30/12/2024

“NOSTALGJIA” E  AUTORIT MARIO CALIVA PROMOVHET  NË VJENË

0
u6_Cavila-dhe-Marigona-Komani

Nga Hazir MEHMETI, Vjenë

Vjenë, 29 gusht 2021. Vjenën e njohur në historinë shqiptare si vatër ku studiuan, figura të njohura të kombit, u prezantua shkrimtari arbëresh Mario Caliva me veprën e tij të fundit monodramë e titulluar “NOSTALGJIA”.  Një promovim që përputhët me 533 vjetorin e themelimit të qytezës Hora e Arbërshëvet  nga Piana degli Albanasi nga banorët e shpërngulur në ishull pasi perandoria osmane sulmoi trojet shqiptare.  Ambienti i Europahaus-it të njohur tani e më shumë në shërbim të aktiviteteve kulturore shqiptare falë kujdesit të aktivistit të vyer Arbër Marku.

Organizimi i promovimit u ndihmua nga Ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Austri,  Europhaus, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mosisu” në Austri, Piana degli Albanesi- Hora e Arbërshëvet dhe Kultura e Jonë KA.

Në fillim Lirjeta Avdiu Vejsa, kryetare e KA,  prezantoi autorin Mario Caliva duke dhënë pjesë nga biografia e tij e pasur e cila pastaj e drejtoi bisedën me autorin. Në fjalën e tij   Mario Caliva foli mbi jetën e arbëreshëve, traditave, gjuhës dhe krijimtarisë artistike e letrare. Në vazhdim ai zbërtheu përmbajtjen e dramës NOSTALGJIA duke lexuar pjesë nga libri dhe krijimtaria e tij poetike. Leximet e autorit u shoqëruan me lojën instrumentale në violonçel nga Marigona Komani.

Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” në Austri përshëndeti Violeta Allmuça, shkrimtare.

Pjesë nga vështrimi rreth monodramës NOSTALGJIA të autorit Mario Cavia shkruar nga Hazir Mehmeti.

Derisa para publikut vjen si monodramë, NOSTALGJIA, në realitet ngërthen në vete dramën e kombit tonë, respektivisht pjesës së tij i cili kërkoi fatet përtej Adriatikut.  Tani kjo dramë vjen si nostalgji gjeneratave duke kaluar nivelin e kujtimit deri në përmasat e mitit.   Rrjedha e ngjarjes ka rrënjët që nga toka e bekuar me kryetrimin Gjergj Kastrioti- Skënderbeu të cilit Papë Callisto i dha ati pseudonimin Atlet i Krishtit me gjithë lavdinë dhe tragjiken e bashkëkombëseve të tij si brumi i realitetit dramatik i shoqëruar me qëndresë dhe vuajtje e krenari deri në ditët e sotme.  Fjalët kanë fuqinë të zbulojnë të gjitha sekretet dhe të tregojnë të gjithë historinë e ekzistencës, shprehet autori. Këto u shkruan në shumë libra nga vetë ata që e përjetuan nga fillim kur takuan tokën e Kalabrisë e Sicilisë dhe formuan Horën e Arbëreshëve. Kësaj rruge të kujtimeve në kohën tonë vjen edhe autori Mario Caliva.

Arbëreshet me gjysmë zemre të larguar nga mëmëdheu i tyre iu nënshtruar skenarit të drejtimit të jetës duke kujtuar me nostalgji deri në mit tokën e tyre, zakonet, traditën dhe bekimin e Krishtit në dramën ekzistenciale. Të pa lodhur në kujtimet e tyre, në tokën e zgjedhur nga Mbrojtësja Hyjnore në një distanca tokësore, Hora e Arbëreshëve kujtoj rrënjët me nostalgji mbi gjashtë shekuj përmes shpirtit poetik e artistik: “Ah sa e bukur ishte toka jonë! E lash e dhe më s’e pashë!”  Melodia e këngës flet fuqishëm në çdo kohë, në çdo zemër shqiptare kudo në glob, edhe pse shpesh përcjell me lot malli, dashurie shoqëruar me tragjiken e mërgimit biblik.

Guri i parë i Arbërisë u skalit madhështor fillimisht në Truallin e Ri duke flakëruar Diellorin Pellazgë shekujve në muret e Virgjëreshës Odigitria, në “ E mësueme e Krishterë” si teksti i parë tek Arbëreshet pas Mesharit. Apo, Giorgio Guzzetta i cili mbolli vazhdimisht identitetin arbëresh.

Pa dyshim figura madhor kombëtare e periudhës së Rilindësve të Mëdhenj është Jeronim De Rada me shkrimet e tij që mbetën lapidar në kujtesën kombëtare.  Dhe sot, pa dyshim, njëri nga ata që trason rrugën e shenjtë të kujtesës dhe ruajtjes së gjuhës arbëreshe është autori i NOSTALGJIA, Mario Caliva. Ai e ka kuptuar rrezikun që kërcënon arbërishten në kohën e uniformimit global. Ky uniformizëm rri si Shpatë Demokleu për të gjithë të mërguarit shqiptarë të cilët e anashkalojnë gjuhën e nënës duke iu folur fëmijëve në gjuhë të huaj.

Monodramës NOSTALGJIA i dëshiroj sukses në jetën dhe porosinë e saj gjatë rrugëtimit  në qendra tjera evropiane. Vjena ishte dhe do mbetët qendër e kontakteve dhe njohjeve me vepra e veprimtarë falë aktivistëve të pa lodhur.  Urime autorit, vëllait tonë, Mario Caliva!

Në fund autorit iu ndanë mirënjohje nga organizatorët e promovimit.

Jetë përshkrim

Mario Calivà është një poet dhe dramaturg arbëresh. U diplomua në “Dramaturgji dhe Skenar” në Akademinë Kombëtare të Artit Dramatik “Silvio d’Amico” në Romë. Përveç titullit Doktor Ekonomisë dhe Financave, mori dhe një diplomë universitare në Disiplinën e Shfaqes me një tezë mbi Teatrin Arbëresh si vektor i komunikimit të identitetit. Calivà ka punuar në redaksinë Rai Cultura të Romës dhe si praktikant në Teatro Massimo në Palermo.

Që nga viti 2012 ai ka vënë në skenë shfaqet e tij në gjuhën arbëreshe. Ka botuar disa koleksione poezish: Percezioni (Perceptimet), La luce dei punti lontani (Drita e pikave të largëta), Oltre l’oblio della voce (Përtej harresës së zërit). Në vitin 2017 botoi librin “Portella della ginestra 1 maj 1947, Në dhjetor 2020 monologu “Ara” shfaqet në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë. Në vitin 2020, shtëpia botuese Besa shtyp “Le Leggi razziali e l’ottobre del 1943” (Ligjet racore dhe tetori 1943) që tregon për hebrenjtë e Rromës, dhe historia monolog në gjuhë arbëreshe “Nostalgjia” e prezantuar në Berlin, Paris dhe Gjenevë. Në shkurt 2021 shtëpia botuese Besa shtyp “Poezi Arbëreshe”. Në janar 2021 në Prishtinë (Kosovë) për shtëpinë botuese OM është shtypur “Dety me Ngyren Portokall” një dramë në akt i vetëm. Së fundi me sukses u promovua në Vjenë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok