25/12/2024

Pa nivelizim të pagave, pakoja sociale diskriminuese për qytetarët!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Ditë më parë një mbështetës i qeverisë aktuale, më kërkoj ta bëjë një shkrim në mbështetje të Albin Kurit për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Përgjigja ime ishte e shkurtër dhe e thjeshtë; “ashtu siq e kam mbështetur moslejimin e referendumit, e mbështes edhe moslejimin e zgjedhjeve, bashkë me pasojat”!

Veprimet populliste nuk e ndihmojnë të ardhmen e shtetit

Vendimi i fundit i qeverisë për ndarjen e “100 eurove për të gjithë”, pa u konsultuar me akterët e tjerë politik dhe profesional, me përfaqësuesit e punëtorëve (sindikalistët) dhe pronarët e firmave private, është pak më tepër se popullizëm, është autoritarizëm i llojit të vet!

Masat ekonomike të qeverisë për “zbutjen” e krizës ekonomike, përkatësisht ndarja në mënyrë lineare e 100 eurove pa kategorizim dhe pa nivelizim të pagave paraqet diskriminim të pastër social. Për shkak se 100 euro nuk e kanë të njëjtën vlerë për rastet sociale dhe për ata që marrin paga deri në 1 mijë euro.

I vetmi “kategorizim” në rastin e ndarjes së 100 eurove është deri në 1 mijë euro! Në këtë rast, kjo është pozitive, por jo e mjaftueshme, për shkak se nuk është e ndershme, e njëjtë dhe e dinjitetshme ndarja e 100 eurove për pensionistët dhe rastet sociale me ata që marrin rrogë deri në 999 euro!

Në anën tjetër, kjo ndarje e mjeteve financiare vetëm për një muaj dhe pa nivelizim pagash, e ka efektin e vogël social, për shkak se nuk mund të blihet paqja sociale në vend me 100 euro dhe atë vetëm për një muaj të vetëm.

Veprimi tjetër i pa matur i qeverisë, është ai përcaktimit të njëanshëm të pagës minimale pa e përcaktuar “tavanin” e pagës më të lartë në vend, e cila e shpërfaqë trajtimin diskriminues të qytetarëve të vendit.

Barazimi në ndihmë sociale, veprim i pamatur i qeverisë

Në asnjë rrethanë, paga më e lartë në sektorin publik dhe privat nuk guxon ta kalojë dyfishin e pagës minimale, kurse në vendin e paradokseve të quajtur Kosovë, deputetët dhe ministrat e marrin gjashtëfishin e pagës minimale, e të mos flasim për pozitat e nivelit më të lartë në vend të cilët e kalojnë dhjetëfishin e pagës minimale!

Prandaj, barazimi me ndihmë sociale i shtresave më të varfëra me shtresat më të pasura të shoqërisë paraqet pabarazi dhe diskriminim të skajshëm qytetar. Zbutja e varfërisë do të ndodhte me ndarjen e 100 milion eurove vetëm për shtresat e rrezikuara në proporcion me numrin e anëtarëve të familjes dhe kushtet e tyre momentale, kritere këto të aplikueshme në të gjitha shtetet e Bashkimit Europian.

Tendenca për blerjen e paqes sociale në këtë mënyrë, jo vetëm që nuk e zbutë aspak varfërinë, i ushqen iluzionet tek shtresat e hipnotizuara, por jo tek të gjithë qytetarët e vendit.

Për arsye se një ndihmë mujore sado e madhe që të jetë, është e pamjaftueshme në përballimin e ngritjes permanente të çmimeve!

Vetëm ngritja dhe nivelizimi i pagave do të ndikonte në zbutjen e varfërisë dhe arritjen e barazisë qytetare. Për aq kohë sa të vazhdojë lufta në Ukrainë, do të ketë ngritje të çmimeve dhe pasiguri globale. Na mbetët të shpresojmë në vigjilencën e qeverisë dhe ngritjen e vetëdijes qytetare në përballimin sa më të lehtë të krizës sociale.

Popullistët mendojnë se janë pak më tepër se njerëz të zakonshëm, se janë të pagabueshëm dhe të papërseritshëm. Në fakt kjo ka të bëjë me anti-intelektualizëm dhe autoritarizëm ekstrem e cila vjen si pasojë e mungesës së vizionit politik dhe ideve të qarta zhvillimore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok