25/07/2024

NXITO PËR TEK YLBERI BIBLIK

0

Nga Visar Zhiti

…befas dhe bukur na doli në krye të rrugës y.l.b.e.r.i… vërtet si një dhuratë hyjnore, thashë me vete, i parë që shikoja këtej kaq të guximshëm, ashtu elegant, një hark që hovte si një sorkadhe nga toka drejt reve, sa për të dërguar një porosi në Qiell dhe të merrte një tjetër për ne, tokësorët, prandaj dhe hidhej me dëshirë mes atyre pallateve atje tej…

Po më dukej si një mahnitje e re, aq sa u binda se Dhimoja na kishte thirrur Janin dhe mua për të parë ylberin, madje po rendnim me makinë për tek ai… Piklat e shiut që po mbaronte, e mbushnin xhamin me brilantë, fshirësja si krah i pamëshirshëm i Inteligjencës Artificiale i fshinte menjëherë si për të na tutur se asgjë s’është e përhershme…

Jo, jo, kishte ardhur ylberi për tjetër gjë dhe ne po shkonim tek ai, por po ndalim pak te një tjetër ylber, në zanafillë, ja, këtu te lumi… i Heraklitit…

– Pse, ku jemi?

– Kudo, në çdo vend…

Hipëm mbi gurë të mëdhenj në breg dhe po shikonim kohën që ikte si uji, jo dy herë në të njëjtin vend… Dhe retë përsipër…

– Nxito për të ylberi… para se të mbarojë kjo pasdite…

– Ja, të bëjmë dhe ca foto, edhe një selfie…

– Ua bëj unë! – na thotë një i panjohur aty me një fëmijë në krah, që shikon nga ne dhe ne shikojmë nga ai…

M’u nëpërmend Bibla, pikërisht Libri i Zanafillës, ylberi… Ku është? Ja, ja, atje, shiko… në kreun 9, 11… besëlidhje midis Zotit dhe gjithë njerëzimit dhe të gjitha kafshëve… Ky është ylberi, ky!…

Në autostradë makinat herë herë më dukeshin të gjitha si arka të Noes, po i iknin përmbytjes dhe pastaj m’u bënë si vargan tankesh në Ukrainë a pranë Moskës siç po i shohim në ekranet e celularëve, që s’po i heqin nga dora, ndërsa shtyllat anëve si kryqe… kryqe, teksa drita e pasdites po mekej…

Në Bibël shkruhet:

“… asnjë mish nuk do të shfaroset më (është fjala për mishin e jetës, – shtoj unë) nga ujërat e përmbytjes dhe nuk do të ketë më përmbytja për të shkatërruar tokën… Unë e vendos ylberin tim në një re dhe do të shërbejë si shenjë për besëlidhjejen e përfunduar… ”

Habemus Ylber… Shikoje si ka rënë si fjongo paqeje përmbi botë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok