18/11/2024

ORA E PAVDEKËSISË SË MIGJENIT

0

(Poet i Ngadhnjimit)

NGA NDUE DEDAJ

Gjuha e relikteve duhet dëshifruar që të “thotë” atë që fjalët nuk e thonë dot të gjithën. Nëse ato i sheh si sende të vdekura, thjeshtë muzeale, atëherë nuk ke kuptuar thelbin. Te Migjeni të tërheqin dorëshkrimet e poezive e prozave, shënimet që lidhën me shërbesën si kryemësues në Pukë, letrat drejtuar miqve dhe familjarëve, fotografitë etj. Në njërin nga botimet e veprës së tij, në një foto janë stilografi dhe ora që ka përdorur poeti. Secila ka domethënin e vet, por të vendosura ashtu pranë e pranë, sikur thonë se aty ku u ndal stilografi i tij mbi letër, nisi ndërkohë ora e pavdekësisë së poetit. Një orë që nuk do të ndalej kurrë. Kjo është simbolika që ne duam të shohim te ky objekt kaq i zakonshëm. Ka plot orë që janë ndalur me shuarjen e personit që e mbante, burra shteti, diturakë, oratorë, mbase edhe shkrimtarë, por jo ajo e Migjenit, i cili sa ç’kishte lindur në një orë aspak të volitshme jetëgjatësie, kishte lindur ndërkohë orëçuet si krijues i artit të fjalës.

Ora e tij nuk do të ishte mitologjike, bestyte, por një orë historike. Ai do të ishte aty gjithmonë, në tempullin e tij shkrimor, në akademitë letrare dhe orët e letërsisë të shekullit të vet dhe të tjetrit pas. Në çdo antologji të poezisë shqipe, në rend me Budin, Bogdanin, De Radën, Seremben, Naimin, Mjedën, Asdrenin, Fishtën, Mekulin, Poradecin etj. Emri i tij as që mund të diskutohej nga redaksitë, juritë, komisionet e letërsisë etj. Me të drejtë është thënë se Migjeni ishte i pakrahasueshëm dhe i paimitueshëm. Mund të ketë pasur poetë të dëshiruar për të qenë “migjenianë”, por kjo nuk do të ndodhte, pasi vargjet me patos social të tyre nuk ishin të mjaftueshme për të “klonuar” ndër ta poetin si ai, që rebelimin e kishte poetik dhe jo patetik.

Migjeni ishte aso prerje shkrimtari, që shkruante me të njëjtën cilësi si poezinë, ashtu dhe prozën, çka rrallë ndodh. Ai krijoi një sistem figurshmërie të vetin, të pandikuar nga poezia paraardhëse, bashkëkohore apo popullore. Arshi Pipa shkruante se “metafora është forma e tij natyrore e shprehjes”, çka shihet dhe në konstrukte të tilla të figurshme, si “mali që s’bëzan”, “dielli alegorik”, “kanga e dhimbës krenare”, “gjymtyrët e mpita të dheut që quhet shtet” etj. E habitshme është se si e gjithë krijimtaria e tij është “orkestruar” me të njëjtin ritëm, nerv krijues, sfond zymtak, bardhësi që vret, si të jetë shkruar e gjitha në një ditë. Mjaftojnë titujt e poezive dhe prozave të tij të shkurtëra për të krijuar një mozaik letrar të pashoq, a thua se flitet për poema të tëra e romane. Si autor kishte aftësinë të thoshtë shumëçka në pak radhë. Shkrimtaria e tij ishte e “programuar” dhe vetëm priste orët dhe ditët që të hidhej në letër. Ajo ishte skulpturë, edhe telajo, edhe pentagram i dhimbjes njerëzore. (“Gjini njerzuer asht një kitarë e gjallë”). Stilistika letrare – gjuhësore e tij është një optikë më vete, ku veçoria më dalluese mbase është proza e thurur me filigramin e poezisë, begatia e tropeve, stilemave dhe narracioni krejtësisht origjinal. Letërsia shqipe nuk ka pasur një shkrimtar më të ndjeshëm se ai. (“Përditë shoh qartë e ma qartë dhe vuej thellë e më thellë”.) “Migjeni shkruen dhe ndien, ndien dhe shkruen”, do të shkruante Radi më 1938. Po aq befasi përbën formimi i tij letrar në moshë të re, ai shkëlqeu në letërsi kur ishte 20 – 27 vjeçar.

Është shkruar shumë për Migjenin, sa është tejkaluar si vëllim vepra me shkrime, monografi e studime kushtuar tij, që nga Skënder Luarasi, Arshi Pipa, Lazër Radi, Rinush Idrizi, Alfred Uçi, Jup Kastrati, Xhevat Lloshi, Moikom Zeqo, Albana Ndoja – Deda etj. Sprova e mirënjohur “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” e Ismail Kadaresë, që e quan atë “uragani i ndërprerë, është një vepër e shuguruese. E prapë çdo njeri i penës dëshiron të thotë fjalën e vet për këtë shkrimtar, që nuk ka pasur fatin e Fishtës, Koliqit, Konicës, Haxhiademit, që njëherë të rrëzohej e pastaj të ringrihej, as menjanimin e Poradecit, Asllanit etj. Jo, ai ka pasur përherë statusin e shkrimtarit autentik të paprivuar, pos njëherë në gjallje, kur i qenë ndaluar “Vargjet e lira”, më 1936. Ai është quajtur “poet i mjerimit”, duke i rënë për shkurt sipas klisheve socrealiste, siç është “qortuar” dhe për qendrimin kritik që mban ndaj klerit.

Shkrimtarët janë të vetëdijshëm se nuk do të kuptohen gjithmonë, do të keqkuptohen, paragjykohen, censurohen, apo ndalohen dhe sërish do të zënë vendin e merituar në panteonin e letërsisë. Ky është “rregulli”, sa zor të ketë pasur shkrimtar të shquar, që është duatrokitur për të gjallë. Migjeni e grushton shtetin për ta bërë më njerëzor, e ironizon klerin për ta bërë më veprues, e gjitha në emër të ringjalljes, që është ngjarja më e madhe e botës. Jo më kot cikli i parë poetik i tij është “Kangët e Ringjalljes”. Ringjallja është vetë Bibla. Pra e gjitha nuk është gjë tjetër veçse shprehësia e kishës së vet letrare, që është letërsia. Migjeni e kishte lënë seminarin ortodoks dhe i ishte dorëzuar një “feje” tjetër, shkrimtarisë. Nëse ai do të bënte kompromis me cilindo institucion, nuk do të ishte Migjen. Ai është poet i lirisë dhe vargjet e tij janë të lira jo vetëm si prozodi, por dhe si filozofi. Ai është për një ndërgjegje të lirë, ide të re, shekull të ri, botë të re, njeri të ri, sipas formimit të tij dhe jo ndonjë anësie politike. Ai nuk e përmend askund fjalën socialiste (e themi këtë ngaqë idetë socialiste asokohe vlonin), kurse fjalën kombëtare po. Migjeni është tokësor sa i përket përshkrimit dhe thadrimit të varfërisë, skamjes, vuajtjes, zheleve, pijes, prostitucionit, por është mbi realitetin për nga idetë. Ai don t’i bjerë pash më pash ferrit, jo për të qenë interesant, por se nuk mund të pranojë atë botë që nuk e ndryshon dot.

Koha i mplak njerëzit dhe doket, duke i zëvendësuar ato me të reja, edhe zbulimet shkencore shpesh tejkalohen, por duket se feja, filozofia dhe letërsia nuk i nënshtrohen kësaj ligjësie. Emra të spikatur letrarë që kanë shkëlqyer në rini, siç është Migjeni, sa vijnë e bëhen përherë e më zotërues të mjedisit letrar dhe përtej tij. Kjo vërehet në vargjet e tij që kthehen në postulate, si tek asnjë poeti tjetër, ku ndër më kryesoret do të ishin: “Qeshu rini, qeshu, bota asht e jote”, “O si nuk kam nji grusht të fortë t’i bij mu në zemër malit që s’bëzanë”, “Mjermi s’don mëshirë, por vetëm të drejtë” e të tjera sentenca etike e filozofike. Po kështu togfjalëshi “Kangët e pakëndueme” u shndërrua në një metaforë për gjithë ata shkrimtarë që mund të quhen të një brezi të humbur këtu ndër ne. Migjeni është shkrimtari që kuptoi fillin e ekzistencës shqiptare në zgrip dhe thirrjet e tij poetike kanë për qëllim ta lartësojnë njeriun, ta ndërgjegjësojë atë për të dalë nga kufiri ekzistencial i mbijetesës. Një shkrimtar elitar që vjen e kthehet në vetëdije e kombit të vet. Personalisht do ta quaja poet i ngadhnjimit, i shpresës, i dritës. Te poezia emblematike “Na të birtë e shekullit të ri”, ai shkruan: “S’duem me humbë / në lojë të përgjaktë të historis njerzore, / jo! jo! s’i duem humbjet prore – / duem ngadhnim! / ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!”

Migjeni e dashuronte Shkodrën, por kjo nuk e pengonte poetin prozator, që ta shpërfaqte qytetin e tij pa droje në gjithëpamjen e vet, dhe atë “lakuriqe”. Ai solli në letërsinë shqiptare malësorin e kohës së tij përtej çdo ekzotike dhe glorifikimi, “vetëm me një këmishë e brekë legjendare mbi shtat”, i cili ka një recital, që nuk është tjetër veçse një testament migjenian i ndryshimit që mbartte vetë shekulli XX. “Nën flamujt e melankolisë”, ai kundroi një Shqipëri të paidealizuar: “Në vendin tonë… / askush s’mund të thotë/ se këtu rron / një popull që ndërton / diçka të re…” Kanonizimi ideologjik i kumtit të tij social do të ishte i pavërtetë në rrafshin estetik. Ai sa ç’ka kohën e tij, është dhe i pakohë. Migjeni nuk pati etër letrarë, ndaj nuk ngjet me asnjë shkrimtar. Ai ishte kritik si dhe bashkëkohësit e tij të penës, veçse me një tjetër stil ligjërimi. Fishta, krahas epikës dhe lirikës, procedon me ironinë e satirën, në parodizimin e parlamentarizmit etj., Noli kryesisht përmes fshikullimit të figurës së “Barabait”, Konica përmes përshkrimeve jetësore komike e stigmatizimit të veseve të nëpunësisë, Migjeni me anë të fshikullimit të realitetit ngjethës, duke guxuar si askush ta drejtojë gishtin nga institucionet përgjegjëse për skamjen, gjendjen e amullt dhe mungesën e përspektivës të shqiptarëve. Ai është shkrimtar dramatik, edhe pse nuk shkroi drama, ku shumë nga prozat e tij janë skena të gjalla teatri apo filmi, si “Luli i vocërr”, “Baladë qytetëse”, “Mollë e ndalueme”, “A do qymyr zotni?”, “Historia e njënës nga ato” etj., siç qe dhe vetë jeta e tij e shkurtër një dramë me fund tragjik. Ai shkroi proza të endura me indin e sarkazmës therëse, si “Bukuria që vret” e “Legjenda e misrit”, apo të ironisë, si “Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun?”, “Urim për vitin 1937” etj.

Kur ke një jetë me shkrimtarët / veprën e tyre, qoftë ajo dhe e vëllimshme, vjen një çast që beson se nuk ke diçka të re për të thënë për ta, ndërsa Migjeni ka një energji të fshehtë, që e bën përherë të pakryer, çka me siguri ka të bëjë me gjenialitetin e tij krijues.

Poetët shqiptarë kanë orën e tyre, të ndryshme nga njëri-tjetri, kanë “sibilat” e veta prej 4 – 5 shekujsh, kurse ajo e Migjenit është orë e pavdekësisë. Edhe pse bota e letrave sot përballet me humbjen e lexuesit, i cili është pakësuar apo tjetërsuar në lexues online, Migjeni ka me vazhdue me qenë një poet i lexuar. Është vështirë të thuash se çfarë do të ndodhë saktësisht në këtë qasje, ama Bogdani i ka pasur shumë të paktë lexuesit në të gjallë të tij, ashtu si krejt letërsia e vjetër, që e fitoi lexuesin në shekullin XX, me dimensionin e ri kulturor që krijoi shkolla shqiptare. Kjo doemos që është e lidhur me leximin në shekullin XXI, ku e sigurtë është që nuk do të jetë më ai klasik…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok