21/12/2024

NUK VRITET PAFAJËSIA, Z. KRYEMINISTËR!

0
2

Nga Frank Shkreli

“Kërkimi i faljes nga Serbia është kapaku që do t’i japë zgjidhjen përfundimtare njohjes nga Serbia. Unë them që falja vjen në fund, nuk mund të vijë në fillim.”  Kështu është shprehur, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama në Beograd, kohët e fundit, gjatë një konferencë me gazetarët pas takimit për të biseduar mbi të ashtuquajturën nismë, “Open Balkan”, me presidentin serb Aleksandar Vuçiqin dhe Zv.Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, kur është pyetur nëse Serbia duhej të kërkonte falje për krimet kundër njerëzimit që ka bërë në Kosovë kundër popullësisë civile shqiptare, të pafajshme, në atë truall.

Po cilat janë “krimet kundër njerëzimit”, që janë bërë në Kosovë nga forcat terroriste të Millosheviqit e për të cilat falja duhet të jetë e fundit, sipas Z.Rama.  Sipas Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, Aritkull 7, i vitit 1998, “krim kundër njerëzimit” përfshin aktet që janë pjesë e një sulmi të qëllimshëm, të gjithanëshëm dhe sistematik të një shteti kundër një popullësie civile, krime pra, sipas statutit në fjalë, siç janë: “vrasja, shfarosja, skllavërimi, dëbimi ose transferimi me forcë i popullësisë, burgosja, torturat, format e rënda të dhunës seksuale, persekutimi (i një grupi të identifikuar në baza politike, raciale, kombëtare, etnike, kulturore ose fetare), zhdukja me detyrim e personave, aparteidi dhe veprime të tjera çnjerëzore”.

Këto pra janë krimet kundër njerëzimit për të cilat Kosova, me të drejtë, këmbëngulë që të njihen dhe të identifikohen si të tilla, para se të mund të shkohet përpara në bisedime të mëtejshme përfshir njohjen e ndërsjedhët. Nga ana e Beogradit zyrtar, njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, antarësimin e  saj në organizatat ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara, e çeshtje të tjera që kanë të bëjnë me vet ekzistencën e Kosovës, si shtet i pavarur e sovran e që Serbia, me ndihmën e Rusisë, të Kinës dhe aleatëve të tyre, po e luftojnë Kosovën si shtet i pavarur si dhe identitetin e saj megjithë krimet e kryera në Kosovë nga Serbia– pa pikën e turpit — në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Prandaj, qeveria e Kosovës, partitë opozitare dhe shumica e popullësisë së atij vendi, mendojnë se të kërkuarit falje nga Serbia, duhet të jetë në “fillim” dhe jo në “fund”, siç pretendon Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama. Por, në mendimin e shumë analistëve, vendas dhe ndërkombëtarë, procesi i të kërkuarit falje nfga Serbia duhej të kishte filluar shumë më heret.  Siç është shprehur para 2-3 ditësh në portalin e tij “facebook” edhe miku im, Profesori Gëzim Alpion i Universitetit Birmingham në Angli, të kërkuarit falje nga Serbia për krimet e saja në Kosovë dhe ish-Jugosllavi e sidomos për krimet në kurriz të shqiptarëve, “është tejet e vonuar”.

“Falja nuk duhet të vijë në fund. Në rastin e shtetit Serb, falja për krimet në Ballkan, veçanërisht në kurriz të shqiptarëve, nuk është e përshpejtuar. Ajo është tejet e vonuar.  Shteti modern shqiptar nuk është drejtuar nga “tradhtarë” por nga njerëz me formim dhe arsim të cunguar të cilët hiqen si “vizionarë” sepse druhen të shihen si “nacionalistë”.  Ligjërimi nacionalist në Shqipëri dhe Kosovë do të vazhdojë të jetë i nivelit mjeran për aq kohë sa akademitë e shkencave në Tiranë dhe Prishtinë vegjetojnë nën tutelën e amatorizmit “internacionalist”, është shprehur Profesor Gëzim Alpion, sociolog i njohur dhe autor i librit të fundit të suksesëshëm në tregun ndërkombëtar të librave, “Nenë Tereza: Shënjëtëresha dhe Kombi i saj” — Frank Shkreli: Nënë Tereza- Shenjtëresha dhe kombi i saj e autorit Dr. Gëzim Alpion | Gazeta Telegraf

Por, pse të presim më shumë! Të kërkuarit falje për krime kundër njerëzimit – sidomos kundër shqiptarëve – brenda dhe jashtë kufijve artificial — nuk është as nuk ka qenë kurrë në gjenezën e të ashtuquajturve “liderë” të Ballkanit dhe as një përparësi morale për klasën politike, sidomos, klasën politike shqiptare.  Por, për një gjë jam i bindur se shqiptarët kudo konsiderojnë më të rëndësishëm të kërkuarit falje Kosovës nga Serbia për krimet barbare të numëruara me lartë, ndërsa janë më pak ose aspak të shqetësuar nëse qumshti serb “bëhet kos” ose jo, duke pritur në kufirin shqiptaro-shqiptar, siç u shpreh Z. Rama, ndërsa fliste për rëndësinë që ai i kushton “Ballkanit të Hapur”, një nisëm kjo e përbashkët e Zotërinjve Rama-Vuçiq.

Por të kërkuarit falje për krime kundër njerëzimit nuk është vetëm problem i Serbisë dhe Kosovës, por është një problem i madh edhe për Shqipërinë dhe për shqiptarët, në përgjithësi.  Muajin e kaluar në Tiranë vdiq ish-prokurori xhelat i regjimit komunist, kriminelit Arianit Çela, i cili, në shërbim të verbër të regjimit komunist të Enver Hoxhës, me urdhërat e tij, ka vrarë qindëra, ndoshta edhe mijëra, njerëz të pafajshëm. Nga Frank Shkreli: Klubi i turpeve të përbashkëta | Gazeta Telegraf — Drejtësia e regjimeve “post-komuniste” në Shqipëri, jo vetëm që nuk e dënoi as nuk ndëshkoi krimet e komunizmit kundër njerëzimit, as gjyqtarët e as prokurorët e regjimit komunist enverist.  Përkundrazi, u zbulua ditët e fundit, se krimineli-prokuror i regjimit komunist Arianit Çela– vrasës i përmasave gjenocidale kundër një popullësie të pafajshme — siç janë 38 martirët e Kishës Katolike Shqiptare  — 5-vjetori i lumnimit i të cilëve shënohet këto ditë – gjatë gjithë kësaj kohe atij i janë akorduar më shumë të drejta dhe privilegje se sa viktimave të tija të pafajshme të cilët ai i dënoi me vdekje – duke i dhënë atij një pension të veçantë, rezervuar me ligjin shqiptar për individet me kontribute të mëdha ndaj shoqërisë shqiptare. Kjo ndodhë vetëm në Shqipëri, e paguan viktima dhe jo prokurori kriminal.!

Kryeministri Rama, gjatë prezantimit të programit qeverisës, përmëndet “Ballkanin e Hapur”, dhe faktin se nuk është dakort me Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti sa i përket kësaj çeshtjeje. Ndërkohë që në lidhje me këtë mosdakordësi midis tyre, Z. Rama paralajmëroi se, “Shqipërisë nuk i jepen leksione”, sikur Kryeministri Kurti me të cilin ka “mosdakordësi”, të përfaqësonte ndonjë shtet armik dhe jo gjysmën e Kombit shqiptar.

Krimet e Serbisë kundër njerëzimit në Kosovë dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri me prokurorë si Arianit Çela, nuk janë “përralla me gogol”, Z. Kryeministër Rama, por janë jetë njerzish të pafajshëm, për shoqërinë dhe për familjet e tyre të cilat çdo ditë jetojnë me traumën e humbjes së familjarëve të tyre të dashur. Shteti shqiptar dhe qeveria e Tiranës, nuk besoj të kenë ndonjë efekt, as pozitiv as negativ, sa i përket mundësisë që Serbia t’u kërkojë falje shqiptarëve të Kosovës për krimet e saja në atë vend. Por, nga ana tjetër, është në dorën tuaj t’u kërkoni falje viktimave të tiranisë së komunizmit shqiptar — në emër të qeverisë që ju kryesoni dhe të shtetit shqiptar — dhe t’i kërkoni parlamentit, ku partia juaj ka shumicën, që përfundimisht, pas tre dekadash, të miratohen ligjet e nevojshme për shpalljen e pafajësisë për të gjithë viktimat e komunizmit në Shqipëri, të cilët sakrifikuan jetën e tyre për lirinë e vet dhe të tjerëve.

Përuluni para pafajësisë së viktimave të komunizmit dhe kërkoni falje, sepse ju jeni shteti sot. Kjo është detyra juaj e parë ndaj shqiptarëve dhe jo justifikimi ose jo i Serbisë se kur dhe ku – në fillim apo në fund – që ajo duhet t’i kërkoj falje Kosovës për krimet kundr njerëzimit. Nëqoftse besoni se Serbia duhet t’i kërkojë falje Kosovës por vetëm “në fund”, atëherë çfarë pret Shqipëria që nuk u kërkon falje viktimave të komunizmit, tani dhe pa vonesë. Kur është “fillimi” dhe kur është “fundi” për një veprim të tillë, Z. Kryeministër, për familjet e prekura dhe për pasardhësit e tyre, që presin për 30-vjetë tani.

  1. Kryeministër, shqiptarët anë e mbanë trojeve tona kërkojnë drejtësi për krimet kundër antarëve të familjeve të tyre, qoftë për viktimat e regjimit fashisto-komunist të Millosheviçit në Kosovë, qoftë për viktimat e regjimit komunist të Enver Hoxhës në Shqipëri. Ata kërkojnë të vërtetën!

Megjithë vështirsitë e mëdha gjatë historisë, Kombi shqiptar kurrë nuk humbi shpresën as vullnetin për të mbijetuar, madje edhe përball krimeve kundër njerëzimit që ka pësuar gjatë historisë nga të vetët dhe nga të huajt dhe kurrë nuk hoqën dorë as nuk përngjeshtruan identitetin e tyre si shqiptarë as nuk hoqën dorë nga historia e tyre disa mijëvjeçare – për hir të një internacionalizmi ndërkombëtar të pa fe e të pa atdhe, që nuk i solli Kombit asgjë pozitive, por vetëm dëme të papërshkrueshme, sidomos në njerëz duke zhdukur më të mirët e kombit, gjatë 100-viteve të fundit – e të cilët luftuan duke dhënë jetën për liri dhe demokraci të vërtetë.

Ndonëse sistemi i sotshëm dhe ligjet e Shqipërisë i konsiderojnë viktimat e komunizmit në Shqipëri gjithnjë si “fajtorë”, sipas ligjeve të komunizmit enverist, siç është rasti i 38 Martirëve të Lumë shqiptarë, ata prapseprap ishin dhe mbeten, “Martirë, pishtarë drite, që ndriçojnë në qiellin e njerëzimit”, jo vetëm për Kombin të cilit ata, krenaraisht, i përkasin, por edhe si shembëll qendrese për mbarë njerëzimin.  Për pothuaj një shekull tani, drita e tyre ndriçoi në errësirë, ndërkohë që errësira kurrë nuk e mbposhti dritën e tyre, sot e asaj dite kur u sakrifikuan për fe e Atdhe.

Sot në çerek shekullin e parë të shekullit 21, Kombi shqiptar nuk ka nevojë për apologjetë të krimeve të komunizmit enverist në Shqipëri as të krimeve komunisto-fashiste të Serbisë në Kosovë.  Zoti Kryeministër Rama, është në dorë tuaj që në këtë 5-vjetor të lumnimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike Shqiptare, familjeve të viktimave të pafajshme të regjimit të Enver Hoxhës, në përgjithësi dhe pa dallim feje, ideologjie a krahine, t’u kërkoni falje dhe me miratimin e ligjeve përkatëse në parlamentin shqiptar, të vendoset drejtësia njëherë e përgjithmonë, për pafajësinë e tyre dhe që njëkohësisht, të ndihmohen pasardhësit e atyre vikitmave që, më në fund, të mësojnë të VËRTETËN për para-ardhësit e tyre, fati i të cilëve nuk dihet, 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit. Shkencëtarët politikë janë dakort se kërkim-falja për krime kundër njerëzimit – sidomos në nivel politik të një shteti/qeverie ose grupi njerzish – është një mjet tepër i rëndësishëm në rishqyrtimin e historisë së një kombi por edhe për rëndësinë që kërkim-falja, në vet-vete, ka edhe në proceset demokratike të një vendi. Me heshtjen e vazhdueshme për 30-vjet tani, për krimet e komunizmit, shteti shqiptar – pa asnjë përgjegjësi morale — vazhdon të vrasë pafajësinë e këtyre viktimave të komunizmit. Rezultati siç shihet, është Shqipëria e sotëme me liri dhe demokraci të pjesëshme, dekada larg antarësimit në BE dhe në prak të zbrazjes së trojeve shqiptare.  Pse vazhdon të vritet pafajësia, Z. Kryeministër!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok