30/12/2024

“Nuk mësohen kuajt revan në pleqëri”

0
Shyqyri-Fejzo1

(Edhe nga historitë me qen mund të zihen miq)

Nga Shyqyri Fejzo

Koha po tregon se një nga elementët kryesorë që duhet sot për përshtatjen kur shkojmë në një vend tjetër, është gjuha e atij vendi. Kushtet e mia si status social dhe gjendje ekonomike ishin për emigrim. Kam bërë bashkim familjar me vajzën në Belgjikë, por jetoj me afate të gjatë edhe me djemtë në Hamburg të Gjermanisë. Me gjuhën në Gjermani kam pasur probleme. Shkoja në këtë shtet pa asnjë njohuri të gjuhës gjermane. Njohuritë e gjuhës ruse dhe greqishtes pak më hynin në punë. Po të shikosh kohën e qëndrimit në Gjermani dhe sikur të bësh një llogari të tillë, që sikur të kisha mësuar vetëm një fjalë në ditë nga gjuha gjermane, nuk do kisha shumë probleme. Por, duhet thënë se dembelizmi, indiferentizmi dhe mosha për njohjen e kësaj gjuhe jo të lehtë, e bënë punën e tyre. Për nevojat e mia, shpesh hapja libra në ndihmë të mësimit të gjuhës dhe përgatitesha për aktivitetin që do bëja atë ditë, ta zemë blerje në njësi tregëtare, pazare, farmaci etj. Po edhe aty, pavarësisht nga përgatitja, shpesh” më binte kallai”.Mjaftonte një pyetje dhe unë do të përgjigjesha pa turp e të keq.”Ich nich sprechen deutsh “, dmth “Unë nuk di gjermanisht.”,”megjithëse pyetjen e kisha bërë gjermanisht.

Çdo ditë bëj nga 7-8 mijë hapa udhëtim në këmbë, zakonisht në disa rajone të Hamburgut ku nuk qarkullojnë  automjete. Jam me fat se shtëpitë e të dy djemve (megjithëse larg njëri-tjetrit) kanë pranë parqe, masive me pyje ku mund të shetitësh lirisht. Aty ka shumë lëvizje njerëzizh. Fëmijë të shoqëruar me të rritur që frekuentojnë parqe lodrash, burra të moshuar, gra, por këtu do bëjmë dhe një saktësim. Shumica e grave kanë me vete një ose dy qen. Kjo është bërë si të thuash një modë për tërë moshat e femrave. Për një rast të tillë do të zgjatem pak në shkrim.

Afër shtëpisë tonë, sa herë dilja në shetitje, shikoja ose do të këmbehesha dhe me një mesogrua e cila dilte gjithnjë e shoqëruar me qenin e saj. Një ditë mëngjesi ishte me një shi të imët që binte pak dhe me intervale pushimi. Sapo pushoi shiu, dal në shetitjen e zakonëshme. Nga larg shikoj gjermanen (Barbara quhet, profesore e demografisë, tani pensioniste) me qenin e saj përpara. Qeni në gojë mbante një çadër shiu me bisht druri gati 1 metro e gjatë. E shikoj me vemendje kur po këmbeheshim në shetitore, dhe po qeshja. Dhe Barbara po qeshte.”Guten hunde”(Qen i mirë)- I them.”Ja. ja! Guten hunde” u përgjigj duke qeshur. Ndali se si duket duhet të fliste diçka dhe unë gjeta mundësinë ta pyes: Hunde hajse?”dmth (Si quhet qeni?)-Përsëri qeshi se duhet  të kisha shqipëruar diçka gabim, dhe tha: Lara, Lara. Mësova dhe emrin e qenit enigmatik. Pas disa ditësh përsëri Barbara dhe Lara po vinin drejt meje. Në gojën e Larës dallova diçka të zezë, gati sa një jastëk tek. Kur u afruan rreth dy tre meto vura re se qeni kishte në gojë rripin e çantës së zonjës e goxha çantë varej sa nuk prekte përdhe. Edhe kur ndaluan të takoj Barbarën qeni nuk e uli kokën. Ruante që çanta mos bëhej pis duke prekur tokën. Në një rast tjetër Barbara shtynte një si karrocë dore mbuluar me një plasmas ngjyrë jeshile. Karrocën e shtynte me një dorë, ndërsa me dorën tjetër mbante kapistrën  e qenit Lara. Gjeta rastin të përgëzoj qenin duke përplasur lehtë dorën në gjurin tim dhe me gojë po bëja “ncuk,ncuk,ncuk”,qeni m’u afrua dhe filloi të më përgëzohej. Për të zonjën kjo ishte një befasi e këndëshme. “Në vendin tim kam qënë gjahtar (iager) dhe unë kam mbajtur një qen nga kjo rracë që kini ju.” Pse çfarë rrace mendon se është Lara?-pyeti ajo. Lara është rracë “Seter” më e preferuara se ka qen shumë të mirë. -Çfarë ngjyre ka pasur qeni juaj? –erdhi pyetja tjetër.”Të bardhë në të hirtë, me pak pulla të zeza nëpër trup.” Po të kisha unë sot Larën kaq intelegjente, do e vija të tërhiqte karrocën.” -Nuk e kam mësuar”theksoi. “Duhet luajtur shkop. Shkopi, shkopi.Shtërngimi çon në bindje”me vështirësi shpreha gjermanisht. Të gjithë bisedat mund ti shkruaja gjermanisht, po sqaroj një gjë. Nga nevojat e mia unë jam në çapitjet e para të gjuhës gjermane dhe nuk do ishte e ndershme të paraqitesha sikur e dija gjuhën mirë. Profesorja qeshi me zë të lartë. Perëndoi  pak sytë sikur do të kujtonte diçka dhe tha: Shkopi, shkopi. Jo  po molotovi, zjarri, si e bëri Saliu me institucionet  të hënën atje në vendin tuaj.” Më fal Barbara. Unë nuk e di mirë gjermanishten dhe mund të bëj pa dashje, gabime. “Unë të kuptoj kur e flet dhe gabim. Kam lexuar diçka dhe per shprehjet frazeologjike shqiptare, veçanrisht ato që lidhen me kuajt dhe qentë. Janë të bukura.”Nuk mësohen kuajt revan në pleqëri”, ishte njëra. –Po.E ke thënë në kohë dhe me personin e duhur që për rastin jam unë.” – them duke qeshur.”Po ti ke lexuar ndonjë thënie gjermanisht?-ngacmoi ajo. Kam lexuar disa nga, Johan Volfgang Gëte si: “Ëollt ihr unser Vaterland kennen und lieben lernen, reist in fremde Länder!”

“Shkoni  në vendet e huaja dhe do të arrini të njihni gjërat e mira që i ke në atdhe.” Kjo thënie e artë është aktuale për vendin tonë dhe sot:

po më pëlqen shumë dhe thënia tjetër gjermane ; “Leben, und leben lassen (“Jeto vetë, lerë dhe të tjerët” gjermanisht.). Si duket nuk e priste këtë përgjigje. Më vonë, kur bëmë një bisedë më gjatë shprehu mendimin se “Shqipëria e ka nisur vonë emigracionin në Gjermani e Europë. Kosova, Maqedonia, Mali i Zi që e nisën shumë herët emigracionin tani kanë këtu gjeneratën e katërt e të pestë, kurse ju kini gjeneratën e parë dhe të dytë. Por përshtatjen ju do e bëni shumë shpejt. Shqiptarët i përvetësojnë shumë lehtë gjuhët e vendeve ku kanë emigruar”. Historitë me qen, kësaj rradhe na bënë me miq.

Shyqyri Fejzo

Hamburg, Tetor 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok