04/04/2026

Nuk ka tejkalim të krizës pa një alternativë të re politike!

0
Florim-Zeqa1

Shkruan: Florim Zeqa

Krizat e njëpasnjëshme artificiale në Kuvend po e mbajnë peng të ardhmen e shtetit dhe po e dëmtojnë mirëqenjen e qytetarëve. Mungesa e vullnetit politik për tejkalimin e krizave po e çon vendin drejt situatave gjithnjë e më të paqarta politike. Me këtë klasë të papërgjegjshme politike, e cila i shërben interesave të ngushta partiake, Kosova po shkon drejt zhbërjes fizike si shtet i pavarur dhe sovran!

Takime sa për ‘sy e faqe’

Paralajmërimi i takimeve të kryeministrit Albin Kurti me krerët e partive parlamentare, në përpjekje për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit bëhet vetëm sa për ‘sy e faqe’. Ngase, nuk do të ketë kurrfarë marrëveshje apo dakordim mes pozitës dhe opozitës lidhur me këtë çështje kruciale për të ardhmen e vendit!

Pasi tek të dyja palët mungon vullneti i mirë politik. Të dyja blloqet politike mbajnë qëndrime të kundërta politike: pozita mbajtjen e pushtetit, opozita dërgimin e vendit në zgjedhje!

Duket qartë, se nuk do të ketë as ndërhyrje nga faktori ndërkombëtar, pasi edhe ata e presin që Kosova të shkojë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, me qëllim të dobësimit të pozitës së Albin Kurtit në qeverisjen e vendit, për t’a akuzuar më pas për mungesë serioziteti dhe përgjegjësie politike për tejkalimin e krizës institucionale si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit.

Jo zgjedhjeve pa zgjidhje

Shkuarja e sërishme në zgjedhje të jashtëzakonshme me këtë konstalacion të forcave politike, jo vetëm që nuk do të prodhoj ndryshim rrënjësor, përseri nuk do të kemi zgjidhje, por vetëm përseritje të krizave të reja dhe të pambarim!

Këto situata do të ndikojnë në thellimin e krizave dhe rritjen e mosbesimit ndërkombëtar ndaj shtetit tonë.

Ekziston rreziku real se Kosova mund të përballet me përkeqësim të raporteve me ndërkombëtarët, gjë e cila do të ndikojë në sigurinë e vendit tonë, si pasojë e pasigurisë globale!

Mungesa e një alternative të re politike, po ndikon në rënjen e interesimit të qytetarëve për dalje në zgjedhje.

Zgjedhjet që nuk prodhojnë zgjidhje, prodhojnë kriza të vazhdueshme dhe pasiguri në jetën e qytetarëve!

Zgjidhja e vetme qëndron në ngjizjen e një alternative të re politike, e cila do ta prodhonte një klasë të re politike, të pastër dhe të pa djallëzuar nga ndikimet e faktorëve të jashtëm, e përbërë nga një elitë intelektualësh të rinj të papërfshirë deri më tani në radhët e partive ekzistuese, me dashuri për vendin dhe e përkushtuar ndaj interesit të qytetarëve dhe të ardhmes së shtetit të Kosovës.

Meqë kriza aktuale është pasojë direkte e moszgjedhjes së Presidentit, ende na mbanë shpresa e gjetjes së një formule politike për zgjedhjen e një presidenti konsensual, të një figure unifikuese me bagazh të lartë intelektual dhe kredibilitet qytetar, që nuk ka qenë dhe as që është pjesë e asnjë subjekti politik.

P.S: Shqiptarët e Kosovës duhet të bashkohen rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), kësaj force politike në ngjizje e sipër, njëjtë sikurse në vitet e ’90-ta, për t’i hedhur në koshin e mbeturinave të gjitha partitë aktuale që e katandisen Republikën e Kosovës deri në këtë deregje, duke e vënë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok