PA I PLOTËSUAR KRITERET, RRUGA PËR NË BE DO TË JETË E GJATË
SHQIPËRIA DHE MAQEDONIA E VERIUT
Nga Xhelal Zejneli
S’ka dyshim se hyrja në BE është interes strategjik i shqiptarëve. Megjithëkëtë, qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk e kanë fort preokupim, as integrimin në BE, as Ballkanin e Hapur. Integrimi në BE është shndërruar në problem të politikanëve dhe jo të popujve të vendeve të kësaj pjese të gadishullit. Politikanët e vendeve të kësaj pjese të rajonit, integrimin në Union e kanë shndërruar në propagandë. Ky integrim zgjat plot tridhjetë vjet. Popujt e këtyre vendeve janë lodhur dhe janë ngopur nga klishetë e kësaj propagande sterile, të pafrytshme. Qëllimi i këtyre farë politikanëve është t’u thonë popujve të vet: “Ja, jua çelëm rrugën e anëtarësimit. Tani na i jepni votat edhe nja tri dekada të tjera”. Tridhjetë vjet premtime, gënjeshtra dhe mashtrime. Prandaj qytetarët e këtyre vendeve fare nuk e çajnë kokën, si për BE-në, ashtu edhe për Ballkanin e Hapur. Përse të mërziten për mosintegrimin në Union, kur ikin për në Gjermani, hiç pa u anëtarësuar. Mali i Zi dhe Serbia i kanë çelur negociatat me BE-në para dhjetë vjetëve. Megjithëkëtë, s’janë askund. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, sot ta marrin statusin e vendit kandidat, për t’u anëtarësuar pas nja dhjetë vjetëve, në mos dhe më tepër. Deri atëherë, këto dy vende rrezikojnë të mbeten pa popuj. Si krah pune do të vijnë njerëz nga Bangladeshi.
* * *
Nuk BE nuk hyhet në Bruksel, por në Tiranë dhe në Shkup. Këto dy vende janë ndër më të varfrat e kontinentit, por ndër të parat me vjedhje dhe korrupsion. Ku ka varfëri, s’ka demokraci. Ku ka varfëri, s’ka shtet ligjor. Demokracia dhe shteti ligjor nuk shkojnë me varfërinë. Demokracia dhe shteti ligjor shkojnë krahas zhvillimit ekonomik. E që të mos kesh varfri, duhet të mos vjedhësh.
Politikanët e këtyre dy vendeve hyjnë në politikë si të varfër, për t’u pasuruar brenda një kohe të shkurtër. Për ngecjen ekonomike të këtyre dy vendeve, prej vitit 1991 e deri më sot, përgjegjësi mbajnë: liderët partiakë, kryetarët e shteteve, kryeministrat, kryetarët e kuvendeve, ministrat, deputetët, shefat e kabineteve, këshilltarët e ministrave, drejtorët e përgjithshëm, kryetarët e bashkive apo të pushtetit vendor, anëtarët e komisioneve dhe të këshillave drejtues.
Përgjegjësi mbajnë mediumet, studiot televizive, radiostacionet, gazetat ditore, portalet, kryeredaktorët, analistët e shitur dhe të blerë, domethënë mercenarë, të cilët të zezën ta shesin si të bardhë dhe ta lustrojnë realitetin si në kohën e Stalinit. Mediumet në këto dy vende janë nën kontrollin e shtetit, të qeverisë, të partisë në pushtet, të opozitës, po qe se ajo opozitë është e pasur. Në këto dy vende, me ndonjë përjashtim të rrallë, s’ka mediume të pavarura. S’ka liri shprehjeje, mendim të lirë, mendim ndryshe, mendim oponent. Ka pseudodemokraci.
Në këto dy vende veprojnë edhe shërbime sekrete të huaja: ruse, kineze, turke, arabe, greke, serbe, iraniane. Vegla të këtyre shërbimeve janë shoqata të caktuara humanitare dhe klerikë të caktuar fetarë. Në këto dy vende ka mediume që mbështeten financiarisht nga qendra majtiste globale.
Instrumente të së keqes janë edhe shoqata të caktuara joqeveritare. Pjesë e së keqes dhe në shërbim të saj janë edhe shoqata të caktuara që merren kinse me veprimtari kulturore. Po qe se nga Ministria e Kulturës ia dalin të nxjerrin do mjete, atëherë qeveria dhe shteti janë të mirë. Ndryshe, janë si mos më keq.
Gjatë periudhës së pluralizmit, në këto dy vende, nuk ka pasur pothuajse asnjë dorëheqje nga ndonjë politikan në shenjë akti moral.
Në këto dy vende edhe inteligjencia është e heshtur, për të mos thënë e shitur dhe e blerë. Është inteligjencie oportuniste, konformiste dhe poltrone. Ideali i saj është të rrëmbejë pozita, të ruajë pozitën, të avancohet në pozitë, ta punësojë të birin, të bijën, renë, t’u sigurojë tituj akademikë, qoftë edhe me njohuri të kufizuara.
Nuk shkohet në BE me kiç dhe shund, me reality programe, me muzikë pornografike. Në një anë, vend i varfër, në anën tjetër, luksi i një segmenti të shoqërisë, si në Amerikë.
Për fat të keq, tash edhe shkrimtarë s’po ka. Në këto vende e kanë mbyllur gojën edhe akademitë dhe universitetet. Në vendin me paga më të ulëta në rajon, dikush jeton si në përralla.
Me korrupsion në nivelet më të larta të shtetit, këto vende të rajonit janë të parët në kontinent. Në rajon vlon korrupsioni në gjyqësi, në dogana, në vendkalimet kufitare, në polici, në shëndetësi apo nëpër spitale ndër mjekë dhe infermiere, në arsim, në arsimin universitar, në administratën komunale apo bashkiake, në sektorin e urbanizmit, te ofiqari, në auto-shkolla ku merren lejet e drejtimit. Të korruptuar në radhët e gjyqtarëve, të avokatëve, të prokurorëve, të noterëve.
S’ka Evropë, me qenë endacakë rrugëve, me qenë të vrarë apo të helmuar në mënyrë barbare, si në kohën e gurit, me hedhurina rrugëve dhe rreth koshave, me hedhurina brigjeve të lumenjve, me hedhurina që edhe pas tri dekada demokracie, pluralizmi dhe tranzicioni, nuk ke ku i depoziton.
S’ka integrim, me lista të punësuarish fiktivë nëpër bashki dhe në shumë institucione të tjera. Në këto dy vende ca pika shiu bien, përmbyten sheshet e qyteteve, madje edhe të kryeqytetit. Ujërat e zeza vërshojnë mbi rrugë, ndërkaq në ekranet televizive, sheh njerëz të veshur si në Holivud.
S’ka Evropë, me deputete, veshjet e të cilave kushtojnë mijëra euro, shumë më tepër se të atyre të Parlamentit Evropian.
Në kuvendin e asnjë shteti s’dëgjon dot fyerje, sharje dhe ofendime si në kuvendet e këtyre dy vendeve. Fjalë të rënda që s’i mban dot toka. Të tilla fjalë s’përdor dot njeriu normal as në çajtore.
Me vrasje, të parët në kontinent, ndër të parët në botë, me aksidente rrugore, ndër të parët në botë, me emigrim dhe ikje të trurit – të parët, me shkurorëzime – ndër të parët.
Me vjedhje shtëpish, pikash karburanti, herë-herë edhe bankash – s’bëhesh dot evropian.
Në këto dy vende:
– Kemi politizim të të gjitha poreve të shoqërisë, partizim të të gjitha segmenteve të shtetit. Pa ndërhyrjen e partisë, as shërbëtor shkolle katundi nuk mund të punësohesh;
– Kemi cilësi të ulët të arsimit – në shkallë të frikshme. Testi PISA është matje ndërkombëtare e njohurive të nxënësve të moshës 15-vjeçare. Sa herë që është mbajtur ky lloj testimi, prej 80 vendeve të përfshira në testim, Maqedonia e Veriut është renditur vendin e 76-të apo në vendin e katërt në botë nga fundi;
– Për të marrë një terapi duhet të presësh rend me orë të tëra. Më tepër sëmuresh se mjekohesh. Krejt shteti ka vetëm një qendër terapie, madje me kapacitet të kufizuar;
– Administrata ka përmasa gjigante. Një pjesë e madhe e buxhetit të shtetit shkon për rrogat e administratorëve. Gjysma po të largohen prej zyrave, puna do të kishte shkuar më mirë. Çdo parti që vjen në pushtet, veprimtarët dhe militantët e vet i punëson në zyrat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë vendor;
– Kemi kryetar bashkie me të kaluar të dyshimtë, deputet apo ministër me dosje kriminale, për të mos shkuar në nivele më të larta, deri te kryetari i shtetit apo te kryeministri. Le të jetë paga mujore njëmijë apo dymijë euro. Shtëpitë apo vilat që i posedojnë, mobiliet, veturat, jahtet, shkollimi i fëmijëve jashtë shtetit, ceremonitë familjare, shëtitjet nëpër vende ezoterikë etj. kushtojnë qindra mijë euro, shtuar këtu edhe mjetet nëpër llogaritë bankare, të huaja apo të vendit. Nga erdhi kjo pasuri me një pagë mujore prej 1000 apo 2000 eurove. Të mos i përmendim këtu edhe pasuritë e tjera të paluajtshme;
– Meremetimi apo arnimi i një rruge me gjatësi prej 200 deri 300 metra, fillon sot, për të përfunduar pas rreth një viti. Askush s’mban përgjegjësi për asgjë;
– Burgjet nuk janë shumë më të mira se zandanët e vendeve të Orientit. A mund ta merrni me mend: në një hapësirë prej 16 m2 vuajnë dënimin 16 të privuar nga liria; dhe kjo ndodh në Evropë, në Evropën e shekullit XXI; si mund të risocializohet i dënuari në rrethana të tilla; askush nuk çanë kokën për ta. Aq më pak politikanët narcisë; s’ka integrim në BE me burgje të mbingarkuara;
– Vite me radhë ka sunduar dhe ka lulëzuar trafikimi i lëndëve narkotike, i armëve dhe i qenieve njerëzore, ndërkaq qarkullimi i paligjshëm i emigrantëve është bërë gjë e rëndomtë;
– Sektori privat është i pazhvilluar. Si pasojë, partitë ua mësyjnë institucioneve publike.
– Arsimimi profesional është i pazhvilluar;
– Një përqindje e madhe e tokës së punueshme, nuk mbillet, nuk punohet dhe nuk shfrytëzohet;
– Borxhet apo kreditë kanë përmasa të frikshme;
– Privilegjet e politikanëve apo të nomenklaturave janë në shpërpjesëtim me kapacitetet e shtetit;
– Favoret e familjarëve të klasës politike janë si në asnjë vend të kontinentit;
– Zënkat midis shumicës parlamentare, në një anë dhe opozitës, në anën tjetër, janë si në asnjë vend të kontinentit, për të mos thënë si në asnjë vend të rruzullit. Një vend i tillë është larg BE-së;
– Pagat minimale janë 200 deri 300 euro. Merreni me mend, 200-300 euro, për tetë orë punë!! Këtë shumë parash dikush e harxhon me dikë për një drekë apo për një darkë. Një pagë e tillë minimale të përkujton shfrytëzimin e egër në kohën e kapitalizmit primitiv në Anglinë e shekullit XIX;
– Pasuritë e shtetit janë ndara dhe të shpërndara në mënyrë të padrejtë. Dikush zotëron njëmijë, tjetri një. Një shpërndarje e këtillë e pasurisë të kthen në kohën para epokës sonë. Po të mos jenë dërgesat monetare apo remitencat nga vendet perëndimore, një pjesë e popujve të këtyre dy vendeve dhe të mbarë rajonit, do të vdisnin urie.
S’ka BE me tituj akademikë të kopjuar, të përkthyer, të blerë dhe të shitur. S’ka integrim me profesorë universiteti apo me pedagogë që s’ka botuar asnjë punim në asnjë revistë prestigjioze të Perëndimit, që s’i ka shkelur këmba në asnjë arkiv të botës, që s’ka shpikur, s’ka hulumtuar, s’ka nxjerrë asnjë risi.
Një shtet që nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira, është larg BE-së. Nuk ka zgjedhje të lira dhe të drejta aty ku ka shitblerje votash, shantazhe dhe mbushje kutish.
Për të ruajtur qetësinë dhe rendin social, politikanët e këtyre dy vendeve kohë pas kohe zbatojnë edhe politikën panem et circenses (bukë dhe argëtim) – moto e qarqeve sunduese në Romën perandorake. Kjo politikë të shpie para dyerve të Evropës, por s’mjafton për të hyrë brenda. I katandisur në këtë hall, s’të pranon kush në Union.
Në shumë raste, spitalet e vendeve të rajonit u ngjajnë thertoreve, sistemi shkollor është si në shekullin XIX, ndërsa industria, në shumë raste ende punon me kaçavida. E tërë kjo s’është as socializëm, as kapitalizëm, por gjysmë-barbarizëm.
Në rajon është Amerika dhe punët nuk po shkojnë si duhet dhe sa duhet. Po të mos ishte Amerika, a thua ç’do të kishte ndodhur?!
Këto dy vende të Ballkanit Perëndimor nuk janë pa pasuri natyrore, që të katandisen në këtë gjendje të papëlqyeshme. Shtetin me ekonomi të ngecur mund ta udhëheqin vetëm politikanët idealistë. Këta quhen burra shteti.