vinë në pushtet e nuk kanë qeverisur tprej 13 vitesh me radhë pa shkëputje, ndërkohë që të tijt, pa fytyrë e dinjitet, për shkak se ashtu i duheshin Ramës, nxitojnë të fshehin pasuritë e vjedhura, ja bëjnë me sy “pushtetit” të rrugës, e u pëlqen zjarri. Fiks si hadutët që u venë zjarrin makinave me të cilat udhëtojnë për të kryer krime, edhe këtyre u intereson djegja e “makinës shtet” që e përdorën si vegël të tyre kriminale për pasurim. Ky shtet moralisht ishte i rënë, për shkak të shkëputjes së dukshme e të hapur nga realiteti, dhe tani po bie edhe faktikisht, edhe nëse formalisht e kalon “flamën” e këtyre ditëve.
Çështja është ç’vjen më pas? Fatkeqësisht asgjë e re s’pritet!
Nëse Rama i shpëton flamës, pushteti i tij nga refraktarë do të shndërrohet në diktatorial. Shenjat janë të pranishme. Paga policëve në kulmin e ngjarjeve, njëra prej tyre. Jo se ata nuk i meritojnë, për shkak të orëve shtesë e sakrificave të punës, por e dhënë tani ajo është si drogë që rrit dozën, disa herë jo proporcionale, të dhunës. Po kërcënon me ndryshime në kodin penal, me pagesë të prindërve për dëmet e fëmijëve, me heqjen e bursave për studentët, me listën e zezë të ndalimeve etj. Në kulturën e tij të punës është e konsoliduar se ai e qeveria e tij akujt s’i jep asgjë, vetëm nëse ia rrëmben me zor. A s’ishin studentë që protestuan para shumë vitesh dhe që i mashtroi, por s’u dha ç’u takonte? Pse tash po upremton 50% te qirave nga shteti? Të fortë marrin gjithçka, veç jo pushtetin që e mallkojnë nën zë e mbi zë, por pensionistët asgjë nga gjaku i derdhur për këtë vend! Kaq mjafton, për t’i shkundur edhe ata që ende thonë: – Bëje Zot andërr!, ndërkohë që ujku i ka kafshuar.
Po nëse ngjarjet përshkallëzohen e shkojmë në zgjedhje?
Fatkeqësisht asgjë e re. I gatshëm e në llogoren e rikthimit është vetëm Saliu i cili, si Rama, punoi gjithë këto vite për t’a birësuar pjellën e vet, Partinë Demokratike, e cila i pati dalë duarsh. Pushteti i tij, nëse riciklohet (mos o Zot!) do t’i ketë brenda të gjitha zhbërjet, por jo bërjet apo ndërtimet zhvilluese. Pushteti i tij do të jetë proislamik, rrymë në modë aktualisht në disa vende të rajonit e të botës, pro komunist, lëvizje e kamufluar me ngjyra ambientaliste, me thirrje për burg e sekuestrime të pasurive për t’ia kthyer gjasmë popullit, pushtet anti – amerikan për shkak të non gratës, anti – Europë për shkak se ajo nuk mundëson pushtete të pakufizuara, e shumë të tjera “anti”, pa asnjë “pro”. Aleatët e saj të brendshëm do të mbeten po vjedhja, korrupsioni, krimi e retorika politike, ndërsa aleatë të jashtëm praktikisht do të jenë Putini e putinizmi, Trampi e trampizmi, ndërkohë që ndërtimi i pushtetit do të bëhet me autoritetin e triumfatorit të rilindur si nga fundi i dheut. Kjo frikë e imja më ka bërë që të artikuloj shpejt pas fillimit të protestës “flamingo”, se ajo do të duhej të organizohej politikisht, se protestuesit duke patur një krye, do të duhej të nënshkruanin për të një program – kornizë, prej të cilit nuk mundësohej të devijonte askush, dhe se ky krye do të duhej të dialogonte me të gjithë faktorët në vend e aleatët ndërkombëtarë për ta çuar vendin në zgjedhje të parakohëshme e plotësisht demokratike, gjithnjë pa dalë nga korniza e protestës. Nuk u bë, e nuk po bëhet kjo! Jo dialog thonë, edhe protogonistët pasues të flamingos, e trumbetuar si protesta e studentëve.
Ja… e zëmë se Rama dha dorëheqjen e Partia Socialiste pranoi shkuarjen ne zgjedhje të parakohëshme, kë do të votojmë ne dhe e sa i ndryshëm do të jetë pushteti i ardhshëm nga këta pararendësit e tranzicionit që mbollën vetëm amulli? Me këto zhvillime asnjë dritë ndryshimi nuk shihet, përveçse mundësia e një pushteti neonaziskin. Imponimi nga rruga, parullat me vdekje, refuzimi i çdo fjale e mendimi ndryshe, janë shenja që do të pjellin të njëjtin pushtet. “Të rinjtë e sotëm dinë çfarë nuk duan, por ende nuk dinë çfarë duan”, shkroi diku një mik intelektual. E gjeta të goditur dhe e artikulova edhe unë këtë nisur, së paku, nga dy premisa:
– E para: Ky pushtet nuk duhet, e nuk pranohet më tej prej tyre. Këtu jam me ta pa asnjë rezervë. Rama duhet të japë, më mirë të them, duhet t’a kishte dhënë dorëheqjen e Partia Socialiste, aq sa ka mbetur e tillë prej saj, si parti e dëshmuar shtetformuese, t’u hapë udhë zhvillimeve demokratike e pa dhunë në vend;
– Së dyti: Duhet dialog për çfarë do të ndërtojmë, që e ardhmja të mos përsërisë vetveten. Studentët mohues e ata frymëzuesit e ndjekësit “verbazi” të tyre në protestën, herë herë të dunshme, do të duhet t’na qartësojnë disa çështje minimaliste, si fjala vjen: – Ç’lloj demokracie do të instalojmë? – Ç’sistem zgjedhjesh do të kemi? – Cili do të jetë raporti i pushtetit të ardhshëm me drejtësinë? – Cili do të jetë raporti ynë me Europën e Amerikën? – Cili do të jetë raporti me pronën, apo me investimet e huaja? – Si do t’a rikthejmë popullsinë? etj. Studentët do të duhet ta heqin maskën sot në protestë, që pas saj mos të kemi një maskë pë tjetër për pushtetin e ardhshëm. Këto janë elemente që duhen artikuluar sot, jo nesër, ashtu siç duhet shpallur hapur pranimi ose jo i rikthimit të Berishës e Ramës në pushtet, sot e në të ardhmen, qoftë edhe duke i amnistuar ata, përveçse jo ndaj krimeve, për hatër të mbylljes së spirales së frikshme të tranzicionit e riciklimit të pushtetit. Këto janë disa nga çështjet që të rinjtë, ndonëse i njohin teorikisht, duhet t’i shpallin hapur e forca e tyre drejtuese t’i shndërrojë në program qeverisës të së ardhmes, e rreth tyre të kërkohet konsensus kombëtar, me qëllim që nesër të mos themi: – Ku ishim? Hiçgjëkundi. Ça bëmë? Hiçgjë! Që zjarri i ndezur tashmë të na ngrohë, e të mos na djegë!
Bashkimi i profesoratit me studentët shpresoj të vije si një nxitje drejt këtij objektivi realisht transformues, jo si benzinë në zjarr për t’i rrafshuar edhe fajet e atyre vetë, me veprim e mosveprim, për gjendjen ku ndodhemi. Modestisht u them atyre që tani që e hodhët gjysmë hapin e parë drejt konkretizimit të teorisë me praktikën, të cilin e vlerësoj, plotësojeni atë! Rrini me ta e në krye të tyre natë e ditë, edhe kur protestojnë paqësisht, edhe kur i rrëmben dhuna që rrjedh nga energjitë e tepruara rinore e urrejtja e akumuluar, sa herë që ata thjeshtë shajnë apo kërcënojnë, u mësoni të artikulojnë kërkesa të pastra e të realizueshme politike, u prini atyre drejt nxjerrjes së përfaqësuesve politikë e u mësoni se vetëm dialogu ndërton politikën e së ardhmes, kurse përjashtimi u zgjat jetën demokraturave.
Mësojuni, kësaj herë pa pagesë (gjë që shumë nga Ju hezitoni ta bëni!), se është relativisht lehtë të rrëzosh një qeverisje që është vetëkrimbur nga korrupsioni e është ndarë nga populli, por është relativisht e vështirë të ndërtosh një qeverisje për popullin e me popullin; se është e lehtë të shkatërrosh, po relativisht e vështirë të ndërtosh, se është e lehtë të mohosh, por relativisht e vështirë të pohosh atë që në të ardhmen e afërt do të të duhet ta ndërtosh, se ajo që shkatërrojmë s’i përket shtetit, por shoqërisë, ashtu si të mirat që synojmë të ndërtojmë, nuk u përkasin qeveritarëve por popullit. Thuajuni se nuk ka pohim pa mohim, as anasjelltas. Bëjeni këtë edhe në se ju vërshëllejnë në turmë, për të ardhmen e tyre, për të mirën tuaj, për inatë të armikut e të mirën e shqiptarëve.
Lezhë, më 21 tetor 2026
