20/04/2024

NJË VIT PA LUFTËTARIN DHE KRYETARIN ISUF QETAJ

0

Në përvjetorin e parë të amëshimit

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Dhjetor 2021. Një lajm rrufe u përhap në Mërgatë dhe Kosovë. Pushoi se rrahuri zemra rinore e Isuf Qetaj, luftëtarit të Kosharës dhe kryetarit të Nëndegës të LDK-së, në Mynih të Bavarisë gjermane.

Ishte vetëm 18-vjeçarë kur vendosi t`i bashkohet luftës, për lirinë e Kosovës. Për artin luftarak, u përgadit në ushtrimorën ushtarake, në Papaj të Tropojës. Ishte urdhëri i prerë i ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqit, Hero i Kosovës, i ekzekutuar, zyrtarisht, me urdhër të krerëve të LPK-së dhe të zyrtarëve social-komunistë të Tiranës: “Asnjë ushtar i papërgaditur, moralisht dhe ushtarakisht, të mos rrjedhtohet në frontin e luftës”.

Komandantët e Isufit rrëfejnë: “Isufi ishte i ri, i heshtur, i dëgjueshëm, por, edhe shumë kureshtar, për përvehtësimin e armëve në përdorim. Ishte i guximshëm për moshën, andaj edhe mori dy plagë, përgjatë luftës. Respektonte hierarkinë ushtarake. Realisht, ai ishte i veçantë në shumëçka, nga kolegët ushtarë. Ashtu si një nxënës i edukuar, që kujton dhe respekton mësuesit e tij, përjetësisht, edhe Isuf Qetaj si në luftë, ashtu edhe në liri, respektonte  komandantët, madje, pavarësisht nga njësia ku ka shërbyer si ushtar.

Nëpërmjet komunikimit elektronik digjital, ai ishte, gjithëherë, në lidhje të drejtëpërdrejtë me eprorët ushtarakë, kryesisht, të Kosharës historike, e cila, tashmë, është pranuar se legjitimoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Dhe, pa betejën rrufe fitimtare të Loxhës dhe betejat e çdoditshme, që identifikohen me Luftën e Kosharës, nuk mund të kuptohet as lufta e organizuar në Kosovë.

Në mëngjezin e 8 (tetë) dhjetorit 2021, lajmi i kobshëm për vdekjen e Isuf Qetaj, u përhapë rrufeshëm. Një vdekje e papritshme, zakonisht, dhembë më shumë dhe pikëllimi është i skajshëm. Veçantia e këtij lajmi të trishtë, ishte dhimbja masive. Dhe, kjo dhimbje kishte një arsye shtesë. Isuf Qetaj jetonte me prindër dhe familje në Mynih të Bavarisë gjermane. Lehtësisht, mund të vazhdonte rehatinë familjare. Por, ndjësia e atdhedashurisë ishte më e fuqishme dhe ai vendosi ta bëjë detyrën, që Atdheu kërkonte – mbrojtjen me armë. Dhe, Isuf Qetaj këtë e bëri pa u mëdyshur.

Të nesërmen Demë Qetaj e hapi 0dën -sallën e madhe, që nënkuptonte edhe – hapjen e të Pamës -, për djalin luftëtar të lirisë dhe veprimtar të demokracisë. – E Pamja – do të fillonte ende pa ardhur arkmorti, me trupin e pa jetë të Isuf Qetaj, për të vazhduar 10 ditë aktive, pa u ndërprerë, edhe mëtej, përgjatë gjithë muaji dhjetor.

Ishte një zgjatje unike, që Familja e bashkuar Qetaj, në fahatin Trubohovc të Istogut, po ngushëllohej, jo vetëm nga bashkëfshatarët, por, edhe nga qytetarët e komunës të Istogut dhe më gjerë, nga Kosova dhe Mërgata.

Kryetari i komunës, Ilir Ferati, në koordinim me Shoqatën e Ushtarakëve të Kosharës, formoi ekipin për ceremoninë e varrimit, të ushtarit të orëve të para, të luftëtarit Isuf Qetaj. Në krye të këtij ekipi ishte kryetari Ilir Ferati, eprorët ushtarakë Skënder Hasanxhekaj dhe Milazim Maraj, me komandantët tjerë.

Isuf Qetaj i plagosur

Në Sallën Sportive të qytetit u vendos arkmorti, me trupin e luftëtarit të lirisë dhe të veprimtarit të demokracisë – Isuf Qetaj. Përgjatë paraditës, qytetarët e komunës të Istogut, shokët e luftës, miq e dashamirë të shumtë, nga Kosova dhe Mërgata, bënë homazhe.

Në mesditë, në sallën e Kuvendit Komunal u mbajtë mbledhja komemorative, kushtuar jetës dhe veprës të Isuf Qetaj, ku folën kryetari i komunës, Ilir Ferati, komandanti i Kosharës Milazim Maraj, nënkryetari i Nëndegës të LDK-së, në Mynih, Blerim Cakiqi dhe të tjerë.

Prej andej, kortezhi funeral, i shoqëruar nga autobusët dhe makinat tjera, u nis për në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit, në Koshare. Bora e rënë, që kishte arritur gadi tek gjuri, nuk pengoi masën numerike të njerëzve, për të qenë pjesë e ceremonisë, në lamtumirën e luftëtarit Isuf Qetaj. Një firmë spastrimi, e ardhur enkas nga Gjakova, kishte hapur rrugën dhe sheshin Memorial.

Në një hapësirë të bollshme, poshtë varrezave, ishte ngritur një çadër, ku u strehuan Familja  dhe disa të moshuar. Në njërën anësore të arkmortit, të rrethuar me – një mal kurorash -, ishin renditur të gjithë komandantët, në ballë me Kolonel Rrustem Berishën, komandantin e parë të Kosharës. Në anën tjetër ishin dy djemtë e Isuf Qetaj, Dema dhe Krenari, pranë komandantit Skënder Hasanxhekaj. Ndërkohë, dy fëmijtë e vegjël të Isufit, Iliri dhe Medina, po qanin, zëshëm, si një simfoni e trishtë e asaj gjëme të madhe, për Familjen Qetaj.

Në përmbyllje të ceremonisë së varrimit, kryetar Iliri dhe njëri nga komandantët e Kosharës, rrëfyen, në sintezë, për jetën dhe veprën mbresëlënëse të luftëtarit dhe të kryetarit, Isuf Qetaj. Ishte një ceremoni mortore fort domëthënëse, e cila do të kujtohet gjatë, për vlerësimin, respektin dhe admirimin e luftëtarit të lirisë.

Në largim nga varrezat e dëshmorëve në Koshare, nëna Havë e Isuf Qetaj, bijë e familjes fisnike të Ali Mustafës, nga Novosella e Pejës, që rrezatonte pozitivitet, u printe nuseve, vajzave të saj dhe grave tjera, duke përshëndetur njerëzit në anësore të rrugës. Ajo me nusen Besa, dukeshin sikur, atë ditë, lanë një pjesë të zemrës në Koshare. Atë ditë dhjetori, u përlotën shumë sy, familja dihet, axha Gani, motrat, vëllezërit Antoni dhe Flamuri, në veçanti. Por, Demë Qetës nuk ia pa kush lotin në sy!

Luftëtarët e Kosharës bënë histori. Andaj, do të kujtohen në përjetësi.

Të gjithë ceremoninë e nderimit dhe të varrimit, të luftëtarit dhe të kryetarit, Isuf Qetaj, e përcolli ekipi i RTV – Fontana -, i prirë nga drejtori Zeqir Mehmetaj dhe mediet e tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok