NJERËZIMI I DJESHËM E BOSHATIS VENDIN E TË SOTMIT, E PLOTËSON ME NDRYSHIME SASIORE DHE CILËSORE
Nga Fahri Dahri
Lexoj shkrime të shumë autorëve, qofshin me tituj shkencorë, gazetarë, intelektualë, profesionistëve të specialiteteve të ndryshëm, që shkruajnë për ndodhitë e dëgjuara, të jetuara në jetën dhe nga jeta e tyre. Mendoj se çdo shkrues gjatë leximit, por dhe kur shkruan, i krijohet një gjendje mendore ndryshe. Kjo më shpie të gjykoj se në çdo fjalë, rrjesht, lexuesi gjen vetveten, megjithëse tek shkrimet flitet për një vend, kohë dhe njeri tjetër.
Po e lexoja një shkrim të autorit të mirënjohur, profesor Fatmir Terziut, tek “Fjala e lire” dhe mendja më “fluturoi”, jo tek manat (ne çamët i quajmë skamine), por tek binaja e ullirit mbi 500 vjeçar, në voruan e shtëpisë së gjyshit tim Nuhut, mësues historie e gjeografie (Në Kuç të Vlorës në vitet 1886-1888 dhe në Dhragumi, fshat në Paramëthi, në atë kohë me 250 shtëpi, në vitet e shkuara 1889-1895).
Isha 3-4 vjeç në vitet 1941-1942, kur dy motrat më të mëdha dhe vëllai rreth 3 vjeç më i madh, loznin në vorua, afër trungut të ullirit. Kur u afrova unë, ato morën një kosh që përdorej për ullinj dhe më futën brenda koshit. Më këshilluan që të mbaja fort duar tek thuprat (purtekat e konopicës, nga brenda koshit) dhe fillonin të rrotullonin koshin. Unë trembesha, por edhe më dukej vetja si trim që isha i zoti që rrotullohesha. Më gënjente mendja se vetëm unë isha i zoti për tu rrotulluar, të tjerët jo. Eh, mendje e foshnjërisë! E kështu kalonim orët duke lozur. Shtëpia e gjyshit ishte ndërrtuar në pjesën fundore të malit të Dulgës. Kopshtet tona ishin me taraca, për ruajtjen e dherave që të mos hqisnin (rrëshqisnin) poshtë. Këtë kujtim ma pruri në mendje shkrimi i profesorit. Veç këtij kujtimi, ajo poezi më çoi në ato vite të largëta (80 vjet më parë), plot me mall si për vitet e pakta që kalova atje si fëmijë, por dhe për njerëzit e familjes, të cilët janë ndarë nga jeta.
Çdo shkrim i lexuar me vëmëndje, përfshinë shumë gjëra që duhen zbuluar. Atje ka ndjenja, mall, dashuri, dhimbje, respekt, fakte, mirësi, marrezi, pra gjithçka që na rrethon. Është një ndjenjë e veçantë, të cilën e gjejmë tek çdo shkrim që na ka ndodhur dhe ndodhet tek mua, tek të ti, tek të gjithë, jo vetëm sot por kathehera (gjithmonë).
a)- Vendlindja nuk u harroka. Ajo ka zënë një vend në mendjen dhe qënien tonë ashtu si vetë ekzistenca. Jam larg, shumë larg vendlindjes, por ajo nuk harrohet, as nuk ndërron jetë. Ajo ekziston, na shoqëron dhe na ndjek këmba-këmbës. Ajo rri atje e na pret!.
Jemi të vetdijshëm se çdo vendlindje për çdo njeri është e patjetërsueshme, e shtrenjtë. E rëndësishme, mbi çdo të rëndësishme. Secili flet për të tijën!
b)- Prindërit nuk u harrokan. Edhe ata na janë ngjitur në mendje dhe qënien tonë. Por prindët dhe pjesëtarët e familjes ndërrojnë jetë. Ata nuk ekzistojnë, janë pranë nesh, por nuk na presin, siç na pret vendlindja. Ky është ndryshimi. Ndryshim që natyrshëm Atdheun, vendlindjen e rendit të parin, më të pashkëputur, që me mendje, shpirt e zemër kujtohet dhe dëshirohet pa kushte për t’u takuar e bashkëjetuar. Dëshira dhe shpresa për të qenë në vendlindjen time, është theksuar në të gjitha shkrimet e mia. Kjo dëshirë është e lidhur me faktin që “megjithëse është e jotja, ta kanë vjedhur, të ndalojnë ta shikosh”. Jemi dëbuar dhunshëm pa asnjë faj, asnjë vendim gjyqi, forca numerike, e mjeteve, ndryshimi etnik, epërsia numerike fetare dhe përkrahja e të tjerëve, siguruan vendimmarrjet ç’njerëzore të shtetit ortodoks grek, ndaj banorëve të vendlindjes, përfshi edhe ndalimin e shkuarjes për vizitë apo të kthimit për të jetuar atje.
Ngjarje historike që çvleftëson çdo konventë, ligj dhe parim, gjoja demokratik, lidhur me të drejtat universale të njeriut, pa lënë mënjanë dhe zbulimin e “epërsive” false të anëtarëve të Bashkimit Europian e më gjërë.
Kujtimet e fëmijërisë, janë si rrënjët e ullirit, manave, pemëve prej të cilave nuk shkëputemi dot, por na mbajnë të lidhur derisa largohemi nga mbidheu. Është dialektike, “rrënjët” e pemëve veç shtrirjes nënëdhe, nuk mbeten statu-quo, por çdo vit, pavarësisht se i largohen kohës së mbjelljes dhe mbirjes, shtohen, zgjerohen dhe forcohen. Ligj biologjik natyror, që natyra e dhuron si shëmbëlltirë.
Fenomenet natyrore që nuk arrijnë të kuptohen nga “megallomanët” dhe “mendjevdekurit”.
Falënderimet u takojnë gjithë intelektualëve, që me vullnetin, dijet dhe mundësitë e tyre, hedhin në tregun mediatik edhe fenomenet qofshin dhe të fshehta, që jo të gjitë arrijnë ti shohin dhe ti kuptojnë, të cilët i a “dhurojnë” shoqërisë njerëzore. Ata në vazhdimësi me shkrimet e tyre, na jepin mundësira të rikthehemi në rrugëtimet e jetës, për të na shërbyer si udhëzues në rrugëndjekjen e të sotmes dhe të së nesërmes.