22/12/2024

Padrejtësia e drejtësisë për arrestimin e Ilir Metës

0
Ilir-Meta-Arrestimi

Nga Albert Vataj

Në këtë spektakël mediatik, ajo që ishte dhe mbeti kryelajmi i ditës së sotme, është jo urdhërarresti i lëshuar nga SPAK për Ilir Metën, por mënyra se si ai u detyrua t’i jepej ligjëzbatuesve, të një shteti demokratik, i cili duhet të respektojë normat detyruese të lirive dhe të drejtave të njeriu, edhe në ndalimin apo prangosjen e një të dyshuari. Për më tepër kur ai është një person publik dhe një personalitet i historisë politike shqiptare.

Ilir Meta u arrestua në mënyrën më jodinjitoze që kemi parë dhe demonstrimi i forcës së shtetit, i denjë për çdo diktaturë. Kur pré e këtij spektakli turpi bëhet një i kalibrit të Metës, mund ta merrni me mend se ç’fat e pret një fatkeq që ndodhet në kohën dhe vendin e gabuar.

Nuk mund të përjashtohet mundësia që ky formalitet i zbatimit të verbër të urdhrave, të ishte zbatim i një skenari dashakeq për të denigruar, për të injoruar dhe fyer Ilir Metën. Ata që e bënë këtë, ndoshta i kishin bërë hesapet gabim, sepse ajo që ata bënë ndaj Ilir Metës, bënë ndaj një personaliteti të rëndësishëm, publik.

U kujtojmë aktorëve të kësaj sekuence të filmit aksion, se ai person, të cilin ato nxorën me dhunë nga mjeti, me të cilin po udhëtonte dhe e hoqën zvarrë, i ka shërbyer Republikës së Shqipërisë si President 24 korrik 2017 deri më 24 korrik 2022.

Për ju që aktruat keq në këtë film të dobët politik, Ilir Meta ka shërbyer si Kryeministër nga viti 1999 deri në vitin 2002. Po ky njeri që tentuat ta bënit përrallë në sytë e botës, duke e fyer publikisht, ka qenë Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Ndoshta nuk është gjë me rëndësi për ju që kërkoni të ekzekutoni në mënyrën më të papranueshme një vendim të drejtësisë, por ai që ju arrestuat si një ordiner, si një vrasës serial, si një person të rrezikshmërisë shoqërore, ka mbajtur edhe detyrën e kryesimit të Komisionit Parlamentar të Integrimit Evropian. Ai themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim në 2004. Dhe sot, ai ndaj të cilit drejtësia bëri më të patolerueshmen padrejtësi, me mënyrën e ndalimit, ai është President i Partisë së Lirisë.

Ju zotërinjtë të drejtësisë dhe zbatuesit e ligjit, ju që ia lejoni vetes të keni tagër të bëni me drejtësi dhe të zbatoni ligjin sipas mënyrës suaj, kujtohuni për një moment se denigrimi që ju i bëtë sot Ilir Metës, është një fyerje që ju i keni bërë Presidentit të Republikës, Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të Kuvendit, dhe të gjithë detyrave, të cilat i’u besun atij.

Ju nuk zbatuat keq një arrestim, por ju shkelët me dy këmbë, nëse jo ligjet, nderin dhe dinjitetin e një personaliteti, pavarësisht akuzave që rëndojnë mbi të, dhe përgjegjësive që ai do të marrë në ballafaqimin me faktet dhe drejtësinë.

Sot organet ligjëzbatuese, forcat speciale, drejtësia bënë padrejtësinë më të madhe se drejtësia që ata pretendojnë të vendosin me arrestimin e Ilir Metës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok