22/12/2024

NJERIU QË JETOI GJITHË RRATHËT E FERRIT SERB

0
Avdyl-Sejdiu-1900-1999

Avdyl Sejdiu, 1900-1999

Nga Prof. Blerim Latifi

Avdyl Sejdiu u lind në vitin 1900. Në vitin e parë të shekullit të cilin të gjithë e përfytyronin si shekulli që do ta çonte përpara progresin moral të njerëzimit, por që doli të ishte shekulli i kasaphaneve më të mëdha në historinë e tij. Avdyl Sejdiu, nga Fshati Reçak i Kosovës, është njeriu që me jetën e tij simbolizon dimensionin infernal të këtij shekulli. Në këtë pjesë të Europës që quhet Kosovë.

Në moshën 10 vjeçare baba i tha Avdylit të vogël që të mos i nxirrte dhitë në mal, se “luftë e madhe asht ka bahet në Grykë të Caralevës me asqerin e Turkut”. Në netët e ftohta të dimrit, afër zjarrit të votrës, nga lahutari i fshatit do të mësonte për trimat që luftuan e ranë atë ditë në Caralevë.

Në moshën 12 vjeçare Avdyli e pa me sytë e tij tymin e shtëpive të djegura nga ushtria serbe që po marshonte nëpër Kosovë dhe gjamën e burrave e të grave mbi trupat e familjarëve të tyre të masakruar prej kësaj ushtrie. Ai vetë i mbijetoi atij gjenocidi që u mori jetën rreth 25 mijë shqiptarëve.

Në moshën 16 vjeçare, derisa po ruante dhitë në fushën e fshatit të tij, pa tek kalonin ushtarë të tjerë, me uniforma të tjera dhe që flisnin një gjuhë tjetër. U thoshin “Ushtria e Nemcit”.

Për dallim prej atyre që kishin kaluar më parë, këta nuk vrisnin njerëz dhe as nuk digjnin shtëpi. Terrori serb kishte marrë fund, por për Avdylin, familjen e tij dhe gjithë Kosovën, një gjamë tjetër madhe do të pllakoste gjatë “tre viteve t’sundimit t’Nemcit”. Një thatësi e madhe gjatë atyre viteve do t’i shkatërronte të mbjellat dhe uria do të fillonte të bënte kërdi gjithandej. Ai nuk do të harronte kurrë fytyrën e pikëlluar të babës së tij kur kthehej duarbosh në shtëpi, pasi nuk kishte gjetur askund grurë apo misër për familjen. Në atë kohë njerëzit endeshin fushave e maleve për të mbledhur barishte e fryte të pemëve të egra që të mbanin gjallë shpirtin. Edhe Avdyli do të ishte mes tyre.

Në moshën 18 vjeçare e pa me sytë e tij derisa “Ushtria e Nemcit” po largohej dhe Ushtria e Kralit, që e kishte la në gjak gjithë Kosovën gjashtë vite më herët, po kthehej sërish. Dhe sërish ai do të shihte djegiet e shtëpive, vrasjet e bashkëfshatarëve të tij dhe gjamën e burrave e grave mbi trupat e tyre të masakruar.

Tanimë ishte bërë burrë dhe kjo ia mundësonte të dilte jashtë kufijve të fshatit të tij, të njihte njerëz të tjerë dhe të dëgjonte histori të tjera. Në qytezën e Shtimjes do të shihte me sytë e tij siluetën e një burri, të cilit, siç thoshin njerëzia, “i kishte shkuar zani deri në Beligrad”. E quanin Ahmet Syla. Ishte zgjedhur kryetar komune. Njerëzit e donin, ngase sillej mirë me ta. Përpiqej t’u ndihmonte me mjetet që kishte në duar dhe sadopak edhe të zbuste pushtetin e dhunshëm të xhandarëve serbë. Thuhej madje se pikërisht për këtë ishte grindur me vetë kryeministrin serb, Pashiqin, gjatë një takimi në Shkup. Kjo më pas do t’i kushtonte me jetë Ahmet Sylës. Një natë dimri Avdyli do të dëgjonte rapsodin e fshatit duke përjetësuar në kangë emrin e këtij burri, të vrarë në pabesi nga xhandarët serbë.

Vitet në vazhdim Avdyli dhe familja e tij do të kalonin në një rreth tjetër të ferrit serb: të ashtuqujturën “reformë agrare”, përmes të cilës shteti serb ua konfiskonte tokat shqiptarëve, për t’ua dhënë kolonëve të sjellur nga viset tjera të Jugosllavisë.

Në moshën 37 vjeçare do të dëgjonte lajmet se Krajli në Beligrad kishte bërë plane që atë dhe gjithë shqiptarët e Kosovës t’i dëbonte për në Turqi. Ky do të ishte akti final i një tragjedie të filluar 25 vite më parë. Rrethi i fundit i ferrit serb, pas të cilit fillonte epilogu i tretjes përfundimtare etnike në shkretëtirat e Anadollit.

Pas katër vitesh ankthi në pritje të çrrënjosjes me dhunë nga atdheu, një ditë pranvere Avdyli pa diçka të çuditshme ne qiell. Disa zogj të mëdhenj e të hekurt vinin e shkonin nga veriu, duke lëshuar një zhurmë të madhe. Nuk kishte parë kurrë diçka të tillë. Atë ditë në fshat u mor vesh misteri i tyre : “Ballanat e Gjermanit i kishin ra Beligradit”. Sa çel e mshel sytë xhandarët serbë ishin zhdukur dhe bashkë me ta edhe zullumi i tyre 26 vjeçar. Në fshat thoshin se “Nemci ishte kthyer prapë”. Dhe sërish ajo frymëmarrja e lirë e viteve 1915-1918.

Dhe, sikur të ishte shkruar nga fuqitë e epërme, edhe kjo frymëmarrje nuk do të zgjaste më shumë se tre vite. Në vjeshtën e vitit 1944 Avdyli do të shihte rikthimin tjetër të serbëve, veç tash në shajkaçën e tyre nuk shihej kryqi me katër S i kohës së Krajlit, por një yll i kuq me pesë cepa. Sërish dhunë, djegie e vrasje. Në emër të antifashizmit. Kundër një popullate që nuk e dinte fare se çfarë do të thoshte kjo fjalë. Shumë burra të fshatit ishin larguar në drejtim të Drenicës për t’u bashkuar me Kryengritësit e Shaban Polluzhës, të cilët po luftonin kundër “çetnikëve me yll të kuq”. Bashkë me ta edhe vetë Avdyli. Pas shumë betejash, kryengritja u shtyp dhe Avdyli u kthye në shtëpinë e tij të rrënuar nga vitet e skamjes e dhunës politike.

Tre vite më pas ai vetë do të përjetonte dramën e dikurshme të babës së tij, atë të viteve 1916-1918. Kjo ishte drama e urisë, drama e pamundësisë për t’ia siguruar familjes bukën e gojës. Regjimi komunist kishte nisur një fushatë masive të konfiskimit të drithit nga fshatarët. Agjentët dhe policët e regjimit endeshin fshat me fshat duke ua marrë njerëzve edhe miellin në magje. Ndërkohë, lajmëtarë të tjerë kishin filluar të përhapnin fjalë se përzënia e shqiptarëve për në Turqi do të niste prapë. E keqja nuk kishte të sosur për Avdylin dhe popullin të cilit i takone ai. Sa shumë kishte gabuar Dante që kishte numëruar aq pak rrathë të ferrit. Sepse kur “ditët e qesatllakut” dhe ato të dëbimit për në Turqi kishin kaluar, një gjamë tjetër do të binte në Kosovë: Aksioni i mbledhjes së armëve. Mijëra shqiptarë do të torturoheshin mizorisht nga UDB-ja e Rankoviqit gjatë atij aksioni të terrorit shtetëror. Qindra prej tyre do të vdisnin në tortura. Vetë Avdyli do të kalonte nëpër këtë rreth të ri të ferrit serb në Kosovë, por prapë do të mbijetonte.

Pastaj erdhën vitet e zbutjes së përbindëshit, vitet e pas Rankoviqit, por tanimë mbi jetën e Avdylit kishte filluar të rëndonte diçka tjetër : pleqëria.

Dhe kur iluzioni se e kaluara përfundimisht ishte lënë pas, fantazmat e saj papritur filluan të zgjoheshin. Këto ishin fantazmat e Krajlave të Serbisë së Parë e të Dytë, fantazmat e Pashiqëve e të Rankoviqëve. Ato e gjetën rimishërimin e tyre në krajlin e ri serb, Sllobodan Millosheviqin, cili mori përsipër të mbaronte punët që ata nuk ia kishin dalë t’i kryenin, për të vetmin shkak se ishin penguar nga forcat e rastësisë historike. Kështu makineria infernale serbe nisi të bëjë punën e saj sërish.

A do t’i mbijetonte edhe njëherë kësaj makinerie Avdyl Sejdiu, tash në moshën 99 vjeçare?

Kur dëshmitarët, në krye me William Walker-in, u futën në Reçak për t’i parë viktimat e Masakrës së 15 janarit, mes tyre e gjetën edhe trupin e tij. Njeriu që përgjatë një shekulli kishte kaluar nëpër të gjithë rrathët e ferrit serb, nuk ia kishte dale ta kapërcente edhe rrethin e fundit të tij, Rrethin e Gjenocidit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok