07/02/2025
Timo-Merkuri

Nga Timo Mërkuri

I-Të shkruash për vetminë në kohën e sotme është gjeja më e zakonëshme edhe për arsyen se tashmë ajo është bërë një karakteristikë e jetës, shkaktuar nga prishja e strukturës sociale të jetesës në vend si pasojë e emigracionit masiv. Këndohet për vetminë e prindërve pleq, të mbetur vetëm në fshat e qytet, për vetminë e nuseve të reja me burrat në emigrim, vetminë e vajzave të pamartuara duke shfaqur jo vetëm statusin social-shoqëror por edhe dhimbjen karakteristike. Mirëpo kjo poezi e Alma Brajës ka një veçori (moderne) sepse vetmia nuk i atribuohet një individi me identitet të qartë gjinor. Kjo mungesë e specifikimit gjinor evidenton karakteristikën universal të poezisë, ajo nënkupton se vetmia nuk është e kufizuar nga përkatësia individuale, por është një gjendje ekzistenciale që mund të përjetohet nga kushdo. Në vend që të fokusohet te një subjekt i caktuar,prind,vajzë,djalë, poezia përqendro-het në përmasën shpirtërore të vetmisë, duke e kthyer atë në një përvojë universale njerëzore.

Gjithashtu kjo munges e statusit gjinor e bën poezinë më abstrakte dhe më të hapur për interpretime të shumta, pse vetmia këtu nuk është thjeshtë një ndjenjë e lidhur me përvojën e një gruaje apo një burri, por një dimension i qenies që e përfshin çdo individ në mënyrë të barabartë.

II- Tipike është se poezia “Kështu vetmi” e Alma Brajës e trajton vetminë si përvojë të brendshme, që nuk përkufizohet nga një izolim i jashtëm, nga një mbetje e vetmuar e heroinës psh, por nga një zhytje në territoret e errëta të vetvetes. Nuk është një vetmi pasive, por ndryshe nga përvojat e para nëpër ambientet rurale, kjo është një vetmi dinamike, një lëvizje e heshtur përmes hapësirave të brendshme të heroinës. Përmes një ndërtimi poetik të imazheve të errësirës, dritës që verbon dhe pasqyrave të padukshme, poezia jep një qasje të veçantë mbi mënyrën se si vetmia transformon përjetimin e realitetit.

1.Vetmia nuk përjetohet si një ndarje nga bota, por si një proces i brendshëm ,si një depërtim në ekzistencë gjë që duket te vargu:”Kështu u fute netëve heshtur në vena / I hape si hapen dyert e një korridori të errët…” ku shohim vetminë si një hyrje në një errësirë jo të jashtme, por brenda qenies njerëzore, brenda botës shpirtërore të heroinës. Akti i “hyrjes në vena” sugjeron se vetmia depërton në thelbin e individit, duke u bërë pjesë e tij.

  1. Zakonisht, drita simbolizon ndriçimin dhe njohjen, por këtu ajo ka një funksion të kundërt, ajo nuk ndriçon, por verbon:”… e drita nga jashtë të verbon.” pse në vend që të ndihmojë subjektin të shohë më qartë, drita bëhet një pengesë. Këtë dukuri e kemi ndjerë shpesh herë, psh gjatë qëndrimit në një ambient të mbyllur dhe befas dalim në dritën e diellit, e cila na vërbon sytë dhe detyrohemi ti pulitim qepallat ose ti mbyllim fare sa të normalizohet shikimi. Kjo dukuri ndodh edhe në botën e brendëshme shpirtërore pse ndonjëherë, edhe kur ndriçimi i jashtëm ekziston, ai nuk arrin të largojë errësirën e brendshme. Përkundrazi, mund ta bëjë atë errësirë edhe më të fortë, duke e theksuar humbjen e orientimit. A e kini venë re, një njeri i palexuar dhe i paditur ndjehet akoma më i paditur në një ambient të diturish.

3.Ndonëse subjekti ndjehet i burgosur në vetminë e tij, ai përjetohet si një qenie që lëviz në mënyrë të pakuptueshme: “Lëvizje përbrenda e lidhur me frymën që hynte e dilte / dhe jepje përshtypjen e fluturimit.”, pra vetmia nuk është vetëm statike, por ka edhe një dinamikë të brendshme. Megjithatë, kjo lëvizje nuk është e vërtetë, reale ajo është thjeshtë një perceptim, një “përshtypje e fluturimit,” duke e thelluar kështu ndjesinë e iluzionit dhe mungesës së përmbushjes.

4.A e kenui venë re, në vetmi, njeriu përjeton një pasqyrim të deformuar të vetes, një identitet që nuk mund të kapet plotësisht, ndjehet mw i pa aftw, i pazoti etj, dukuri të cilin poetja e paraqet me elegancë: “Si të shihje veten pasqyrave thuaj të padukshme të territ / Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme.” ku pasqyrat e padukshme simbolizojnë përpjekjen për vetënjohje, por kjo rezulton si një përpjekje e destinuar për të dështuar. Vetmia asnjëherë nuk e ndihmon subjektin të njohë më mirë veten, por përkundrazi, i lë atij ndjesinë e pamjaftueshmërisë dhe të zbrazëtisë. Vetmia është shumë e rrezikëshme, ajo mund të çojë njeriun në lëndime ekstreme të vetes.

5.Poezia përmbyllet me një varg të vetëm:”Kështu vetmi…” e cila e shndron poezinë në një dialog të heroinës me vetminë, pavarësisht se flet vetëm heroina. Këtë dialog e dëshmon pikërisht ky varg i cili ka formën e një pyetjeje, të cilës jo rastësisht poetja nuk i ka vënë pikpyetje në fund me qëllim që të zgjerojë gamën e interpretimit. Psh kjo thjeshtësi e shprehjes mund të hamendësojë një një pranim të heshtur të vetmisë si realitet të pashmangshëm. Nuk ka asnjë përpjekje për ta luftuar apo kapërcyer atë; vetmia thjesht ekziston dhe vazhdon të jetë pjesë e qenies, ku vetmia nuk është thjesht boshllëk, por një hapësirë e mbushur me perceptime të dyshimta dhe të paplota.

Sinqerisht është një vetmi e bukur poetikisht që ja vlen ta lexosh me vëmëndje dhe nuk i reziston dot dëshirës për ta komentuar.

Sarandë, më 05.02.2025

 

VETMI

Kështu u fute netëve heshtur në vena

I hape si hapen dyert

e një korridori të errët

e drita nga jashtë të verbon.

Nuk kishe krahë ëndrre.

Lëvizje përbrenda

e lidhur me frymën që hynte e dilte

dhe jepje përshtypjen e fluturimit.

Kështu u fute netëve heshtur…

Si të shihje veten

pasqyrave thuaj të padukshme të territ

Dhe shëmbëlltyra kaq e pamjaftueshme.

Kështu u fute netëve

Në shëmbëlltyrë të pamjaftueshme.

Kështu vetmi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok