26/05/2024

“PANVERA VJENEZE  2023” – AKTIVITET LETRAR SHËNJUES

0

Dhjetë vjet jetë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë

“Njeriu është i lirë vetëm atëherë kur i shërben së vërtetës.”  (Sami Frashëri)

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Vjenë. 24 prill 2023. Në rrethanat pas pandemisë, Vjena u zgjodh vendi ku do mbahet ora letrare tradicionale nga Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë. Të ftuar të veçantë janë: Prof.Dr. Isak Shema, Dr.Ornela Radovicka, Vlbona Naku, Rexhep Rifati, Leon Lekaj etj.  Ora letrare ka karakter njohje mes krijuesve dhe vendeve historike vjeneze me rëndësi për shqiptarët që lidhën me Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Karl Riter Gegen. Do kemi prezantim dhe lexim nga shumë autore e autorë.  Janë paraqitur për pjesëmarrje krijues nga disa vende. Pritet të jenë edhe përfaqësuesit e Ambasadave tona në Vjenë në seancën solemne të hapjes.

Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë u themelua para dhjetë vjetëve falë aktivitetit të krijuesve shqiptarë nga Gjermania, Austria, Zvicra, Suedia, Norvegjia, Italia, Britania, Belgjika, SHBA etj.  Ky aktivitet themelues u mbështet nga Ministria e Diasporës ku ishte i pranishëm edhe Ministri i saj, Ibrahim Makolli me fjalën e tij.    Të pranishëm ishin: Adem Demaqi, Flora Brovina, Zejnepe Alili dhe veprimtarë e aktivistë nga shumë qytete të Gjermanisë.  Kuvendi zgjodhi kryesinë e Lidhjes… me kryetar poetin Hasan Qyqalla.   Pas dy mandateve kryesues i kryesisë u zgjodh poeti nga Parisi, Musa Jupolli.  Pandemia dhe rrethanat kohore e ulën mundësinë e takimeve letrare për disa vite.

Lidhja fton të gjithë të interesuarit në orën letrare e cila do mbahet me 30 prill 2023, nga ora 10:30 – 14:00 në Europahaus, Rruga: Linzer Str. 429, 1140 Wien.  Priten të marrin pjesë shoqatat kulturore artistike të cilat pasurojnë koloritin me kostumet e flamuj kombëtar. Në këto aktivitete tradicionale i preferuar, simbolikisht, është plisi shqiptar.

Rreshta rikujtimi….

Rrethanat e reja drejt progresit në vendlindje krijuan hapësirë tani për shqetësime tjera, mes tyre edhe forma e organizimit dhe veprimit të krijuesve në mërgatë. Fatbardhësisht krijuesit tanë në vendet jashtë atdheut janë të shumtë dhe paraqesin vlera prezantuese para të tjerëve krahas kombeve tjera. Nuk është e sotme fuqia e fjalës artistike, dhe jo vetëm artistike, në shërbim të atdheut. U fillua shekuj më parë, kulmor ishin Rilindësit e mëdhenj të cilët e krijuan bërthamën kombëtare e shtetërore me pendën e tyre në zemër të shqiptarëve të etur për liri. Nga kjo lindi alfabeti si elementi themelor i kombit e shtetit. Tani në rrethana të reja në mërgatë, ku teknologjia e bëri botën e vogël, mundësitë afirmative të vlerave janë shumë herë më të fuqishme. Kjo kërkon organizim përkatës si formë efikase në lidhjet dhe njohjet reciproke mes individëve, shoqatave e lidhje shoqatash të krijuesve anë e kënd globit. Njohja me njëri tjetrin, ndihma e ndërsjellë, informatat e mundësive të ofertave të përbashkëta, është hapi i parë drejtë lidhjeve me të tjerët. Ne si popull i lashtë, me një histori e kulturë shekullore kemi çka të ofrojmë me krenari krahas të tjerëve. Nga historia e kultura jonë, e njeriut tonë, u grabitën pa mëshirë nga popujt për rreth, të cilët e mohojnë kombin shqiptar. Këtu ne duhet të bashkojmë forcat në hulumtime shkencore në gjithë globin që ta shpalosim të vërtetën shekullore të  historisë e kulturës kombëtare.

Në këtë rrugë, si një yll  shkëlqen  Prof.Arif Mati (Aref Matheus), nga Parisi, i cili shkriu vetën në arkivat e  bibliotekat botërore, dha çdo gjë në luftën për të vërtetën mbi shqiptarët, ilirët e pellazgët përballë vërsuljeve barbare agresive në Gadishullin Ilirik. Është ky një shembull i veprimit individual, të vetmuar dhe shumë të tjerë që presin hapjen e rrugëve për lehtësira në ofertat shkencore, të botimeve, promovimeve etj. Nisur nga kjo Koblenzi në Gjermaninë e begatë, do jetë një dritare e re në ndriçimin e hapave tanë në krijimtarinë artistike, hulumtuese shkencore, një trasim për gjeneratat e reja drejtë prosperitetit kombëtar.

Koblenzi ka edhe një simbolikë madhore, Simbolin e Rezistencës Kombëtare, me fjalë e porosi. Vlera e tyre do shtohet në çdo minutë, dhe nesër nuk do ketë kandar që t’i peshon. Dhe çuditërisht, Qëndresa Femërore e Kombit Shqiptar, po aty, me fjalë e porosi. Porosi e dyfishtë, kombi dhe  emancipimi i tij. Dhe tani vetëtimë  rrjedh kujtimi në malet shqiptare ku shkëlqeu plisi i Nusës së Maleve, krahas Kryetrimit me Shtatë Zemra, dhe sakrifica e tyre për liri, me mjetet e vetme të mundshme kur robëria mbyste.

Madhështitë nuk krijohet vetëm, por në grupe, ato përzgjedhin ngjashmëritë dhe nxisin energji kolektive e cila na duhet në shërbim të njerëzores e kombit. “Ne shqiptarët jemi popull i befasive të këndshme”-tha personazhi i befasive. Le të jetë kjo kështu edhe në Koblenz. Një ngrohje shprese mbi dhembjet e hidhura të kombit tonë të vogël në rrugën e mbijetesës. Sot do jemi të hapët dhe nuk do mbyllim derë. Mysafiri i   heshtur, lugën e gjeti shtruar në sofrën mërgimtare. Gota cingëroi, tani me verën kosovare në zemër të Nemcit. Kush tha se ëndrrat nuk janë reale!

Secili krijues një copëz historie, një copëz dhembje. Atdheu ishte gjithkund i plagosur dhe rritja e fryteve ishte me plotë plagë e vrragë. Gurpragu i Kullës i plagosur nga lotët e pritjes së mërgimtarit, shpresës së ringjalljes, do shërohet. Një hap edhe Koblenzi drejt atdheut me shpirt e veprimtari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok