23/12/2024

NJOHJA DHE BASHKËPUNIMI ME DR. BERISHËN

0
u1_Idriz-Zeqiraj

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Prof. Dr. Sali Berishën e njoha në vitet `70-a, kur isha student në Universitetin e Tiranës. Dr. Berisha ishte pedagog në Fakultetin e Mjeksisë dhe Dr. specialist në Spitalin nr. 1. Gazeta jonë “Studenti”, komunikonte shpesh me stafin universitar dhe të bisedosh me Dr. Berishën, ishte privilegj dhe kënaqësi e veçantë. Të paktën, këtë ndjesi e kisha, atëbotë, në cilësinë e redaktorit të gazetës dhe e ruaj edhe sot, pas gjysmë-shekulli, si pensionist.

Valët e jetës më ndanë, dhunshëm, nga Tirana hyjnore. Në fund-vitet `80-a, gjatë një vizite në spital, ke nusja e Jusuf Gërvallës, Zuzana, paciente e Dr. Berishës, kardiolog, e takova atë dhe e urova për studimin shkencor, librin “Miokardi Akut”, i pari i këtij lloji në gjuhën shqipe.

Në nëntor të vitit 1991 e takova Dr. Berishën, në Hotel “Dajti”. Nga Gjermania kisha sjellur një makinë “Kombi”, me ngarkesë pajisje, për zyrën e “Shoqatës të Përsekutuarëve Politikë” të Shqipërisë, me anëtarësi milionshe, me kryetar Dr. Osman Kazazi, bashkëvuajtësin tim, në Burgun e Burrelit. “Kombi” ishte dhuratë e biznismenit ferizajas, Hysen Emini. Në bisedë e sipër, me Dr. Berishën, më tha: “Kombi” Lë të jetë dhuratë Partisë Demoktatike, ndërsa ngarkesën-mall për Shoqatën”,- tha Doktori!

Provova ta bindë, me premtimin se do t´ju sjell një tjetër. “Jo, atë tjetrin sillja Shoqatës!” Dhe, shtoi se “nesër në ora 9.oo, ju pres në zyrën e PD-së, bashkë me deputetin Esat Myftari, ish i burgosur politik. Dhe, u bë siç tha kryetari i PD-së, Dr. Berisha.

“Pa fitoren e demokracisë në Shqipëri, nuk ka liri për Kosovën. Në zgjedhjet e fundit, në Lezhën tënde (aty kisha qenë mësues, në fund-vitet `60-a), komunistët kishin 11 vetura për fushatë, kurse ne, demokratët 7 (shtatë) biçikleta të vjetra! Na ndihmoni, duam vetura dhe gjithçka tjetër, në funksion të fitores së demokracisë”,- tha, në mes tjerash, Dr. Berisha.

Kërkesën e Dr. Berishës, për ndihma Shqipërisë, e bisedova me kryetarin e Degës të LDK-së, në Gjermani, Hafiz Gagica, i cili i aprovoi kërkesat në tërësi, duke u angazhuar seriozisht. Si simbolikë, filimisht, u dërguan një duzinë veturash, natyrisht, të përdorura, por, me preferencë “MERCEDES”, për rrugët, “si të Bangladeshit”, të trashëguara nga monstrumi Enver Hoxha. (Kujtoni polemikën e magj. Kadri Os(MANIT), me djalin e E.Hoxhës, Ilirin: “Kur edha në Shqipëri, i gjeta rrugët e Bangladeshit të babait tënd!”)

Në shkurt të vitit 1992, shoqërova një karvan kamionësh, me ngarkesa shumë-tonësh, me ndihma, në mes tjerash, edhe medikamente, për 8 muaj, për Shqipërinë, me vlerë të përgjithshme, prej 600 mijë markash. Ishte një kontribut i përbashkët i Qeverisë së Kosovës, në ekzil, i Degës të LDK-së, në Gjermani, i disa firmave gjermane, ku punonin edhe mërgimtarët tanë, si dhe kontribues individual.

Ishin kohë të vështira, të rrëmujshme, në Shqipërinë londineze. Tranzicioni i egër, përshkak të rezistencës të gardës komuniste, rrënoi gjthçka. Edhe pse ky rrënim ishte i parathënë, komunistët as nuk sundonin, por, as nuk e lëshonin pushtetin.

Analogji paradoksale ndodhi pas 30 vitësh në Kosovë. Komandatët trutharë e banditër, nuk dorëzojnë pushtetin. Por, as klani i atrofizuar, butakët e LDK-së, nuk lëvizin nga kulltuçet partiake, si patericë e PAN-it!

Jeta e njeriut kushtonte vetëm 33 fenik të markës gjemane, një plumb. Kërkova ndihmën e një reparti ushtarak në Tiranë, për parkimin dhe mbrojtjen e kamionëve me mallë. Dhe, fillimisht, pranuan.

Por, në mbremje, Komandanti i repartit ushtarak, pas konsultimit me eprorët e tij, pasi kanë vënë re lëvizje të dyshimta, më thanë se “nuk mund të rrezikojmë ushtarët, nga sulmi i mundshëm i popullatës, për grabitjen e ndihmave, që, tashmë, është bërë e zakonshme”. Më urdhëruan të tërheq kamionët nga reparti. Me shumë zikzake, në errësirën e natës, kamionët i fsheha, tek e tek, kryesisht, pranë reparteve usharake në periferi të kryeqytetit.

Me kamionin e fundi, në shoqërim të shoferit, asaj nate, u stehova në “Varrezat e Tufinës”, në një kodrinë, ku varrosën të shuarit e kësaj bote, ish-banorë nga ana veriore e Bulevardit. Shoferi më tha: “Me keqardhje, nuk guxoj të qëndroj gjatë natës këtu, sepse dyshoj se mos jemi përcjellur, nga ndojë bandë e qytetit”. Dhe, iku!” I vetmuar, u struka në kabinën e kamionit. Ishte një natë e gjatë, e trishtë!

Të nesërmen takova Dr. Berishën, kërkova ndihmën e tij. Ai më këshilloi “ta ndërpresë menjëherë shprërndarjen e ndihmave, për spitalet dhe qendrat tjera, sepse mund të vritësh, madje në çdo kohë!”. Pas komunikimeve me disa ushtarakë, Garnizoni i “Lundrës”, një hapësirë shumë hektarëshe, në lindje të Tiranës, vuri në dispozicion një pjesë të magazinave ushtarake, për shkarkimin e mallit nga kamionët.

Dr. Berisha më tha se “zgjedhjet qendrore janë më 22 mars (1992), ne do të fitojmë dhe do të caktoj një ekip, për të ndihmuar shpërndarjen e mallit, në nivel të Republikës, ashu siç e keni planifikuar shpërndarjen”.

Përgjatë periudhës, deri në zgjedhje, me listën e artikujve që kisha, komunikova me palët në rrethe, për të qenë gadi në aksionin paszgjedhor.

Partia Demokratike e Shqipërisë korri një fitore plebishitare. Për herë të parë votuan kundër komunizmit edhe vetë komunistët shqiptarë. Njësoj, si LVV, për të cilën votoi masivisht, sidomos, brezi i ri, kjo ndodhi 31 vjet më parë në Shqipëri. Zhgënjimi në PPSH, më 22 mars 1992, ishte identik me zhgënjimin në PAN-in dhe LDK-në, më 14 shkurt 2021!

Më 9 prill 1992, Parlamenti Shqiptar zgjidhte Presidentin e Republikës. Një ftesë, si mysafir, i seancës parlamentare, mora edhe unë. Së bashku me kryetarin e Shoqatës të burgaxhijnëve politikë shqiptarë, Dr. Osman Kazazi, u ngjitëm në lozhën e mysafirëve. Rregullat e demokracisë, të asaj seance parlamentare zgjedhore, tejkalonin shumëfish demokracinë e sotme zgjedhore, të paktën, në dy shtetet shtiptare, Shqipëri dhe Kosovë. Mjerisht, një regres rrënqethës e neveritës!

Prof. Dr. Sali Berisha fitoi bindshëm. Sy të përlotur ishin masiv. Madje, edhe egërsia e komunistëve ishte zbutur dhe duartrokitën ndryshimin. Presidenti i parë demokrat, u pozicionua pranë derës dalëse dhe i pranoi urimet nga deputetët, demokratë e socialistë, si dhe trupin diplomatik dhe mysafirët e pranishëm.

Larg më lartë, se sa PAN-istët, të cilët, nuk përballuan kurorëzimin e Vjosë Osmanit, Presidente të Republikës të Kosovës. Dhe, kokulur e tupërisht, si të përmjerë, lëshuan sallën kuvendore.

Dr. Berisha doli i fundit nga salla, meqë bëri një takim të shkurtër, me Kryesinë e partisë së tij. Jashtë po rigonte lehtas, por, për çadrat e shiut nuk kishte hapësirë. Shumë mijëra qytetarë, kishin mbushur lulishtën, rrugët para Kuvendit dhe të gjitha mjediset përrreth. Makina u bllokua nga masa e njerëzve, nuk lejuan hyrjen e Presidentit në makinë.

Edhe policia u bllokua. Ndërhyri ushtria, por populli reagoi zëshëm: “Presidenti është i popullit, është presidenti ynë, sonte e mbrojmë ne!” Presidenti i dha shenjë, mbrojtjes zyrtare, ta lënë të lirë. I krijuan koxha hapësirë, por, jo të gjithë u bindën.” Dr. Berisha, duke përshëndetur djathtas dhe majtas – dorazi, ngadalë, por i sigurtë, me fizikun e tij të bollshëm, më në fund, “çau rrethimin”. Ndërkohë, makina e Presidentit ishte sjellur rrotull, në një rrugë dytësore të lulishtës dhe Presidenti, shkathtësisht, u fut në veturen e tij.

Më 12 shtator 1998, u ekzekutua tribuni i demokracisë, Azem Hajdari. Ishte gjëmë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët e kudondodhur. Ishte një ekzekutim zyrtar, që kurrë nuk u zbulua dhe as nuk u ndëshkua, edhe pse i gjithë organizimi vrastar, është “një e fshehtë publike” dhe “krimi, në fjalë, ka emër”, përkatësisht, emra, madje, të përveçëm!

Në fund të atij “shtatori të zi”, shkova në Selinë e Partisë Demokratike, qendër. Të parin e takova, mikun tim të “Burgut të Burrelit”, bacë-Pjetër Arbnorin, profesorin, shkrimtarin, disidentin stoik, qendresëtar antikomunist, e, mbi të gjitha, njeriun fisnik, i cili, vuajti, dinjitetshëm, burgun e rëndë, për tri dekada radhazi. Vlen të theksohet, se ishin dy shtyllat e PD-së, Pjetër Arbnori dhe Azem Hajdari, të cilët i mbetën besnikë, liderit historik, Dr. Sali Berishës, deri në shuarjen e tyre fizike.

Me vete kisha ekzemplarët e gazetës “Bota Sot”, të muajit shtator 1998, dhuratë për kryetarin Berisha, e cila, çdoditshëm, “vajtonte” Heroin e Demokracisë, Azem Hajdarin. “Ata që po i vret UÇK-ja, po i vajton LDK-ja”, shkruante LPK e djeshme, alias PAN-i i sotëm, për qindra vrasje të kundërshtarëve politikë në Kosovë, në luftë dhe në paqe!

– Këtë pako me gazeta i kam për Dr. Berishën. Vëllezërit Mazreku, e kanë përjetuar rëndë, ashtu si e gjithë Kosova dhe bota demokratike shqiptare, ekzekutimin zyrtar të tribunit Azem Hajdari. Prandaj, ata, Mazrekët, me gazetën kombëtare, “Bota Sot”, vazhdojnë ta pasqyrojnë jetën, veprimtarinë dhe luftën vetëmohuese për Demokracinë në Shqipëri të Azem Hajdarit me shokë,- thashë unë.

“- Duke falenderuar për ngushëllimet, përkujdesjen dhe përkushtimin përkujtues të Vëllezërve Mazreku, të cilët i njoh dhe i vlerësoj shumë, për punën sa atdhetare, aq edhe të rrezikshme, që ata bëjnë, në këto kohë të mugëta, u pëcillni përshëndetjet e mia dhe të Partisë Demokratike. Mungesën e Azemit e ndjenë PD-ja , Shqipëria, Kosova dhe Shqiptaria mbarë.

Jemi tronditur e mërzitur skajshëm. Megjithatë, duhet ta përballojmë këtë humbje të madhe, sepse këtë e kemi amanet-porosi nga Azemi ynë, ngaqë nga tentim-vrasjet e përsëritura, e priste edhe vrasjen faktike. Por, ai ishte trim unik dhe, sipas tij, vdekja për demokraci ia vlen, aq sa edhe vdekja për liri”, – tha dinjitari Pjetër Arbnori.

Dhe, vërtet, liria pa demokraci, është një përrallë dimri.

Në dashjen time për largim, baca Pjetër, më tha se duhet ta takosh Dr. Berishën, sepse mund të më qortojë, pse je larguar, pa e takuar atë. Sakaq, doli nga zyra dhe u kthye sërishmi. “Është i lirë, po ju pret kryetari”,- dhe me priu baca Pjetër në takim me Dr. Berishën. Pritjet e Dr. Sali Berishës, kanë veçantinë e tyre, sepse ruajnë sensin malësor, me ngrohtësi dhe sinqeritet të dlirë.

Pas fjalëve të para, iu “sul” gazetave “Bota Sot”, faqe pas faqeve, fotografi e shkrime për Azem Hajdarin. Njëjtë si Arbnori, edhe Dr. Berisha, një lumë falenderimesh për botuesit Mazrekaj dhe stafin e vyeshëm të redaksisë. Për çudë, redaksisë në Zyrih, një kriminelë nga Ilirida, u dërgonte një bombë, të pakëtuar, si dhuratë-vdektare. Zbulimi, pas shumë viteve, rezultoi se krimineli “filantrop”, ishte anëtar i partisë të Haradinaj, AAK-së.

Por, fotografi të bollshme, dëshmonin edhe miqësinë me kuadrotë e lartë të PDK-së të Hashimit. Koxha larg i kanë gjetur kriminelët, partitë-banda të PAN-it, në rastin konkret, në Maqedoni, për t`i ekzekutuar shqiptarët e pafajshëm, qofshin ata edhe redaktorë, gazetarë.

Në mesin e 12 redaktorëve e gazetarëve, në Redaksinë e “Bota Sot”, në Zyrih, ishte edhe kryeredaktori, Skënder Buçpapaj, nga Tropoja e Sali Berishës, me nusën e tij, redaktore Elida Buçpapaj, vajza e poetit të mirënjohur, mikut të madh dhe gazetarit të përkushtuar për Kosovën, Vehbi Skënderit, nga Gora e Korçës.

Dr. Berisha, përgjatë 10-vjetorit, të bartjes të ndihmave për Shqipërinë, gjithëherë u ishte mirënjohës dhe falenderues mërgimtarëve të Kosovës. Në rast festash kombëtare, shpeshherë, Dr. Berisha, president apo kryeministër, kryetar i PD-së, ndërlidhej në telefon, duke u përcjellur mesazhe të ngrohta, të sinqerta dhe thellësisht vëllazërore, mërgimtarëve, të cilët e durtrokisnin me dashuri dhe respekt të veçantë.

Edhe festimi i fitores, në zgjedhjet qendrore, lokale apo ato presidenciale, ishin shumë njerëzore dhe përjashtohej çfarëdo shprehje mujëshare, fyerje apo provokimi për partinë humbëse. Shkurt, manifestohej një kulturë tipike demokratike.

– V a z h d on –

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok