15/11/2024

Open Balkan është vetëm interes i Serbisë dhe jo i shqiptarëve!

0

Nga Enver Bytyçi

Raporti i vitit të kaluar i Bashkimit Europian për herë të parë në historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kosovës shkruan se marrëdhëniet e këtyre dy vendeve janë përkeqësuar. Ndërsa raportet e mëparshme shkruanin se Shqipëria e Kosova kanë marrëdhënie të shkëlqyera, vitin që shkoi në këtë raport u tha se ato janë të mira. D.m.th se qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës nuk kanë më prioritet marrëdhëniet midis tyre.

Shkaku kryesor i përkeqësimit të lidhjeve Kosovë-Serbi është iniciativa e Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramës për krijimin e iniciativës rajonale Open Balkan. Kjo temë kaq e debatuar u shpërfaq edhe në samitin e Blend të Sllovenisë. Në takimet e këtij samiti më së shumti folën për Open Balkanin dy iniciatorët e nismës në fjalë, prsidenti i Serbisë dhe kryeministri i Shqipërisë. Të dy biseduan me partnerët europianë dhe rajonalë dhe u përpoqën që t’i bindin ata se Open Balkan është në dobi të Europës dhe rajonit, e madje se ai është vazhdim i procesit të Berlinit.

Por Lajçak e quajti nismën Rama-Vuçiç një konkrencë të pandershme me integrimin europian. D.m.th se Brukseli e konsideron atë si kundërvënie të proceseve integruese të rajonit tonë në BE. Ndërkaq liderët ballkanikë ishin të ndarë në pikëpamjet e tyre. Kryeministri i Kosoëvs, zoti Kurti, si në panelin e Blend edhe në takimet dy palëshe kërkoi që vendet e rejonit të integrohen në bllok, sipas programeve europiane. Por disa të tjerë, e sidomos Vuçiç, adresoi kritika të ashpra ndaj Brukselit për politikat e integrimit, edhe pse ai e di që Serbia nuk mund të integrohet pa zgjidhur mosmarrëveshjet dhe konfliktin e saj me Kosovën. Dje iu vendos edhe një kusht tjetër: – Të njohë genocidin serb në Srebrenicë!

Presidenti serb në Blend nxori në pah gjithashtu qëllimin e Open Balkan. Ai tha fjalë për fjalë: “ajo është në interesin e Serbisë, dhe Serbia duhet të angazhohet për të dhe jo të presë mbështetje nga kushdo qoftë”. Ndërsa në forum, pasi kritikoi BE-në u shpreh se ““Filluam të gjejmë vet mënyra për të kapërcyer vështirësitë ekonomike. Kjo është se pse e krijuam mekanizmin tonë për të kapërcyer të gjitha vështirësitë, duke përfshirë këtu “Ballkanin e Hapur”. Nuk duhen syze optike që të dallosh se Open Balkan nuk shkon në përputhje me interesat europiane. Ndryshe nuk kishte pse Angela Merkel të vinte më 14 shtator në Tiranë pëe të marrë pjesë në takimin e procesit të Berlinit! Ne do të shohim se çfarë do të thotë ajo për Open Balkan, por është krejt e qartë se ashtu si ndryshimin e kufijve, Merkel nuk do të pranojë krijimin e një Jugosllavie të re të dominuar më nga Serbia. Jo për inat të Beogradit, por se Serbia supremacinë e saj e shndërron në agresion kundër popujve e shteteve të tjera të rajonit!

Interesant është kur i shikon si Ramën edhe Vuçiçin në ekranet televizive të vendeve të tyre. Të dy mbrojnë me agresivitet Open Balkanin, duke përdorur si argument, atë që “Europa e mbështet nismën”! Madje ata mohojnë sy për sy deklaratat e autoriteteve të Brukselit kundër kësa iniciative. Këtë bëri kryeministri i Shqipërisë mbrëmjen e së enjtes në një ekran TV të Tiranës. Njerëzit duhet të shohin standardin e dy qëndrimeve: Nga njëra anë në forumet europiane e kudo jashtë, si Rama dhe presidenti i Serbisë qortojnë Bashkimin Europian dhe u thonë atyre se “Për shkak të dështimit tuaj ne kemi nis një rrugë të re të integrimeve rajonale”, nga ana tjetër nuk lënë rast pa propaganduar gënjeshtren e madhe se “Europa qenka pro-Open Balkanit”!

Meqë nisma e Open Balkan është e dobishme për rajonin dhe BE-në, pse Brukseli nuk i bëri thirrje asnjëherë Prishtinës, Sarajevës dhe Podgoricës të përfshihen në këtë nismë? Nëse Berlini është entuziast me përpjekjet e Ramës dhe Vuçiç për demonizimin serb në rajon, pse nuk e përmend njëherë të vetme termin e kësaj nisme?  Ajo që Laçak tha në Blend për Open Balkan si një konkurencë e pandershme me integrimin europian është më e pakta që mund të thuhet. Open Balkan është rrezik për Ballkanin dhe për Europën, sepse përmes kësaj nisme Beogradi jo vetëm do të jetë hegjemon në rajon, por do të garantojë prezënvën ruse këtu. Prandaj dhe politikanët perendimorë pro-rusë, si Grenell, janë në avangardë të promovimit të këtij forumi!

Albin Kurti i përmbahet tezës se “Rajonit i duhet integrimi europian para se të mendojmë për integrimin rajonal”! Në fakt problemi është politik. Nisma Open Balkan bazohet në kufijtë e vjetër të gadishullit. Nisma synon që ende pa u definuar kufijtë midis Kosovës dhe Serbisë, këta kufij të bëhen të paqenë. Pra synon që pikat kufitare dhe doganat e Kosovës me Serbinë të zhduken dhe kësisoj presidenti e qeveria serbe ta justifikojnë edhe de facto atë që kanë të shkruar në kushtetutë se “Kosova është pjesë e Serbisë”! Por jo vetëm kaq. Nisma i jep Serbisë të gjitha avantazhet që të rivendikojë kufijtë e Bosnjë-Hercegovinës e të Malit të Zi dhe bazuar në marrëveshjen e Open Balkan të manipulojë pakicat serbe kudo që ato janë.

Ndërkaq Edi Rama thotë se Open Balkan është interes i shqiptarëve, është interes shtetëror i Shqipërisë dhe madje edhe interes shtetëror i Kosovës, kur ai e di se kjo iniciativë është dhe do të jetë vetëm interes shtetëror serb. Ndërsa Vuçiç thotë se Open Balkan është interes serb, edhe Rama thotë se është interes shqiptar! Se si u përputhkan kaq në harmoni interesat serbe me ato të shqiptarëve në kushtet kur Serbia proovokon çdo ditë pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, këtë mund ta shpjegojë vetëm Edi Rama.

Ndërsa në fakt tepmeraturat e interesave ndryshojnë në Beograd me ato të Tiranës si temperaturat e Antarktidës me ato të Ekuadorit! Derisa Serbia të njohë shtetin e Kosovës nuk ka asnjë shans që ndonjë nismë rajonale me interes serb të jetë po ashtu në interes të Kosovës. Dhe nuk ka interes shtetëror të Shqipërisë pa konsideruar interesin shtetëror të Kosovës! Alibitë e Edi Ramës dhe të Aleksandër Vuçiç nuk duhet të merren si të vërteta! Edhe ata të dy e dijnë se po mashtrojnë opinionin publik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok