28/02/2025

Njohje të reja, shkëmbim përovoje dhe forcim miqësie

0
Hysuka-Gazetaret-Kosove1

Nga Hamdi Hysuka

Në muajin shkurt 2025 Shkupi, Presheva dhe Peja mirëpritën Unionin e Gazetarëve Shqiptarë në edicionin e 14-të të “Ditëve të Miqësisë”. Organizatorë ishin kryetari i UGSH-së z. Aleksandër Çipa, Shoqata Kulturore “Ress Egnatia” me President z. Xhim Vila, kryetari i Unionit të Gazetarëve të Qarkut Elbasan, z. Besim Dybeli dhe gazetari nga Presheva, z. Nexhat Behluli. Data 21 ishte ditë e bukur, me mëngjes të ndritshëm, e cila para Korpusit Universitarë, në Sheshin “Nënë Tereza”, bashkoi gazetarë profesionistë, përfaqësues të mediave audio-vizive dhe online: Anila Hoxha, Anisa Ymeri, Arben Çarçiu, Artinda Gjiriti, Bardhi Quku, Bardhok Prendi, Bashkim Shala , Belinda Ruçaj, Besmira Palushi, Blendi Gremi, Elena Marku, Elida Laze, Endrit Shehu, Entela Abazi, Ermerslda Selita, Fatmir Popja, Florenc Pisha, Frrok Çupi, Gaspër Marku, Gentian Ziu, Gëzim Kabashi, Gjergj Figuri, Imer Hysa, Irda Bajraktari, Klevis Sinanaj, Kozeta Bryçi, Lindita Kokaj, Lulëzim Brahja, Mentor Kikia, Mimoza Sinanaj, Najada Fani, Petrit Hodaj, Pjetër Gjini, Saimir Mërtiri, Silva Ukimeri, Shkurte Elezaj, Vladimir Muça, Xhubleta Zekthi etj. Udhëtimi nga Tirana nëpër autostradën “Rruga e Kombit” na dha emocione dhe gëzim të veçantë. Pasi kaluam pikën kufitare të Morinës, vazhduam drejt Hanit të Elezit dhe arritëm në Shkup. Në mendje më erdhën vargjet e këngës:

Që një shekull more mbi kët’ dhè,

ka ra dielli e s’na ka nxeh,

100 vjet more drejt njani-tjetrit,

gjer sa e thym perden e hekrit.

Malli i nanës për bijt’ e vet,

i çau malet morè cep më cep,

i çau malet morè amaneti,

i bashkoi shqiptart’ nër vèti.

Shqiptarì oh tungjatjeta,

përgjithmonë ka ndryshu jeta,

e kem’ prit kët’ ditë patjetër,

jemi kombi ma i vjetër.

Shpresat kurrë s’i patëm humb,

për kët’ ditë brezat andrrùnë,

u ba andrra oh realitet,

kombin tonë Evropa e pret…

Për monumente historike Shkupi zë vendin e parë në Ballkan. Në të dy anët e Urës së Vardarit lartësohen në bronz kolosët e historisë. Sidomos Aleksandri i Madh, me origjinë ilire, por dhe i ati, Filipi i Dytë, sikur janë në “qiell”. Në këtë reliev monumental ze vend dhe Skënderbeu ynë, i gjatë shtatë metra, shtatorja më e lartë në Maqedoni, vepër e skulptorit Thoma Thomai, përuruar më 28 nëntor 2006. Te “Skënderbeu” mbi kalë është basorelivi me motive shqiptare të qëndresës historike, ku dallohet Besëlidhja e Lezhës 1444, shpallja e Pavarësisë më 1912 etj. Bashkë me aparatet fotografike na tërhoqi qendra e Shkupit, aty ku ndodhen Shtëpia Përkujtimore “Nënë Tereza”, kushtuar humanitares, fitueses së Çmimit Nobel për Paqe në vitin 1979; xhamia e Mustafa Pashës, Statuja e Luftëtarit mbi një kalë gjatë natës, Luftëtari mbi një kalë gjatë ditës, Statuja e Dame Gruevit, Statuja e Goce Dellçevit, Monumenti i Varkëtarëve të Selanikut, Statuja e Justiniani I, Statuja e Samuilit, Statuja e Metodija Andonov Čento, Statuja e Dimitrija Čupovski etj.

Të parët mirëseardhjen na e uruan Izet Mexhiti, zv. kryeministër i Maqedonisë së Veriut dhe ambasadori shqiptar atje, Denion Meidani. Shpirtërisht zv. kryeministri falënderoi organizatorët, “Unionin e Gazetarëve Shqiptarë” dhe gazetarët pjesëmarrës për mundësinë e diskutimit të përbashkët të temës “Institucionet shtetërore përballen me sfidat e dizinformimit”, duke bërë analizë të hollësishme rreth këtij fenomeni, të përhapur së fundmi. Gazetarët e pranishëm tërhoqën vëmendjen në vërtetësinë dhe saktësinë e lajmit. Gjatë bisedës së lirë z. Mexhiti theksoi përpjekjet e gazetarëve për të përballuar lajmet e rremë dhe manipulimin e informacionit. Këtë sfidë ai e quajti detyrë kryesore, sepse kërkon bashkëpunim të ngushtë mes gazetarëve, institucioneve dhe qytetarëve.

-Përpjekja jonë për të luftuar dezinformimin, -theksoi zv. kryeministri, -duhet të jetë permanente. Në të njëjtën kohë, ajo duhet ndërtuar me shumë kujdes që të mos kthehet nga rregullimi në kontroll, nga liria në censurë! Për ta bërë këtë, së pari na nevojitet forcimi i gazetarisë profesionale dhe lirisë mediatike, në mënyrë që informacioni të jetë i verifikuar dhe i besueshëm.

Siç u shpreh z. Mexhiti, kërkohet që në vazhdimësi të edukojmë mediatikisht qytetarët. Nisma “Ditët e Miqësisë së Gazetarisë”, bashkëpunimi rajonal dhe bashkëpunimi më i madh mes institucioneve dhe mediave, janë të një rëndësie esenciale. Detyra jonë si klasë politike është të gjejmë zgjidhje të pranueshme.

*     *     *

Dita e dytë e veprimtarisë “Ditët e Miqësisë së Gazetarëve” ishte Presheva dhe Bujanoci, rajon gjeopolitik i Kosovës Lindore, pjesë përbërëse e hapësirës etnike shqiptare. Si rezultat i zhvillimeve historike të Ballkanit, ata mbetën nën sovranitetin e shtetit serb, edhe pse në planin etnokulturor janë të pashkëputura dhe kombit i kanë dhënë vlera historike, shoqërore, arsimore e kulturore.

Këtu “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë” u prit nga kryetarja e Komunës, znj. Ardita Sinani. Siç theksoi ajo, prania e gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare, të udhëhequr nga miku Aleksandër Çipa dhe gazetari me përvojë, Besim Dybeli, është dëshmi e rëndësisë së zërit të lirë për të ndriçuar realitetin dhe pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Gjatë fjalimit kryetarja u shpreh se gazetarët janë ata që kanë ngritur zërin për padrejtësitë apo pabarazitë që iu bëhen shqiptarëve nga politika serbe. Me këtë rast ju bëri thirrje gazetarëve të Shqipërisë që të angazhohen maksimalisht për të mos lënë në heshtje çështjet dhe problematikat me të cilat përballen shqiptarët, pasi ende shqiptarët e Luginës nuk kanë të drejtë të jenë pjesë e institucioneve shtetërore, si: drejtësia, ekonomia, siguria, policia etj. Ndërkohë kryetarja e Preshevës vuri theksin te forcimi i bashkëpunimit mes gazetarëve të Shqipërisë e të Kosovës, ku në raportimin e tyre të përditshëm, Presheva të zërë një vend të rëndësishëm.

Diskutimi vazhdoi rreth sfidave me të cilat përballen banorët, siç janë: diskriminimi sistematik, pasivizimi i adresave, mungesa e zhvillimit ekonomik, mundësitë që po krijohen për një të ardhme më të mirë etj.

Nga Unioni i Gazetarëve. Mentor Kikia, analist i njohur, theksoi që mbi politikën tonë të rritet presioni, sepse banorët e Luginës kanë nevojë për paketën e ndihmës së nevojshme financiare dhe ndihmën politike për ta ndërkombëtarizuar problemin e këtushëm, për të mbështetur përpjekjet e mbijetesës në lidhje me gjuhën, kulturën, identitetin etj. Nga të tjerë gazetarë u theksua se është përgjegjësi e madhe e qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë që nuk bëjnë aq sa duhet për të ushtruar presion te qeveria e Serbisë, që të paktën vemendja të jetë shumë më e madhe sot dhe në të ardhmen ndaj Luginës së Preshevës. Ndërkohë kërkuan që Serbia të respektojë të drejtat e shqiptarëve këtu po aq sa kërkon të respektohen dhe në Kosovë.

Në vazhdim kryetarja Sinani theksoi se Presheva është dhe do të mbetet pjesë e pandashme e kombit shqiptar. Ajo falënderoi angazhimin e gazetarëve të Unionit për pasqyrimin e realitetit si dhe mbështetjen e Ambasadorit të Republikës së Shqipërisë në Beograd, z. Bardhyl Canaj, për shqiptarët e Luginës.

Ambasadori Canaj, pasi vlerësoi praninë e gazetarëve nga të gjitha trojet shqiptare në Preshevë, theksoi se qeveria shqiptare po kontribuon më shumë për zgjidhjen e problemeve të minoritetit shqiptar në Serbi. Ajo ka ngritur axhendë të qartë për adresimin e shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës, vazhdon dhënien e bursave dhe akomodimin falas të dhjetra studentëve nga të tri komunat e Luginës.

-Ky numër, -vijoi ambasadori, -do të vijë duke u rritur në të gjitha Universitetet e Shqipërisë.

*     *     *

Sipas programit, Unioni i Gazetarëve vijoi aktivitetin në Bujanoc, ku u pritëm nga kryetari i Komunës me shumicë shqiptare, z. Arbër Pajaziti dhe zevendësi i tij, Levent Qazimi, biri i dëshmorit Ridvan Qazimi (Komandant Lleshi), shoqëruar nga ambasadori ynë. Gjatë takimit me gazetarët e pranishëm kryetar Pajaziti deklaroi se gjithë Shqipëria është në Bujanoc. Pas kënaqësisë dhe nderit që ishte mikpritës i gazetarëve nga e gjithë Shqipëria, të udhëhequr nga kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, z. Aleksandër Çipa, u shpreh:

-Më gëzon fakti për interesimin e jashtëzakonshëm të gazetarëve shqiptarë, të cilët bëjnë prezantimin e Bujanocit në mediat më prestigjioze të botës shqiptare. Ndërsa në tryezën “Turizmi dhe Media” diskutuam së bashku për potencialet dhe resurset turistike të komunës, hapësirën mediatike te mediat shqiptare dhe kontributin e gazetarëve në shtjellimin e temave nga kjo anë.

Më pas vizituam Muzeun e luftës së Bujanocit dhe muzeun e komandant Lleshit, (Ridvan Qazimit), njëri nga më të shquarit e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB). Gjatë luftës në Luginën e Preshevës ai ishte njëri nga 4 komandantët e UÇPMB-së, udhëheqës i Brigadës 112 dhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Më 24 maj 2001, gjatë një përleshjeje zjarri me forcat serbe, ra dëshmorë në fshatin Tërnoci i Madh. Në vazhdim, z. Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar, priti kryetarin e UGSH-së z. Aleksandër Çipa, mik i Luginës, si dhe delegacionin e gazetarëve nga Shqipëria. Bashkëbisedimi ynë me kryetarin Rexhepi u përqëndrua në sfidat dhe perspektivat e informimit për çështjet e shqiptarëve të Luginës, si dhe forcimin e bashkëpunimit mes mediave shqiptare në rajon. Gazetarët e Unionit u angazhuan se do të bëjnë gjithçka për të pasqyruar në media realitetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, pjesë e rëndësishme e kombit shqiptar. Në këtë periudhë, kur jeta e dhjetra mijëra shqiptarëve në trojet e tyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë është mjaft e vështirë, ndikimi i gazetarëve dhe i medias së Shqipërisë, në mbështetje të zgjidhjes së çështjeve që shqetësojnë minoritetin shqiptar në Serbi, merr rëndësi të madhe. Solidariteti dhe mbështetja mes gazetarëve janë jetike për të siguruar që informacionet të vijnë të besueshme e të paanshme nga zonat ku jetojnë minoretet shqiptare. Ky solidaritet forcon rolin e gazetarisë dhe ndihmon në ruajtjen e lirisë së fjalës e të drejtës për informacion kudo ku jetojnë shqiptarët.

*     *     *

Ndalesa e fundit e edicionit të 14-të të “Ditëve të Miqësisë” ishte Peja, qyteti me histori, trashëgimi të pasur kulturore dhe bukuri të rralla natyre. Si fillim, përmes monumenteve të vendosura në mjedise të bukura e të dukshme, na ofroi figura të njohura historike dhe personalitete të shquar për qytetarët dhe vizitorët e shumtë në çdo stinë të vitit, mes të cilëve Haxhi Zeka, akademik Ali Hadri, Shkëlzen Haradinaj, Enver Hadri, Hero i Kombit; Adrian Krasniqi, Ahmet Gjikolli, Muharrem Këlmendi, Shpëtim Bojku, Jusuf  Kelmendi, memoriali me shkrimin ku lexojmë se “Këtu, më 19 tetor 1968 u lexuan kërkesat e demonstratës së parë shqiptare në Pejë, pas luftës së dytë botërore, për flamurin e lirë kombëtar, për Kosovën Republikë dhe për vetëvendosje në viset shqiptare nën pushtimin jugosllav”.

Para portës hyrëse të Patriarkanës Ortodokse, u pritëm nga autoritetet e komunës, ku u njohën me mjedisin dhe historikun kishës. Me vizitat në Muzeun Etnologjik e Arkeologjik dhe në Kullën e Zenel Beut, ndër më të vjetrat e qytetit, mbyllëm edicionin e 14-të të “Ditëve të Miqësisë së Gazetarëve”.

-Përtej modestisë, -u shpreh gazetari Besim Dybeli, me përvojë shumëvjeçare, -jam kryetar i degës së UGSH-së për Qarkun e Elbasanit dhe anëtar i Bordit Drejtues të UGSh-së me qendër në Tiranë. E nisëm këtë aktivitet 14 vjet më parë në Elbasan, duke i vënë emrin kuptimplotë, “Dita e Miqësisë” së Gazetarëve Mbarëshqiptarë. Udhëtuam në shumë qytete të Shqipërisë, për të vijuar në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Mali i Zi, Serbi (Lugina e Preshevës), Itali e gjetkë. Këtë vit edicioni i 14-të në Shkup, Preshevë, Bujanoc e Pejë u realizua me shumë sukses. Objektiv kryesorë patëm njohje të reja mes kolegësh, shkëmbim përovoje dhe forcim miqësie. Në vendet ku jemi pritur, obligimet mediatike kanë patur pikësynim publikimin e resurseve njerzore, natyrore, turistike e historike. Nuk kanë munguar forumet diskutuese për shumë tema të aktualitetit ballkanik. Na janë ofruar dhe kolegë të nacionaliteteve të kombësive në vendet ku jemi mirëpritur. Në edicionin e këtij viti, ndër më të suksesshmit, sidomos në Luginën e Preshevës, 100 gazetarë rajonalë përcollën emocione të forta të mikpritësve, informacione e reportazhe në mediat përkatëse. Le të shpresojmë për më mirë në edicionin e ardhshëm. Një falënderim për autoritet vendore, që na krijuan të gjitha mundësitë për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.

Mbetemi fuqimisht të interesuar për të ndihmuar në realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të cilat lidhen me të drejtën për arsimim, përdorimin e simboleve kombëtare, zhvillim ekonomik etj, etj. Shtrëngim duarsh dhe përqafime! Falemnderit “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë”! Faleminderit nga zemra për mikpritjen, vëllezër e motra nga Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës dhe Peja! Mirupafshim Shqipëri etnike!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok