24/12/2024

Normandi, Francë, 1944, Dubravë, Kosovë, 1999

0
Xhemshir-Islami

Nga Prof. Blerim Latifi

Shkrimtari i famshëm francez Zhan Pol Sartri shkruan se “fashizmi nuk përcaktohet nga numri i viktimave që shkakton, por nga mënyra se si i vret ato”. Kur në qershor të vitit 1944, trupat aleate bënë zbarkimin e madh në Normandi të Francës, nazistët urdhëruan njësitë e SS-ve që t’i pushkatojnë të burgosurit nëpër burgjet e zonës, ku kishte ndodhur zbarkimi i aleatëve anglo-amerikanë. Në mesin e këtyre pushkatimeve, më e njohura është Masakra në Abacinë Ardenne, në të cilën u masakruan dhjetëra të burgosur. Qindra të burgosur të tjerë u ekzekutuan në dhe rreth qytetit të Caen-it, i cili ndodhet afër Normandisë.

Nëse ka një ngjarje analoge me këto masakra, ajo është Masakra në Burgun e Dubravës në majin e vitit 1999, masakër në të cilën njësitë ushtarake serbe vranë mbi 160 të burgosur shqiptarë, e qindra të tjerë mbetën të plagosur, pikërisht në ditët kur intervenimi i NATO-s kundër Serbisë ishte në kulminacionin e tij.

Por, derisa metoda e krimit është e njëjtë, motivi fashist i masakrave poashtu i njëjtë, trajtimi i tyre nga drejtësia ka qenë i ndryshëm. Për masakrën naziste të qershorit 1944 në Abacinë Ardenne është bërë gjyqi i disa prej autorëve të saj. Ndërkaq, për masakrën serbe të majit 1999 në Burgun e Dubravës, askush deri me tani nuk është gjykuar e lëre më dënuar.

Fashizmi serb është fashizmi i vetëm në Europë që vazhdon të mbetet i padënuar. Dhe ne e dimë, qysh nga kohërat e tragjedive antike greke, se krimet e padënuara ndjellin gjithmonë krime të reja.

________

Në Koshare luftohej për jetë a vdekje; ditën dhe natën. Në natën e 21 majit ne humbëm njërin nga luftëtarët më trima të Kosharës, Xhemshir Islamin, nga Mikushnica e Skënderajt. E pata takuar në Tropojë dhe duke qenë se vinim nga dy fshatra të lidhura ngushtë me njëra tjetrën, u bëmë menjëherë shumë të afërt. Jetonte me ëndrrën për ta prekur edhe njëherë tokën e vendlindjes së tij, të cilën kishte aq kohë pa e parë, por historia kishte ruajtur një fat tjetër për të, atë të dëshmorit të lirisë. Me kalimin e kohëve fuqia e harresës zhdukë gjithçka. Vetëm ata që vdesin për liri mbesin të paprekshëm prej saj.Përgjithmonë.

________

Amerikanët ka javë që po bëjnë stërvitje ushtarake në Shqipëri, rusët, ndërkaq, sot paskan filluar një stërvitje të tyre në Serbi. Trupat e Ushtrisë së Kosovës janë duke marrë pjesë në mision ushtarak në Kuvajt përkrah ushtrisë amerikane, ndërsa mercenarët serbë përkrah forcave proruse në Ukrainë. Amerikanët po mbështesin Izraelin, ndërsa Rusia dhe Irani Hamasin. Një qartësi e plotë gjeopolitike dhe gjeostrategjike, e cila po errësohet herë pas here nga budallakitë tona të përditshme politike.

________

Volteri në shtratin e vdekjes. Një klerik i lartë i Parisit i shkon një ditë për t’ia mundësuar rrëfimin para se të vdiste.-Kush të ka dërguar?- e pyeti Volteri.- Zoti, ia ktheu kleriku. – Më trego autorizimin e tij, i tha Volteri. Kleriku i mbetur pa fjalë, u ngrit dhe iku. Ndihmësi i Volterit e dëgjoi Volterin tek fliste me veten: Tërë jetën kam pasur punë me njerëz të tillë që flasin në emër të Zotit pa marrë lejen e tij.

________

Ky avokati francez i Berishës paska gradë shkencore në filozofi. Kështu janë filozofët, kur t’u teket bëhen juristë, avokatë, psikologë, sociologë, teologë, kritik arti, e të tjera. Kështu ka qenë që nga koha e Sokratit, i cili tallej me budallakitë juridike të Athinës dhe Ciceroni, që me filozofinë greke i bënte telash të gjithë në Senatin e Romës. Veç politikanë disi nuk u shkon për dore. Edhe këtij avokatit të Berishës i paska ecur keq puna në politikë.Krejt fajet i ka Platoni.😜

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok