21/11/2024

NJË VLERËSIM NGA INDIA PËR LIBRIN E AUTORIT GËZIM ALPION: “NENË TEREZA — SHENJTËRESHA DHE KOMBI I SAJ”

0

Nga Frank Shkreli

“Me gjak unë jam shqiptare. Me shtetësi jam indiane. Me besim unë jam murgeshë Katolike. Për nga thirrja, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”, janë fjalët e shqiptuara nga Nënë Tereza, e cila jetën e saj ia përkushtoi të varfërve, anë e mbanë botës.

Vitin që kaloi, shtëpia botuese britanike “Bloomsbury”, ka botuar librin në anglisht, me titull “Mother Teresa –The Saint and her Nation”, ose “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit dhe akademikut, Dr. Gëzim Alpion. Profesori Alpion jep mësim në Universitetin e Birmingham-it në Departamentin e Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë të këtij universiteti, ndër më të njohurit në botë. I specializuar në disa fusha akademike, Dr. Alpion, gjatë viteve, e ka dalluar veten si autori më i njohur, në gjuhën anglisht, i jetës dhe veprimtarisë së Shën Nënë Terezës dhe është, njëkohësisht, edhe themeluesi i “Studimeve mbi Nënë Terezën”.  Libri i tij i fundit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, është vlerësuar nga shumë ekspertë të fushës dhe akademikë botërorë dhe është pritur jashtzakonisht mirë edhe nga lexuesit e shumtë në Angli dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në shumë vende të botës ku anglishtja përdoret si gjuhë zyrtare ose gjysëm zyrtare, përfshir nën-kontinentin indian.

Vlerësimi më i fundit që më ra në dorë kohët e fundit vjen, pikërisht, nga India. Në të vërtetë, ishte në Kalkuta të Indisë, ku Nenë Tereza filloi dhe ku zhvilloi veprimtarinë e saj me mmotrat e urdhërit që ajo themeloi, “Missionaries of Charity”, me misonin për tu kujdesur për më të varfërit, për të uriturit, për të sëmurët dhe të pastrehuarit, sakatët, të verbërit dhe për të gjithë ata persona që, për një arsye ose për një tjetër, i ka përjashtuar shoqëria ku ata jetojnë. Ose siç shprehej vet Nënë Tereza për misionin e saj, për tu kujdesur për, “më të varfërit e të varfërve” në botë.  Por para se të ç’vendosej në Kalkuta, Nenë Tereza ka udhëtuar për në Darjeeling të Bengalit Verior për një takim vjetor shpirtëror të Kuvendit të saj, një udhëtim ky që ajo thenë sekishte ndjerë atë që e ka cilësuar si, “thirrja brenda thirrjes”. “Një thirrje që ajo e ka konsideruar si një kërkesë nga Jezusi për të dalë nga Kuvendi me qëllim për t’u kujdesur për më të varfërit e shoqërisë”. Prandaj, është me vend që vlerësimi më i fundit i veprës së Dr. Gëzim Alpion vjen, pikërisht, nga qyteti Darjeeling i shtetit Bengali Perëndimor të Indisë, atje ku Nenë Tereza, në shtator të vitit 1946, iu përgjigj “thirrjes brenda thirrjes” dhe vendosi  që jetën e saj t’ia kushtonte kujdesit për “më të varfërit e të varfërve”, jo vetëm në Indi, por gjatë dekadave të ardhëshme,veprimtaria e Nenë Terezës dhe motrave të saja, u përhap edhe në disa vende anë e mbanë ebotës.

Autori i vlerësimit më të fundit të librit,“Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, të autorit Dr. Gëzim Alpion, botuar kohët e fundit nga Shtëpia botuese Bloomsbury (me zyra në Londër, Nju Jork, Nju Deli dhe Sidni), është Paul Cheruthottupuram, që njihet me emërin C.C. Paul,i cili aktualisht jeton dhe vepron në qytetin Darjeeling të Bengalit Perëndimor.

C.M. Paul, përveç rolit të tij fetar si prift i Urdhërit Katolik Salezian të themeluesit Don Bosko, gjatë karierës së tij ai ka shërbyer edhe në detyra të ndryshme, përfshirë gazetarinë dhe ka pasur raste të shumta që ai ka bashkpunuar edhe me Nenë Terezen, në veprimtarinë e saj në shërbimin e pa kursyer ndaj të varfërve. Në kapacitetin e tij edhe si gazetar dhe themelues i radio-televizionit salezian në Darjeeling, C.C. Paul ka mbledhur materiale dhe dokumentacion mbi “Mbulimin e veprimtarisë së Nenë Terezës në gazetat e Kalkutës nga viti 1946-1962”, për të hedhur dritë mbi veprimtarinë bamirëse të Nenë Terezës në atë periudhë në Kalkutë.

Në vlerësimin e tij të librit të Profesorit “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”,Gëzim Alpion, C.C. Paul shkruan se për një banor si unë i qytetit Darjeeling — një qytet ky aq i lidhur ngusht me “thirrjen brenda një thirrjeje” të murgeshës shqiptare – libri i fundit mbi Nenë Terezën, “ofron  një lexim interesant, pasi jep informacione të panjohura deri më tani për Shënjtëreshën”, Nenë Terezën, shkruan C.M. Paul.  Ai e cilëson Dr. Gëzim Alpion-insi, “ndoshta akademikun dhe ekspertin më autoritativ mbi jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës, i cili argumenton”, shton prifti Indian, “se jeta e Nenë Terezës dhe historia e Kombit të saj, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet e bashk-kombasve të saj me katolicizmin, janë të ndërlidhura njëra me tjetrën.Është hera e parë”, vazhdon autori indian, “që një autor që shkruan për jetën dhe veprimtarinë e Nenë Terezës përpiqet t’i nterpretojë traumat, sfidat dhe sukeseset e saja, të këtij personidue kësaj misionarje duke eksploruar influencën, deri më tani të injoruar, të trashëgimisë së saj etnokulturore dhe shpirtërore”, në jetën dhe veprimtarinë e nenë Terezës.

Libri prej 284 faqesh kushtuar Nenë Terezës– botuar nga Shtëpia botuese Bloomsbury, dega e Indisë — përqendrohet, sipas C.M. Paul, edhe në ndërlidhjet që ekzistojnë midis individit dhe shoqërisë, në kryqëzimin midis biografisë dhe historisë, si dhe në transformimin e sfidave personale të Nenë Terezës në një subjekt debatesh dhe diskutimesh publike.

Materiali i librit është i organizuar në tre pjesë dhe ndahet në 15 kapituj, gjithsejt. Kapitulli i parë trajton pyetjen se, “Kush janë Shqiptarët e Nenë Terezës?”, një ekspoze, thotë autori në vlerësimin e tij, “të historisë së Atdheut të murgeshës, nga periudha e Ilirëve e deri në periudhën post-moderne”.  Pjesa e dytë e librit ka të bejë me “Rrënjët Shqiptare të Nenë Terezës dhe vitet e saja kur ka jetuar në Shkup”, që sipas C.M. Paul, “materiali meriton lëvdata, pasi pjesa më e madhe e të dhënave dhe analizave duket se janë publikuar për herë të parë”, në librin e Profesor Gëzim Alpion.

Pjesa e tretë e librit të Dr. Gëzim Alpion për Nenë Terezen botuar në anglisht vitin që kaloi, trajton “Marrëdhëniet e Nenë Terezës dhe të Kombit Shqiptar edhe me Selinë e Shenjtë (Vatikanin), ku flitet për personalitetin e murgeshës shqiptare, veprimtarinë dhe trashëgiminë e saj parë nga dy kend-veshtrime: roli i rëndësishëm që ka luajtur Vatikani në jetën e Nenë Terezës dhe në përspektivën e dytë, në librin e tij, Dr. Alpion vlerëson marrëdhëniet e saja me vendlindjen dhe me njerëzit me të cilët ka kaluar jetën e fëmijërisë në Shkup – një histori kjo prej vitit 1910 e deri në kalimin në amëshim të Nenë Terezës, në vitin 1997.

Në artikullin vlerësues të librit të Profesor Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”–shkrim i botuar kohët e fundit në median indiane, të priftit salezian nga India, C.M. Paul – informohen lexuesit në gjuhën anglisht se në kapitullin e fundit të librit, krahasohen kontrastet midis Nenë Terezës dhe heroit legjendar të Kombit shqiptar Gjergj Kastrotit-Skenderbe, dy personaliteteve më të njohura shqiptare ç’prej shekullit të 15-të, thuhet në këtë vlerësim.

C.M.Paul vlerëson më në fund veprën e Dr. Gëzim Alpion, “Nënë Tereza – Shenjtëresha dhe Kombi i Saj”, botuar në anglisht nga Shtëpia botuese, Bloomsbury India 2020, si “një libër origjinal, i kuptueshëm, i mirë studiuar…libër i cili me siguri do të bëhet një vepër udhërrëfyese për trashëgiminë, për jetëndhe veprimtarinë e Nenë Terezës”, në përgjithësi, përfundon C.M. Paul vlerësimin e tij të veprës së autorit anglo-shqiptar, Dr. Gëzim Alpion, Profesorit të njohur të Universitetit britanik, Birmingham.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok