26/12/2024

Panairi i pafytyrësisë

0
u6_Ngrohja-globale

Nga Elvi Sidheri

Në botën e sotme, ku shpesh të duket sikur 2+2 nuk bëjnë më thjesht 4, por një çfarëdo numri tjetër i pasaktë matematikisht, por në rregull sipas perceptimit të devijuar anormal të realitetit që ofrojnë mediat apo mendjet e ashtuquajtura “të ndritura”, të fryra e himnizuara nga establishmenti mediatik, kulturor e mendimtarë të shumtë që gëzojnë statusin e të qenët “në kreshtën e valës” të vëmendjes nga Instagrami në Twitter, Facebook e forume të shumta të preferuar nga elitat globaliste, ndonjëherë ndërkaq të qëllon të dëgjosh thagma që i tejkalojnë marrëzirat e përditshme fuqimisht.

Ky është edhe rasti i profesorit e studiuesit të Shkollës së Ekonomisë të Stokholmit, të quajtur Magnus Soderlund, i cili në një takim në kryeqytetin e lartpërmendur të Suedisë, paskësh pohuar se “beson se ngrënia e mishit njerëzor, nga kufomat, mund të shërbente si një ndihmë e vyer në shpëtimin e racës njerëzore, mjafton që shoqëria anembanë botës të mësohet me idenë në fjalë”.

Kjo tezë e profesorit Soderlund, në mbështetje të hapur të kanibalizmit, ishte faktikisht kryetema e një paneli të titulluar “A përfytyroni dot të hani mish njeriu?”, në Gastro Summit.

Profesor Soderlund thuhet gjithaq të ketë pohuar se “Tabu të shumta konservatore kundër kanibalizmit, mundet fare mirë të ndryshojnë me kalimin e kohës, mjafton që gjindja ta provojnë njëherë si është të hash mish njeriu”.

Për më tepër, disa nga tematikat e shqyrtuara në këtë takim shterues për problematikat e mirëqenies së planetit tonë, thelloheshin mbi pikëpyetje jetësore lidhur me faktin nëse njerëzia janë tepër egoistë për të mundur të jetojnë “në mënyrë të përballueshme” dhe nëse pikërisht kanibalizmi na qenkësh zgjidhja për përballueshmërinë e ushqyerjes në të ardhmen.

Kur e patën pyetur profesorin suedez nëse ai personalisht do të hante mish njeriu, Soderlund ishte treguar i hapur ndaj idesë.

“Ndihem deri diku ngurrues, por duke mos dashur të tingëlloj fort konservator, do të isha i hapur që të paktën ta provoja njëherë” – thotë ai.

Tani, lexues të nderuar, pasi nuk do habitesha që t’u kish ardhur për të vjellë ndërkohë që lexoni bëmat e neveritshme të cituara më sipër, veçanërisht në emër të një pseudo shkence dhe mirëqenie të planetit apo të ushqyeshmërisë së ardhshme të species njerëzore, gjithsesi disa pika do ishte nevoja të viheshin ndërkohë mbi “i”.

Pikësëpari, kanibalizmi, gjer në provë të kundërt, është një praktikë tërësisht e ndaluar me ligj, besoj në çdo shtet e kulturë të botës.

Qoftë edhe në Papua Guinenë e Re (diku përtej Indonezisë, për ata që nuk e dinë ku bie ky vend), ku kanibalizmi ishte akoma i pranishën deri në vitet 30 të shekullit të shkuar, por ku sakaq, pjesëtarët e një fisi kanibalësh qenë sëmurur masivisht nga një sëmundje e quajtur “Kuru”, të njohur gjithaq si Vdekja e Qeshur, e shkaktuar nga një proteinë infektuese e gjendur në indet e kontaminuara të trurit.

Pra, kur dikush, edhe profesor me një grumbull diplomash e vlerësimesh universitare, nis të flasë në mbështetje të kanibalizmit haptas, atëherë kjo gjë bie ndesh jo vetëm me normat morale dhe etike, që njerëzimin e kanë shoqëruar qysh në natën e kohëve, por edhe me ligjet e kodin penal të gjithë vendeve të botës.

Siç ka një “apologji të terrorizmit”, njëlloj mund të ketë edhe “apologji të kanibalizmit”, njëlloj të dënueshme, moralisht e ligjërisht.

Por këto janë gjëra që i përkasin Suedisë dhe autoriteteve të saj.

Çështja e mirëfilltë është tjetërkund ndërkaq: pikërisht te përmbysja, apo orvatja e vazhdueshme për të rrënuar çdo vlerë, çdo arritje, çdo përparim evolutiv, shkencor, moral, nganjëherë edhe fetar, mendor e shpirtëror të kryer nga njerëzimi përgjatë mijëra viteve.

Është një kundërproces “Involucioni”, domethënë kryekëput e kundërta e Evolucionit, të përpiluar e përshkruar mahnitshëm me përpikmëri nga Çarls Darvin, që rreket të kthejë mbrapsht hapat e species njerëzore, duke ofruar të ligën si të mirë, të mbrapshtën si të mbrothët, anormalen si normale, rrënuesen si hap përpara.

Në këtë kundërproces involucioni, nuk ka përse të habitemi që do të vinte dita kur ndokush ta përshkruante edhe kanibalizmin si një praktikë të mundshme, të pranueshme, të zbatueshme, për më tepër, edhe të këshillueshme për të ardhmen e njerëzimit, si mjet për t’u përballur me mungesën e ushqimit, përballë shtimit të popullsisë botërore, rrallimit të burimeve ushqimore, dëmtimit të mëtejshëm të mjedisit tonë jetësor dhe përkeqësimit të kushteve të përgjithshme në planetin Tokë.

Të njëjtat “koka të mençura” që mbështeten në pohimet e cekta fëminore të një tjetër “mendje gjeniale” suedeze, që befas shndërrohet aspak rastësisht në fenomen mediatik mbarëbotëror, pas një greve të improvizuar si alarmim ndaj ndryshimeve klimatike, dhe e cila pritet të fitojë Nobelin për Paqe, thjesht ngaqë tezat e saj thelbësisht të zbrazëta nga çfarëdolloj kuptimi apo gjurme mençurie, mbështeten sakaq nga ithtarët e Involucionit modern; njëkohësisht qëndrojnë prapa edhe rasteve të skajshme të llojit të profesorit suedez që na këshillon kanibalizmin si zgjidhje të problemeve botërore me ushqimin.

Involucioni modern i shfrytëzon të gjitha dukuritë, natyrore, politike, shoqërore, fetare e galaktike, po të jetë nevoja, për të nxitur e përhapur tezat e veta, në rastin e klimës, duke fryrë tejmase temën apokaliktike të ndryshimeve klimatike dhe duke ofruar rrjedhimisht edhe përgjigje të gatshme të një cektësie intelektuale të frikshme, që nëse nuk janë fryt i paaftësisë mendore, atëherë burojnë kuptueshëm nga paramendimi që i shërben të tjera qëllimeve të mëtejshme.

Involucionistët militantë arrijnë gjer në propozime qesharake, si reduktimi i pordhëve nga qenie njerëzore apo kafshë (lopët ishin përgjegjëse për ndotjen e mjedisit, ngaqë lëshojnë shumë gazra në atmosferë, thonë, e meqënëse neve gjindja mishngrënëse çoku hamë shumë mish, lope, viçi dhe jo vetëm, atëherë neve qenkërkemi përgjigjës për ndryshimet klimatike, vetëkuptohet).

Mos pirdhni pra, njerëz, e keni për ta shpëtuar në çast planetin tonë të shtrenjtë! Se nuk kemi tjetër, jo për gjë!

Pyes veten ndërkaq, nëse edhe dinozaurët, që patën mbretëruar mbi faqe të tokës për miliona vite me radhë, mos qenë zhdukur edhe ata vallë nga faqja e dheut për shkak të pordhëve të tyre të shumta? Se ishin edhe shtatmëdhenj, vetëm imagjinoni çfarë gazrash patën lëshuar në atmosferë të ngratët!

Më keq se një megalopolis i sotëm. Mjaftonte një kope dinozaurësh të gjorë, për të ndotur më tepër atmosferën me pordhët e tyre, se Nju Jorku, Ciudad de Mexico, Sao Paolo, Tokio dhe Shanghai së bashku në ditët e sotme.

Neve, gjindja njerëzore, ndoshta për “pordhë” në kuptimin metaforik, nga fakti që kemi dëngla me shumicë, që e pandehim veten fort të mençur, specie të përzgjedhur, që i ecin punët vetvetiu, vetëm ngaqë na punon truri, shpesh për keq, për të tilla pordhë pra, mund t’ua kalojmë dinozaurve, por vetëm figurativisht, pasi për gazra prej vërteti, nuk krahasohemi dot kurrsesi me sasinë e pordhëve të gjigandëve që patën mbizotëruar në sipërfaqen tokësore miliona shekuj më parë.

Ja pra, u zgjidh edhe mëdyshja shumëshekullore lidhur me zhdukjen e dinozaurve.

As meteor, as ndonjë lloj kataklizme tjetër, por veç pordhët e dinozaurve që kishin marrë në qafë një specie të tërë viganësh të pamposhtur!

Teoritë konspirative globalisto-klimatike, nuk ngurrojnë aspak që ngrënien e mishit shtazor, ta ndërlidhin drejtpërdrejt me ndryshimet padyshim “katastrofike” përkatëse, që trumbetohen orë e minutë anekënd planetit, me një përpikmëri të habitshme, nga gojë specialistësh përkatës, Hashtage Influencer-ësh mediash sociale, analistësh mediatikë pafund, e politikanësh sigurisht përparimtarë (ndonëse mbështesin involucionin, kundër parimeve të Evolucionit Darvinian, po kujt i plasi, fundja! Qëllimi justifikon gjithmonë mjetet!).

Këta janë të gjithë përparimtarë, sepse kryesisht përtojnë edhe thjesht ta vënë trurin në punë, ngaqë gjithçka, çdo informacion, bindje, prirje e qëndrim, moral, politik e shoqëror, e marrin të gatshëm, pa u lodhur ta vënë në pikëpyetje paraprakisht, varësisht nga mendimi i tyre vetjak, për ta rishpërndarë pastaj në pafundësi, gjersa të shndërrohet në fenomen, mediatik, global, letrar, kinematografik, e një ditë të zezës t’i thuhet e bardhë, sapuni të hahet për djathë dhe e vërteta të bëhet e relativizueshme përfundimisht.

Kushdo që mendon me trurin e vet ndërkaq, që ushqen dyshime të arsyeshme, që nuk ndjek trendet e këtilla mendjembyllura, përparimtar nuk mund të jetë kurrsesi. Etiketimet vijojnë më tutje të pashmangshme.

Pra, neve që hamë mish shtazor, peshqit përfshirë, po shkatërrojmë planetin, nuk do harruar!

E thjeshtë sa më nuk bëhet!

Neve hamë lopët, derrat, qengjat, pulat, gjelat, salmonët, troftat, shpezët fluturake, të gjitha këto shtazë pjerdhin kur neve i mbarështojmë për t’i ngrënë vetë më tutje, e atmosfera ndotet, planeti dëmtohet e bëhet i pajetueshëm.

Edhe Amazona që u dogj deri para ca javësh, duke përthithur vëmendjen mediatike të luanëve të tastierës, ambientalistëve të FB e gojëtarëve të Twitter, mënjanë rishpërndarësve të fotove të pyjeve në flakë, sidomos në Instagram, mes një fotoje dac në plazh, e ndonjë tjetre syresh duke pirë Mojito apo koktej Sex on the Beach buzë detit plot me shishe plastike, të hedhura prej tyre vetë, ku nuk kishin harruar edhe të përmjerrnin më parë.

Nuk mungoi teza e radhës se Mushkrinë e Planetit, e paskësh djegur “dora vetë” presidenti i lig brazilian Bolsonaro, që gjënë e parë, sapo kish marrë pushtetin në kryeqytetin Brazilia, ishte të ndizte shkrepsen e t’u avitej pemëve të Amazonës njëra pas tjetrës, për t’i ndezur e shkrumbuar, si një piroman i pashërueshëm.

Askujt nuk i vajti në mendje të thoshte ndërkaq, sepse involucionistët militantë, itharët e adoleshentes greviste suedeze, veganët luftarakë, katastrofistët klimatikë, nuk dëgjojnë nga ai vesh, pra veshi i arsyes së shëndoshë, që shumica e pyjeve në Brazil, digjen rregullisht, shpyllëzohen për të mbjellë në plantacione gjigante, Sojën, simbolin e globalistëve modernë, ushqimin tipik të propagandës anti-mishngrënëse.

Për të mbjellë plantacionet gjigante të Sojës, mënjanë që rrënohen përditë fshatarët e varfër brazilianë, të cilët shpronësohen e thjesht lihen në skamje e mjerim, ndërkaq edhe priten pyjet pandalur, e paskëtaj soja përdoret si ushqim për kafshët në mbarë botën, për të njëjtat kafshë me mish të modifikuar gjenetikisht, që po na rrënojnë mënyrën tonë të të ushqyerit e po sëmurin njerëzit gjithmonë e më shumë. Sepse jo mishi shtazor (i konsumuar sigurisht me masë), por mishi i modifikuar gjenetikisht, dëmton shëndetin.

Ashtu siç duhani dëmton për vdekje shëndetin, por nuk vendosin njëherë e mirë ta ndalojnë “TËRËSISHT”, por e lejojnë të shitet akoma, pavarësisht paralajmërimieve të rastit, pale, duke reklamuar edhe cigaret elektronike, njëlloj të dëmshme, si zgjidhje për duhanpirësit.

Neve që nuk pimë duhan, ç’faj kemi, që të durojmë këtë lojë “për sy e faqe” me gjasme luftën (toleruese) kundër duhanit?

Por Soja, siç e dimë përdoret edhe për Tofu-n, ushqimin e stërlavdëruar si mishërimin e ushqimit të shëndetshëm (Ups, neve shqiptarët edhe këtë fjalë kaq të fisme e lidhim me “mishin”! Tani e tutje si t’ia bëjmë, që mos fyhen veganët luftarakë? Si ta quajmë vallë? “Veganim”? Po faktin që trupi jonë, mënjanë ujit, është mish e kocka? Nuk shkohet dot kundër evolucionit!).

Tofu! Tofu!

Djathë me tofu, sallam veggie me tofu, mënjanë sojës aty, sojës këtu, soja salcë, soja qumësht!

Domethënë, hamë shëndetshëm, jo mish shtazor, përdorim nënprodukte të sojës pafund, shtiremi sikur gjasme qenkërkemi duke shpëtuar planetin, por s’e çajmë të pasmen që Amazona po digjet e shpyllëzohet pikërisht për të mbjellur plantacionet e Sojës tonë kaq “të shëndetshme”.

Sepse fajin e ka Bolsonaro, në mos ai, kushdo politikan, udhëheqës shtetëror, ose politikan botëror që dëgjon nevojat reale të popullit të vet e jo dënglat globaliste, involucioniste, katastrofiste klimatike, të ithtarëve të adoleshentes suedeze, të profesorit mbështetës të kanibalizmit sërish nga atdheu i saj, e nga kushdo tjetër që flet sa për “sy e faqe” në mbrojtje të planetit, ndërkohë që sillet e vepron krejt ndryshe në të vërtetë.

Harrojnë ndërkohë, që para Bolsonaros “zjarrvënës”, në pushtet në Brazil, për më tepër se një dhjetëvjeçar patën qenë dy presidentë të majtë thuajse komunistë, që kishin lejuar po njëlloj dërrmimin e Amazonës, por edhe të ekonomisë braziliane, me një politikë tërësisht të dështuar, që e shpuri këtë gjigant të Amerikës Latine, në buzë të greminës.

Pak më në veri të Brazilit, një satrap komunist si Maduro, po e vdes popullin e tij ngadalë, në një torturë të përditshme, ashtu si edhe në Nikaragua një tjetër diktator majtist dhe në Kubë prej shumë dhjetëvjeçarësh Kastrot shtypin kubanët mizorisht.

Panairi i pafytyrësisë vazhdon e me siguri të vijojë tutje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok