23/11/2024

Orinda Huta: Ju tregoj vuajtjen dhe ankthin tim

0

Për një muaj ka kaluar përiudhën më të vështirë të saj. Iu deshtë hiqte dorë nga jeta që bënte prej disa kohesh për t’u rikthyer tek vetja. Një kapitull ‘i errët’ që e bëri të largohej nga miqtë e saj më të mirë, familja, kënga dhe shkolla. Tashmë është rikthyer, duke treguar se është sërish e lumtur, ndërsa thekson prerazi se kush janë më të rëndësishmet për të. Orinda Huta, rrëfen për herë të parë vuajtjet dhe makthin që i është dashur të hedhë pas krahëve me shumë mundim. Tashmë ajo rikthehet në ekran, më një tjetër hit, tjetër grup bashkëpunimi dhe për më tepër me një tjetër mënyrë jetese.

Jeni shkëputur prej disa kohësh nga skena dhe ekrani. Paraqitja juaj e fundit ka qenë ajo në “Këngën Magjike”, me çfarë është marrë Orinda këto kohë?
Po, në fakt jam shkëptur për pak kohë. Por tani jam rikthyer me projekte të reja dhe nuk do të ‘humb’ më. Sapo kam përfunduar një këngë të punuar nga NRG Band. Kënga titullohet “As fejesa, as martesa”. Është punuar nga djemtë e NRG Band ndërkohë që orkestrimi është bërë në Maqedoni nga Darko Dimitrov. Është një këngë që do të shoqërohet sigurisht me një videoklip. Nuk dua që të humbë pasi është shumë e bukur. Në fund të Korrikut do ti serviret publikut, kohë kjo ku ka përfunduar tërësisht edhe videoklipi.

Pse ky titull: “As fejesa, as martesa”. Mos ndoshta trembesh prej tyre?
Kohët e fundit njerëzit kanë filluar të fejohen dhe të martohen shumë shpejt. Çdo ditë shikoj dhe dëgjoj njerëz, miq e të njohur të mi që fejohen apo martohen. Nuk është se trembem pasi edhe për mua do të vijë kjo kohë, por shpresoj që të mos jetë e shpejtë, nuk dua që kjo të mos më ndodhë tani shpejt. Kam ende shumë kohë për të shijuar.

Keni bërë kalimin nga NRG tek NRG Band. Pse ky kalim?
Arsyet kanë qënë disa, por të vogla. Ndoshta ishte puna e ngadaltë që po bëhej për mua edhe pse vlerësimi është maksimal. të gjitha këngët e tyre janë bërë hite. Ka qenë një periudhë e mirë për mua, dhe shoqërore. Ndërsa me NRG Band, emri ishte një rastësi që përkoi me të mëparshmin. Puna e tyre më pëlqen.

I kthehemi këngës. Është pjesë e ndonjë albumi në plan?
Albumi është në rrugë e sipër. Do të dalë në vjeshtë. Më duhen edhe shumë pak këngë për ta përfunduar. Nuk kam qenë shumë e vullnetshme këto kohë, nuk kam patur dëshirë të merrem me asgjë. Pastaj, vera nuk m’u duk periudhë e përshtatshme për të nxjerrë albumin. Këtë stinë e lashë për të nxjerrë hitin tim të ri dhe klipin e tij. Por tani e në vazhdim gjithçka do të ndryshojë.

Përse kjo mungesë dëshire dhe vullneti?
Kisha shumë kohë që nuk merresha me veten. Nuk e njihja më. Kam kaluar periudhën më të vështirë të jetës time, aq sa u dobësova pa masë, arrita deri në 50 kg, shumë e papranueshme për gjatësinë time 1.75 cm. Nuk flija më, nuk doja të më fliste askush. Në shtëpi shkoja orar e pa orar. Madje ka patur raste që nuk kam shkuar edhe fare. Periudha më e gjatë që nuk kam fjetur në shtëpi ka qenë një muaj. Grindesha shumë me të gjithë, me prindërit e mi, kryesisht me mamanë time.

Ku e kaloje natën?
Rrija deri vonë lokaleve me miqtë dhe më pas shkoja në shtëpinë e shoqes time të ngushtë, Idës. Është njeriu që më ka ndenjur më afër këtë periudhë kohe dhe për këtë e falenderoj shumë. Më ka kuptuar dhe ngushëlluar për çdo moment që po kaloja. Nuk mundja të shkoja në shtëpi, kisha shumë nevojë për shoqen time të ngushtë.

Cili është shkaku i gjithë kësaj gjëndje?
Nuk di t’iu them, as vetë nuk di t’ua shpjegoj. Nuk e kuptoja më veten time dhe ndihesha shumë e çuditshme. Prej një viti u largova nga mosha ime, nga miqtë e mi që më rrinin gjithmonë shumë pranë. Nuk doja të dëgjoja asgjë prej tyre nga ajo çka po kaloja. Doja vetëm fjalën e Idës. Nisa të pija shumë, shumë alkool. Në fillim dehesha por pastaj nisa të konsumoja aq shumë sa nuk më zinte më pija. Ç’të them, gjëra që tani dua t’I harroj përfundimisht.

Arsyeja: ndonjë lidhje sentimentale?
Jo tamam kështu, por nuk dua të shprehem për asgjë që kam kaluar. Theksoj edhe njëherë që ishte një periudhë prej 1 viti që u largova nga vetja ime dhe mendoja se isha e lumtur. Por më pas kuptova gjithçka dhe prej një muaji kam kaluar vuajtjen më të madhe të jetës time. Derisa më në fund ‘shpëtova’. Pak nga pak arrita të kuptoj se kush jam dhe se çfarë duhet të bëj. Hoqa dorë vetë nga ajo që po më ndodhte dhe për këtë jam krenare. Vura çdo gjë në vendin që i përkiste dhe tani ndihem mirë. Gjëja e parë që bëra ishte t’i rikthehesha mësimeve. Sapo kam përfunduar vitin e parë në Universitetin Europian të Tiranës. Semestrin e parë nuk kam shkuar thuajse fare. E braktisa shkollën tërësisht aq sa më vunë ultimatum që nëse nuk do të frekuentoja më leksionet duhet të largohesha. Por tani jam rikthyer, kam nisur studimin, edhe pse nuk jam ndonjë studente ‘e thekur’ për mësime. Tani kam çdo ditë nga një provim, kështu fumksionon aty sezoni. Dua t’i përfundoj mirë dhe gjatë kësaj kohe që në shkollë jam pushim të merrem me këngët dhe koncerte të shumta që organizohen.

Pra, gjithçka ka përfunduar?
Po, përfundimisht. Jam në një periudhë shumë të mirë. Jam rikthyer ajo “bebja” që kam qenë, pasi kështu më thërriste gjithë shoqëria ime. Për një vit të tërë ‘u rrita’ shumë në moshë, aq sa s’po më njihte më njeri, ndërsa tani jam e lumtur kur dëgjoj të tjerët që më thonë: je bërë sërish ‘bebe’. Po i kushtoj shumë kohë familjes. Qëndroj shumë me ta, thuajse gjithë ditën veç shkollës. Kam nisur të lexoj shumë libra. Po më pëlqen shumë kjo ndjesi që kam tani. Ju betohem që jam shumë e lumtur.

Është folur shumë për një lidhje tënden me Turi Hyskën e grupit “Produkt 28”. Sa e vërtetë është kjo?
Ka qenë momenti i dëshpërimit të një personi që ka nxjerrë këtë thashethem. Nuk është aspak e vërtetë. Jemi miq të mirë. Jemi shokë klase. Gjatë orëve që jam në shkollë Turi është një nga miqtë e mi më të mirë, i tillë është edhe Albani, pjesëtari tjetër i grupit “Produkt 28”. Rrimë bashkë, shkojmë mirë.

Je e dashuruar?
Jam e lumtur.

Njeriu që do më shumë?
Motra ime Silva. Edhe pse kam shumë debate me të, mbetet personi që unë dua më shumë në këtë jetë. Vdes t’i ndjej aromën, dua ta përqafoj sa herë e shoh. Sigurisht që për mua e gjithë familja është e rëndësishme, po kështu edhe shoqja ime e ngushtë, Ida. Tani motrën e kam larg, është në Irlandë dhe pret një bebe. Do jem unë ajo që do kujdesem shumë për të dhe për mbërritjen e bebit.

Po marrëdhëniet me vëllain si janë?
Kam patur shumë debate me vëllain por falë forcës time kanë mbaruar. Nuk ka më asnjë grindje. E ka kuptuar që unë kam jetën time dhe pavarësinë e mbroj dhe luftoj shumë për të. Edhe prindërit nuk më kufizojnë për asgjë. Në moshën time më delikate, në adoleshencë kam bërë çfarë kam dashur. Në fakt, kam qenë një adoleshente ‘e shkrehur’. Më pëlqente të realizoja me doemos atë që dëshiroja. Prindërit e mi janë të kuptueshëm, mjafton t’i njoftoj se ku ndodhem.

Je ndjerë e paragjykuar?
Unë nuk shoh, dëgjoj dhe njoh thashetheme. Nuk më interesojnë fare. Fqinjët për shembull mund të më kenë parë që kam hyrë në orët e vona të natës në shtëpi, dhe mund të kenë folur. Për mua s’ka rëndësi. E di që ky është mentaliteti shqiptar. Do bëj atë që dua unë. Veç familjes time, për mua nuk ka më rëndësi askush.

I kërkon ndokujt falje?
Po, me plot gojë familjes time, kryesisht nënës. i kisha lënë shumë pas dore. Kërkoj falje për të gjitha grindjet që kam patur me ta, nuk do të përsëriten kurrë më.

Ku do t’i kalosh pushimet?
Nuk kam menduar ende, por besoj se në Irlandë. Motra ime lind për pak kohë dhe duhet të jem patjetër me të që ta ndihmoj.

Si e sheh Orinda veten pas 5-10 vjetësh?
Public Relacions, do të jetë profesioni im. Do i përkushtohem tërësisht këtij profesioni, edhe pse do të më duhet të lë për në vend të dytë këngën. Pas 10 vitesh ndoshta do të jem martuar dhe me një bebe. Jam tmerruar nga fejesat dhe martesat kohët e fundit. Nuk shoh fejesë për veten time para 5 viteve.

Gazeta Shqiptare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok