04/12/2024

NJË VIT QË PO FILLON MBARË PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

0
Vjosa-Cameron5

Nga Frank Shkreli

Vërtetë, zhvillime me rëndësi dhe të veçanta, për Republikën e Kosovës në fillim të Vitit të Ri, 2024. Nuk jam i sigurt nëse këto lëvizje ndërkombëtare karshi Prishtinës janë të bashkrenduara nga vendet perëndimore – megjithëse mua më duket se ka njëfarë bashkrendimi — për t’i treguar Kosovës se nuk është e harruar. Besoj se këto lëvizje në fillim të Vitit të Ri, janë gjithashtu edhe një mesazh i qartë dhe i drejt për drejt për kundërshtarët e Kosovës dhe apologjetët e tyre: duartë larg nga Kosova!

Mjafton që tu hedhësh një sy këtyre zhvillimeve pozitive të dy javëve të para të këtij viti — për të cilat e kam fjalën – të dokumentuara në portalet e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.  Zhvillime këto në marrëdhëniet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, kryesisht, me shtete dhe ente euro-atlantike – të cilat kanë qenë pranë Kosovës – në kohë të mira e të vështira — ç’prej fillimit e deri më tani. Këto zhvillime, në të vërtetë, i bëjnë qytetarët e Kosovës, jo vetëm të udhëtojnë lirisht nepër Evropë, por edhe të ndihen më të sigurt dhe më të mbrojtur në vendin e tyre nga sulmet e armiqëve dhe bashkpuntorëve të tyre shekullorë të Kosovës. Falënderës të Madhit Zot, i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur” —Frank Shkreli: Shqipëria të distancohet nga klyshët e Rusisë. Të hiqet dorë nga “Ballkani i Hapur” | Gazeta Telegraf — që për një kohë të gjatë na trazoi shpirtin dhe na prishi mendjet, fatbardhësisht, sot ka ky projekt anti-shqiptar ka mbetur në kujtesë si një ëndërr e keqe, e tmershme dhe si një politikë dështuese anti-shqiptare që shpresojmë që të ketë përfunduar njëherë e mirë– ashtu si shumë projekte të tjera anti-shqiptare të 100-viteve të kaluara të sponsorizuara nga Moska dhe Beogradi. Urojmë që edhe ky projekt të ketë përfunduar aty ku e ka vendin: në shportën e historisë së plehërave, siç ka thënë dikur Ronald Reagan për ideologjinë e komunizmit ndërkombëtar.

Ja të veçantat e këtyre dy javëve të fundit në marrëdhëniet e Prishtinës me botën perëndimore, përfshir Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vatikanin dhe Evropën Përndimore.  Janë zhvillime këto në fushën ndërkombëtare që tregojnë se Republika e Kosovës ishte në rrugë të drejt që me vendosmëri të kundërshtonte “Ballkanin e Hapur”, të çpikur në koridoret e diplomacisë anti-shqiptare serbo-ruse. Udhëheqsit aktualë të Prishtinës zyrtare dhe qytetarët e Republikës së Kosovës i kërkuan botës një alternativë tjetër, duke kundërshtuar, vendosmërisht, “Ballkanin e Hapur” dhe “Shëngenat” e rrejshëm për vendet e Ballkanit Perëndimor, të propozuar nga Moska dhe Beogradi.  Duke u distancuar nga këto propozime kundër interesave shqiptare në rajon që mbështeteshin, fatkeqsisht, edhe nga Tirana zyrtare – shteti dhe qeveria e Republikës së Kososvës i treguan botës se qytetarët e Kosovës janë të denjë të një alternative tjetër pro-përendimore, si pjesë e familjes perëndimore të popujve të lirë, aty ku shqiptarët e kanë vendin, historikisht, për një jetë më të mirë e më të sigurt për të gjithë — në paqë me vendet fqinje, për të mirën e përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të sigurisë dhe paqës në kontinetin evropian.

Gjykoni vet se si zhvillimet ndërkombëtare në lidhje me Kosovën – dy javët e para të vitit 2024 – tregojnë se Kosova është në rrugë të mbarë drejt një të ardhme më të mirë, më të begatë dhe dhe më të sigurt për qytetarët e saj – si pjesëmarrëse e plotë në proceset euro-atlantike, me të drejta të barabrata dhe përgjegjësi si çdo shtet tjetër anëtar i Aleancës së NATO-s dhe i Bashkimit Evropian. Një e ardhme kjo që është në interesin afatgjatë të vet Kosovës dhe të Kombit shqiptar, por edhe në interesin më të gjerë të gjeopolitikës euro-atlantike në Ballkanin Perëndimor.

Viti 2024 filloi pra me këmbë të mbarë për Republikën e Kosovës! Ja një pasqyrim i këtyre zhvillimeve dy javëshe, që po tërheqin vëmendjen e analistëve dhe ekspertëve të rajonit: Filloi me liberalizimin e vizave për qytetarët e saj me 1 janar, 2024.  “Një vit që fillon me liri të lëvizjes”, e cilësoi Presidentja Osmani vendimin e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës — e deri në njoftimin, të premtën që kaloi nga Presidentja Vjosa Osmani, e cila deklaroi se, pas dy vjet pune intensive me Selinë e Shenjtë, ajo ka “Dekretuar formalisht hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë”.  Presidentja Osmani shtoi se, “Ky është një hap i rëndësishëm për Kosovën dhe për raportet tona me Selinë e Shenjtë, të cilat do të vazhdojmë t’i thellojmë”, ka thënë ajo me këtë rast.

Në vazhdimësi të këtyre shënjave pozitive të zhvillimeve ndërkombëtare në Kosovë, fillim të Viti të Ri, udhëheqsit e Republikës së Kosovës  — Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti, në një prej takimeve të para të nivelit të lartë në fillim të Vitit të Ri, pritën Raportuesen e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola von Cramon, ku sipas të dhënave zyrtare u diskutua për zhvillimet më të fundit në vend me fokus të veçant në fushën e sigurisë, si dhe punën e institucioneve të Kosovës  drejt rrugëtimit të integrimit të saj në BE. Në takimin me zyrtaren e BE-së Presidentja Osmani theksoi rëndësinë që BE-ja të shënojë përparim në raport me Kosovën drejt statusit të vendi kandidat për Republikën e Kosovës dhe heqjen e “masave të BE-së”, të cilat janë ende në fuqi, duke ritheksuar padrejtësinë e këtij vendimi si dhe mosbalancën që krijojnë ato në pozicionimin e palëve në dialog. Ndërlidhur me këtë çështje, Presidentja Osmani konfirmoi se Kosova mbetet palë e përkushtuar për zbatimin e plotë të marrëveshjeve”, me Serbinë.

Një zhvillim tjetër me rëndësi në marrëdhëniet e mbrojtjes dhe të sigurisë së përbashkët të Republikës së Kosovës me Shtetet e Bashkuara dhe me Aleancën NATO.  Republika e Kosovës po fillon një faze të re bashkpunimi me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes dhe të thellimit të marrëdhënieve të Kosovës me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është njoftuar tanimë, zyrtarisht, për synimin e Kosovës për të blerë sisteme mbrojtëse armësh nga

Shtetet e Bashkuara, përmes programit FMS — “Në mbështetje të qëllimeve të politikës së jashtme dhe sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një partneri evropian që është një forcë e rëndësishme për stabilitetin politik dhe ekonomik në Evropë. Shitja e propozuar gjithashtu do ta rrisë kapacitetin afatgjatë mbrojtës të Kosovës për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial, si dhe për t`i përmbushur kërkesat shtetërore në sferën e mbrojtjes”, citohet deklarata e Departamentit të Shtetit në lidhje me këtë shitje të propozuar armësh amerikane, Republikës së Kosovës.

Një vizitë me rëndësi në fillim të këtij viti në Kosovë ishte vizita e Kryeministrit të Irlandës në Prishtinë, e para e këtij lloji. “Populli i Kosovës është mirënjohës për miqësinë e kahershme dhe mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës”, u shpreh Vjosa Osmani, duke shtuar se, “Bashkë me Kryeministrin Leo Varadkar shprehëm përkushtimin tonë të përbashkët për bashkëpunim më të fuqishëm në mes të shteteve dhe qytetarëve tanë”, u shpreh me këtë rast Zonja Osmani.

Ndërsa Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti duke përshëndetur vizitorin e lartë tha se marrëdhëniet e Kosovës me Irlandën sa vijnë e thellohen.  “Vendet tona janë të lidhura fortë për vlera të përbashkëta të demokracisë dhe një histori të qëndrueshmërisë dhe rezistencës. Jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Irlandës në çlirimin, pavarësinë dhe zhvillimin e vendit tonë”, është shprehur Kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti: “Takimi i sotëm ishte një rast shumë i mirë për të diskutuar mbi mundësitë që i kemi para vetes për t’i thelluar raportet tona, sa në rrafshin ekonomik e tregtar, ashtu edhe në atë kulturor, politik dhe diplomatik”, midis Republikës së Kosovës dhe Republikës Irlandeze.

Qershia mbi tortë, si të thuash, e këtyre lëvizjeve diplomatike në Prishtinë, në fillim të Vitit të Ri, ishte vizita e një aleati të palëkundur, të Republikës së Kosovës, siç e cilësoi Presidentja Osmani, vizitën në Prishtinë të Sekretarit të Jashtëm Britanik, Lordit Cameron, me të cilin shtoi ajo, “diskutuam partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.”

“Britania e Madhe është krenare për partneritetin e vazhdueshëm me Kosovën si një mbështetëse prej kohësh e pavarësisë së saj”, Lord Cameron, Sekretar britanik për punët e jashtëme, gjatë vizitës në Prishtinë në fillim të Vitit të Ri

Në vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit për këtë vit, Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron vizitoi Prishtinën, që për “ne, ishte kënaqësi ta nisnim vitin 2024 me Lord Cameron dhe miqtë, aleatët e partnerët tanë britanikë”, ka thenë me atë rast, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti. Kryeministri i Kosovës, falënderoi vizitorin e lartë dhe Britaninë e Madhe për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë për Kosovën. E njoha me situatën në vend e përkushtimin tonë për zhvillim ekonomik, luftim të krimit dhe korrupsionit, ngritje të mirëqenies së qytetarëve dhe garantimit të sigurisë e paqes përballë sjelljes agresive dhe kërcënuese të Serbisë. Marrëdhëniet tona bilaterale qëndrojnë të forta e të palëkundura”, ka theksuar Kryeministri Kurt.

Kryediplomati britanik falënderon Ministren e Jashtme të Republikës së Kosovës, Zonjën Donika Gërvalla, Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurti për takimet me të për të diskutuar mënyrat e bashkpunimit, në mbrojtje të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Duket pra se Viti i Ri, 2024 ka filluar për së mbari për Republikën e Kosovës dhe për marrëdhëniet e saja me aleatët dhe miqët e vërtetë të saj, aleatët euro-atlantikë, “Një vit që fillon mbarë! Një vit që fillon me liri të lëvizjes, liri që na u mohua shumë gjatë e padrejtësisht”, siç u shpreh Presidentja Osmani. “Por përballë shumë vështirsive dhe sfidave, ashtu si gjithmonë, “me përkushtim të palëkundur, populli i Kosovës dëshmoi se nuk dorëzohet dhe nuk heq dorë kurrë nga vendi i merituar në familjen evropiane”, është shprehur e para e Republikës së Kosovës, Zonja Osmani me rastin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Unë besoj se këto vizita dhe lëvizje diplomatike dhe ushtarake të rëndësishme, në fillim të këtij viti, nga aleatët e vjetër dhe të rinjë të Kosovës, janë një shenjë e vërtetë e interesimit serioz të aleatëve dhe miqëve të Kosovës, në mbrojtje të stabilitetit dhe paqës afatgjatë në Kosovë dhe në rajon. Por edhe një shënjë vendosmërie nga aleatët eruoatlantikë të Kosovës se siç u shpreh edhe Lordi Camrorn, se “Marrëdhëniet tona bilaterale qëndrojnë të forta e të palëkundura”.

Gëzuar Vitin e Ri Kosovë!

Frak Shkreli

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok