27/12/2024

Open Balkan është i paligjshëm nga pikëpamja juridike!

0
Enver-Bytyci

Nga Enver Bytyçi

Kemi shkruar e kemi folur pa fund për disavantazhet shqiptare e avantazhet serbe të iniciativës Rama-Vuçiq të Minishengenit apo të Open Balkan. Tashmë është shumë e qartë se Ballkani i Hapur i shërben interesave serbe në rajon. Por është interesant fakti që disa përfaqësues të SHBA-ve, pavarësisht kësaj, e mbështesin këtë iniciativë. Ndërkaq Bashkimi Europian, përfshirë Komisionin dhe Parlamentin, është kundër saj. Ndër vendet europianekundër Open Balkan është më së shumti Gjermania. Kjo edhe për faktin se Minishengeni në fillim e Open Balkan më pas u krijuan si kundërshti e Iniciativës së Berlinit. Vetë protagonistët e Ballkanit të Hapur e pranojnë se ai është një alternativë ndryshe. Nuk thonë se është një alternativë kundër, natyrisht!

Por askush nuk është ndalur të mendojë se cila është baza juridike e Open Balkan? Askush nuk ka parë një dokument themelimi dhe pranimi nga krerët e shteteve dhe qeverive të Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë! Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur në Beograd e Shkup. Megjithatë të gjithë e dinë se në Tiranë Edi Rama është i vetmi  që flet për Ballkanin e Hapur. Të tjerët ose kundërshtojnë, ose heshtin. Heshtjen e preferon edhe opozita edhe presidenti i vendit!

Inciativat ndërkombëtare e rajonale, projektet në marrëdhëniet ndërkombëtare si rregull duhet të kenë autorizimin e presidentit të Republikës. Por shqiptarët nuk kanë asnjë informacion nëse presidenti Meta ka nënshkruar ose ka dhënë ndonjë autorizim të tillë që shefi i ekzekutivit të angazhohet në përmbylljen e një iniciative si kjo! Do të duhej që dokumentet e marrëveshjet e kësaj iniciative  të paraqiteshin, të diskutohej e të miratoheshin në Parlamentin e vendit. Por kjo nuk ka ndodhur asnjëherë, megjithëse iniciativa është promovuar në nëntor 2019, d.m.th para dy vitesh, në Novi Sad të Vojvodinës.

Qytetarët shqiptarë nuk kanë parë dhe nuk kanë dëgjuar për asnjë debat të zhvilluar nga komisionet parlamentare për këtë iniciativë. Nuk kanë dëgjuar për asnjë tryezë me diplomatë, ekonomistë, financierë, juristë dhe specialistë të fushave të ndryshme, me të cilat është angazhuar iniciativa Beograd-Tiranë e Open Balkan. Madje as në mbledhjen e qeverisë kjo çeshtje nuk është bërë objekt diskutimi. Debatet mbeten thjesht në kuadrin e thash e themeve dhe të ekraneve pro-qeveritare të televizioneve shqiptare.

Gjithçka që ka të bëjë me iniciativën e Ballkanit të Hapur është e mbetet ekskluzivitet i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Vetëm ai mund të flasë për këtë çeshtje! Vetëm ai mund të bëjë presion mbi liderët e Kosovës që ata ta pranojnë iniciativën e Aleksandër Vuçiq në kushte diskriminimi të shtetit të tyre për shkak të mosnjohjes nga ana e Serbisë! Vetëm ai mund të përcaktojë se kur Beogradi do të duhet të kërkojë ndjesë për krimet dhe genocidin e ushtruar kundër shqiptarëve në Kosovë! Vetëm ai ka të drejtë të vendosë se çfarë është e drejtë ose e padrejtë, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për Shqipërinë, për Kosovën dhe për shqiptarët në Ballkan!

Edhe sikur Minishengeni apo Open Balkan të sillnin parajsën për ne, protagonizmi i tillë I Edi Ramës do të duhej të shqetësonte çdo qytetar të vendit tonë. Ndërkohë që jemi para një terri informativ dhe mungesës së informacionit që duhet të kenë qytetarët shqiptarë rreth samiteve që bëhen. Jo për kuriozitet, por që njerëzit të binden për atë se kryeministri punon për interesat e qytetarëve do të duhet që gjithçka të autorizohet nga presidenti, të diskutohet në parlament dhe komisionet parlamentare, të debatohet me grupet e specialistëve, sidomos të diplomacisë.

Dhe ajo çfarë e bën akoma më të errët situatën lidhet me faktin se opozita formale e Partisë Demokratike qëndron indiferente, e patrazuar. Ajo nuk e ngre çeshtjen në parlament, jo më të kërkojë ndonjë interpelancë me kryeministrin e vendit. Them me kryeministrin, sepse ministrja e Jashtme është thjesht një kukull në poltronin e kabineti të saj!

Në këto kushte askush nuk beson te iniciativa të tilla. Aq më tepër kur shohim se që tani kanë filluar serbët të “pushtojnë” territorin shqiptar, sidomos në bregdet, me qëllim tjetërsimin e pronës së shqiptarëve! E bashkë me ta edhe investitorë të shumtë, madje mafiozë, të Rusisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok